denonco@transparency.com.al

Shëndetësia shqiptare lëngon nga eksodi i pandalshëm i mjekëve

Largimi i mijëra mjekëve gjatë dekadës së fundit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të tranzicionit shqiptar – me pasoja të rënda në sistemin shëndetësor dhe në jetët e qytetarëve.

Më 7 dhjetor 2018, Enkelejda Rexhepit nga qyteti verilindor i Bulqizës i nisën papritur dhimbjet e lindjes dhe priti më kot një ambulancë. Asokohe 31-vjeç, Rexhepi ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe priste trinjakë.

Së bashku me të shoqin morën taksi dhe u nisën drejt spitalit, por aty nuk kishte gjinekolog.

Gruaja tregon se u detyrua ta bënte lindjen e parë me ndihmën e mamisë dhe të mjekut të përgjithshëm, ndërsa një mjek specialist po fluturonte me helikopter nga Tirana për t’i shpëtuar jetën.

“Ai pyeste vazhdimisht nëse kishte mjek anestezist, nëse kishte sallë operacioni apo mjek që ta ndihmonte, por asgjë nga këto nuk ishte në spital,” kujton Enkelejda pesë vjet më vonë.

Përballë mungesave të mëdha në spital, mjeku i tha Enkelejdës “të bëhej e fortë” dhe e kreu ndërhyrjen pa anestezi. Dy foshnjet e para lindën gjallë, por ndërruan jetë pas dy orësh në spitalin e Bulqizës, ndërsa i treti lindi i vdekur.

Enkelejda i tha BIRN se kjo ishte trauma më e madhe e jetës.

“Nuk e përballoja dot atë humbje, ishte shumë e vështirë. Një dhimbje e papërshkrueshme,” shtoi ajo mes lotëve.

Shqipëria nxjerr çdo vit 150-200 mjekë specialistë, por numri i tyre është i pamjaftueshëm për të plotësuar vakancat e krijuara ndër vite – veçanërisht në spitalet e bashkive të largëta si ai i Bulqizës. Në anën tjetër, vendi humbet një numër thuajse të barabartë mjekësh çdo vit në një eksod të pandalshëm të bluzave të bardha drejt Perëndimit.

‘Brain drain’ ose ikja e trurit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të trazicionit shqiptar, i reflektuar gjatë dekadës së fundit me largimin masiv të personelit shëndetësor nga vendi.

Prej vitit 2014, Shqipëria llogaritet të ketë eksportuar rreth 1500 mjekë vetëm në Gjermani, ndërsa largime ka pasur edhe drejt Italisë, Anglisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Francës.

Eksodi ruan një trend rritës edhe gjatë tre viteve të fundit, kur sipas Urdhrit të Mjekut 490 mjekë u pajisën me ‘certifikatën e sjelljes së mirë’– një dokument që u mundëson atyre punësimin jashtë shtetit.

“Ne jemi duke humbur 100-150 mjekë në vit,” thotë me shqetësim Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

“Kjo është një lëvizje e ‘trurit’ që shkon nga vendet ku paguhen më pak drejt atyre që paguhen më shumë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se këtë situatë po e vuajnë më shumë zonat e largëta të vendit.

Kriza e injoruar e mjekëve

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë inaugurimit të spitalit qendror. Foto: Facebook.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e relativioi për vite me radhë problemin e largimit të mjekëve dhe infermierëve nga vendi – duke e konsideruar këtë një efekt anësor global të lëvizjes së lirë.

Por Rama ndryshoi qëndrim gjatë muajve të fundit, ndërsa qeveria e tij po prezanton politika për të frenuar eksodin e bluzave të bardha.

Gjatë një Kongresi Shëndetësie të zhvilluar në fillim të marsit, Rama deklaroi rritjen me 50 mijë lekë në muaj të pagës së mjekëve specialistë dhe premtoi rritje edhe për kategoritë e tjera. Por ai prezantoi edhe kushte, duke paralajmëruar rritje të kostove të studimit për studentët që nuk do të pranojnë të kontribuojnë për vendin.

“Nuk mundet dot Shqipëria të financojë sistemin shëndetësor gjerman. Ne nuk mund të cënojmë interesin tonë, nuk mund të pranojmë që 1 student të paguajë 1/16 e kostos dhe në fund, studenti të marrë diplomën dhe të ikë në Gjermani,” tha Rama.

Ndonëse të vonuara, lëvizje të tilla janë mirëpritur në një pjesë e komunitetit mjekësor të vendit.

“Kur në fillim thosha ‘po na ikin mjekët’, më thonin që ka mjekë sa të duash..,” kujton rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Ai e quan një ogur të mirë faktin që politika është ndërgjegjësuar dhe “po harton politika për të mbajtur trurin e shëndetësisë në vend”.

Të tjerë kanë dyshime nëse vendi i vogël i Ballkanit mund të hartojë strategji të suksesshme për adresuar të gjitha shkaqet që i shtyjnë mjekët drejt largimit.

Gazmend Koduzi, pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dikur kordinator i Partisë Demokratike për Shëndetësinë, i tha BIRN se qeveria do të duhej të kryente një reformë të mirëfilltë të sistemit shëndetësor për të siguruar paga më të larta, kushte më të mira pune si dhe mundësi më të mira për karrierë.

“Nëse nuk merren masat përkatëse, përgatitja e një strategjie të zhvillimit të burimeve njerëzore bazuar në evidencë si dhe zbatimi i reformave esenciale në sistemin shëndetësor, gjendja pas disa kohësh do të jetë e trishtë,” tha Koduzi.

Shaqir Qerama është ndër të paktët mjekë të rinj të brezit të tij që synon të ndërtojë një karrierë në Shqipëri. Pasi përfundoi studimet në një universitet privat, Qerama po kryen specializimin për hematologji në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

“Nga 40 veta që ishim në klasë, kemi ngelur vetëm 3 në Shqipëri. Të gjithë kanë ikur në Gjermani,” thotë ai me keqardhje.

Për të frenuar hemorragjinë e mjekëve drejt Perëndimit, qeveria ka vendosur një pagesë për mjekët specializantë në këmbim të detyrimit për të punuar për tre vjet atje ku ka më shumë nevojë, por Qerama e ka refuzuar këtë ofertë.

“Mjekësia në rrethe është më shumë se 20 vite pas,” tha Qerama, ndërsa shtoi se nëse do t’i duhej të punonte jashtë Tiranës, nuk do të kishte mundësi ta ushtronte profesionin ashtu siç duhet.

Nëse nuk emigrojnë, qëndrojnë në Tiranë

Shqipëria mban vendin e fundit në rajon për numrin e mjekëve në raport me popullsinë dhe kriza e emigrimit e bën edhe më të vështirë ngritjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore për të plotësuar nevojat e vendit.

Gjithashtu, mjekët janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, duke penalizuar popullatën e varfër që jeton në zonat më të thella të vendit.

Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike, të ndara në spitale universitare, rajonale dhe bashkiake. Spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.

Për të mbuluar vakancat në spitalet rajonale dhe ato bashkiake, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar prej vitesh një sistem patronazhimi si dhe ka inkurajuar transferimin e mjekëve në zonat e thella në këmbim të një bonusi bujar financiar.

Por të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se vetëm një numër i kufizuar mjekësh u janë përgjigjur këtyre thirrjeve.

Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se kishte punësuar 314 mjekë gjatë vitit 2022 për të mbuluar vakancat, 140 prej të cilëve mjekë specialistë.

Punësimet e reja e kanë çuar numrin e mjekëve të angazhuar në sistemin spitalor të të gjitha niveleve në 2800 mjekë, ndërsa numri i vakancave sipas Ministrisë është aktualisht 76 pozicione.

Ministria shtoi gjithashtu se kishte aktualisht të angazhuar në programin e patronazhimit 47 mjekë të specialiteteve të ndryshme, ndërsa përmes programit të bonusit ishin mbështetur 24 mjekë.

“..Programi i incentivave financiarë, bonusi për mjekët, i cili mbështet mjekët që ofrojnë shërbime shëndetësore të specializuara larg vendbanimit rezulton një program efektiv që ka ofruar më shumë shërbime afër vendbanimit për qytetarët në të gjithë vendin dhe ka mbështetur 24 mjekë,” tha Ministria në përgjigjen me shkrim.

Megjithatë, të dhënat e pjesshme të siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se spitalet rajonale dhe ato bashkiake vazhdojnë të kenë mungesa të theksuara të mjekëve specialistë dhe kanë të pambuluara shërbime shumë të rëndësishme për pacientët.

Spitali rajonal i Elbasanit i tha BIRN se kishte aktualisht 86 mjekë në detyrë dhe 22 vakanca ose 25% të numrit total të mjekëve. Edhe spitali rajonal i Korçës – më i rëndësishmi në juglindje të vendit tha se kishte në punë 76 mjekë dhe 6 vakanca; mes të cilave 1 mjek ortoped, 1 mjek hematolog, 1 mjek kardiolog, 1 mjek neonat, si dhe 2 mjekë për urgjencën.

Spitalet bashkiake të vendit vuajnë mungesa edhe më të mëdha dhe nuk po munden që të rekrutojnë staf të specializuar.

Ekspertët e shëndetësisë janë të shqetësuar për vakancat e shumta në spitalet rajonale dhe bashkiake dhe e konsiderojnë plotësimin e tyre një sfidë të vështirë për t’u përmbushur.

Rektori Gjata thotë se edhe nëse nuk ikin jashtë shtetit, pjesa më e madhe e studentëve apo specializantëve të mjekësisë dëshirojnë të qëndrojnë në Tiranë, pavarësisht ofertave financiare të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ofertat financiare për të ikur me kontratë jashtë Tiranës janë shumë të favorshme, por jo të gjithë e pranojnë këtë ide,” tha ai.

Për pedagogun Koduzi, mungesa e mjekëve ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës.

“Mungesa e mjekëve e ul aksesin ndaj shërbimit shëndetësor dhe si pasojë përkeqëson gjendjen shëndetësore të popullatës,” thotë Koduzi, ndërsa paralajmëron se Shqipëria do të përballet me largime edhe më të mëdha mjekësh me avancimin e integrimit në BE.

Pasojat i vuajnë pacientët

Pacientë në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit. Foto: Geri Emiri.

Qyteti i Shkodrës ka një ndër spitalet më të rëndësishme rajonale, por prifti ortodoks, Aleksandër Petani merr rrugën drejt Tiranës sa herë që i duhet të kalibrojë kardioverterin [ICD] që e mban në jetë.

Petani i ka mbijetuar dëmtimit të kolonës dhe disa infarkteve, ndërsa zemra e tij rreh rregullisht me ndihmën e aparaturës së implantuar.

“Kam apartatin e vendosur në trup, jam i lidhur me pesë tela. Sa herë që aparatura bën goditje për të rikthyer zemrën në punë, pas dy ditësh maksimumi duhet të paraqitem te mjeku që të kalibrojë përsëri aparaturën,” tregon Petani. Por në Shkodër mungon një mjek për këtë specialitet.

Udhëtimet e shpeshta drejt Tiranës janë një kosto e shtuar fizike dhe ekonomike për priftin ortodoks dhe bashkëshorten e tij.

“Na duhet të marrim makinë në dispozicion që shkon diku te tetë mijë lekë si dhe të rezervojmë një dhomë hoteli te 25 euro. Ai nuk e përballon dot udhëtimin dhe lodhjen. E kemi të pamundur, si nga ana finaciare ashtu edhe fizike,” thotë Vjollca, bashkëshortja e tij.

Rreth 130 kilometra në juglindje të Shkodrës, spitali i Bulqizës përballet me trauma të shumta për shkak të aksidenteve në minierë, por i mungojnë mjekët specialistë.

Mjeku i përgjithshëm, Fatos Hoxha thotë gjithashtu se kushtet e punës lënë shumë për të dëshiruar.

“Edhe për ne vetë si mjekë është shumë e vështirë kur nuk kemi mundësi t’u ofrojmë ndihmë pacientëve për shkak të mungesave që kemi,” tha Hoxha për BIRN.

Pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018, spitali i Bulqizës lidhi kontratë me një mjeke gjinekologe, por ajo u largua pas një kohe të shkurtër. Shkak sipas njërës prej mamive u bënë kushtet e vështira të punës.

“Ne kemi nevojë për një mjek gjinekolog dhe një reanimator. Duhet të kemi disa kushte që mjeku të mos përfundojë duke bërë detyrat e mia si mami,” thotë mamia që punon prej 29 vitesh në këtë spital.

Dy vjet pas humbjes së tre foshnjeve, Enkelejda Rexhepi ngeli sërish shtatzanë dhe e gjeti spitalin sërish pa gjinekolog. Ajo u detyrua të udhëtojë drejt Peshkopisë për kontrollet e saj periodike, por trauma ishte ende e freskët.

“Pas asaj që më kishte ndodhur e kisha me frikë që udhëtoja deri në Peshkopi për të bërë vizitat. Duhet të kemi edhe ne si qytet një mjek gjinekolog,” tha ajo. “Është në lojë jeta e njerëzve dhe nuk dua që asnjë nënë të kalojë atë që kalova unë,” përfundoi ajo.

Read more

Sëmundjet pas Covid-19: Importi i produkteve farmaceutike me rritje vjetore 35%

Shumë artikuj të konsumit të përditshëm që importohen nga jashtë pësuan ulje vitin e fundit si rrjedhojë e efekteve negative që po jep emigracioni i lartë tek tkurrja e popullsisë së re në moshë.

Në të kundërt grupi i produkteve farmaceutike po pëson rritje të qëndrueshme nga viti në vit, por sidomos pas pandemisë Covid-19.

Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme e INSTAT, në 2-muajt e parë të vitit 2023 importet e produkteve farmaceutike në sasi pësuan rritje me 31 për qind, duke shënuar një rekord të ri.

Në 2-muajt e parë të vitit u importuan 1,091 tonë medikamente nga 833 tonë në dymujorin e parë të vitit 2022.

Në krahasim me periudhën para pandemisë sasia e produkteve farmaceutike gati është dyfishuar.

Burimet nga tregu pohojnë se rritja po vjen për dy arsye kryesore. E para lidhet me barrën e lartë të sëmundjeve që la pandemia Covid -19 në të gjitha diagnozat. Mijëra persona që kanë kaluar Covid-19 janë shndërruar në të sëmurë kronike që kërkojnë trajtim të përhershëm. Pandemia ka ndikuar negativisht, sëmundjet e zemrës, artritet, veshkat dhe ka krijuar dëmtime të përhershme në mushkëri që kërkojnë trajtim periodik.

Operatorët e tregut pohuan se, pandemia krijoi një varësi të konsumit të vitaminave, përdorimi i të cilave mbetet i lartë në krahasim me para pandemisë.

Gjithashtu plakja e popullsisë dhe rritja e barrës së sëmundjeve në të gjithë diagnozat, të shtyrë edhe nga pandemia ka arritur kërkesën për trajtim me medikamente.

Operatorët e tregut pohojnë se me gjithë rritjen Shqipëria ka shpenzime të ulëta për produkte farmaceutikë gati 50 % më pak se rajoni.

Por sipas tyre rritja e konsumit të brendshëm në krahasim me vitet e kaluara po vjen nga një sërë faktorësh komplekse që kanë të bëjnë me plakjen e popullsisë, përmirësimin e trajtimit etj.

Operatorët pohojnë se rritja do të ishte edhe më e madhe nëse qeveria do të shtonte buxhetin e rimbursimit të medikamenteve që për vite të tëra qëndron në vendnumëro.

Buxheti i rimbursimit nuk po ecën me ritëm të drejtë me incidencën e sëmundshmërisë dhe nevojat reale në popullatë. /B.Hoxha

Read more

Mungojnë ilaçet e dializës, eksperti: Mimpara, jetike për pacientët

Pacientët që jetojnë me dializë në Shqipëri përballen me mungesë të medikamenteve. Në një intervistë për Euronews Albania, doktor Ilir Pecnikaj, ekspert i farmaceutikës ngre shqetësimin se këta pacientë nuk kanë medikamentin më jetik.

“Barna jetike që në tregun shqiptar nuk janë përsa i përket trajtimit të dializës, në tregun shqiptar mungon Mimpara, është jetik, ky është problem i sistemit, nuk ka autorizim sa kohë mungon në treg. Nga trajtimi i dializës ka disa kundërindikacione për të cilët mimpara është mëse i nevojshëm”, theksoi ai.

Mundësia e vetme është që ky medikament të blihet jashtë Shqipërisë. Eksperti thotë se trajtimi mujor kushton mbi 1200 euro, e në këto kushte shumë pacientë se marrin duke prishur cilësinë e jetës.

“Alternativë që mbulon këtë bar nuk ka dhe po të shohësh mesataren e jetëgjatësisë të personave që trajtohen me dializë është shumë herë më e ulët dhe cilësia që bëjnë njerëzit me dializë në Shqipëri është tmerrësisht e keqe dhe kjo vjen vetëm nga trajtimi i barnave. Këtu nuk është mungesa profesionale e mjekëve, por mungesa e medikamenteve dhe  mundëssië për ti blerë këto medikamente”, u shpreh mjeku.

Vetëm në qendrën spitalore “Nënë Tereza” trajtohen me dializë 110 persona, ndërsa numri total në të gjithë vendin shkon rreth 300 pacientë.

Read more

2022, kontratat PPP marrin 10 % të buxhetit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor

Katër kontratat koncesionare me Partneritet Publik Privat, që aplikohen për disa shërbime
shëndetësore, janë shndërruar në barrë për buxhetin e shëndetësisë, duke ndikuar në një
shpërndarje jo te drejtë të fondeve në shërbime jo prioritare, ndërkohë që sistemi shëndetësor
shqiptar historikisht ka vuajtur nga nën-financimi. Këtë vit katër kontrata PPP në shëndetësi,
Kontrolli Bazë, Dializa, Sterilizimi i Instrumenteve Kirurgjikale dhe Shërbimi Laboratorik
Spitalor do të financohen me 5 miliardë lekë.
Kjo shumë është sa 49% e fondeve që janë programuar për rimbursimin e medikamenteve këtë
vit prej 11 miliardë lekësh. Vetëm për vitin 2022, fondi buxhetor i kontratave koncesionare është
sa 10.4% e buxhetit të total të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSDKSH) prej
52,8 miliardë lekësh.
FSDKSH është struktura përgjegjëse për financimin e shërbimit parësor, spitalor, paketave të
shëndetësore dhe rimbursimit të medikamenteve. Situata do të rëndohet më tej, për shkak se
kontratat koncesionare janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti, dhe në këtë mënyrë lënë shtigje
të hapura për rritjen e financimeve në periudhat e mëvonshme.
Për shembull, kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i
operacioneve të zhvilluara para vitit 2014. Me plakjen e popullsisë dhe rritjen e
sëmundshmërisë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Në vitin 2019, në të gjithë vendin
u kryen mbi 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore. Për pasojë, pagesat ndaj
kompanisë koncesionare, Sani Service më 2019 arritën mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë
euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë

E njëjta situatë është përsëritur edhe me Koncesionin e Laboratorit. Qeveria vendosi të rrisë
financimin për kontratën në 1.6 miliardë lekë në shtator 2022, nga 1.3 miliardë lekë që ishte
parashikuar në fillim të vitit. Në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” mjekët janë udhëzuar nga
administratorët që pas datës 20 të çdo muaji të kryejnë vetëm analiza laboratorike që janë
emergjente dhe të shmangin analizat rutinë që janë të domosdoshme për të vlerësuar ecurinë e të
sëmurëve. Gjithashtu mjekët në QSUT nuk mund të bëjnë kërkime shkencore bazuar në analiza
laboratorike, për shkak të kostove të larta që duhet të përballen tani kur ato administrohen nga
një kompani private.Situata e re që ka prodhuar zbatimi i kontratave koncesionare kanë dëmtuar më tej financat e shëndetësisë, pasi FSDKSH ka kanalizuar një pjesë të zërave të tjera të investimeve dhe
shpenzimeve të tjera për financimin e kontratave koncensionare.

Read more

Tenderët në shëndetësi në 2022-n: Mungesë transparence dhe konkurrence

Pandemia e COVID-19 zbuloi deficitet e sistemit shëndetësor sa i përket transparencës edhe në
fushën e prokurimeve dhe e ka bërë më të dukshme nevojën e përmirësimit të informacionit dhe
komunikimit në vijimësi. Dobësitë u evidentuan edhe në vendet e zhvilluara të OECD-së, por në
vendet e varfra dhe ato në zhvillimin problematika rreth transparencës në sistemet shëndetësore
ishin edhe më të mprehta

Në Shqipëri, entet publike të shëndetësisë janë një ndër prokuruesit më të mëdhenj të fondeve
publike për shkak të natyrës së shërbimit dhe gamës së produkteve, që përdoren. Ministria e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rendit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si enti me vlerat më të
larta të prokurimeve me risk gjatë vitit pandemik më 2020.
Prokurimet në sektorin e shëndetësisë vuajnë nga mosrespektimi i procedurave të prokurimit deri
tek abuzimi i lartë me fondet. Përshembull, nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i
procedurave të prokurimit “Blerje autoambulanca për plotësimin e nevojave të Ministrisë së
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, “Blerje Pajisje Laboratorike, për Komandën Mbështetëse”
etj., në 2020 janë konstatuar probleme gjatë procedurave të prokurimit në lidhje me shqyrtimin
dhe vlerësimin e ofertave të cilat kanë deformuar procedurën dhe rezultatet e prokurimeve, duke
ulur efektivitetin e përdorimit të fondeve publike nga procedurat e prokurimit. Efektet negative
në administrimin e fondeve publike në këto prokurime ishin 334 milionë lekë (2.7 mln euro,)

Entet publike në sektorin e shëndetësisë nga 1 janari 2022 deri në fund të gushtit të 2022-t në
sektorin e shëndetësisë janë shpallur 1101 procedura prokurimi, nga të cilat përafërsisht gjysma,
670 procedura rezultuan me fitues. Fondi limit për tenderat e shpallur me fitues ishte 11,3
miliardë lekë pa TVSH, ndërsa vlera totale e shpallur fituese pa TVSH ishte 10,1 miliardë lekë.
Numri i operatorëve që morën pjesë në gara ishte 147.

Përgjatë 8 mujorit 2022 nga 670 prokurime që u shpallen fituese, 69 % e tyre (463)
ishin me një operator në garë. Më shumë se 58% e shumës se prokuruar (6,6 miliardë
lekë) është zhvilluar në gara ku marrë pjesë vetëm një operator.
Për të njëjtën periudhë vetëm 22 % e prokurimeve me fitues kishin pjesëmarrës në
gara 2-3 operatorë pjesëmarrës në garë

Sistemi shëndetësor në Shqipëri mbetet nga më problematikët sa i përket transparencës në
prokurime dhe mungesës së konkurrencës. Në periudhën 2010-2021 rreth 30 për qind të gjitha
prokurimeve u bënë me procedure negocimi.
Procedurat e negocimit u përdoren për rreth 28% e
prokurimeve në fushën e shëndetësisë.

Legjislacioni shqiptar në fushën e prokurimit nuk është ende plotësisht në përputhje me
Bashkimin Evropian. Ligji për procedurat e prokurimit publik nuk është në përputhje me
legjislacionin e menaxhimit financiar dhe kjo rrit mundësinë e përdorimit të panevojshëm të
procedurës me negocim, e cila nuk është transparente nga vetë natyra e tij;
Legjislacioni i prokurimit publik lejon përdorimin e procedurave me negocim në rastet e
përcaktuara si emergjenca. Por gjithashtu legjislacioni lejon përdorimin e 12 argumente të
ndryshme të mundshme për përcaktimin e një rasti si emergjent. Për shembull, një argumentet
është se prokurimi është i nevojshëm në fillim të vitit, veçanërisht për mallrat thelbësore,
urgjente si ushqimet dhe ilaçet. Normalisht procedurat mund të fillojnë vetëm pasi buxheti
përkatës të jetë alokuar nga thesari tek autoriteti kontraktues. Po agjencia e prokurimeve në vend
të procedurës normale përdori gjerësisht prokurimet me negocim.

Shoqata Together for Life, raporti: Buxheti për shëndetësinë Janar-Qershor 2022


.

Read more

Spitali Memorial Fier merr Kartën e Autonomisë Menaxheriale : Spitali do vetë-administrohet

Spitali Memorial Rajonal Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka dorëzuar Spitalit Memorial Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Ministrja Manastirliu tha se  autonomia menaxheriale është hapi i parë drejt autonomisë financiare.

“Sot jemi për të dhënë simbolikisht kartën e autonomisë menaxheriale, e cila përcakton fushë-veprimin bazuar në rregulloren e Autonomisë Spitalore të miratuar nga Këshilli i Ministrave, një kartë e cila përmban të gjithë elementët që decentralizohen dhe i kalojnë vetë spitalit administrimi i tij, duke filluar nga burimet njerëzore, administrimi, autonominë për të krijuar modalitete të reja në përzgjedhjen e stafeve, qoftë mjekësore qoftë jo-mjekësore në kuadër edhe të rritjes së performancës, të rritjes së aktivitetit. Eshtë e rëndësishme që spitali të ketë atë zhdërvjelltësinë për t’iu përshtatur momentit,  situatave, për t’iu përshtatur zhvillimit të teknologjisë dhe dijes së mjekëve. Pra pika kyçe e autonomisë menaxheriale është organizimi më i zhdërvjellët”,- nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri me dije se edhe QSUT, Spitali Rajonal Durrës dhe Shkodër, në bashkëpunim me ekipe nga Turqia kanë filluar procedurat për Autonominë Spitalore.
“Në tre spitale të tjera të vendit, ekipe nga Turqia janë vendosur në QSUT, në Spitalin e Durrësit dhe në Spitalin e Shkodrës, ku janë atashuar personel administrativ, menaxherial dhe mjekësor. Ashtu sikurse ka ecur Memoriali, të ecin edhe spitalet e tjera në parapërgatitje për të përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale dhe më pas për të vijuar me Autonominë Financiare, që do t’i hapë rrugën edhe të gjithë buxhetimit në bazë të aktivitetit spitalor”,- tha Manastirliu.
Duke e konsideruar një rritje historike rritjen e pagave për mjekët specialistë, nga Spitali Memorial, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijojë rritja e pagave të targetuara edhe për kategori të tjera të personelit shëndetësor.

“Duke filluar nga muaji prill paga për mjekët specialistë do të rritet me 50 mijë lekë të reja. Një rritje historike për mjekët specialistë, për t’i mbështetur dhe motivuar. Nga ana tjetër dua të them se pavarësisht se rritja e pagave të targetuar u fokusua tek mjekët specialistë si një mbështetje e metejshme, mos harrojmë që premtimin do ta mbajmë edhe sa i përket rritjes së pagave që tashmë është vendosur ne kalendarin e viteve si një rritje progresive me 7% për personelin infermieror dhe mjekë të përgjithshëm dhe duke filluar nga vitin 2024 do te ketë rritje të targetuara, ashtu sikurse për mjeket specialistë, edhe për kategori te tjera të shëndetësisë, përfshirë mjekë të përgjithshëm dhe infermierë”,- tha Manastirliu.

Spitali Memorial Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale me afat dy vjeçar pas përmbushjes së të gjithë kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Autonomisë Spitalore.
Në shkurt të këtij viti u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave Rregullorja e Autonomisë Spitalore që i hap rrugën të gjithë spitaleve publike për të aplikuar fillimisht për autonomi menaxheriale pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara.
Autonomia spitalore i jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator: për t’u vetë-administruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; për rritjen e konkurueshmërisë ndërmjet spitaleve publike ndërmjet njëri – trjetrit por dhe me spitalet jopublike, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët; mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe rritjes së instrumentave dhe mekanizmave për punësimin e mjekëve specialist në sektorin publik, si dhe rritjes së gamës së shërbimeve në spitalet publike, duke i dhënë fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare.

Read more

Rama: Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman

Në muajin prill, të gjithë mjekët specialistë të sistemit shëndetësor në vendin tonë do të marrin 50 mijë lekë më shumë në pagën e tyre. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë Kongresit të Shëndetësisë njoftoi se kanë vendosur që pagat e mjekëve specialistë t’i rrisin me 50 mijë lekë më shumë.  Kreu i qeverisë u ndal edhe tek autonomia spitalore, për të cilën tha se do të garantojë paga më të larta për mjekët më performancën më të mirë, por Rama theksoi se është e rëndësishme që të vendosin një tavan për pagat e mjekëve që të jetë dinjitoze. Për këtë arsye, Rama tha se është vendosur rritja  e pagave për mjekët specialistë që kalon nivelin e pagave të vendeve të rajonit dhe barazohemi me Serbinë.

“Ne i kemi rritur pagat me 63% nga 2013. Autonomia është një mekanizëm i ri që ka filluar të testohet tani në spitalin memorial dhe do krijojë mundësinë që të këtë në sistemin shëndetësor paga më të mira, por jo të barabarta. Autonomia do iu rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, që bëjnë më shumë operacione vizita, por ndërkohë duhet të garantojmë pagë më dinjitoze tavan. Në këtë prill, mjekët specialistë do marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre”, tha Rama.

Nga rritja me 50 mijë lekë do të përfitojnë vetëm mjekët specialistë, ndërkohë që për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët do të aplikohet rritja me 7%, ashtu siç ishte premtuar nga qeveria. Por, Rama tha se nuk do të përjashtojnë nga rritja e madhe e pagave as këto kategori mjekësh, për të cilët rritja do të jetë e ngjashme dhe do të nisë nga viti i ardhshëm 2024.

“Do të mbajmë zotimin për 7% për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë dhe në hyrje të 2024 edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët një rritje të ngjashme”, tha Rama.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se deri më tani kanë rritur me 63% pagat e mjekëve si dhe do të vijojë me mbështetjen financiare për profesionistët e shëndetësisë.

“Të dashur profesionistë të shëndetit, jo vetëm se tashmë u bënë vite që punojmë bashkë, por unë jam një nga ata njerëz që besojnë në atë shprehjen, “jo të gjithë ëngjëjt kanë krahë, disa kanë stetoskop”. Por fjalët e mira nuk mjaftojnë ne këtë e dimë dhe ndaj e kemi shoqëruar me akte konkrete të mbështetjes financiare dhe profesionale, duke i mbajtur premtimet tona. Nga piknisja rritëm me 63% pagat e stafeve mjekësore, aplikuam bonusin e mjekëve që punojnë larg vendbanimit, si dhe jemi zotuar që të vijojmë rritjen e pagave për profesionistët e shëndetësisë. Reforma spitalore me modelin e ri të autonomisë  do të mundësojë më shumë incietiva financiare për mjekët nga pagesa për performancën te praktikat dysishe”, u shpreh ajo. 

Rama u ndal te fenomeni i ikjes së mjekëve dhe infermierëve teksa theksoi se tashmë ka ardhur koha që kjo problematikë të adresohet, sepse nuk mundet që shteti shqiptar të paguajë për studimet e një të riu shqiptar që më pas ikën dhe punon për sistemin shëndetësor në Gjermani. Rama tha se ky fenomen duhet të marrë fund dhe se studentët nuk duhet thjesht të mbarojnë shkollën e të ikin, por edhe të shërbejnë në vendin e tyre.

“Në kushtet e sotme rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesi, mundësitë e të cilit nuk janë të pakufizuar, dhe shërbimet nuk vihen në diskutim, të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Pra, sot studenti i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale.

Këtë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh që s’ka nevojë t’i rendis. Shteti nuk e bën dhe taksapaguesi shqiptar nuk paguajnë për këtë, që ditën kur mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata që financohen nga ky buxhet dhe kjo sakrificë, të ikin të shërbejnë në Gjermani. Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik.”, tha ai.

Kongresi i Parë i Shëndetësisë po mbahet sot në Tiranë dhe do të vazhdojë edhe ditën e nesërme në Pallatin e Kongreseve. Ky Kongres synon të bëjë bashkë politikëbërës, profesionistë të Shëndetësisë, ekspertë, përfitues të shërbimeve dhe aktorë të tjerë për të ndarë përvojat dhe sfidat e këtij sektori.

Read more

Tendera abuziv në spitalin e Traumës!

*Postim i gazetarit Klodian Tomorri

Këto janë tenderat kryesore që ka bërë Spitali i Traumës muajt e fundit. Aty është emëruar drejtoreshw e përgjithshme Edlira Bode, një ish deputete e Partisë Socialiste.

Shikoni pak se çfarë ndodh aty. Fondi Limit i tenderave të shpallur 895 milionë lekë ( te reja). Fondi i prokuruar 888.6 milionë. Pra, mesatarja e tenderave në Spitalin e Traumës fitohet me 99.3 për qind të fondit limit. Një tender po të fitohet me 99 për qind duhet të shërbejë si alarm. Kur fitohen të gjithë me 99 për qind, aty duhet të kishte zbarkuar ushtria. Megjithatë nuk mbaron këtu.

Mesatarisht ka vetëm 1.4 oferta efektive për tender. Shumica e tenderave janë vetëm me një ofertues. Në ndonjë rast të rralle hyjnë 2 ose 3 oferta. Por nuk mbaron as këtu!

Mbi 74 për qind e tenderave shkojnë në vetëm dy kompani. E para është Trimedi, ndërsa e dyta është OES Distrimedi.

Këta nuk janë tendera. Kjo është një barabari e pamëshirshme mbi paranë publike. Statistikisht mundësia që në keta tendera të mos ketë vjedhje është zero. Por probabiliteti që këtu ndodh një masakër horror me paratë e qytetarëve është afër 1-shit.

Tani një kuriozitet kam. Ne zyrat e shtetit ka ndonjë njeri që i bën këto analiza? Se janë shumë të thjeshta, nuk duan as shumë mend.

Kontrolli i Shtetit i shikon ndonjëherë këto? Po Prokuroria? Se kështu nuk behën as në luftë tenderat.

Read more
sqAlbanian