denonco@transparency.com.al

Eventet Tona

Koordinatori kundër korrupsionit pranë FDSKSH, Fatjon Çajupi: Nuk e kuptoj se si mundet të mos ketë asnjë ankesë nga subjektet private 

Në tryezën e prezantimit të raportit, “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor“, zhvilluar nga Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy, Fatjon Çajupi, (Koordinator kundër korrupsionit pranë FDSKSH [Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor] / Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsonit) u shpreh se vëmendja nuk duhet të jetë vetëm në evidentimin e korrupsionit, por një rol kyç duhet të ketë ndërgjegjësimi mbi këtë fenomen problematik.

“Jemi mundur që të mbledhim informacione për raste abuzive, konstatimin e praktitave arbitrare në bashkëpunim me institucionin. Institucioni është mundur të na vërë në dispozicion ato informacione që ne kemi kërkuar. Ajo që unë shikoj të rëndësishme është vetëm pjesa e kapjes së korrupsionit, por edhe pjesa e ndërgjegjësimit dhe e parandalimit të korrupsionit, sepse në në fund të ditës ne bëjmë një hetim, i cili është administrativ dhe është i bazuar në dokumentacion, por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të flasësh me punonjësit e Fondit në këtë drejtim, ti njohësh dhe ndërgjegjësosh me pasojat që vijnë nga korrupsioni. Unë e pashë me vëmendje raportin tuaj, nuk mund të flas për pjesën e statistikave, por mund të them se deri diku kemi një pikë të përbashkët, që edhe ne na intereson shumë pjesa e transparencës që të jetë në nivel maksimal dhe po punojmë në këtë drejtim, që edhe praktikat e institucionit të jenë sa më transparente dhe të referojmë edhe ne të gjitha këto raste. Këtë e kemi vënë në praktikë edhe në raporte tona të tjera drejtuar institucionit, duke iu kërkuar jo vetëm marrjen e masave administrative, por edhe rekomandime për ndryshimin e masave ligjore me qëllim përmirësimin,” thekson Çajupi.

Çajupi evidentoi se nga ana e subjekteve private nuk ka asnjë ankese në lidhje me raste abuzive.

“Jemi gjatë gjithë kohës të atashuar aty dhe presim ankesat e qytetarëve, edhe nëpërmjet linkut (koordinatori kombëtar https://fsdksh.gov.al/rrjeti-i-koordinatoreve-antikorrupsion/), të cilët na referojnë praktika abuzive, të cilat i marrim në konsideratë dhe kryejmë hetimet tona administrative, siç e parashikon VKM. Unë kam konstatuar këto kohë, se nuk ka ankesa nga subjektet private dhe nuk e kuptoj se si mundet, të mos ketë asnjë ankesë nga institucionet private, farmacitë dhe nuk mendoj se çdo gjë shkon vaj sa mos të ketë asnjë lloj ankese. Kjo me sa kam kuptuar edhe nga bashkëbisedimi me kolegë të tjerë që mbulojmë edhe institucione të tjera të shëndetësisë vjen për shkak se, ndoshta promovimi i rrjetit duhet të jetë më i madh, ndoshta angazhimi nga ana e qytetarëve duhet të jetë më i madh, por mendoj se në këtë drejtim ka vend për përmirësim”, nënvizon ai.

Read more

Kryeaudituesja e KLSH-së Bregu: Koncensionari “zhvat” rreth 845 milonë lekë për punë të pabëra, FDSKSH mbush listën me barna të rimbursueshme, që kanë dalë nga përdorimi

Kryeaudituesja e KLSH-së Selime Bregu, në tryezën e prezantimit të raportit, “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, zhvilluar nga Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy, solli në vëmëndje problematikat kyçe të indetifikuara nga institucioni i KLSH-së.

Problematika më e fortë mbeten koncensionet, të cilit i paguhan plot 845 milonë lekë për të mbuluar popullatën me kontroll mjekësor , për një punë të pakryer.

“Ndër problematikat kryesore KLSH problematikat më të mëdha i ka konstatur në koncesione. Duke filluar që nga fillesat e tyre, ka propozuar ndryshime në formulimin e kontratave të koncensioneve, të cilat edhe janë marrë edhe nuk janë marrë në konsideratë nga Fondi dhe të gjithë aktorët që përfshijnë fondi (Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Financave). Duke filluar që nga koncensioni i paketës bazë që mbulon popullatën me kontrollin mjekësor, ku është evidentuar problematika në rradhë të parë ndaj rasteve të pakryera të cilat financohen totalisht nga buxheti i fondit dhe njëkohësisht përfitojnë TVSH, që do të thotë se shërbimi shëndetësor është i përjashtuar nga TVSH. Të dyja këto nuk janë korrigjuar ndër vite. Rreth 845 milonë lekë i paguhen koncensionarit, dhe për këto paketa që nuk realizohen është propozuar të financohet minimumi i tyre dhe shpenzimet fikse. Ne vazhdojmë dhe paguajmë për punë të pakryera.”

Zonja Bregu shton se, përtej kotratave të partneritetit, janë analizuar dhe kontrata të tjera si sterilizimi, dializa, dhe ajo e  analizave, që kanë të njëjat problematika si chechk up, duke mos u shërbyer pacientëve mbi moton “Shëndet për të gjithë”.

Një problematikë me “flamur të kuq” mbetet lista e barnave.

“Sa i përket listës së barnave përfshihet një gamë dhe pas një rregulloreje, ka që në 2021 që lista indeksohet dhe nuk risillet një listë e re. KLSH ka evidentur një sasi të konsiderueshme barnash të cilat nuk kanë konsum. Do të thotë që kjo listë duhet urgjent të përmirësohet dhe të rishikohen alternativat e reja, që i shërbejnë popullatës, kryesisht të sëmurëve me tumore.”

Gjithashtu, kryeaudituesja Bregu u shpreh se në auditimet e performancës së kryera në spitalin Onkologjik dhe në disa rajone vihen re problematika të theksuara me regjistrin e pacientëve, ndonëse buxheti “trumbetohet” si historik.

“Nuk ka të dhëna për të sëmurët, si kanë lëvizur, përditësimin e regjistrit, ka shumë problematika si tek onkologjiku, si tek FSDKSH dhe në tërësi. Kemi një tavan për shërbimet e rimbursimit, kjo vërtetet mund të jetë një mënyrë kontrolli, por nuk i shërben pacientëve, sepse duke u vënë një kufi shpenzimeve nuk mund të harxhojnë më shumë sesa aq. Por duke e rishikuar listën dhe duke futur alternativa të reja, duke e bërë më adekuate atëherë fondi do të mundësojë një listë të përditësuar që do të mund t’i shërbejë pacientit, si dhe duke përdorur me efektivitet fondet publike. Synimi ynë është monitorimi i skemës , të cilën në të vërttë e marrim nga kontributet tona, por që buxheti të shkojë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sepse nëse ne nuk i përditësojmë listën e barnave , paketat shëndetësore, apo rishikimet e kontratave koncensionare, kanë kaluar nga 2015 shumë vite që themi të njëjtën gjë dhe pvarësisht se  FDSKSH pranon rekomandimet në mbi 90% nga KLSH, nuk  vepron”, përfunon Bregu fjalën e saj.

Read more

Aleksandra Bogdani: Shëndetësia është fushë problematike, me institucionet më pak transparente

Gazetarja e BIRN Albania, Aleksandra Bogdani u shpreh se të raportosh për shëndetësinë në vendin tonë është tejet e vështirë.

Fjala e plotë e saj e mbajtur në tryezën e prezantimit të raportit, “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, zhvilluar nga Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy.

Sa e lehtë është të raportosh për institucionet e shëndetësisë?

“Nga viti në vit raportet e fondit kanë kaluar nga një analizë e skemës nga të dhëna që vërtet që do t’i shërbenin publikut në këtë paradën e sukseseve që ju tentoni të bëni vazhdimisht. Debati publik për shëndetësinë vlen për vende shumë të zhvilluara me skema shumë më të zhvilluara bëhet vazhdimisht në Britani, gjatë COVID-19 kemi parë që mjek në Amerikë, Gjermani në vende të zhvilluara flisnin për cedime të sistemit. Në Shqipëri ku shëndetësia është një ndër problematikat me të cilat përballen shqiptarët, arsyeja kryesore mendoj unë, që mund t’i zhysë njerëzit në varfëri për shkak të këtyre pagesave nga xhepi që shumica e shqiptarëve nuk i kanë të përballueshme, ne këtu e çojmë diskutimin në gjëra jo po janë jo po nuk janë.

Sigurisht që është fushë problematike dhe do specializim shumë të madh dhe ajo që hasim ne vazhdimisht është që spitalet rajonale, bashkiake apo universitare qofshin, apo Ministria e Shëndetësisë dhe ndonjëherë dhe Fondi janë institucionet më pak transparente. Për pyetje më të thjeshta, sa është numri i mjekëve, sa janë vakancat, duhet të çojmë ankesë pas ankese te Komisioneri për të Drejtën e Informimit për përgjigje, që duhet të ishin në faqet e këtyre Institucioneve”, deklaroi Bogdani.

Sipas gazetares Bogdani edhe për pyetje më elementare, “pse ikin mjekët, ti duhet të harxhosh me muaj të tërë të presësh përgjigjie të marrësh përgjigjie që nuk janë përgjigjie, ti ankimosh te komisioneri, përgjigjet standarde duhet të jenë më unifikuese nuk kemi pse bëjmë senacë dëgjimore me praktika që nuk janë përmbushur , 2-3 muaj për të marrë përgjigjie për të bërë ato shkrime kur debati dhe interesi edhe mund të ketë ikur.”

Ajo thekson se, “koncensionet mungon autokritika nga institucionet dhe kontrolli për abuzimet me paratë publike. Përvec Check-Up, edhe te sterilizimi sic e tregojnë edhe hetimet që kostot janë rritur shumëfish dhe fondi ka paguar ato kosto të shumëfishta përmes skemave që janë përdorur në mbylljen e faturave. Nuk funksionojnë as mekanizmat e brendshëm në drejtim të llogaridhënies dhe kursimin e parave publike.”

Read more

Zheni Gjergji: Qeveria jo transparente, shqiptarët paguajnë 60% nga xhepi i tyre për shërbim dhe trajtim shëndetësor

Gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endowment for Democracy, Kryetarja e e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji deklaron se, pavarësisht se qeveria flet për “buxhete historike”, Shqipëria është një nga vendet me buxhete më të ulëta për shëndetësinë.

 “Komisioni i Shëndetësisë analizon cdo vit buxhetet që akordon qeveria shqiptare për shëndetësinë dhe ajo që vihet re është se këto buxhete e klasifikojnë Shqipërinë si një nga vendet me buxhetet  më të ulëta, krahasuar me vendet e BE dhe ato të rajonit. Ne shkojmë diku te 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që vendet e rajonit dhe të Europës shkojnë tek 47-56% . Pra ne shikojmë se i gjithë kalvari i  marrjes së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë vjen edhe nga mungesa e një buxheti që vazhdon të jetë një buxhet që nuk lëviz. Vetëm në vitin 2021 kemi pasur një rritje të lehtë të buxhetit për shkak të COVID me 7.5 %, pastaj po të shikojmë buxhetin e 2024 ka një ulje diku rreth 1.5%. Sot në vitin 2024, edhe pse dixhitalizimi dhe ashtuquajtura e qeverisë Transparenca propagandohet si e një niveli të lartë, në fakt e vuajmë edhe ne si Komision i Shëndetësisë mungesën e Transparencës. Materialet për buxhetin apo edhe për ligje të cilat kanë kaluar në komision vijnë ditën e fundit apo orën e fundit përpara se ne të shqyrtojmë buxhetin apo ligjet që kanë prekur sistemin shëndetësor, siç ka qenë ligji i autonomisë financiare, por edhe ligji për studentët që prek të ardhmen tonë,” u shpreh Gjergji gjatë tryezës së diskutimeve.

Sipas saj qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë nga xhepi i tyre për të marrë shërbim dhe trajtim mjekësor.

“Këmbanë alarmi për komisionin ishte edhe raporti i OBSH-së, që vërtetoi dhe njëherë që shqiptarët janë qytetarët që pagujnë më shumë për sistemin shëndetësor, rreth 465 dollarë në vit, nga këto 277 dollarë paguante secili qytetar nga xhepi i vet për shërbim dhe trajtim mjekësor. Që do të thotë se skema e FSDKSH bie, nëse ti mendon se 60% çdo qytetar e nxjerr nga xhepi vet për të siguruar shërbim dhe trajtim shëndetësor,” nënvizon ajo.

Znj. Gjergji nënvizon se shëndetësia falas në Shqipëri nuk ekziston.

Ndaj edhe raportet e fondit kanë disa mangësi, sepse ndeshemi edhe me ankesat e qytetarëve, të medias, ndërkohë që është një gamë e medikamenteve të reja të cilat qarkullojnë në Shqipëri, por që nuk janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme. Sëmundjet Onkologjike nga 140 preparatë, vetëm 40 qarkullojnë në Shqipëri, çka do të thotë që nuk marrin protokollet e reja të miratuara nga OBSH për trajtimin e patologjive. Ky është një handikap. Lista e rimbursueshme prej tre vitesh vetëm është iniciuar, por nuk është ndryshuar dhe në fakt nuk e kisha kapur te raporti i KLSH-së, që disa barna nuk përdoren fare nga kjo listë e miratuar prej vitesh, kështu që është një alarm në fakt edhe për komisionin, i cili do të hartojë listën për 2024, që ta ketë në prioritetin e tij, që këto barna që nuk përdoren dhe kanë dalë nga protokollet e mjekimit prej vitesh, nuk duhet të jenë më pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, apo mendikamente të një cilësie jo të mirë të pamiratuara nga FGA apo dhe kritere të tjera.”

Problematikë shfaqet edhe me personat me aftësi ndryshe.

“Një kategori shumë e prekur nga skema e kujdesit shëndetësor janë invalidët. Vetëm 1% e personave me PAK mbulohen në shërbimin shëndetësor dhe pagesa mesatare e këtyre personave për ndihmën ekonomike ka rënë nga viti i aplikimit të skemës së re për ndihmën ekonomike dhe është parë që për vitin 2023 kemi 2.8 % të të ardhurave, dhe në 2014 kemi një rritje 0.4%,” thekson Gjergji.

Lidhur me autonominë spitalore, Gjergji shprehet se, “kemi kërkuar ekspertiza dhe për ligjin e autonomisë spitalore, që në gjykimin tim nuk pati një konsulencë të qartë edhe me stafet mjekësore të spitaleve rajonale, jo vetëm të QSUT, dhe besoj se ai është një ligj që shumë shpejt do të ketë handikapet e veta madhore në dhënien e shërbimit shëndetësor për qytetarët.”

Burimi: Gazeta Shëndeti

Read more

Petrit Vasili mbi autonominë spitalore: Proces i kompromentuar nga fillimi në fund / Selime Bregu: Koncensionari “zhvat” rreth 845 milonë lekë për punë të pabëra

Ish ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili vë gishtin në disa plagë që vuan sistemi ynë shëndetësor sot. Konstatimet e tij erdhën gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endoëment for Democracy.

“Ajo që vjen nga qeveria është një produkt, i cili vetëm votohet,edhe kur në tavolinë vendosen mediokritete të padëgjuara në lidhje me fenomene të caktuara. Sistemi që keni marrrë në monitorim, nuk kam pse t’i kursej lëvdatat, sepse shëndetësia ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u analizuar për shkak të komplikushmërisë së saj e karakterizuar me ca vështrime nga sipër, në kuadër pereceptimesh dhe analiza të tilla në rradhë të parë ndihmojnë ata që menaxhojnë sistemin. Mund të jenë të hidhura, por problemet këto janë. Me problemet duhet të përballesh, për t’ju ikur është shumë kollaj. Sistemi në përgjithësi vuan nga paqartësia, të cilën e ka sjellë politizimi pa kuptim në shërbim të propagandës. Sistemet kanë një gjë kokëforte, kanë nevojën dhe detyrimin e vijimësisë. Pra ndërtohen katet me shumë vështirësi, por gjithmonë hidhen kate të tjera. Ideja e rrënimit dhe bërjes nga e para është budallallëk, mungesë horizonti, në zhargon njerëz që nuk ia dinë zanatit. Ju e dini që ne kemi vuajtur idenë e “shëndetësisë falas”, të cilën po ua them haptas që edhe politikisht nuk e kam mbështetur kurrën e kurrës, sepse ishte jo realiste, solli një konfuzion të jashtëzakonshëm, gjë e cila u verifikua, nuk e  ndryshoi modelin. Të njëjtin ligj kemi këtu, ligjin e 2010, me ndryshime të  vogla, pra sistemi miks është me sigurime shëndetsore dhe kontribute nga shteti. E gjithë dogma ra, por çfarë krijoi? Konfuzion. Shëndetësia nuk e duron dot paqartësinë, kërkon një linjë shumë të qartë, së pari. Së dyti, ashtu siç thatë me ligjin e autonomisë ne hapim një epokë të re. Këto budallaliqe unë i kam dëgjuar në kohën e partisë së Punës. Pse duhet të themi fillon nga e para?! Pse s’duhet të përdorim atë që ka qenë më përpara e ta shpiem edhe më tutje? Tani e ka bërë publike dhe nuk ka pasur prononcime nga asnjë njeri”, tha Vasili.

Në lidhje me propozimin për autonomi spitalore, që parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, ai shprehet se është një handikap i kompromentuar.

“Nismat për autonomi spitalore datojnë që në vitin 2000-2001 dhe duhet t’jua themi shqiptarëve, jo t’i gënjëjmë. Banka Botëror, OBSH dhe të tjera institucione në atë kohë ndërrmorën nismën në atë kohë, spitali pilot, spitali i Durrësit. Që në 2001, është nisur nga socialistët në atë kohë.

Por çfarë ndodhi më tutje, a pati thellim? Po në 2010 buxhet i parë, fondi që quhet sot të tëra paratë e administrimit spitalor i kaloi fondit dhe MSH mbante vetëm fondet minimale për programet e shëdetit publik edhe elementë të tjerë të promocionit.

Elementët e autonomisë u shtrinë deri në qendrat shëndetësore, të cilat dolën me llogari më vete dhe administronin veten e tyre, përfshirë edhe emërimin e personelit, që në atë kohë e kishte komuna, drejtori i Shëndetit Publik, drejtori i Parësorit dhe kryetari i komunës ishin njerëzit që përzgjidhnin personelin shëndetësor për t’ju përgjigjur ekzigjencave që kishte terreni. Gjithashtu, elementë të administrimit, të gjithë spitalet fondet e blerjes së barnave i bënin ata, dhe u decentralizuan. Nuk kishta më ministra që mbanin vulën e MSH dhe firmosnin barnat, por gjithë spitalet rajonale blinin vetë barnat. U rikthyen mbrapsht të gjitha dhe për më tepër u fut dhe praktika e koncensioneve. I bie që një autonomi do të bashkëjetojë me koncesione, që janë iniciativë e centralizuar, e kompromentuar fillim e mbarim.”

Sipas Vasilit, “Të thuash shëndetësi falas , mbulim universal dhe në të njëtën kohë ka edhe sigurime shëndetësore…” është një paradoks, ndërkohë që pesha e shpenzimeve nga xhepi nga 40% ka shkuar në 60%.

Ndërsa kryeaudituesja e KLSH-së Selime Bregu solli në vëmëndje problematikat kyçe të indetifikuara nga institucioni i KLSH-së.

Problematika më e fortë mbeten koncensionet, të cilit i paguhan plot 845 milonë lekë për të mbuluar popullatën me kontroll mjekësor , për një punë të pakryer.

“Ndër problematikat kryesore KLSH problematikat më të mëdha i ka konstatur në koncesione. Duke filluar që nga fillesat e tyre, ka propozuar ndryshime në formulimin e kontratave të koncensioneve, të cilat edhe janë marrë edhe nuk janë marrë në konsideratë nga Fondi dhe të gjithë aktorët që përfshijnë fondi (Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Financave). Duke filluar që nga koncensioni i paketës bazë që mbulon popullatën me kontrollin mjekësor, ku është evidentuar problematika në rradhë të parë ndaj rasteve të pakryera të cilat financohen totalisht nga buxheti i fondit dhe njëkohësisht përfitojnë TVSH, që do të thotë se shërbimi shëndetësor është i përjashtuar nga TVSH. Të dyja këto nuk janë korrigjuar ndër vite. Rreth 845 milonë lekë i paguhen koncensionarit, dhe për këto paketa që nuk realizohen është propozuar të financohet minimumi i tyre dhe shpenzimet fikse. Ne vazhdojmë dhe paguajmë për punë të pakryera.”

Zonja Bregu shton se, përtej kotratave të partneritetit, janë analizuar dhe kontrata të tjera si sterilizimi, dializa, dhe ajo e  analizave, që kanë të njëjat problematika si chechk up, duke mos u shërbyer pacientëve mbi moton “Shëndet për të gjithë”.

Një problematikë me “flamur të kuq” mbetet lista e barnave.

“Sa i përket listës së barnave përfshihet një gamë dhe pas një rregulloreje, ka që në 2021 që lista indeksohet dhe nuk risillet një listë e re. KLSH ka evidentur një sasi të konsiderueshme barnash të cilat nuk kanë konsum. Do të thotë që kjo listë duhet urgjent të përmirësohet dhe të rishikohen alternativat e reja, që i shërbejnë popullatës, kryesisht të sëmurëve me tumore.”

Gjithashtu, kryeaudituesja Bregu u shpreh se në auditimet e performancës së kryera në spitalin Onkologjik dhe në disa rajone vihen re problematika të theksuara me regjistrin e pacientëve, ndonëse buxheti “trumbetohet” si historik.

“Nuk ka të dhëna për të sëmurët, si kanë lëvizur, përditësimin e regjistrit, ka shumë problematika si tek onkologjiku, si tek FSDKSH dhe në tërësi. Kemi një tavan për shërbimet e rimbursimit, kjo vërtetet mund të jetë një mënyrë kontrolli, por nuk i shërben pacientëve, sepse duke u vënë një kufi shpenzimeve nuk mund të harxhojnë më shumë sesa aq. Por duke e rishikuar listën dhe duke futur alternativa të reja, duke e bërë më adekuate atëherë fondi do të mundësojë një listë të përditësuar që do të mund t’i shërbejë pacientit, si dhe duke përdorur me efektivitet fondet publike. Synimi ynë është monitorimi i skemës , të cilën në të vërttë e marrim nga kontributet tona, por që buxheti të shkojë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sepse nëse ne nuk i përditësojmë listën e barnave , paketat shëndetësore, apo rishikimet e kontratave koncensionare, kanë kaluar nga 2015 shumë vite që themi të njëjtën gjë dhe pvarësisht se  FDSKSH pranon rekomandimet në mbi 90% nga KLSH, nuk  vepron”, përfunon Bregu fjalën e saj.

Burimi: Gazeta Shëndeti

Read more

TFL ngre çështjen e fertilizimit in vitro në seancën dëgjimore mbi diskutimin e projekt-buxhetit 2024. Zv. Ministrja Rakacolli: Është një shërbim që është buxhetuar dhe parashikuar të funksionojë brenda këtij viti

Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”

Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.

Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.   

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.

Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.

Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro.  Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.

TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.

Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:

https://www.facebook.com/100076188047891/posts/pfbid022L91mvgecbuY6Cahz33T9TCsequzbyL7eY14obEapXVULCs3yuhSYo5wbtRBwL3jl/?app=fbl

Për më tepër, ju ftojmë të lexoni raportin monitorues: togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf?fbclid=IwAR0eRKVxd5cxFI6Y7IL8tFdfHMxkslUdaAEHZuwURKqCw0lUVurf_L0vMlY

Read more

“Vështirë të gjesh ilaçe. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 ilaçe për sëmundjen tonë dhe ato kushtojnë jashtëzakonisht shumë”

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u theksua mungesa e informimit dhe e investimit nga ana qytetare ne proceset konsultuese. Kjo problematikë krijon më pas një sërë problemesh të tjera, zinxhir, të cilat dekurajojnë dhe përkeqësojnë situatën e përfshirjes dhe angazhimit qytetar dhe nga ana tjetër kontribuojnë në abuzimin dhe degradimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor (dhe jo vetëm) nga ana e shtetit.

Elida Jata nga Qendra ALTRI u shpreh: “Mungesa e investimit në mënyrë të theksuar nga ana qytetare për të qenë pjesë e proceseve konsultuese. Po ashtu aq e rëndësishme është edukimi i qytetarëve për të kuptuar buxhetin e Bashkisë, pasi kemi pare shpesh që qytetarët i kërkojnë bashkisë gjëra tepër vizionare për buxhetin ose gjëra që nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejt me bashkinë. Pra, këtu është problem i informimit dhe edukimit të qytetarëve për prioritetet dhe pretendimet e tyre.”

Gjatë diksutimit u vu re se ky problem nuk fillon dhe mbyllet vetëm me detyrat dhe përgjegjesitë tona si qytetarë, por ndikon dhe në horizontin dhe mentalitetin e qasjes sonë ndaj grupeve të margjinalizuara dhe grupeve vulnerabël dhe problemeve që ato kanë në shoqëri, dhe po ashtu kauzave që ato luftojnë. Pra, ky është efekti zinxhir i përmendur më sipër.

E tillë është stigma e mospraninmit të sëmundjeve të caktuara, gjë që u shpreh nga dy përfaqësusese të organizatës Jeto Përsëri që fokusohet në pacientët me sklerozë multiple: “Pacienti nuk pranohet psikologjikisht nga familja. Problemi fillon këtu dhe pastaj vazhdon me komunitetin e më pas me statusin aktiv në punë. Mosha e njerëzve që preken nga kjo sëmundje ështe 20 – 40 vjeç dhe nuk ka asnjë lloj kushti për t’i trajtuar. Për më tepër, nuk pranohen nga shoqëria dhe është vështirë të gjesh ilaçe. Nëse në Shqipëri ekzistojnë 2 ilaçe, në rajon janë 4-5 ilaçe të ndryshme. Fokusi ynë është të sensibilizojmë shoqërinë dhe ndikojmë në rritjen e numrit të ilaçeve të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

Read more

Elona Hasko: Duhet të bëjmë rrjetizimin dhe specializimin më të mirë të shoqërisë civile

Gjatë workshop-it “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), pjesëmarrësit shprehën pakënaqesinë rreth paragjykimeve që hasin dhe rreth mungesës së komunikimit nga ana e shtetit, duke shpërfillur kështu pozitën dhe detyrën e shoqërisë civile dhe duke i lënë ata të përjashtuar në procese të cila duhet të marrin pjesë. Pikërisht mbi këtë kontekst, specialistja për autizmin Elona Hasko, përmendi rëndësinë e rrjetizimit dhe specializimit më të mirë të shoqërisë civile mbi çështje specifike.

“Fëmijët me autizëm janë me aftësi të veçanta, por jo të kufizuara. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë civile që të fillojë të profilizohet. Kur bëhen tryeza speciale për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, bëhen me qëllim që të njohim njerëzit dhe ekspertët. Si mund të rrisim ne numrin e mësuesve të profilizuar për të dhënë mësim fëmijëve autik? Bashkia e Tiranës ka Open Data ku nxjerr çdo vit numrin e fëmijëve me nevoja të veçanta, të specifikuara, por këta janë fëmijë të rregjistruar si të tillë. Kjo ndodh pasi familja mund të mos e pranojë që fëmija ka një problem të caktuar, por duke u nisur nga mbrojtja dhe siguria e fëmijës, duhet shënuar në statistika situata e tij.

Në këtë mënyrë neve mund të parashikojmë sa mund të jenë me nevoja të veçanta. ”

Por, një tjetër problem që vihet re është dhe mungesa e një infrastruktureje të mirëfilltë, të specializuar për një grup të caktuar. Përsa i përket fëmijëve me autizëm, Elona Hasku, shprehu se Shqipëria në krahasim me Europën dhe Amerikën është lider ne ofrimin e mësuesve në edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Kjo është ndihmuar dhe nga lobimi i shoqërisë civile, i familjes, i medias. Në Europë nuk mund të shkosh në çdo shkollë edhe të të ofrohet mësuesi ndihmës, por vetëm në shkolla të veçanta, të dedikuara. Në Shqipëri shërbimi është më i mirë, mësuesi është i trajnuar dhe nuk ndëpritet në momentin që përfundon shkolla 9-vjeçare. Një nga direktivat që ne ia kemi paraqitur Ministrisë së Arsimit është krijimi i shkollave të profilizuara. Kjo është një gjë që duhet bërë duke u bazuar dhe në kapacitetet e qyteteve.”

Read more

Ersilda Teliti: Doktorët detyrohen të pranojnë marrëveshjen nga urdhri edhe nëse shërbimet nuk janë cilësore

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u diskutua për sfidat, problematikat dhe mungesat në sistemin shëndetësor shqiptar dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë sistem.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të organizatave civile shprehën dëshirën dhe interesin e tyre në sensibilizimin e popullatës në çështjet sociale. Pjesëmarrësit vlerësuan workshop-in dhe takime të tilla pasi janë mundësira të vlefshme për bashkëpunim mes njëri – tjetrit.

Një nga problemet që u përmend shpesh nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave ishte mungesa e informimit të qytetarëve dhe në shumë raste mbi çështje që i prekin ata drejtpërdrejt.

Mbi këtë problematikë, Ersilda Teliti nga Qëndra Konsumatori Shqiptar u shpreh:

“Mungesa e informacionit ka bërë që doktorët të pranojnë marrëveshjen nga urdhri duke i bërë dëm qytetarit, në çdo rast, edhe kur mjekimi është i pakujdesshëm dhe jo cilësor. Nëse qytetari kërkon direkt dëmshpërblim – biologjik, shëndetësor dhe moral – kjo do t’i kompesonte deri diku dëmin që ka pësuar. Po ju jap një rast personal: Në farmaci morra disa vitamina amerikane të cilat m’u rekomanduan nga farmacia. Vura re që fillova të kisha probleme me shëndetin. Pasi morra informacion rezultoi që rrjeti i farmacive ishte nga një person shumë i famshëm në Shqipëri, siç ndodh gjithmonë. Mesazhi nga kolegët e mi ishte të mos merresha me rrugë gjyqësore por unë e vazhdova deri diku luftën. Trupi im pati probleme nga përdorimi i këtyre vitaminave pasi ato duhet të kishin një përbërës që nuk funksionon mirë me shëndetin.”

Përsa i përket tenderave që nënshkruhen, që është një nga problemet që citohen dhe më sipër, një nga pjesëmarrësit u shpreh se organizata ku punonte merrej pikërisht me aspektin e llogaridhënies dhe transparencës të tenderave që miratohen dhe më pas zbatohen.  “Organizata që unë përfaqësoj ka përdorur një metodë që quhet ‘Redflag Procedure’, i cili është një lloj procesi prokurimi ku nxirren në pah politika dhe vendime që janë në kundërshtim me ligjin. Organizata jonë ka dhënë shumë transparencë sepse është e mirëorganizuar në sektorin e shëndetësisë. Nëpërmjet kësaj metode ngrihet zëri qytetar ne media dhe njëkohësisht zëri qytetar është i mirëinformuar. Dhe kjo metodë ka funksionuar.”

Read more

TFL organizon workshop-in e dytë me OSHC: “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë – Pse është me rëndësi pjesëmarrja e OSHC-ve në buxhetim?”

Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), organizoi workshop-in e dytë me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri.

Në formën e një tryeze konsultimi mbi tematikën bosht të transparencës dhe llogaridhënies në fushën e shëndetësisë, OSHC-të që mbulojnë këtë fushë dhe fusha të tjera, reflektuan disa nga sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile kur bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në procesin e buxhetimit, si edhe çfarë mund të bëhet për promovimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës.    

Ndër pikat kyçe që u theksuan gjatë tryezës lidhur me faktin pse përfshirja e OSHC-ve është me rëndësi thelbësore:

  • Për të shprehur nevojat e grupeve sociale të ndryshme në nivelin e politikëbërjes;
  • Për të negociuar ndarjen e burimeve publike në funksion të nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile;
  • Për të maksimizuar barazinë në vendimarrje dhe për të sjellë rezultate më të mira në zbatimin e politikave;
  • Për të thyer barrierat tipike të buxhetimit nga lart-poshtë duke nxitur qasjen e buxhetimit nga poshtë-lart;
  • Për të fuqizuar komunitetin për të monitoruar shpenzimet publike.

Përsa i përket sfidave me të cilat hasen OSHC-të, lidhen me mungesën e informacionit përsa i përket ligjeve të përfshirjes në konsultimet në buxhetim, si edhe mungesa e aftësive teknike në procesin buxhetor. Duke ju atashuar edhe mungesës së vullnetit politikë-bërës, kjo pjesë ndikon negativisht në përfshirjen aktive të organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe rrjedhimisht edhe mospërfaqësimit të plotë të nevojave aktuale të target-grupeve që ato përfaqësojnë. 

Nga ana tjetër, shumë nga organizatat nuk ftohen në procese konsultuese ose edhe kur ftohen dhe paraqesin propozimet e tyre, nuk merren parasysh nga vendimmarrësit dhe as nuk u mundësohet një shpjegim zyrtar pse nuk janë marrë parasysh. Në raste të tjera, informacioni zyrtar nuk është i plotë, i përditësuar ose i aksesueshëm. Në raportet e publikuara ka një diferencë midis planifikimit, buxhetimit dhe zbatimit, duke bërë që kauzat e ngritura të mos jenë qartësisht të mirëbazuara në fakte. Këto sipas këndvështrimit të OSHC-ve, përbëjnë tregues të qartë të mungesës së transparencës.

Shpeshherë organizatat portretizohen si “oponent” dhe kjo nuk ndihmon në ndërtimin e një sinergjie bashkëpunuese OSHC-Vendimmarrës.

– “Ajo që është problem është se ministritë e quajnë OSHC-në si “delen e zezë”. Për këtë arsye nuk merremi në konsideratë dhe vijojnë me mendimet e veta”.

– “Më përpara kishte konsultime me SHC edhe i kushtohej serioziteti i duhur, por me kalimin e kohës këto u bënë thjeshtë formale, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur”.

OSHC-të pjesëmarrëse vlerësuan si shumë të domosdoshme organizimin e tryezave të tilla, së pari për të krijuar ose forcuar rrjetëzimin midis organizatave për ngritjen e kauzave mbi çështje kritike dhe fuqizimin e aftësive të tyre monitoruese, në dobi të nxitjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës. Nga ana tjetër, këto sinergji do të shërbejnë edhe për fuqizimin e trinormit Vendimmarrje-Llogaridhënie-Transparencë.  

Read more
sqAlbanian