denonco@transparency.com.al

Pas gjurmës së parave të Coronavirus – Rasti i Shqipërisë

Qëllimi kryesor i këtij raporti është monitorimi i buxhetit të ndarë për sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë Covid19, përfshirë buxhetin e shtetit, ndihmën e huaj dhe donacione të tjera për sektorin e shëndetësisë. Ky raport gjithashtu merr parasysh transparencën dhe proporcionalitetin e ndihmës financiare të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në mënyrë që të sigurojë garancitë e nevojshme, pajisjet dhe nevojat e tjera të ndërlidhura për të përballuar situatën Covid-19 në spitalet rajonale, përfshirë spitalet e dedikuara Covid19.

LEXONI RAPORTIN E PLOTE: Pas gjurmës së parave të Coronavirus – Rasti i Shqipërisë

Read more

Analizë e programeve të partive politike: Ç’vend zë shëndetësia?

Programet politike janë përmbledhje e objektivave qeverisëse të një partie politike, që i prezantohen publikut të gjerë me qëllim për të marrë sa më shumë mbështetje përmes votave. Është praktikë e zakonshme që çdo parti politike në periudhën parazgjedhore të prezantojë programin e saj 4-vjeçar. Në fakt, në Shqipëri ajo që mund të konsiderohet si më e zakonshme është prezantimi i programeve më shumë si shprehje dëshirash se sa plane strategjike që reflektojnë problematikat reale të vendit dhe që janë të realizueshme në praktikë.

Thënë kjo, këtyre programeve u mungon strategjia e detajuar zbatuese, duke qenë se partitë politike përdorin më shumë imazhin e liderit dhe sulmin ndaj “gafave” të kundërshtarit për të luftuar në zgjedhje, se sa formën se si do të arrijnë synimet e premtuara. Marrë parasysh situatën e pandemisë Covid-19 në të gjithë botën, menaxhimin e saj, që rezultoi të jetë më shumë një sfidë e sistemit qeverisës se sa e sistemit shëndetësor, deklaratat dhe kundërdeklaratat e partive politike në këtë drejtim, si dhe me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021 në vend, shoqata “Together for Life” (TFL), me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri ka realizuar një raport i cili analizon programet e gjashtë partive politike, duke u fokusuar veçanërisht tek pjesa që i kushtohet sektorit shëndetësor.

Partitë e monitoruara janë tri partitë kryesore në vend: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe tri partitë që kandidojnë për herë të parë, por që vijnë me një potencial politik: Nisma Thurje, Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshim. Ky raport ka analizuar programet duke vlerësuar mundësinë e realizimit të tyre në pajtueshmëri me kornizën kushtetuese dhe ligjore në Shqipëri. Po ashtu, raporti analizon se cilat veprime janë të nevojshme për t’u ndërmarrë për disa nga pikat e propozuara nga partitë politike dhe sa prej tyre tashmë janë realizuar dhe përfshirja e tyre në strategjitë politike është e panevojshme.

Qëllimi i parë kësaj analize është që të vlerësojë alternativat e partive politike lidhur me sektorin e shëndetësisë, një sektor jo vetëm kyç për nga funksioni në situatën aktuale të pandemisë, por edhe për faktin se në Shqipëri është renditur i dyti në korrupsion pas drejtësisë. Gjithashtu, kjo analizë shërben për të kuptuar rëndësinë që ka shëndeti i popullatës për partitë politike që kërkojnë që të qeverisin vendin, duke e parë shëndetin si një e drejtë universale, si e drejta për të jetuar në një shoqëri demokratike.

Interesi është që të kuptohet nëse në radhë të parë ka programe, platforma zhvilluese me vizion, mision dhe strategji, dhe këto programe të prezantuara, a janë të zbatueshme, apo propozimet për ndërhyrje dhe zhvillim të sistemit shëndetësor do të mbeten vetëm në letër, në kuadër të premtimeve elektorale.

LEXONI RAPORTIN E PLOTE: Analizë e programeve të partive politike: Ç’vend zë shëndetësia?

Read more

Kujdes: Medikamentet për tensionin e gjakut që përmbajnë Irbesartan të kontaminuar shkaktojnë kancer

Një medikament mëse i zakonshëm për tensionin e gjakut është ndaluar që të përdoret për shkak të frikës, që ai përmban substanca që mund të rrisin riskun për zhvillimin e kancerit. Agjencia britanike për Kujdesin ndaj Shëndetit dhe Barnave (MHRA) ka lëshuar një njoftim në lidhje me 25 seri produktesh medicinale që përmbajnë irbesartan.

Irbesartani është një medikament që përdoret më së shumti për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut por gjithashtu përdoret edhe në disa pacientë që kanë probleme me veshkat. Seria e 25 medikamenteve që përmbajnë irbesartan janë kontaminuar me një papastërti që potencialisht mund të rrisë rrezikun e kancerit me kalimin e kohës.  Kjo është marrë si një masë paraprake për të parandaluar përdorimin e mëtejshëm dhe nuk ka dëshmi se kjo papastërti (5- (4 ‘-(azidomethyl)-[1,1’-bifenil] -2yl) -1H-tetrazole), ka shkaktuar ndonjë dëm te pacientët.

Njoftimi i autoritetit britanik të shëndetit dhe barnave është bërë kryesisht për farmacitë dhe rekomanduesit e tjerë të medikamenteve.

Sipas paralajmërimit, për pacientët sugjerohet që ata të komunikojnë me mjekun e tyre, por të mos ndalojnë së marruri medikamentet e tensionit të lartë të gjakut sepse kjo mund të jetë e rrezikshme. Mbikëqyrësi i medikamenteve tha se tërheqja është një masë “parandaluese” dhe se “nuk ka prova” se papastërtia kimike u ka shkaktuar ndonjë dëm pacientëve.

Ata paralajmëruan se ndalimi i papritur i medikamenteve për tensionin e lartë të gjakut mund të jetë i rrezikshëm.

Dr Alison Cave, zyrtari kryesor i sigurisë në MHRA, u shpreh: “Siguria e pacientit është në zemër të asaj që po bëjmë. Po studiojmë grupet e medikamenteve të caktuara që përmbajnë sartan si një masë paraprake ndërsa vazhdojmë hetimin tonë.”

Ndalimi i medikamentit:

Sipas njoftimit zyrtar, është e rëndësishme që profesionistët e kujdesit shëndetësor të kontrollojnë stokun e tyre në depot e medikamenteve dhe t’i kthejnë ato. Këto produkte janë tërhequr nga tregu edhe gjatë vitit 2018, 2019 dhe hetimet që nisën në qershor 2021 janë pjesë e një investigimi të vazhdueshëm. MHRA po punon me rregullatorët e tjerë të medikamenteve për këtë çështje.

Read more

Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme medikamentesh kontrabandë, mes tyre edhe medikamenti i shtrenjtë i Covid-19

Strukturat Doganore në bashkëpunim me policinë Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme ilaçesh kontrabandë. Mësohet se gjatë kontrollit të kamionit i cili drejtohej nga shtetasi me ininciale K.R, rezultoi se krahas mallrave të deklaruara kishte edhe një sasi medikamentesh mjekësore të padeklaruara më herët. Policia bëri sekuestrimin e 1300 ilaçeve, ku mes tyre kishte dhe kuti të medikamentit të shtrenjtë te Covid-19, Remdisivir.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Strukturat Doganore në bashkëpunim me Policinë  Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë një kontrolli të përbashkët sekuestruan  një sasi të konsiderueshme ilaçesh kontrabandë.

Gjatë kontrollit të kamionit me targa TR1524S dhe ACR919, me drejtues shtetasin me inicialet K.R. rezultoi se krahas mallrave të deklaruar, ishte dhe sasia e medikamenteve mjekësore e pa deklaruar, të cilat u sekuestruan.

Materialet iu kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Read more

Cënohet siguria ushqimore/ Raporti i KLSH: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit s’ka dokumente për mijëra kg mish të sekuestruar në Kavajë e Rrogozhinë

Mishin që u sekuestrohej tregtarëve në Rrogozhinë e Kavajë, inspektorët e AKU e çonin në “ruajtje” tek frigoriferët privat në Tiranë. Më vonë bënin një procesverbal asgjësimi. Gjasat janë se këto përfundonin sërish në treg, pasi KLSH* në kontrollin e bërë në DRAKU Tiranë, nuk ka gjetur asnjë dokument që të vërtetojë se këto sasi mishi janë asgjësuar.

Kontrolli i KLSH nis me autorizimin e datës 23 janar 2018, sipas të cilit, janë nisur inspektorët për asgjësim të mishit dhe nënprodukteve të tij të konfiskuara në njësitë e tregtimit të mishit, peshkut, etj, për periudhën 30 dhjetor 2017 deri me 22 janar 2018.

Në Procesverbal inspektimin, Vendimin Përfundimtar të mbajtur në subjektin X, cilësohet sasia në total 1160 kg (pa certifikatë veterinare), transportuar me mjetin me targë. Por në proces verbal nuk përshkruhet dhe nuk është vlerësuar vlera në lekë e sekuestrimit të sasisë së mishit të asgjësuar.

Mishi i konfiskuar është dërguar pranë subjektit privat, i cili është vetë objekt inspektimi nga AKU. Ky veprim, sipas auditimit, nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore, pra është kryer në kundërshtim me procedurën e përcaktuar në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”.

Referuar këtij veprimi të inspektorëve, arrihet në konkluzionin se ky është kryer në tejkalim të kompetencave ligjore, në kushtet e mungesës së minimalisht të një akti ligjor (kontratë qiraje për dhomë/magazinë frigoriferike) midis institucionit dhe subjektit, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar.

Sipas KLSH është cënuar siguria ushqimore, pasi në çdo moment subjekti, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar (ku theksojmë se në këtë praktikë nuk administrohet as dokumenti i pranimit nga subjekti, të mallit të konfiskuar), mund ta nxjerrë në treg mishin, mund ta trajtojë, përpunojë dhe ta përdorë për një qëllim tjetër, si dhe ndikon negativisht në konkurrencën në treg.

Nga ana tjetër, në asgjësimin e pretenduar të sasisë së mishit, nuk janë prezent përfaqësuesi i subjektit të mallit të konfiskuar ose përfaqësues tjetër ligjor nga institucionet e Mjedisit dhe Tatimeve. “Në praktikën e mësipërme, dokumentacioni i paraqitur është i paplotë dhe nuk dokumenton vërtetësinë e kryerjes së asgjësimit”, thekson KLSH.

Por ka edhe një fakt që përforcon mendimin se abuzimet nuk janë të rastësishme. Në autorizimin e lëshuar nga ish/Drejtori i DRAKU Tiranë për kryerjen e asgjësimit, është i njëjti grup që ka kryer inspektimin dhe sekuestrimin. Pra, ky është një konflikt interesi i inspektorëve.

Read more
sqAlbanian