“Është e detyrë e jona humanitare, që një spital edhe sikur të mos jetë eficient, edhe sikur 50% ta ketë kapacitetin e një krevati është i nevojshëm që të jetë i hapur, të jetë atje, mos të kenë nevojën që të gjithë të vijnë në Tiranë.”
Ky ishte një ndër konstatimet e përfaqësuesit të Shërbimit Social Shtetëror, Vasil Sejko në tryezën e prezantimit të raportit, “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, zhvilluar nga Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy.
Gjatë fjalës së tij Sejko propozoi se si dy institucionet, Shërbimi Social dhe FSDKSH mund të bashkëveprojnë për të qënë sa më pranë njerëzve në nevojë.
“Edhe ne si Shërbim Social duke qenë se mbulojmë si ndihmën ekonomike edhe skemën e KEMP-ve kemi shumë probleme, përsa i takon garantimit të të drejtave të përfituesve, përsa i takon protezave, mjeteve mbështetëse… Pra janë disa kategori, të cilat ne kemi disa vite që i ndjekim dhe do ishim të lumtur që në komunikimin direkt që kemi me institucionet e tjera, të mund të bëhet e mundur që skema të mbulojë edhe nevojat reale që ne kemi. Besoj se specialistët e Fondit e dinë se ka plot pacientë, të cilët kanë nevojë për qese, kanë bërë ndërhyrje kirurgjikale dhe është një kosto që nuk është indiferente dhe duke qenë se skema jonë nuk i mbulon, duhet gjetur një zgjidhje besoj për t’i mbuluar nëpërmjet FSDKSH,” parashtroi Sejko.
Duke bërë një krahasim mes skemës së vjetër dhe të re të Shërbimit Social, Sejko shprehet si më poshtë: “Ne jemi Shërbimi Social Shtetëtor dhe jemi përpjekur të bëjmë të mundur pikërisht atë që është gjë esenciale, që nevojat reale të njerëzve të pasqyrohen. E them këtë sepse skema e vjetër e Shërbimit Social ka qenë e bazuar mbi KEMP-e, që mbuloheshin nga specialistë dhe ishin KEMP-e që ishin të ndara sipas specialiteteve mjekësore. Pra kishte një KEMP për shëndetin mendor, një KEMP për ortopedinë, për sëmundje të brendshme… dhe pjesa më e madhe e atyre që përfitonin nga KEMP-i ishin të detyruar të vinin dhe të komisonoheshin në Tiranë. Duhet të kemi parasysh se niveli i spitaleve rajonale (siç doli këtu) nuk ka qenë i tillë, që të bënte të mundur ngritjen e komisioneve në rrethet përkatëse. Reforma që u ndërmor nga MSH dhe Shërbimi Social me mbulimin e Bankës Botërore, bëri të mundur pikërisht dërgimin e këtyre shërbimeve të grupeve të KEMP-eve sa më pranë atyre që janë përfituesit realë.
Që në vitin 2017 u fillua pilotimi i programit të skemës bio-psiko-sociale, që do të thotë se komisionet e reja nuk janë më thjeshtë të përbëra nga mjekë, por kanë edhe punonjës socialë. Përveç kësaj, i’u kushtua rëndësi, jo vetëm anës mjekësore, por edhe anës sociale, pra vlerësohej edhe ambienti në të cilën përfituesi jetonte. Po në këtë vit (2017-2018), bëmë një testim në Tiranë dhe Durrës dhe vetëm vitin e kaluar në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ajo që u vu re ishte se në skemat e vjetra, kishte plot raste të abuzimit të përfitimit me KEMP-it.
Detyra kryesore ishte jo vetëm ulja e atyre që kishin abuzuar me skemën, por edhe një shpërndarje më e mirë e të ardhurave, nëpërmjet një skanimi më të mirë të rasteve. Gjithashtu u bë një rivlerësim, që nëqoftëse në skemat e vjetra përfitimi ishte vetëm me dy shkallë, grupi i parë ose i dytë, pra ishte një pagesë fikse plus pagesa për kujdestarin, në skemën e re kemi bërë të mundur shtatë nivele të ndryshme të pagesës. Dhe kjo bëhet në varësi të nivelit të dëmtimit funksional që ka pacienti. Nga pikëpamja e shpërndarjes së të ardhurave, kjo është shumë më e drejtë se skema e vjetër dhe ka bërë punë, duke sjellë në nivel të kënaqshëm eliminimin e keqpërdorimit të skemës.”