
Paketa e Transplantit Renal dhe paketa e Terapisë së Flakjes Akute të Veshkës mbulohen nga institucionet shëndetësore jopublike të kontraktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas raportit vjetor të këtij institucioni për periudhën Janar – Dhjetor 2020, janë kryer gjithsej 10 transplante dhe 2 proçedura Terapi të Flakjes Akute të Veshkës. Paketa e transplantit të veshkave është njëra prej ndërhyrjeve më të kushtueshme ku është përllogaritur të ketë një kosto prej 1.2 mln lekë të reja ose 10 mijë euro për çdo ndërhyrje.
Themelet për kryerjen e transplanteve të veshkave në Shqipëri, në institucionet publike, u hodhën në vitin 2006, kohë kur nisi krijimi i infrastrukturës për realizimin e transplanteve në vendin tonë. Falë një investimi mbi 1 mln euro u ngrit salla me të gjitha parametrat, u specializuan stafet dhe u premtua se transplanti do të ishte një rutinë për QSUT-në me afërsisht 20 raste në vit. Ndërkohë në listë pritje ishin rreth 500 pacientë. Paradoksalisht sallës së transplanteve në QSUT, që ishte teknologji e fundit, iu vu kyçi. Aktualisht tranplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private.
Pikëpyetjet për mosrealizimin e transplanteve në institucionet publike, kanë mbetur pa zgjidhje pasi asnjë përfaqësues i institucioneve shëndetësore nuk prononcohet për të dhënë përgjigje.
Në një speciale të realizuar nga Top Story, mjeku i njohur Mustafa Xhani, i cili ka drejtuar për vite të tëra shërbimin e urologjisë, ku edhe u vendos salla e tranplanteve, shprehet se ende nuk e ka të qartë se përse u ndërprenë transplantet në QSUT.
“Unë kam shkuar vetë tek drejtoresha që tani është edhe ministre e shëndetësisë dhe i kam thënë që ne i kemi kapacitet për ta bërë këtë ndërhyrje, ndoshta jo 20 por 10-12 në vit ne mund ti realizonim, por asgjë’ u shpreh doktori Mustafa Xhani, urolog
Sipas tij QSUT e ka të gjithë infrastrukturën dhe kapacitetet për të realizuar këtë ndërhyrje kaq delikate, por e gjitha është çështje vullneti.
“Unë e kam ende një pikëpyetje se përse kjo ndërhyrje nuk realizohet në QSUT. Lekët janë hedhur, stafi është trajnuar” u shpreh Mustafa Xhani, urolog
Ironikisht në vitin 2019, teksa inspektonte aparaturat e reja të hemodializës në QSUT, Ministrja Ogerta Manastrilliu riktheu sërish premtimin për transplantin e veshkës në QSUT, por deri më tani asgjë nuk është bërë.
“Maqedonia e bën transplantin rutinë. Pse të mos e bëjmë ne? Jemi më pak të Zotë? Jo!”, thotë Prof. Mustafa Xhani