denonco@transparency.com.al

Analiza

Shtrimet në spitale u rritën 7%; Nga ndotja mjekët paralajmërojnë shtim të rasteve kardiake

Për periudhën janar-gusht numri i pacientëve të trajtuar në shërbimin spitalor publik arriti në 215,884 pacientë, me një kosto prej 81,763 lekë/pacientë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar totali i numrit të pacientëve të shtruar u rrit 7%.

Të dhënat janë publikuar në raportin “Realizimi i treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për 8-mujorin e vitit 2024”.

Referuar të dhënave konstatohet se ka nisur rënia e numrit të pacientëve të shtruar në kardiologji dhe kardiokirurgji, pas tendencës rritëse që pati për këto pacientë në periudhën e pandemisë së Covid-19.

Për janar-gusht 2024 janë shtruar 6.419 pacientë, me një kosto prej 74.993 lekë/pacientë. Krahasur me të njëjtën periudhë  numri i shtrimeve ka rënë 9%.

Rënie është shënuar edhe te pacientët e trajtuar në spitalet psikiatrike. Sasia e realizuar është 824 pacientë me një kosto prej 693.238 lekë/pacient. Kundrejt të njëjtës periudhe të mëparshme numri i shtrimeve në psikiatri ka rënë 46%.

Por  mjekët pohojnë se për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, mungesës së aktivitetit fizik dhe dëmeve të kequshqyerjes do të ketë tendencë rritëse për simptoma kardiake dhe neurologjike.

“Ndotja  ambientale prej gazrave të makinës, ndotja nga lumi i Lanës (lumë septik), plehrat et, ndikojnë negativisht, Në qoftë se shton dëmet që vijnë nga ushqyerja, mungesa e aktivitetit  fizik nëpër parqe, janë të gjitha kushte që ndikojnë në shëndetin e zemrës. Në pereceptimin tim, si mjek urgjence, shoh rritje në simptomat kardiake, neurologjike si dhe ato respiratorë”, pohon Ilir Allkja mjek urgjence.

Sakaq numri i pacientëve të trajtuar me radioterapi arriti në 20,125 me një kosto prej 50.31 lekë/pacientë. Në raport me të njëjtën periudhë të 2023 numri i tyre u rrit 12%.

Pacientë të trajtuar me dializë 136,986 seanca të realizuara për muajt janargusht me një kosto prej 10,652 lekë/seancë. Numri i seancave është rritur 3% kundrejt të njëjtës periudhë të 2023.

 Pacientë të trajtuar me katarakte 2,497 pacientë kundrejt 4,326 të parashikuar, me një kosto prej 4,646 lekë/pacientë.

Shpenzohen 8.2 mld lekë për rimbursimin e barnave

Sipas të dhënave të raportit të Monitorimit të treguesve për 8 mujorin 2024 janë trajtuar 361.498 pacientë me barna të rimbursueshme  me një kosto 6.763 lekë/pacientë. Krahasuar me vjet numri i tyre është rritur 0.5%.

Për muajt janar-gusht 2024 për rimbursimin e barnave  të listës është shpenzuar 8.2 mld lekë nga 12.2 mld lekë të planifikuara apo 68% e planit vjetor.

Për periudhën 8 mujore, sipas analizës statistikore të vlerave të pranuara të rimbursimit të barnave janë pranuar listë tregues të rimbursimit të barnave në vlerën rreth 8.2 mld lekë apo 0.4 % më shumë se e njëjta periudhë në 2023.

Nga lista e rimbursuar e fishave të diabetit kanë përfituar 52,237 pacientë, ose 754 pacientë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, me një rimbursim të fishave, në vlerë 96,1 mln lekë, ose 34 mln lekë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Sa i përket rimbursimit të fishave të diabetit, me VKM nr. 492, datë 24.07.2024 përfitojnë nga ky rimbursim, përveç personave me Diabet Mellitus të grup moshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar./Monitor

Read more

Familjet shqiptare shpenzuan 467 milionë euro për shëndetin më 2023

Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Të dhënat e INSTAT, mbi konsumin final të familjeve në vitin 2023 tregojnë se shpenzimet për shëndetin arritën një vlerë prej 46,7 miliardë lekësh, ose 467 milionë eurosh, me rritje rreth 64% në krahasim me vitin 2020 kur shpërtheu pandemia Covid-19.

Në 6 vitet e fundit, shpenzimet mesatare për shëndetin kanë rezultuar mbi 34 miliardë lekë në vit, por në vitin 2020 ato u ulën për shkak të masave të izolimit dhe shtyrjes së ekzaminimeve dhe trajtimeve për diagnozat që nuk kishin të bënin me Covid-19. Teksa popullsia e vendit po tkurret, shpenzimet e familjeve për shëndetin po rriten.

Ekspertët pohojnë se një seri faktorësh po çojnë në rritjen e shpenzimeve për shëndetin, por themelori është rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë. Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve jo të transmetueshme. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore.

Studimet e mëparshme kanë treguar se, popullsia mbi 65 vjeç vuan nga më shumë se dy sëmundje kronike. Diabeti dhe sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut janë shndërruar në pandemi.

Të dhënat nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore tregojnë se barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon rritje mesatare vjetore 5%.

Pandemia Covid-19 ndikoi edhe më shumë , pasi tek shumë të prekur krijoi artrite, dëmtopi veshkat dhe organe të tjera jetësore që kërkojnë trajtim gjithë jetën.

Teksa shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin po rriten, politikat publike nuk po ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare, pasi fondet për rimbursimin e barnave nuk po ecin me të njëjtat ritme.

Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.

Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSDKSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%./B. Hoxha-Monitor

Read more
sqAlbanian