Skandali në spitalin onkologjik tregoi se pacientëve u mohoheshin barnat jetike, një dosje që zbuloi vetëm majën e ajsbergut… Si rrezikohen mijëra pacientë për mungesë medikamentesh, teksa shpërdorohen miliona për rimbursimin e recetave fiktive për pacientë të vdekur.
Nga barnat kontrabandë, te gllabërimi i parave të rimbursimit e deri te loja me çmimet. A janë rihedhur në treg sasi të mëdha medikamentesh të skaduara? Cfarë zbulojnë dokumentet ekskluzive.
Drejtoresha e Shoqata Together for Life, Eglantina Bardhi e ftuar në Inside Story për të folur mbi një nga skemat më abuzive të onkologjikut, me shërbime të mohuara që rrezikojnë jetë.
*Shoqata Together for Life po mbron prej disa vitesh të drejtat e pacientëve, me një sërë fushatash me karakter avokues, një sërë investigimesh me qëllim nxjerrjen në pah të problematikave si dhe një cikël trajnimesh, seminaresh, hapësirë mediatike për pacientët, si dhe ka ofruar ndjekje ligjore për rastet.
Barra e sëmundjeve ka qenë më e lartë vitin e kaluar, teksa të dhënat zyrtare tregojnë për zgjerim të sëmundjeve kronike dhe shtrimeve në spitale.
Të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se për vitin 2023, numri total i shtrimeve për të gjithë spitalet e kontraktuara ishte 307,808 pacientë, 29,927 pacientë ose 10% më shumë se në vitin 2022.
Nga ky numër, në Spitalet Universitare janë shtruar 169,608 pacientë, në Spitalet Rajonale janë shtruar 110,506 pacientë dhe në ato bashkiake janë shtruar 27,694 pacientë.
Nga totali i shtrimeve në spitalet publike dhe ato private me të cilat shteti ka kontratë për disa shërbime, Qendra Spitalore “Nënë Tereza” përballoi 40% të fluksit.
Me numrin më të lartë të shtrimeve në Spitalet Rajonale rezulton Spitali Rajonal Vlorë i ndjekur nga Spitali Rajonal Shkodër dhe Spitali Rajonal Durrës.
Për vitin 2023, në Spitalet Rajonale nga 112,233 e shtrimeve në total, 90,156 shtrime janë nga urgjenca, që zënë 80.3 % të totalit. Edhe në vitet e shkuara përqindja e shtrimeve urgjent ka rezultuar tepër e lartë.
Për vitin 2023 në total 54,8 % e shtrimeve janë nëpërmjet shërbimit të urgjencës. Në Spitalet Universitare për vitin 2023 shtrimet urgjente zënë 32,7 % të shtrimeve.
Shfrytëzimi i shtratit si një indikator tepër i rëndësishëm i efiçiencës spitalore paraqitet i lartë në qendrat universitare. Në Spitalet Universitare, mesatarja e shfrytëzimit të shtratit është 79.3% dhe në Spitalet Rajonale mesatarja e shfrytëzimit të shtratit është 34.5%.
Në nivele më të larta për shfrytëzimin e shtratit për vitin 2023 paraqitet Spitali Memorial Fier, Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Dibër, në vlera më të ulura paraqitet Spitali Fier, Berat, Shkodër dhe Korçë.
Qendra spitalore Nënë Tereza (QSUT) përballon mbi 40% të shërbimit spitalor në rang kombëtar po merr vetëm 23% të fondit për spitalet.
QSUT do të financohet me 7.8 miliardë lekë, shumë kjo sa 23 për qind e fondit prej rreth 33 miliardë lekësh që do të ndahet me 2024 për spitalet.
Por nga ana tjetër QSUT përballon gati gjysmën e volumit të punës që ofrojnë spitalet tona publike në rang vendi./Monitor
Kryeaudituesja e KLSH-së Selime Bregu, në tryezën e prezantimit të raportit, “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, zhvilluar nga Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy, solli në vëmëndje problematikat kyçe të indetifikuara nga institucioni i KLSH-së.
Problematika më e fortë mbeten koncensionet, të cilit i paguhan plot 845 milonë lekë për të mbuluar popullatën me kontroll mjekësor , për një punë të pakryer.
“Ndër problematikat kryesore KLSH problematikat më të mëdha i ka konstatur në koncesione. Duke filluar që nga fillesat e tyre, ka propozuar ndryshime në formulimin e kontratave të koncensioneve, të cilat edhe janë marrë edhe nuk janë marrë në konsideratë nga Fondi dhe të gjithë aktorët që përfshijnë fondi (Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Financave). Duke filluar që nga koncensioni i paketës bazë që mbulon popullatën me kontrollin mjekësor, ku është evidentuar problematika në rradhë të parë ndaj rasteve të pakryera të cilat financohen totalisht nga buxheti i fondit dhe njëkohësisht përfitojnë TVSH, që do të thotë se shërbimi shëndetësor është i përjashtuar nga TVSH. Të dyja këto nuk janë korrigjuar ndër vite. Rreth 845 milonë lekë i paguhen koncensionarit, dhe për këto paketa që nuk realizohen është propozuar të financohet minimumi i tyre dhe shpenzimet fikse. Ne vazhdojmë dhe paguajmë për punë të pakryera.”
Zonja Bregu shton se, përtej kotratave të partneritetit, janë analizuar dhe kontrata të tjera si sterilizimi, dializa, dhe ajo e analizave, që kanë të njëjat problematika si chechk up, duke mos u shërbyer pacientëve mbi moton “Shëndet për të gjithë”.
Një problematikë me “flamur të kuq” mbetet lista e barnave.
“Sa i përket listës së barnave përfshihet një gamë dhe pas një rregulloreje, ka që në 2021 që lista indeksohet dhe nuk risillet një listë e re. KLSH ka evidentur një sasi të konsiderueshme barnash të cilat nuk kanë konsum. Do të thotë që kjo listë duhet urgjent të përmirësohet dhe të rishikohen alternativat e reja, që i shërbejnë popullatës, kryesisht të sëmurëve me tumore.”
Gjithashtu, kryeaudituesja Bregu u shpreh se në auditimet e performancës së kryera në spitalin Onkologjik dhe në disa rajone vihen re problematika të theksuara me regjistrin e pacientëve, ndonëse buxheti “trumbetohet” si historik.
“Nuk ka të dhëna për të sëmurët, si kanë lëvizur, përditësimin e regjistrit, ka shumë problematika si tek onkologjiku, si tek FSDKSH dhe në tërësi. Kemi një tavan për shërbimet e rimbursimit, kjo vërtetet mund të jetë një mënyrë kontrolli, por nuk i shërben pacientëve, sepse duke u vënë një kufi shpenzimeve nuk mund të harxhojnë më shumë sesa aq. Por duke e rishikuar listën dhe duke futur alternativa të reja, duke e bërë më adekuate atëherë fondi do të mundësojë një listë të përditësuar që do të mund t’i shërbejë pacientit, si dhe duke përdorur me efektivitet fondet publike. Synimi ynë është monitorimi i skemës , të cilën në të vërttë e marrim nga kontributet tona, por që buxheti të shkojë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sepse nëse ne nuk i përditësojmë listën e barnave , paketat shëndetësore, apo rishikimet e kontratave koncensionare, kanë kaluar nga 2015 shumë vite që themi të njëjtën gjë dhe pvarësisht se FDSKSH pranon rekomandimet në mbi 90% nga KLSH, nuk vepron”, përfunon Bregu fjalën e saj.
Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.
Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”
Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.
Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.
Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.
Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.
Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro. Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.
TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.
Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:
Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), organizoi workshop-in e dytë me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri.
Në formën e një tryeze konsultimi mbi tematikën bosht të transparencës dhe llogaridhënies në fushën e shëndetësisë, OSHC-të që mbulojnë këtë fushë dhe fusha të tjera, reflektuan disa nga sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile kur bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në procesin e buxhetimit, si edhe çfarë mund të bëhet për promovimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës.
Ndër pikat kyçe që u theksuan gjatë tryezës lidhur me faktin pse përfshirja e OSHC-ve është me rëndësi thelbësore:
Për të shprehur nevojat e grupeve sociale të ndryshme në nivelin e politikëbërjes;
Për të negociuar ndarjen e burimeve publike në funksion të nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile;
Për të maksimizuar barazinë në vendimarrje dhe për të sjellë rezultate më të mira në zbatimin e politikave;
Për të thyer barrierat tipike të buxhetimit nga lart-poshtë duke nxitur qasjen e buxhetimit nga poshtë-lart;
Për të fuqizuar komunitetin për të monitoruar shpenzimet publike.
Përsa i përket sfidave me të cilat hasen OSHC-të, lidhen me mungesën e informacionit përsa i përket ligjeve të përfshirjes në konsultimet në buxhetim, si edhe mungesa e aftësive teknike në procesin buxhetor. Duke ju atashuar edhe mungesës së vullnetit politikë-bërës, kjo pjesë ndikon negativisht në përfshirjen aktive të organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe rrjedhimisht edhe mospërfaqësimit të plotë të nevojave aktuale të target-grupeve që ato përfaqësojnë.
Nga ana tjetër, shumë nga organizatat nuk ftohen në procese konsultuese ose edhe kur ftohen dhe paraqesin propozimet e tyre, nuk merren parasysh nga vendimmarrësit dhe as nuk u mundësohet një shpjegim zyrtar pse nuk janë marrë parasysh. Në raste të tjera, informacioni zyrtar nuk është i plotë, i përditësuar ose i aksesueshëm. Në raportet e publikuara ka një diferencë midis planifikimit, buxhetimit dhe zbatimit, duke bërë që kauzat e ngritura të mos jenë qartësisht të mirëbazuara në fakte. Këto sipas këndvështrimit të OSHC-ve, përbëjnë tregues të qartë të mungesës së transparencës.
Shpeshherë organizatat portretizohen si “oponent” dhe kjo nuk ndihmon në ndërtimin e një sinergjie bashkëpunuese OSHC-Vendimmarrës.
– “Ajo që është problem është se ministritë e quajnë OSHC-në si “delen e zezë”. Për këtë arsye nuk merremi në konsideratë dhe vijojnë me mendimet e veta”.
– “Më përpara kishte konsultime me SHC edhe i kushtohej serioziteti i duhur, por me kalimin e kohës këto u bënë thjeshtë formale, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur”.
OSHC-të pjesëmarrëse vlerësuan si shumë të domosdoshme organizimin e tryezave të tilla, së pari për të krijuar ose forcuar rrjetëzimin midis organizatave për ngritjen e kauzave mbi çështje kritike dhe fuqizimin e aftësive të tyre monitoruese, në dobi të nxitjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës. Nga ana tjetër, këto sinergji do të shërbejnë edhe për fuqizimin e trinormit Vendimmarrje-Llogaridhënie-Transparencë.
Shoqata Together for Life prezantoi në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në Kuvendin e Shqipërisë gjetjet e Raportit “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, sipas të cilit edhe pse numri i të moshuarve të vetmuar që kanë nevojë për përkujdesje sociale po vjen në rritje nga viti në vit, numri i atyre që marrin shërbime në qendrat publike është minimal dhe po vjen në ulje. Gjatë vitit 2022, vit të cilit i referohet raporti i TFL, 310 të moshuar janë trajtuar me shërbime në qendrat e përkujdesit social, nga 350 të planifikuar.
Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, që mori pjesë në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni me rastin e Ditës Botërore të të Moshuarve, po ashtu theksoi se ‘pjesa më e madhe e të moshuarve që vuajnë nga disa sëmundje kronike, nuk e përballojnë dot financiarisht blerjen e medikamenteve bazë (duke përfshirë ato me rimbursim) ose ekzaminimeve/mjekimeve shtesë dhe se sistemi shëndetësor nuk është i përgatitur për nevojat në rritje të të moshuarve.
Në Raportin e hartuar nga TFL me mbështetjen e NED (National Endowement for Democracy), evidentohet se shpeshherë të moshuarit, kryesisht ata në zona rurale që nuk kanë mundësi aksesi fizik në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor Parësor ose ato që ofrohen nuk janë cilësore, kështu që detyrohen të marrin shërbime në shtëpi për të cilat duhet të paguajnë kosto shtesë ose në mënyrë informale.
Në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni Parlamentar, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të cilat në fokus të punës së tyre kanë moshën e tretë dhe mirëqenien e tyre.
Deputet e pranishëm në sallë, duke ju referuar të dhënave të raportuara të cilat adresohen në mënyrë të përvitshme nga Shoqata Together for Life, pranuan problematikat e raportuara dhe rekomandimet e propozuara, duke theksuar nevojën për marrjen e masave konkrete në mënyrë urgjente për përmirësimin e situatës socio-ekonomike dhe shëndetësore të të moshuarve.