Ajo që vihet re në shërbimin e kujdesit parësor është rritja e numrit të vizitave të kujdesit parësor të cilat në shifrat fakt tejkalojnë dhe parashikimet afatmesme të periudhës. Në dokumentet buxhetorë afatmesëm të MSHMS (Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale) për vitet 2022-2024 ishin parashikuar mesatarisht për periudhën 2022, 6.4 milionë vizita dhe në fakt numri i vizitave është rritur me 700 mijë më shumë duke shkuar në 7.1 milionë vizita. Rritja e numrit të vizitave nënkupton ulje të kostos për vizitë, e cila duhet të impaktojë nivelin e parashikimit të fondit të planifikuar për vitet pasuese. Në realitet planifikimi i bërë nga FDSKSH nuk merr në konsideratë treguesit faktik të numrit të vizitave dhe kostos për njësi.
Më poshtë paraqitet kostoja për vizitë në lekë referuar të dhënave më sipër:
Kostoja mesatare për një vizitë në kujdesin parësor i kushtoi FDSKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit Shëndetësor) në vitin 2020 – 1156 lekë, ndërkohë që kostoja rritet me 17% në vitin 2021, dhe ulet me 12% në vitin 2022, në vitin 2023 planifikimi i kostos rritet me 40% duke shkuar në vlerë nominale në masën 1668.2 lekë nga 1189 lekë pra rreth 480 lekë më shumë.
Kjo rritje nuk vjen nga rritja e numrit të vizitave, pasi sikurse shihet planifikimi i vizitave rezulton në ulje. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT1 indeksi i çmimeve të konsumit për vitin 2023 është 3.8%, çka është larg nivelit të rritjes së kostos së vizitës me 40% në vitin 2023. Mungesa e argumentave si dhe luhatshmëria e madhe e kostos për vizitë nga një vit në vitin tjetër, ngrenë dyshime mbi cilësinë e planifikimit buxhetor nga FDSKSH dhe për pasojë efiçiencën e përdorimit të fondeve. Theksojmë se pjesa më e madhe e kostos së kujdesit parësor përballohet nga të ardhurat nga kontributet dhe një pjesë e vogël e saj përballohet nga transferta e buxhetit të shtetit.
Paketa e check up-it, i kushtoi për vitin 2022 FDSKSH në masën 876 milione lekë pavarësisht se numri i pacientëve që përfituan nga paketa ishte nën numrin dysheme të përcaktuar në kontratë prej 475 mijë pacientësh. Përfituan nga shërbimi 454 828 qytetarë, pra 20 172 më pak se tavani, duke i kushtuar buxhetit të shtetit një humbje prej 37.2 milionë lekë të cilat i paguhen koncensionarit pavarësisht se nuk u kryen analizat.
Nga ana tjetër paketa e check up-it përfshin një numër të kufizuar analizash për qytetarët duke u reduktuar në një analizë gjaku komplet, urine komplet dhe EKG zemre. Kostoja e kësaj paketa përfshirë dhe kontrollin mjekësor shkon në 1800 lekë/person. Ndërkohë, po të krahasojmë një paketë të thjeshtë check-up të ofruar nga spitalet private numri i analizave të ofruara është minimalisht 26, dhe paketat rezultojnë të diferencuara sipas gjinisë duke ofruar kontrolle specifike parandaluese për femrat sikurse janë eko e gjirit dhe PAP testi apo Antigeni prostatik specifik (PSA) për meshkujt. Kostoja e plotë e një pakete të thjeshtë kontrolli bazë me 26 analiza rezulton në masën 6800 lekë2.
Sikurse mund të analizohet lehtësisht paketa e kontrollit bazë të shtetit kushton sa 1/3 e një pakete të ofruar në një spital privat, por numri i analizave të ofruara është sa 1/8 e atyre të ofruara nga spitali privat. Në këtë kontekst vihet në diskutim:
- Eficenca e përdorimit të fondeve publike;
- Efektiviteti i politikës së kontrollit bazë për të garantuar mbulimin universal të popullsisë me shërbim si dhe për të parandaluar sëmundje me prevalencë të lartë;
- Deri tani nuk rezulton të jetë publikuar ndonjë analizë e efektivitetit të politikës së kontrollit bazë në aspektin mjekësor të saj, analizë që duhet të ishte pjesë e raporteve të monitorimit vjetor të performances së MSHMS dhe e FDSKSH në kuadër të transparencës, me kontribuesit dhe me të gjithë palët e interesuara.
Burimi: Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf