Organizatat e shoqërisë civile që punojnë për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor, u mblodhën sot në Tiranë, në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi aktualitetin e këtij sektori, nivelin e bashkëpunimit të institucioneve qëndrore me organizatat e shoqërisë civile etj. Tryeza e thirrur nga shoqata ‘Together for Life’, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), konsultoi çështjet e lidhura me shkeljet dhe korrupsionin brenda këtij sistemi, dhe problematikat në tërësi që pengojnë ofrimin e një shërbimi cilësor ndaj pacientit.
Organizatat ndanë qëndrimet e tyre lidhur reagimin dhe angazhimin që shoqëria civile duhet të ndërmarrë, për çështje që ndikojnë tek opinioni publik, duke dakortësuar se:
‘Problematikat e sistemit shëndetësor vijnë për shkak të keqmenaxhimit, çka krijon mundësinë për zhvillimin e aktiviteteve/praktikave të paligjshme, duke filluar nga niveli më i lartë dhe më pas në gjithë zinxhirin e funksionimit të sistemit.
‘Reagimi ynë, thanë përfaqësuesit e organizatave, duhet të fokusohet te nevoja emergjente për të përmirësuar sistemin, për ta sjellë qytetarin në qendër të politikave që ndiqen, për të pas standarte në ofrimin e shërbimeve dhe për të respektuar dinjitetin e gjithësecilit, në rradhë të parë të atyre që veshin bluzën e bardhë ‘