Shoqata Together for Life ka përmbyllur seminarin 4 ditor me organizatat e shoqërisë civile, me temë “Transparenca e buxhetit,
llogaridhënia financiare dhe përfshirja e Shoqërise Civile”. Takimi u zhvillua në Tiranë 🇦🇱, në datat 📆6,7,9,10 Dhjetor 2021, ku u mblodhën rreth 15 OSHC të cilat patën mundësinë të përmirësonin njohuritë dhe aftësitë e tyre në tema që lidhen me transparencën e fondeve publike: si njohja me menaxhimin e financave publike, konceptet e Programit Buxhetor Afatmesëm, baza ligjore e përgatitjes së PBA dhe parimet e buxhetimit; rëndësia e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë proces; koncepetet e buxhetimit mbi bazë programi dhe performance; rolet dhe përgjegjësitë e kuadrit menaxhues të procesit dhe përgatitjes së PBA etj.
Njohja me konceptet ishte parashikuar, në dy ditët e para të seminarit, e identifikuar si nevojë nga vetë organizatat pjesmarrëse. Ndërsa në dy ditët e fundit, u panë kërkesat e shoqërisë civile në diskutimet për projekt buxhetet vitet e fundit, si dhe u analizuan nëse ishin reflektuar në buxhetin e vitit pasardhës këto kërkesa.
Ky seminar, realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies dhe transparencës në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). Projekti synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri nëpërmjet një bashkëpunimi dhe ndërveprimi midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura.
Përveç trajnimeve, projekti përfshin një sërë aktivitetesh që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe ndikimeve të OShC-ve në rritjen e transparencës për zhvillimin e një qeverisje të mirë, të hapur, jo burokratike. Një rezultat shumë i rëndësishëm i pritur i projektit është krijimi i rrjeteve të organizatave të shoqërisë civile nga Shqipëria që merren me tema të lidhura me transparencën dhe llogaridhënien në sektorët kyç të vendit, të cilat do të çojnë në përmirësimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive, përvojës dhe mësimeve të nxjerra në këtë fushë; bazë për bashkëpunimin e tyre të ardhshëm dhe zhvillimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta.