Pacientët që jetojnë me dializë në Shqipëri përballen me mungesë të medikamenteve. Në një intervistë për Euronews Albania, doktor Ilir Pecnikaj, ekspert i farmaceutikës ngre shqetësimin se këta pacientë nuk kanë medikamentin më jetik.
“Barna jetike që në tregun shqiptar nuk janë përsa i përket trajtimit të dializës, në tregun shqiptar mungon Mimpara, është jetik, ky është problem i sistemit, nuk ka autorizim sa kohë mungon në treg. Nga trajtimi i dializës ka disa kundërindikacione për të cilët mimpara është mëse i nevojshëm”, theksoi ai.
Mundësia e vetme është që ky medikament të blihet jashtë Shqipërisë. Eksperti thotë se trajtimi mujor kushton mbi 1200 euro, e në këto kushte shumë pacientë se marrin duke prishur cilësinë e jetës.
“Alternativë që mbulon këtë bar nuk ka dhe po të shohësh mesataren e jetëgjatësisë të personave që trajtohen me dializë është shumë herë më e ulët dhe cilësia që bëjnë njerëzit me dializë në Shqipëri është tmerrësisht e keqe dhe kjo vjen vetëm nga trajtimi i barnave. Këtu nuk është mungesa profesionale e mjekëve, por mungesa e medikamenteve dhe mundëssië për ti blerë këto medikamente”, u shpreh mjeku.
Vetëm në qendrën spitalore “Nënë Tereza” trajtohen me dializë 110 persona, ndërsa numri total në të gjithë vendin shkon rreth 300 pacientë.
Në vitin e dytë të pandemisë, vdekshmëria shtesë19 në vend vijoi të ishte e lartë, sidomos në tremujorin e parë të 2021-it, që përkon me valën e dytë të fortë të pandemisë, pas asaj të tetor – dhjetor 2020. Për vitin 2021, në vend u regjistruan 30,580 vdekje, 20 me një rritje prej 10.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur vendi u përball me valën e parë të pandemisë. Në raport me mesataren 2016-2019, periudhë që merret si referencë për krahasimin e vdekshmërisë shtesë të shkaktuar nga pandemia, rritja arrin në rreth 40%
Sipas tremujorëve, rritja e vdekshmërisë shtesë për vitin 2021 erdhi si rrjedhojë e fataliteteve të larta që u shënuan në tremujorin e parë të vitit, kur u raportuan 10,222 humbje jete gjithsej, me një rritje prej 61.3% në raport me mesataren e 2016-2019 për të njëjtën periudhë. Në tremujorin e mëparshëm, tetor – dhjetor 2020, që përkon me valën e parë të fortë të pandemisë, ishin regjistruar 9,397 humbje jete gjithsej, me rritje 70% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019. Pas marsit 2021, vala e pandemisë filloi të lehtësohej, por numri i vdekjeve vijoi të mbetej më i lartë në krahasim me mesataren e para pandemisë, përkatësisht +21.3% në tremujorin e dytë 2021, +29.6% në tremujorin e tretë 2021 dhe +42% në tremujorin e katërt 2021, (ndonëse në raport me tremujorin e katërt 2020, vdekjet shtesë ranë me 16.6%)
Edhe përgjatë vitit 2021, Shqipëria vijoi të ishte një nga vendet me rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë në Evropë. Në dy vitet e pandemisë, 2020-2021, Shqipëria kishte rritjen e tretë më të lartë kumulative të vdekjeve në Evropë (+33.2), në krahasim me mesataren dy vjeçare 2016-2019, kur nuk kishte filluar ende pandemia, pas Kosovës (+38.1%) dhe Maqedonisë së Veriut (55.1%), sipas të dhënave të Eurostat dhe raporteve statistikore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës/Shoqata Together for Life .
Numri i lindjeve është duke rënë me shpejtësi në të gjitha qarqet e vendit vit pas viti, por në 6 mujorin e parë 2022 fenomeni ishte më i fortë në qarqet e Dibrës dhe të Korçës.
Sipas të dhënave të INSTAT, në janar-qershor 2022 lindjet në shkallë vendi pësuan rënie vjetore me 9 për qind, por në qarqet e Dibrës dhe Korçës tkurrja ishte përkatësisht 23.8 % dhe 20%.
Të dhënat tregojnë se në qarkun e Korçës lindjet ranë me gati një të katërtën në harkun kohor të një viti, teksa faktorët lidhen me emigracionin e mprehte, plakjen e popullsisë dhe rënien e normave të lindshmërisë për gratë që jetojnë në atë zonë.
Rënia e lindjeve lidhet me të njëjtat arsye edhe në Dibër, ku qarku vit pas viti po humbet popullatën e re në moshë si rrjedhojë e normave të larta të emigrimit të brendshëm dhe emigracionit.
Bashkitë e vogla dhe sidomos zonat rurale të vendit janë duke u shpopulluar më shpejtësi. Çiftet e reja nuk po ndërtojnë jetën në këto zona, jo për arsye ekonomike, por nuk nga mungesa e shërbimeve arsimore cilësore. Në shumicën e fshatrave shqiptare janë krijuar shkolla kolektive nga numri i pakët i fëmijëve. Për ketë arsye shumë prindër largohen nga vendbanimet e tyre kur fëmijët i afrohen moshës së shkollës.
Shumica e qarqeve kishin rënie dyshifrore të lindjeve në krahasim me gjashtëmujorin e parë. Pas Dibrës dhe Korçës, Shkodra kishte rënie me 18%, Berati me 13.2%, Fieri me 12.4% dhe Kukësi me 10.5%.
Rënia e lindshmërisë ka prekur edhe Tiranën. Pavarësisht se popullsia e kryeqytetit vjen në rritje nga viti në vit, numri i lindjeve ka nisur rënien. Në 6-mujorin e parë 2021 lindjet në qarkun e Tiranës shënuan rënie me -3.5%.
Përveç normave të lartë të emigracionit që po ndikojnë negativisht lindjet, shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare që jetojnë në Shqipëri të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.
Kjo tendencë po pasqyrohet qartë në rënien vit pas viti të indeksit Sintetik të Fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese.
INSTAT raportoi se indeksi sintetik i fekonditetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021 nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020 dhe 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.
Kjo do të thotë se 100 gra pritet të lindin 132 fëmijë nga rreth 210 fëmijë në vitin 2001 dhe 500 fëmijë në vitin 1970.
Me këtë ecuri popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme për shkak se tashmë lindshmëria është shumë poshtë normës së zëvendësimit dhe gratë nuk arrijnë të zëvendësojnë vetveten. Kjo do të thotë se në të ardhmen popullsia do të pakësohet, por do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit.
Ndonëse shëndetësia zyrtarisht është falas, shumë shqiptarë rezulton se preferojnë që të kurohen në spitalet private në vend, ndonëse me një kosto shumë të shtrenjtë.
Sidomos kjo ishte e dukshme në vitin 2021, që përkon me kulmin e valës së dytë të pandemisë së Covid-19. Teksa Shqipëria ka numrin më të ulët të doktorëve në Europë për 10 mijë banorë, me 16.5 mjekë (nga 47.6 që është mesatarja europiane), shumë familje dhe individë u detyruan që të përballonin kostot për kurimin nga xhepi, si në blerjen e medikamenteve, apo shtrimit në spitale private.
Të dhënat zyrtare të bilanceve pesë spitaleve private, AMERICAN HOSPITAL, International Hospital (ish Hygeia), Salus, German Hospital International, Spitali Europian, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 12.3 miliardë lekë (103 milionë euro), duke arritur nivelin më të lartë rekord që kur spitalet e para filluan të hyjnë në tregun shqiptar më shumë se një dekadë më parë.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, rritja e të ardhurave është 25.5%, më e larta e regjistruar vitet e fundit, ose rreth 20 milionë euro më shumë. Në 2020-n, kur pandemia u forcua ne muajt e fundit të vitit, rritja vjetore e të ardhurave ishte 10.7%.
Spitali Amerikan (American Hospital) është më i madhi në vend. Në vitin 2021 qarkulloi 7.5 miliardë lekë, me rritje 21% me bazë vjetore.
Pas tij renditet International Hospital (ish Hygeia), po pjesë e grupit të Spitalit Amerikan, me 3.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 18%.
Spitali Salus raportoi 767 milionë lekë të ardhura, me rritje 7%. “German Hospital International kishte xhiro prej 653 milionë lekësh, me rritje 41%, ndërsa Spitali Europian mëse i dyfishoi të ardhurat, në 411 milionë lekë.
Në pjesën e parë të vitit 2021, vala e pandemisë arriti kulmin e saj, e reflektuar kjo dhe me numrin e lartë të vdekjeve. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2021, humbjet e jetës arritën në rekordin e 10.2 mijë personave, me rritje 61% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë të 2016-2019. Edhe në tremujorin e dytë vdekjet u rritën me 21% në krahasim me mesataren 2016-2019. Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.
Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, me kosto që vlerësohet të kenë arritur mesatarisht 20 mijë euro/person. Rritja e kostove për të përballuar Covid ka ulur dhe aftësinë paguese të individëve. Spitali Amerikan thekson në raportin vjetor se ka pasur “rënie të mundësisë së pagesave të familjeve dhe fokusin e shpenzimeve të tyre për trajtimin e infektimit nga COVID-19. Rritja e çmimeve dhe shpenzimet e rritura në medikamente ndikuan ndjeshëm në mirëqenien e tyre”.
Rreth 947 milionë lekë në vit, që shpenzohen në spitalet private rimbursohen nga shteti për shërbimin e dializës që kryhet nga Spitali Amerikan, ndërsa vitet e fundit është zhvilluar dhe shërbimi i sigurimit shëndetësor nga shoqëritë private të sigurimit që mbulon një pjesë të shpenzimeve të individëve që kurohen në privat.
Në spitalet private u shpenzuan sa 25% e totalit të buxhetit të shtetit për mjekësinë
Për vitin 2021, shpenzimet totale faktike për shëndetësinë ishin 78 miliardë lekë (rreth 650 milionë Euro), me një rritje prej 16% me bazë vjetore në krahasim me periudhën përkatëse 2020, sipas raporti vjetor të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Përjashtuar programet e Përkujdesit Social dhe Rehabilitimit të përndjekurve politike, që nuk janë të lidhura me shëndetësinë, buxheti total i shëndetësisë ishte 49 miliardë lekë, ose rreth 410 milionë euro. Peshën kryesore të shpenzimeve, me 46% të totalit e zë trajtimi i pacienteve të shtruar ne spitale.
Ndërsa shuma e shpenzuar në spitalet private është sa 25% e totalit të buxhetit të dedikuar vetëm për shëndetësinë.
Burimi: Bilancet përkatëseBurimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një plan pune në bazë të të cilit do të administrohet pandemia COVID-19 deri në vitin 2023.
Plani, i cili nuk është bërë publik dhe është vetëm në pak duar, merr në konsideratë shtimin e kapaciteteve spitalore dhe numrin e shtretërve pikërisht për shkak të presioneve që mund të krijojë COVID-19 në të ardhmen.
Sipas këtij plani, besohet se deri në vitin 2023 do të jenë në dispozicion të paktën 1800 shtretër në vend. Spitali infektiv, i cili ka rol kryesor në trajtimin e sëmundjes për pacientët e sëmurë rëndë, është në fazë rikonstruksioni, për të rritur standardet dhe kapacitetet.
Plani për dy vitet në vijim synon t’u përgjigjet infektimeve të reja me COVID-19, por edhe ndikimit post-COVID në sistemin shëndetësor. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka sqaruar më parë në lidhje me këtë plan se, strategjia do të përshtatet me ndryshimet që mund të ketë, me evidencat e reja shkencore që mund të dalin, me situata që mund të krijohen.
Plani 2021-2023 përmban vaksinimin, si më të rëndësishmin, duke theksuar se fokusi kryesor në muajt në vazhdim është rritja e mbulesës vaksinale.
Për shkak të COVID-19, plani merr në konsideratë ridimensionimin e sistemit shëndetësor me fokus kujdesin parësor, plani synon integrim të shërbimeve sociale dhe shëndetësore, pasi përvoja ka treguar se shëndeti mendor është cenuar rëndë nga COVID-19.
Do të vihen në dispozicion 1800 shtretër të dedikuar për çdo skenar për përballimin e situatës. Investimet do të fokusohen tek Urgjenca Kombëtare, duke përfshirë fuqizimin e flotës së autoambulancave në funksion të mbulimit edhe më të mirë të territorit, por edhe shërbimit në familje.
Tek Instituti i Shëndetit Publik do të ketë investime direkte në fuqizimin me aparatura laboratorike dhe do të përmirësohet sistemi i survejancës.
Mjekët në Poliklinikën e Mushkërive pohojnë se janë duke punuar mbi kapacitet që kur nisi pandemia. Nga 11 vizita në ditë që është zakonisht norma për mjek, gjatë kohës së COVID-19, vizitat janë katër-pesëfishuar.
Parashikimet globale
Njësia “Health Data” e Kombeve të Bashkuara zbuloi së fundmi se vala e vazhdueshme e Omicron e pandemisë COVID-19 dhe nënvarianteve të tij ka rezultuar në nivele të paprecedentë të transmetimit të popullsisë, për shkak të nivelit të lartë të përhapjes.
Studimi global, që parashikon trajektoren e pandemisë COVID-19, sipas skenarëve të mundshëm të varianteve dhe ndërhyrjeve, që u publikua në qershor 2020 vë në dukje se, karakteristikat epidemiologjike të varianteve të reja mund të kenë ndikime të thella në rezultatet e shëndetit global, dhe ndërkohë karakteristikat e këtyre varianteve të reja janë të vështira për t’u parashikuar përpara shfaqjes së tyre.
Parashikimet globale morën në konsideratë një model dinamik, efektivitetin e vaksinës, variantet e reja dhe zvogëlimin e mbrojtjes nga imuniteti, si nga infeksioni, ashtu edhe nga vaksina.
Në nivel global, nga 15 nëntori 2021, deri më 31 maj 2022, kishte 3.83 miliardë infeksione SARS-CoV-2 (me 95% siguri), nga të cilat 10.4 milionë ishin shtrime në spital dhe 2.4 milionë vdekje, shumica e të cilave lidheshin me variantin Omicron.
Vala masive e Omicron dhe nivelet relativisht të larta të vaksinimit në shumë vende me të ardhura të larta kanë kontribuar në nivele të larta të imunitetit të pjesshëm ose të plotë kundër infeksionit SARS-CoV-2. Vlerësohet se në gjysmën e parë 2022, vetëm 4,48% e popullsisë globale ishte pa mbrojtje. Skenari i ardhshëm konsideron më të besueshëm një variant të ri të Omicron që shfaqet në nivele të larta përhapje.
Ekspertët e OBSH në Kombet e Bashkuara parashikojnë se, nëse mbrojtja që rrjedh nga infeksioni zvogëlohet, infeksionet do të rriten. Duke pasur parasysh përqindjen e madhe të popullsisë që ka njëfarë niveli imuniteti ndaj SARS-CoV-2, që nga 1 qershori 2022, përveç parashikimeve më pesimiste nuk parashikohet rritje masive globale.
Të gjitha shenjat tregojnë drejt kalimit të COVID-19 në një regjim transmetimi më endemik (barrë më e ulët, por e qëndrueshme e sëmundjes).
Studimet e OBSH-së tregojnë se me prezantimin dhe përhapjen e ndërhyrjeve të reja terapeutike që priten deri në mes të vitit 2022, gjasat për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme të vdekshmërisë nga COVID-19 janë të ulëta.
Karakteristikat e varianteve të ardhshme të COVID-19 janë të vështira për t’u parashikuar, po përvoja tregon disa ndryshime të konsiderueshme të pasojave në shëndet, në varësi të vetive të varianteve të reja.
“Duke pasur parasysh pasigurinë rreth llojit të variantit që do të shfaqet më pas, ne duhet të qëndrojmë vigjilentë, ndërsa kalojmë në fazën tjetër të pandemisë COVID-19”, – thonë ekspertët e OBSH-së.
Pavarësisht rolit shumë të rëndësishëm të vaksinave dhe rolit të mundshëm të terapive të reja, kontributi i përdorimit të maskave në parandalimin e infeksionit dhe vdekjes nuk mund të nënvlerësohet.
Pritshmëritë
Ekspertët e OBSH në Kombet e Bashkuara parashikojnë se, nëse mbrojtja që rrjedh nga infeksioni zvogëlohet, infeksionet do të rriten. Duke pasur parasysh përqindjen e madhe të popullsisë që ka njëfarë niveli imuniteti ndaj SARS-CoV-2, që nga 1 qershori 2022, përveç parashikimeve më pesimiste nuk parashikohet rritje masive globale.
Si mund përshtaten shërbimet mjekësore në kushtet e pandemisë
Shumica e mjekëve dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve ishin të mendimit se komunikimi online është i përshtatshëm për ruajtjen e vijimësisë në kushtet e një pandemie apo emergjence tjetër të ngjashme në të ardhmen, thotë eksperti Alban Ylli.
Megjithatë ai vëren se, megjithëse një zgjidhje e mirë në kushtet emergjente, komunikimi përmes ëhatsapp ka një prirje për t’u përdorur më shumë se sa është e nevojshme edhe pas përfundimit të pandemisë, duke cenuar standardet e vizitës mjekësore dhe duke shmangur në mënyrë artificiale vizitat në qendër.
Për këtë arsye, kjo formë komunikimi duhet dekurajuar në kushte normale, vë në dukje ai. Për zbatimin e protokolleve të veçanta në kushtet e emergjencës, është thelbësore vendosja e një bashkëpunimi më të ngushtë mes mjekëve jo specialistë me mjekët specialistë. Kjo është sidomos e nevojshme në kushtet e pandemive nga viruse të rinj, kur nuk njihen mirë pasojat e ndërhyrjeve tradicionale.
Sipas Yllit ka ende shumë hapësirë për të bërë një shpërndarje më të mirë të planifikimit të vizitave, duke i nxitur pacientët kronikë të përdorin më shumë oraret e pasdites apo mbrëmjes, kur fluksi i vizitave është shumë më i ulët.
Në këtë mënyrë mund të zgjidhet mbipopullimi dhe të ulet risku i infeksioneve në kushte emergjence pandemike, por edhe mund të rritet efektiviteti i vizitave klinike.
Ai këshilloi se sistemi i informacionit elektronik, me gjithë sofistikimin teknologjik të viteve të fundit, ende mund të përshtatet për të ndihmuar mjekun e familjes në ndjekjen afatgjatë të pacientit kronik dhe sidomos për të përmirësuar menaxhimin në kushte emergjencash.
Ndërkohë që variantet e reja të virusit e kanë shtyrë në kohë dhe e kanë bërë më kompleks kontrollin përfundimtar të pandemisë, ngelet e domosdoshme të vijohet me intensitet me fushatat e vaksinimit dhe përgatitjen afatgjatë të sistemit shëndetësor për sëmundjen akute dhe kronike, të lidhur me infeksionin nga SARS-COV-2.
Ylli vë në dukje se, është e rëndësishme që të mbështeten shërbimet në fushën e kontrollit të sëmundjeve jo të transmetueshme, për të arritur sa më shpejt treguesit e përdorimit të para pandemisë.
Me qëllim ruajtjen e shërbimeve shëndetësore në të ardhmen, gjatë krizave me natyrë të ndryshme apo emergjencave të tjera, rekomandohet që përpjekjet të përqendrohen në masat e mëposhtme:
Udhëzime të qarta mbi prioritizimin e shërbimeve esenciale në terma afatmesëm, përqendrim në terma afatshkurtër i shërbimeve në urgjencat, aplikim i komunikimit online, sa herë që është e mundur dhe rekrutim i personelit shtesë me kohë të pjesshme dhe të plotë.
Për periudhën shkurt-prill 2021, importet e medikamenteve u rritën ndjeshëm me 87%, në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2020, duke përfshirë dhe importet e vaksinave. Përjashtuar koston e vaksinave, rritja është 50%.
Shtesa në vlerë e importeve, ishte 3.9 miliardë lekë (31.7 milionë Euro), nga të cilat 1.4 miliardë lekë (11.4 milionë Euro) ishin për vaksina të importuara nga Kina dhe Turqia. Përjashtuar koston e vaksinave, shpenzimet shtesë për medikamente ishin 2.5 miliardë lekë, ose 20 milionë euro që kanë ardhur si rrjedhojë e importeve të shtuara të produkteve, që u përdorën për mjekimin e Covid-19, si antibiotikë, kortizonikë, antiinflamatorë, vitamina etj.
Importet e produkteve farmaceutike nga Gjermania, partneri i parë tregtar i Shqipërisë (për barna, nga e cila vijnë 13% e totalit të importeve, u rritën me 24% për 4 mujorin e parë 2021, në raport me mesataren 2018-2020 të së njëjtës periudhë. Nga Italia, rritja ishte 48%, nga Franca 50% dhe nga shtetet e tjera (kryesisht, Sllovenia, Greqia, Belgjika, Brazili, Bullgaria Korea e Jugut) rreth 50%.
Importet e produkteve farmaceutike nga Kina u shumëfishuan në 1.1 miliardë lekë (8.9 milionë Euro), pasi filloi importi i vaksinave kineze. Një pjesë e tyre u importuan dhe nga Turqia, që pa një rritje me 48% me bazë vjetore për janar-prill 2021, në krahasim me mesataren e 4 mujorit të parë për periudhën 2018-2020. Ndonëse kontrata është bërë përmes Turqisë, importet direkte të vaksinave kineze, rezultojnë që kanë ardhur nga Kina.
Importet e medikamenteve ishin të larta edhe gjatë valës së parë të pandemisë. Për Tetor-Dhjetor 2020, importi i ilaçeve ishte 19% më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ose 1.15 miliardë lekë (9.4 milion Euro) shpenzime shtesë.
Gjatë periudhës tetor 2020-prill 2021, që korrespondon me dy valë të forta pandemike, shpenzimet shtesë për ilaçet ishin 3.6 miliardë lekë, ose pothuajse 30 milionë euro (pa përfshirë shpenzimet për blerjen e vaksinave).
Një tjetër tregues, indeksi i vlerës “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike, parfume dhe të tjera të higjienës personale”, që mat ndryshimin vjetor të shpenzimeve për indikatorët përkatës shënoi një rritje të lartë në muajt shkurt dhe mars 2021 (përkatësisht 17 dhe 27%), gjatë kulmit të valës së dytë të pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare të paraqitura në grafikun e mëposhtëm, shpenzimet për produkte farmaceutike dhe mjekësore u rritën përkatësisht me 17% dhe 27.4% në shkurt dhe në mars 2021 (që përkon me valën e dytë të pandemisë), në raport me muajt përkatës të vitit të mëparshëm.
Tirana vazhdon të jetë qarku që ka numrin më të lartë të spitaleve dhe të shtretërve spitalorë. Kjo lidhet jo vetëm me numrin e lartë të popullsisë në këtë rajon, por dhe me përqendrimin e shërbimeve spitalore universitare në funksion të popullsisë për të gjithë vendin. Numri i shtretërve spitalorë së bashku me numrin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitale, është i lidhur dhe me madhësinë e popullsisë në qarqe.
Tabela 2: Spitalet, procedurat, profesionistët e shëndetësisë
Numri i spitaleve publike dhe private*
57
Shtretër spitalor publikë dhe privatë
8.877
Shtretër spitalore për 10 000 banorë
31.1
Numri i mjëkëve në spitale/Publike
1.777
Numri i infermierëve në spitale publike
5.585
Numri i procedurave kirurgjikale
64.929
Shfrytëzimi i shtratit në ditë
186.7
Në %
51.2
Në nivelin e BE-së ka mesatarisht pesë shtretër spitalorë për 1.000 banorë. Më shumë kanë Gjermania dhe Bullgaria me mbi shtatë, ndërsa më pak Suedia dhe Danimarka me nën 2.5 shtretër për 1.000 banorë. Ndërsa në vendet e rajonit, Shqipëria ka 3.1 shtretër për 1.000 banorë, Maqedonia 4.2 shtretër spitalorë për 1.000 banorë, Serbia ka 5.6 shtretër spitalorë për 1.000 banorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 3.9.
Për sa i takon burimeve njerëzore, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Raporti mjekë për banorë është 1.2:1000 dhe raporti mami/infermierëpër banorë është 3.6:1000. Burimet njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha.
Referuar të dhënave nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, aktualisht numri i përgjithshëm i mjekëve të regjistruar pranë UMSH-së është 6315. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë mjekët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë, të gjithë mjekët që janë larguar nga Shqipëria, por që nuk janë çregjistruar, mjekët pensionistë që nuk e ushtrojnë profesionin, si dhe mjekët e huaj.
Numri i mjekëve specialistë të regjistruar në rang vendi është 2848.
Numri i mjekëve me specialitet “Kirurgji e përgjithshme” të regjistruar pranë UMSH-së është 174.
Numri i mjekëve me specialitet “Anestezi-reanimacion” të regjistruar pranë UMSH-së është 143.
Numri i mjekëve të punësuar në sistemin shëndetësor publik është 4152, nga të cilët 1812 mjekë të përgjithshëm dhe 2340 mjekë specialistë.
Ndërsa referuar numrit të dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë ose 3,600 në total në gjithë vendin.
Pas një operacioni rutinë në spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, kirurgu kthehet në zyrë me një pajisje në dorë, që sapo e ka marrë fshehurazi nga salla e operacionit. Ai e vendos atë mbi tavolinë, e çmbështjell nga një copë letër higjienike dhe tregon me gisht elektrobisturinë në ngjyrë blu, ende të paketuar në qese. “Ky instrument do të hidhej në mbeturina,” tha kirurgu, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit. “Ky është shembulli flagrant sesi shpërdorohen paratë tona,” shtoi ai gjatë bisedës së zhvilluar në zyrën e tij, në mesin e tetorit. Elektrobisturia mbi tavolinën e kirurgut është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë [me TVSH] për çdo ndërhyrje. Mjeku thotë se ka për qëllim që ta shpëtojë instrumentin duke e sterilizuar “ilegalisht” atë –në mënyrë që të kursejë para përmes përdorjes në një seri operacionesh të tjera.
Episodi i spitalit të Traumës nuk është një rast i izoluar. Të gjendur nën presionin e çmimeve të shtrenjta të seteve kirurgjikale, mjekët i kanë kthyer sytë tek autoklavat e vjetra, që janë rikthyer tashmë në qarkullim në disa prej spitaleve të rëndësishme të Tiranës. Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e pestë të operimit, por ka shënuar rritje të kostove të parashikuara me gati 30%. Nga 9.6 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë të kushtojë 12.3 miliardë lekë në total. Pagesat realizohen sipas skemës “përdor dhe paguaj”, ndaj rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave. Megjithatë, numri i operacioneve nuk është kalkulimi i vetëm i gabuar që rëndon sot mbi financat e sektorit të shëndetësisë. BIRN intervistoi mjekë dhe kirurgë të spitave të ndryshme të Tiranës, të cilat pohuan se formula e zgjedhur i rrit shpeshherë kostot edhe fiktivisht. Mjekët pranuan se kishin përdorur sete të shtrenjta për mikrokirurgjitë dhe ishin detyruar shpeshherë që të hapnin dy ose tre sete gjatë një operacioni, për të gjetur instrumentin kirurgjikal që u nevojitej. Sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe pritet të sjellë probleme në vazhdimësi për financimin e saj. Kontrata PPP është gjithashtu një nga dosjet e para të bujshme që përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe po hetohet prej 11 muajsh për tre vepra penale që lidhen me korrupsionin. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e mbrojti kontratën në një përgjigje me shkrim për BIRN, pavarësisht kostove të rritura dhe akuzave të regjistruara nga Prokuroria. “Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq,” tha Beqja, firmëtar i kontratës. “Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit,” shtoi ai. Kompania koncesionare, SaniService nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dhurimi i stacionit të sterilizimit Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013. Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një hetimi të zhvilluar në vitin 2016 nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë. Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë. Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja. Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion. “Ky koncesion pikërisht për të ruajtur këtë investim, parashikon ta jetësojë këtë qendër, duke e vënë në punë atë,” deklaroi në Prokurori një nga anëtaret e komisionit. Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë. Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm. Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime. “Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015. Prokuroria e Tiranës iu rikthye arsyeve se pse Ministria e Shëndetësisë zgjodhi procedurën PPP përballë prokurimit të zakonshëm në seancën e pyetjeve me anëtarët e komisionit, ndërkohë që këta të fundit dhanë si argument mungesën e fondeve për investim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ishte edhe kryetar i komisionit i tha Prokurorisë se rinovimi i instrumenteve kirurgjikale kapte shifrat e 11 milionë eurove, ose dyfish e gjysmë mbi zërin që Ministria e Shëndetësisë kishte në dispozicion për investime. “Skema PPP është më e favorshme për shkak të investimit fillestar të madh, që nuk përballohet nga shteti si dhe për shkak të marrjes së riskut totalisht nga privati,” shton Rrjepaj në dëshmi. Ndryshe nga parashikimi në studimin e fizibilitetit, Ministria e Shëndetësisë paguan çdo vit një faturë edhe më të shtrenjtë sesa investimi fillestar prej 11 milionë eurosh –me kosto që luhaten në një mesatare vjetore prej 1.6 miliardë lekësh ose gati 13 milionë euro.
Fryrja e kostove Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ish ministri Ilir Beqaj, gjatë një vizite në shërbimin e Hemodinamikës në QSUT, ku është përuruar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën. | Foto nga : LSA Në dy maternitetet e Tiranës, Koço Gliozheni dhe Mbretëresha Geraldinë, janë rikthyer instrumentet tradicionale për një pjesë të madhe të lindjeve natyrale. Metoda e vjetër e sterilizimit me autoklavë funksionin gjithashtu në gjysmë-ilegalitet, pas kërkesave verbale të eprorëve për të ulur përdorimin e seteve. Një mjek gjinekolog i tha BIRN se setet kirurgjikale janë të panevojshme për lindjet natyrale. “Ndryshe nga operacionet, një lindje natyrale ka nevojë për dy-tre instrumente ndaj na është kërkuar verbalisht, nën rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që në këto raste të minimizohet përdorimi i paketave me instrumenta të sterilizuar,” tha ai. Si shumë kolegë të tij, edhe mjeku gjinekolog pranoi të intervistohej nga BIRN me kushtin që të mos i përmendej emri. “Ne realizojmë mesatarisht 30 ndërhyrje dhe lindje në ditë. Të blesh një set kirugjikal kushton mesatarisht 40 mijë lekë të reja…E kuptoni se sa shumë është rritur kostoja e një ndërhyrjeje kirugjikale?” pyeti ai. Dy maternitetet e Tiranës u fajësuan pjesërisht për rritjen e kostove në vitin 2018, pasi një grup kontrolli nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor verifikoi se për lindjet natyrale ishin përdorur paketa të kompleksitetit të ulët. Mjekët u këshilluan që për lindjet normale të përdornin sete të sterilizimit me avull, të cilat kushtojnë 319 lekë copa. Pjesa tjetër i faturohet mikrokirurgjive, të cilat nuk numëroheshin si ndërhyrje përpara dhënies së shërbimit me koncesion. Kirurgu Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë dhe pjesë e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit e mburri koncesionin si “gjëja më e mirë” për sistemin shëndetësor. Megjithatë, Gjata pranoi se një kategori mikrondërhyrjesh nuk deklaroheshin më parë dhe nuk ishin llogaritur. Ai përmendi në këtë kategori ndërhyrje të tilla si rrethprerja (syneti), heqja e një thoi apo e një nishani. “Pas futjes së koncensionarit duheshin deklaruar, pasi do të përdoren setet kirurgjikale. Kanë rezultuar të jenë rreth 8 mijë të tilla në të gjithë vendin dhe sigurisht kanë rritur numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke rritur edhe kostot,” tha kirurgu Gjata. Lindjet natyrale dhe mikrokirurgjitë nuk janë të vetmet ndërhyrje që sollën rritje të paparashikuar të kostove. Mjekët përmendën si arsye edhe grupimin e instrumenteve brenda një seti apo mungesat e shpeshta të paketës së vogël prej 319 lekësh, që i detyron ata të shpërdorojnë setet kirurgjikale. “Problemi qëndron se për një ndërhyrje, ne mund të hapim edhe deri në tre sete, sepse nuk gjejmë dot të gjitha instrumentet që na duhen në njërin set,” tha njëri prej kirurgëve. “Unë në sallë operacioni mendoj se si të shpëtoj jetën e pacientit dhe jo sa lekë po harxhoj,” shtoi ai, duke pohuar se presioni mbi kostot rëndon vazhdimisht mbi punën e tyre. Një ish-drejtues i njërit prej spitaleve universitare u ankua se koncesionari e ofron rrallë paketën e vogël të sterilizuar në avull dhe kjo i detyron mjekët që të shpërdorojnë shpesh sete për të përdorur qoftë edhe vetëm një instrument. “Kjo mendoj se është kleçka që e rrit shumë koston që duhet t’i paguajmë pastaj në fund,” tha kirurgu, pa dashur që t’i përdoret emri. Kirurgu urolog, Artan Koni, i cili denoncoi në SPAK kostot e shtrenjta të sterilizimit i tha BIRN se rigrupimi i instrumenteve brenda një seti është një formulë që nuk funksionon. “…asnjëherë nuk mund të bësh një renditje optimale të seteve, sepse operacioni nuk shkon asnjëherë siç do ti,” tha Koni. “Mund të ndodhë që gjatë operacionit të duhet diçka që nuk e parashikon dhe nuk e planifikon dot. Ndaj do të ketë gjithmonë përdorim të dy ose tre seteve,” shtoi ai.
Cilësi vs. kosto Cilësia e dobët e instrumentave kirurgjikalë dhe infeksionet e larta spitalore ishin dy argumentet kryesore në favor të dhënies me koncesion të shërbimit të sterilizimit në sallat kirurgjikale. Rinovimi i instrumentarit dhe ulja e infesioneve spitalore mbeten edhe sot argumente në mbrojtje të saj. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kontrata e sterilizimit ishte e nevojshme dhe treguesi më i mirë për këtë është shkurtimi i ditëve të qëndrimit në spital për pacientët që i janë nënshtruar operacioneve. “Edhe ecuria e infeksioneve prej SARS-CoV-2 në sallat kirurgjikale që prej marsit 2020 e në vijim [zero mjekë apo infermierë të sëmurë me COVID-19] provon se nëpërmjet kësaj kontrate është arritur cilësi maksimale në sterilitetin e sallave operatore,” pretendoi Beqja. Kirurgu Arben Gjata kujton se në kohën që po jepej koncesioni i sterilizimit, ai përdorte ende një bisturi të markës “Urna”, që ishte donacion i qeverisë amerikane i vitit 1945. Ai thotë se operon sot me instrumente të markës “Martin”, që i konsideron ndër më cilësoret në Europë. “Të krahasosh kushtet me të cilat operojmë sot, me ato që kishim para dhënies me koncension të sterilizimit, është njësoj si të kesh një supermakinë e të thuash se gazi ‘69 i kohës së Enverit ishte më i mirë se harxhonte pak,” tha Gjata, duke i konsideruar ankesat për koncesionin si politike. “Sigurisht që kemi debate me koncensionarin, sepse ka vegla që na prishen apo na amortizohen dhe kërkojmë që të na sjellë të reja, por të vësh në dyshim cilësinë më duket e pakuptimtë,” shtoi ai. Por kirurgu urolog, Artan Koni bën një llogari të thjeshtë matematikore, ndërsa thotë se setet kirurgjikale po blihen “sa frëngu pulën”. Sipas Konit, sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte rreth 215 mijë euro në vit në rang kombëtar, ndërkohë që koncesionarit i paguhen deri në 16 milionë euro. Mjeku shton në llogari edhe kosto të supozuara të blerjes nga e para të instrumentarit dhe arrin në përfundimin se koncesionari paguhet në një vit aq sa shërbimi kushton në 10 vite. “Pak a shumë, kirurgët për një operacion marrin 15 mijë lekë të vjetra, por minimalisht i japin [koncesionarit] 130 mijë lekë për setin,’ tha Koni për BIRN. “Mendoj se që kjo kontratë ishte keq që në konceptim, sepse nuk mund t’i jepet me koncension privatit një shërbim i tillë. Nuk ka logjikë, as mjekësore, as ekonomike, asnjë vend në Evropë nuk e ka me koncension,” shtoi ai.
Ulje çmimesh? Jo, ulje ndërhyrjesh Në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve të raportuara nga të gjitha spitalet e vendit kapërceu në 90 mijë, nga 63 mijë të parashikuara në kontratë. Nga 1.6 miliardë lekë të planifikuara për t’u paguar në vitin 2018, vlera u rrit në 2.1 miliardë -duke mbartuar një pjesë të detyrimeve edhe për vitin 2019. Tejkalimi i tavanit të miratuar buxhetor e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të urdhëronte një “moratorium” të shkurtër për ndërhyrjet e planifikuara si dhe të rinegocionte termat e kontratës me kompaninë koncesionare. Negociatat me kompaninë SaniService u mbyllën në janar 2020 me amendimin e kontratës. Ministria arriti të reduktonte me 25% çmimet vetëm për setet që tejkalojnë tavanin e parashikuar në kontratë prej 63 mijë ndërhyrjesh. Ministria tha gjithashtu se kjo zbritje shtrihet edhe për paketimet në avull mbi limitin prej 63 mijë setesh. E pyetur nga BIRN për luhatjen e madhe të numrit të operacioneve nga njëri vit në tjetrin, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se kishte arritur t’i ulte ato përmes programimit më racional nga spitalet si dhe monitorimit në kohë reale të interventeve sipas tipologjisë për çdo repart. BIRN mësoi se në negociata ishin diskutuar edhe formula të tjera, të cilat nuk ishin pranuar nga Ministria e Shëndetësisë. Rektori Gjata i tha BIRN se ai vetë kishte sugjeruar shtimin e një seti të katërt në vend të reduktimit të miratuar. “I sugjerova Ministrisë së Shëndetësisë dhe koncensionarit që të ofrojë edhe një paketë të katërt të instrumenteve të sterilizimit, me një kosto prej 2-3 mijë lekë të reja, që do të përdorej për të realizuar ato që ne i quajmë mikrokirugji apo edhe lindjet natyrale,” tha Gjata. “Koncensionari ishte dakord, por propozimi u refuzua nga Ministria e Shëndetësisë, pasi juristët e konsiderojnë si ndryshim të termave të kontratës dhe kjo mund të sillte pasoja ligjore,” shtoi ai. Për kirurgun Artan Koni, rishikimi i kontratës nuk ka prekur asgjë nga fitimet e koncesionarit, por ka shtuar presionin indirekt ndaj mjekëve. “Thonë që kemi caktuar një numër mesatar operacionesh, por kjo në mënyrë indirekte shkakton një lloj presioni tek mjekët, që u duhet t’i shtyjnë ato,” tha Koni. “Nga këto keqllogaritje buxheti është boshatisur, por në vend që të uleshin kostot, u ulën operacionet,” përfundoi ai.
Që korrupsioni në sistemin shëndetësor ekziston kjo është pranuar gjithherë edhe nga drejtues të lartë të vendit. Gjithashtu, rreth 82% e qytetarëve të pyetur nga ProPacientit në një anketim me 100 persona të përfshirë, besojnë se sistemi shëndetësor është i korruptuar. Pjesa më e madhe e qytetarëve e lidh korrupsionin me paratë nën dorë ndaj bluzave të bardha. Por, a qëndron vërtet problemi tek mjekët? A janë ata fajtorët për zhvillimin e ngadaltë të sistemit shëndetësor? Sipas të dhënave të Bankës Botërore, qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepi i tyre rreth 50% të nevojave për kujdes shëndetësor, dhe vetëm 1- 5% e këtyre 50% të parave që ata shpenzojnë për të mbushur “gropën” e keq financimit të shërbimit shëndetësor publik, shkon për pagesat informale, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime të munguara, të cilat sistemi shëndetësor e ka për detyrë t’ia sigurojë. Doktor Arben Rroji, në intervistën e mëposhtme jep përgjigje për këto pyetje dhe për të tjera shqetësime të sistemit shëndetësor të cilat lidhen drejtpërdrejt me bluzat e bardha.
Çfarë duhet të kuptojmë me korrupsion në sistemin shëndetësor? Korrupsioni në sistemin shëndetësor ashtu siç konceptohet edhe nga popullata është dhënia e pagesave kundrejt një shërbimi që merret nga institucion publik, i cili merret me imponim ndaj pacientëve. Kjo për mendimin tim quhet korrupsion.
A ka ndryshuar koncepti i korrupsionit ndër vite? Korrupsioni është njëlloj në çdo kohë, domethënë është e njëjta problematikë, atëherë pagesa për shërbime të caktuara në sistemin publik.
Pse njerëzit e lidhin korrupsionin përgjithësisht me bluzat e bardha? Njerëzit e lidhin korrupsionin me bluzat e bardha, sepse ata janë përpara këtyre bluzave kur marrin shërbimin dhe kur janë të detyruar të bëjnë pagesa të padrejta.
Sipas jush, ku ndodh korrupsioni më i madh në shëndetësi, në institucionet shtetërore apo në spitale? Nëqoftëse, flasim për spitalet publike ata janë pjesë e institucioneve shtetërore. Nuk po flasim për spitalet private, ata kanë pagesa për shërbime të caktuara, kështu që spitalet private nuk mund të gjykohen për korrupsion.
Sipas jush korrupsioni lidhet drejtpërdrejt te bluzat e bardha kur kemi përballjen e pacientit me infermierin, mjekun apo është në instanca më të larta? Duhet të shohim atë që percepton popullata ose pacientët si korrupsion, sepse janë dy gjëra: e para, janë të detyruar të paguajnë për shërbimet që duan të marrin falas në shërbimin publik, kjo është ajo që perceptohet direkt korrupsion nga bluzat e bardha. Është edhe perceptimi i dytë, nëqoftëse një pacienti shkon në një institucion publik dhe nuk merr shërbimin e duhur për arsye të mungesave që ka ai institucion, për shembull: mungesa në ilace, mungesa në aparatura, etj. Në këtë rast ato, pra pacientët mendojnë se nuk po u ofrohet shërbimi për arsye se bluzat e bardha nuk po u’a japin këtë shërbim. Por, bluzat e bardha në këtë rast nuk janë si të themi problematika në këtë mes, është institucioni i cili nuk ka krijuar konditat që bluzat e bardha të punojnë me kushte normale.
Sa fajtorë janë mjekët për situatën e sistemit shëndetësor sot, gjithmonë duke i’u referuar konceptit të korrupsionit? Unë nuk do të thoja se janë fajtorë mjekët. Praktikisht mjekët janë profesionist super të kualifikuar. Në shoqërin shqiptare numri i mjekëve gjithmonë e më shumë po pakësohet, dhe kjo është për disa arsye, të cilat janë; pagesat e vogla, kushtet e punës jo optimal duke i krahasuar me kolegët e tjerë në Europë. Kjo është arsyeja që mjekët gjejnë zgjidhje tjera, duke ikur nga vendi jonë, për arsye që mos t’i nënshtrohen korrupsionit. Sepse ndryshe për të arritur të ardhurat e tyre detyrohen ndonjëherë të pranojnë mitmarrje, nëqoftëse punojnë vetëm në publik. Unë nuk them që mjekët janë përgjegjës për korrupsionin, por unë them se është sistemi i cili është përgjegjës për korrupsionin. Ndoshta përmirësimi i sistemit do të krijojë kushte që edhe mjekët të punojnë në kushte normale, që mos të kenë tendenca korruptive.
Si mendoni, sa e ka penguar ky fenomen zhvillimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë? Unë do të thoja që ky fenomen nuk është se pengon zhvillimin, ky fenomen krijon premisa për diferencim të shërbimëve. Por, nuk ka të bëj me zhvillimin, pasi zhvillimi ka tjera indekse. Zhvillimi ka të bëjë me investimet që bëhen në sistemin shëndetësor, që kjo është për sistemin e spitaleve, paisjeve dhe mungesa e të ardhurave të mjekëve ndikon direkt pastaj në zhvillimin personal, profesional. Që do të thotë një mjek duhet të ketë të ardhura që të ndjekë Konferenca Shkencore, të blejë literaturë shkencore, të bëjë vizita në spitalet homologe jashtë vendit, ku aplikohen procedura ose trajtime të reja. Kjo në një farë mënyre të rrit individualisht profesionalisht cdo mjek. Dhe mungesa e të ardhurave që është direkt lidhur me rrogën, ndikon në një farë mënyre ne mungesën e zhvillimi professional ose mbetje mbrapa. Ndërsa pjesa tjetër që i takon shtetit është në pjesën e investimit të strukturave publike, që këto vitet e fundit jo se kanë munguar, pasi janë rritur por gjithsesi mbetemi te fundit ne rajon duke e krahasuar me investimet e vendeve te rajonit ( referuar perqindjes se investimeve per mjekesi me prodhimin e brendshem bruto ) .
Por, duhet menduar shumë edhe për të ardhurat e mjekëve, sigurisht që duke qenë paralel edhe me të ardhurat e tjera të popullsisë. Duhet të jetë parasyshë që të formohet një mjek duhet të kesh gjashtë vite në Mjekësi të Përgjithshme, pesë vite specializim, në total bëjnë 11 vite. Asnjë tjetër profesion nuk ka karriere universitare me te gjate .
“Korrupsioni” a mendoni se e ka zbehur punën e lodhëshme të një mjeku në sy të qytetarëve? Sigurisht që po, sepse shumë mjekë të cilët punojnë ndershmërisht, qysh në fillim paragjykohen nga fenomeni i korrupsionit. Domethënë, edhe për shërbime të cilat nganjëherë janë të pamundura që të ofrohen nga sistemi shëndetësor lidhen me aferat korruptive, sepse pacienti paragjykon që ky shërbim nuk po i ofrohet, sepse duhet me dhënë para. Jo gjithcka mund të zgjidhet në sistemin tonë publik.
Çfarë mendimi keni për pjesën kur një pacient, përpara se të marrë një shërbim priret të jap rryshfet? Pasi, sot shohim që është bërë si të thuash një traditë tek ne, që më përpara paguajmë e pastaj marrim shërbimin. Është e vërtetë ajo që thoni ju. Është kthyer në një traditë dhe kjo është shumë e keqe. E para tentohet që të korruptohet mjeku dhe e dyta mjekut i jepet një sensacion që nuk i takon. Ku duhet edhe të kundërshtojë pjesën e pagesës, pasi jo të gjithë e pranojnë. Por është pak e veshtirë ajo pjesa e kundërshtimit tani, që kur futesh në fillim për vizitë, futesh me lekë në dorë.
Si mendoni kur pacienti e jep një pagesë të tillë si rryshfet, a e shtynë më shumë mjekun drejt korrupsionit? Sigurisht që e shtyn drejt korrupsionit. Kjo nuk është normale, ashtu sic e thashë edhe më lartë nëqoftëse, ne do të pranojmë pagesa nëndorë detyrimisht që do të na çojn në diferencim të shërbimeve, disa që paguajnë mendojnë që mund të marrin një shërbim më të mirë dhe ata që nuk paguajnë do të marrin një shërbim jo shumë kuolotativë. Zakonishtë mjekët nuk priren nga kjo, shërbimi do të jetë gjithmonë njëlloj, pasi një profesionist shërbimin e jep njëlloj. Shërbimi mund të ketë mangësi ndoshta nga fluksi i madhë i numrit të pacientëve që kanë mjekët në dyert e tyre.
Dhe kjo e ulë në mënyrë te ndjeshme shërbimin. Ne jemi në një situatë ku nuk ka kontrata kolektive të mjekëve, kjo përkthehet ne ate qe nuk eshte caktuar volumi i punes ( si numri i vizitave apo i aperacioneve ) që duhet te beje cdo mjek. Në botë funksionohet me kontrata kolektive, për atë pagesë që të ofron spitali si ai privat edhe shtetëror ti ke një detyrim ose një numër të caktuar shërbimesh, vizitash ose operacione për të bërë.
Duke mos pasur nje kontrate te tille punedhënësi pra spitalet ose poliklinikat detyrojnë mjekët të kenë një ngarkesë pune dyfishe ose më tepër me të njëjtën pagesë. Kjo ul kohën në dispozicion të pacientit, kualitetin e shërbimit qe rrjedhimisht çon në mundësinë e gabimeve mjekësore .
Rreth 82% të qytetarëve të anketuar nga ProPacientit mendojnë se sistemi shëndetësor shqiptar është i korruptuar në shumë forma, por mjekët kundërshtojnë dhe ia hedhin fajin sistemit.
Denisa Canameti
Kujdesi shëndetësor është një nga fushat ku korrupsioni është i gjithëpërhapur. Një hulumtim i Transparency Internacional në të gjitha vendet e Bashkimit Europian zbuloi se shkalla e atyre që përdorën lidhjet e tyre personale për të hyrë në shërbimet shëndetësore gjatë pandemisë së COVID-19 është afër 1/3 në të gjithë BE-në. Pandemia i përballi edhe qytetarët shqiptarë me kosto të larta për diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19, pasi paketat e rimbursimit nga MSHMS nuk reflektuan nevojat reale të qytetarëve. Një raport i shoqatës Together for Life evidentoi se gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi vetëm 5632 receta me diagnozën “Covid-19”, kundrejt një vlerë prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë Euro) . Shuma e rimbursuar është 1,9 për qind e fondeve prej 1.2 miliardë lekësh (9.75 milionë Euro) që qeveria ka vënë në dispozicion për paketën e rimbursimit për të sëmurët me COVID-19. Shfrytëzimi kaq i ulët i mundësisë për rimbursimin e recetave nga ana e shtetit është vetëm një nga treguesit e kostove që shqiptarët paguajnë për kujdes shëndetësor. “Nuk kam marrë asnjë medikament me rimbursim. U lidha me mjekun privatisht, sepse e kam të njohur. Bëra analizat në privat, se duhet të sillesha shumë nëpër Tiranë, që ti bëja të gjitha që kërkoi mjeku, pasi vetëm një qendër shëndetësore nuk i bënte. Pse duhet të shkoj në privat? Ku është shteti?” i tha një qytetar nga Lapraka ProPacientit. Sistemi shëndetësor shqiptar është përballur me vështirësi financimi edhe përpara shpërthimit të pandemisë Covid-19. Pagesat nga xhepi kanë qenë pothuajse gjithmonë burimi më i madh i financimit për sistemin shëndetësor në Shqipëri. Në vitin 2016, ato përbënin 58% të shpenzimeve, ndërsa sot vlera është ulur në 50% – shumë herë më e lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Qytetarët akuzojnë mjekët Përmes një pyetësori, ProPacientit ftoi të gjithë qytetarët që përballen me sistemin shëndetësor të paktën 1 herë në vit që të denoncojnë rastet korruptive që kanë vështirësuar marrjen e shërbimit shëndetësor. Në 100 qytetarë që kanë reaguar, 63.6% ishin femra, ndërsa 36.4% meshkuj. Në personat e përgjigjur, 45.5% janë shprehur se jetojnë në Tiranë, ndërsa grupmosha më aktive në këtë anketim është ajo 30-49 vjeç. Rezultatet e anketimit konfirmojnë zemërimin që qytetarët kanë ndaj bluzave të bardha dhe e lidhin korrupsionin në sistemin shëndetësor drejtpërdrejt me ta. Rreth 82% e qytetarëve u shprehën se sistemi shëndetësor është i korruptuar.
“Po nuk u ofrove lekë , nuk thonë asnjë fjalë por hakmerren në mënyrën e tyre. Domethënë te kanë jetën në dorë,” shprehet një qytetare. Një zonjë e dytë bie dakord, ndërsa thekson se korrupsioni nuk është vetëm një çështje shqiptare. “Kam nusen e djalit shtatzënë dhe doktoresha gjinekologe (përmend emrin e doktoreshës) ka ekografi në Poliklinikën ku punon…por iu thotë që kjo eko është e vogël nuk dëgjohen rrahjet e zemrës së bebit. Tek klinika ime e kam më të madhe ekon, eja atje e bëje,” shkruan ajo. Ndërsa një tjetër qytetar shkruan: “Korrupsion kudo, shkon për vizitë te okulisti për të marrë numrin e syzeve dhe doktoresha thotë duhet të bësh skanër të syrit. Në shtet nuk ka. Kur shkon për të parë përgjigjen e diskut të skanerit, mjeku thotë hajde tek klinika”. Pagesat informale dhe mos-kryerja e egzaminimeve të plota janë problemi kryesor i sistemit shëndetësor publik për 42.4% të personave që i janë përgjigjur anketimit. Ndërsa 30.3% konsiderojnë si më problematike blerjen e medikamenteve jashtë spitaleve dhe orientimin në laboratorë dhe spitale private.
“Po tregoj një rast që m’u duk më tragjik. Çova djalin për vizitë tek doktori. Ai nuk u ngrit fare nga karrigia po më tha ka këtë problem. Më mbushi recetën dhe unë i dhashë 200 lekë të reja, ai mu kthye dhe tha është 5 vizita, si të kisha vajtur në privat…,” shkruan një qytetar. Një tjetër e anketuar theksoi se: “As të sheh kush me sy po nuk u dhe lekë”. Po në cilin nivel të sistemit shëndetësor ndodh më shumë korrupsioni? 31.8% e personave të përgjigjur shprehen se ndodh në sistemin terciar (pra, në spitalet Universitare të Tiranës). Një denoncues për spitalin universitar të Traumës ndau me ProPacientit historinë e të vëllait, i cili theu kraun vitin e kaluar. Mjeku i tha se pllaka ishte në dispozicion, por i mungonin vidat dhe e orientoi pacientit drejt farmacive private. “Mezi i mblodhëm, morëm dhe një kredi të vogël që mbaruam punë. Nuk mbaroi këtu! Anestezistit nuk i dilnin 50 mijë lekë të vjetra po donte më shumë. A ka më keq për ne fukarejtë? Mos u bëfshim për spital se drejtesinë nuk e gjejmë dot,” shkruante i afërmi.
Mjekët: Është faji i sistemit Kostoja e ryshfetit ose e pagesave nën dorë është aspekti më i debatueshëm i korrupsionit në sistemin shëndetësor, pavarësisht përqindjes së ulët që këto pagesa zënë në shpenzimet totale të shqiptarëve për kujdes shëndetësor. Pjesa dërrmuese shkon për shërbime të munguara në sistemin publik. I pyetur nga ProPacientit, neuroradiologu Dr. Arben Rroji thotë se nuk janë mjekët, por është sistemi përgjegjës për korrupsionin. “Ndoshta përmirësimi i sistemit do të krijojë kushte që edhe mjekët të punojnë në kushte normale, që mos të kenë tendenca korruptive”. I pyetur nëse korrupsioni e ka zbehur punën e lodhshme të një mjeku në sy të qytetarëve, ai shprehet se “po, sepse shumë mjekë të cilët punojnë ndershmërisht, që në fillim paragjykohen nga fenomeni i korrupsionit. Domethënë, edhe për shërbime të cilat nganjëherë janë të pamundura që të ofrohen nga sistemi shëndetësor pacienti e lidh me aferat korruptive. Pacienti paragjykon që ky shërbim nuk po i ofrohet, se duhet dhënë para. Jo gjithçka mund të zgjidhet në sistemin tonë publik,” tha Dr. Rroji. Mjeku neurolog, Altin Kuqo vëren një standard të dyfishtë në perceptimin publik për korrupsionin në shëndetësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa shton se kjo e ka dëmtuar figurën e mjekut. “Të paguash rryshfet ose të pranosh ortakëri me një funksionar shteti për të marrë tendera publikë nuk i bie në sy një njeriu të zakonshëm, madje edhe kur çështja bëhet publike prej shtypit. Ndërsa pranimi i 500 lekëve prej mjekut bën shumë bujë. Madje në media është shfaqur si denoncim i shekullit, prej një emisioni investigativ futja tinëz në xhepin e mjekes i 200 lekëve,” tha Kuqo. Mjeku neurolog thekson se shumica e mjekëve nuk janë përgjegjës për situatën e sistemit shëndetësor. Ata mund të jenë përfitues prej amullisë në këtë sistem prej keqstrukturimit dhe keqmenaxhimit nga i gjithë zinxhiri administrativ. “Për mjekët që janë punëtorë të devotshëm dhe që e ushtrojnë me pasion e ndergjegje profesionin e tyre, puna e mjekut nuk zhbëhet madje ka duk më shumë në këtë sistem i cili ofron kushte jo të mira pune dhe të marrëdhënieve midis kolegëve,” tha Kuqo. “Figura e mjekut është ajo që është dëmtuar më shumë prej korrupsionit, sistemit të korruptuar i cili sjell edhe fenomenin e mitmarrjes që zanafillen e tij e ka tek niveli shumë i ulët i pagave në mjekësi,” përfundoi ai.