Pandemia zgjeroi distancën mes qytetarëve dhe kujdesit shëndetësor. Përqendrimi i institucioneve kryesisht te menaxhimi i Covid-19 bëri që shumë pacientë të detyroheshin të shkëputeshin nga nevoja për trajtim.
Problematika, efektet e së cilës janë afatgjata pranohet edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Në dokumentin e publikuar, institucioni më i lartë shëndetësor angazhohet të zbusë hendeqet e krijuara mes pacientëve dhe kujdesit shëndetësor përmes një serie reformash të shtrira në tri vite, reforma qe vlerësohen të nevojshme dhe nga studiues te fushës së shëndetësisë.
Ne parashikimet e autoriteteve shëndetësore llogaritet qe brenda vitit 2025 të përfundojë testimi dhe modernizimi i rrjetit laboratorik publik në 10 spitale rajonale dhe bashkiake, të rriten kapacitet diagnostikuese. Po ashtu sistemit pritet t’i vijë në ndihmë edhe ngritja e tre Qendrave Rajonale të Ekselencës për ofrimin e kujdesit mbi sëmundjet akute ishemike.
“Për fat të keq sistemi parësor nuk ishte shumë efektiv ndaj pacientëve. Pacientët rendën pas Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Sistemi shëndetësor vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, veccanërisht në spitalet rajonale”, u shpreh Eglantina Bardhi drejtore e shoqatës Together for Life, që ka ndjekur zhvillimet në sistemin shëndetësor përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.
Qeveria duhet të ngrejë në mënyrë emergjente programe, për të parë mundësinë e rikthimit të mjekëve që janë larguar drejt Gjermanisë, apo në vendet e tjera të Europës. Imagjinoni një spital rajonal pa anestezist!”, përmbylli Bardhi.
Shoqata Together for life aktualisht po punon për nxjerrjen e raporteve që do të hedhin dritë mbi pasojat ekonomike që covid-19 pati dhe do të ketë në afatgjatë në sistemin shëndetësor.