
Kandidatët për deputetë në Vlorë dëgjojnë zërin e komunitetit
Më 2 maj 2025, në qytetin e Vlorës, shoqata “Together for Life” zhvilloi një forum publik me pjesëmarrjen e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të komunitetit dhe organizata lokale të shoqërisë civile që veprojnë në qarkun e Vlorës, me qëllim diskutimin mbi programet elektorale që adresojnë çështjet e sistemit shëndetësor në nivel lokal dhe kombëtar.
Forumi shërbeu si një hapësirë të hapur, gjithëpërfshirëse dhe transparente për dialog të drejtpërdrejtë midis kandidatëve për deputetë dhe qytetarëve. Fokus kryesor i diskutimit ishte qasja politike ndaj sektorit të shëndetësisë për periudhën 2025–2029, duke u përpjekur të ngushtojë hendekun midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të ardhshëm në Kuvend. Në një kohë kur sistemi shëndetësor në Shqipëri përballet me sfida të shumta, duke përfshirë që mungesat në financim, te vështirësitë në aksesim dhe cilësinë e shërbimeve, ky debat kontribuoi në ngritjen e një platforme gjithëpërfshirëse për përfshirjen qytetare në politikëbërje.
Diskutimi u përqendrua në disa çështje kyçe: prioritetet e partive politike për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore; investimet e planifikuara në nivel lokal dhe kombëtar; përfshirja e komuniteteve në hartimin e politikave të shëndetit publik; si dhe sfidat aktuale në akses, cilësi dhe barazi në kujdesin shëndetësor për të gjithë.
Gjatë takimit, qytetarët ngritën një sërë shqetësimesh konkrete që lidhen drejtpërdrejt me përvojat e tyre në marrjen e shërbimeve mjekësore. Ata kërkuan politika më të forta për garantimin e cilësisë së barnave që përfshihen në listën e rimbursueshme, duke nënvizuar rëndësinë e furnizimit të qëndrueshëm me medikamente cilësore. Një tjetër kërkesë e theksuar në takim ishte domosdoshmëria e investimeve në pajisje mjekësore moderne për Spitalin Rajonal të Vlorës, si dhe shtimi i specialiteteve të reja mjekësore, përtej 12 ekzistuese, për të shmangur dërgimin e pacientëve në spitale të tjera jashtë qarkut. Po ashtu, qytetarët kërkuan rritje të kontrollit dhe monitorimit nga strukturat përkatëse për të siguruar cilësinë dhe etikën profesionale të stafit mjekësor.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, kandidatët për deputetë prezantuan disa nga angazhimet dhe prioritetet e tyre politike për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Gjatë takimit, kandidatët për deputetë prezantuan një sërë premtimesh konkrete për përmirësimin e sistemit shëndetësor në nivel lokal dhe kombëtar. Ndër kryesoret ishin rritja e buxhetit për shëndetësinë së paku në nivein e vendeve të Rajonit dhe ngritja e mekanizmave që sigurojnë përdorimin me efektivitet të buxhetit për shëndetësinë. Disa prej kandidatëve u ndalën në hapat që subjektet që ata përfaqësojnë parashikojnë të iniciojnë për të garantuara ofrimin e shërbimeve falas për shtresat vulnerabël si dhe sigurimin e medikamenteve cilësore dhe të çertifikuara në vendet e BE. Masa të veçanta u premtuan që do të ndërmerreshin kundër korrupsionit dhe monopoleve në sektorin shëndetësor, ndërsa u theksua nevoja për krijimin e platformave për komunikim të drejtpërdrejtë mes pacientëve dhe spitaleve në të gjithë vendin. Kandidatët shprehën angazhim për rritjen e mbështetjes për fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre përmes ndërhyrjeve ligjore e financiare, dhe premtuan se do të propozonin reformë gjithëpërfshirëse për pajisjen e qytetarëve me karta shëndetësore, që do të lehtësonte aksesin në shërbimet publike të çdo qytetari.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit në Shpenzimet Publike në Sektorin e Shëndetësisë”, i mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED).
Brenda vitit të parë të mandatit të ri parlamentar, është parashikuar zhvillimi i një takimi të dytë mes përfaqësuesve të komunitetit dhe deputetëve të zgjedhur në Vlorë. Ky takim do të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar ecurinë e zbatimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës dhe për të forcuar lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe vendimmarrësve përmes llogaridhënies dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.