Shqipërisë nuk duket se i mungojnë rregulloret dhe politikat e mira legjislative për shëndetin mendor dhe barazinë gjinore. Megjithatë, shumicës së dokumenteve të politikave që orientojnë ndërhyrjet e shëndetit mendor, u mungojnë perspektiva specifike gjinore të çështjeve mendore të burrave dhe grave, si dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore. Strategjitë efektive për parandalimin e çrregullimeve mendore dhe reduktimin e faktorëve të rrezikut të tyre nuk mund të jenë neutrale nga pikëpamja gjinore, ndërsa vetë rreziqet janë specifike për gjinitë. Gjithashtu, duhet të zhvillohen politika, shërbime dhe ndërhyrje terapeutike me pjesëmarrjen e grave që kanë përvojë për shëndetin mendor të dobët. Prandaj rekomandohet një aksion ndërdisiplinor për të pasur politika që mbrojnë dhe promovojnë autonominë dhe shëndetin mendor të grave. Si fillim, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të ndërmarrë hapa për të zhvilluar dhe integruar treguesit përkatës gjinorë në sistemet ekzistuese kombëtare të informacionit shëndetësor dhe për të gjetur mekanizma për monitorimin e specifikave gjinore në sistemin shëndetësor.

Aktorët kryesorë të interesit në sistemin e shërbimit të shëndetit mendor në Shqipëri janë renditur më poshtë:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS)
  2. Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor (KKSHM)
  3. Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimit Shëndetësor (DQOSHSH)
  4. Qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor (QSHPK)
  5. Funksionet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP)
  6. Universiteti i Mjekësisë Tiranë (UMT)
  7. Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore dhe Sociale (ASCSHSH)
  8. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH)
  9. Pushteti Vendor (PV)

Ofruesit e shëndetit, që nga politikëbërësit tek profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të dinë se shëndeti mendor mund të ketë karakteristika të ndryshme tek burrat dhe gratë. Për shkak të dallimeve sociale/gjinore dhe biologjike/gjinore, grate dhe burrat përballen me rreziqe të ndryshme shëndetësore, përjetojnë përgjigje të ndryshme nga sistemet shëndetësore, sjelljet e tyre që kërkojnë shërbime për shëndetin po ashtu ndryshojnë, po ashtu dhe rezultatet shëndetësore ndryshojnë. Të dhënat e përdorimit të shërbimeve mund të kenë implikime të rëndësishme për politikat shëndetësore dhe organizimin e shërbimeve. Megjithatë, ato thjesht tregojnë shtrirjen e kujdesit shëndetësor, jo nevojën për kujdes. Prandaj, mjekët klinicistë, veçanërisht ata që ushtrojnë kujdesin parësor, duhet të shkojnë përtej praktikës strikte klinike dhe të bashkëpunojnë me shëndetin publik ose me epidemiologët që punojnë në Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ose Institutin e Shëndetit Publik. Hulumtimi sistematik dhe analizat e të dhënave do të ofrojnë njohuri më të thella për të kuptuar nevojat specifike të shëndetit mendor në baza gjinore. Për shembull, cila gjini, ose cili grup demografik brenda secilës gjini, ka rrezik më të madh për të përjetuar shqetësime psikologjike dhe sëmundje mendore.

Përdorimi i qendrave komunitare të shëndetit mendor (QKSHM) – Shërbimi i QKMSH ka marrë së fundmi shumicën e rasteve të trajtuara në sistemin shëndetësor. Sipas të dhënave të raportuara nga ofruesit e shërbimeve, gjatë vitit 2021 janë bërë gati 80,000 vizita në të gjitha qendrat komunitare të shëndetit mendor, nga të cilat 18% kanë qenë vizita në shtëpi. Të dhënat nuk ndahen sipas gjinisë dhe është e vështirë të bëhen analiza sasiore të fokusuara në baza gjinore.

Mjekët dhe psikologët në QSHP duhet të përfshijnë në mënyrë rutinore në procesin e ekzaminimit të klientit çështje të tilla si dhuna në familje, imazhi i trupit dhe shëndeti riprodhues, si dhe të ofrojnë këshillime për traumat e mundshme. Ata duhet të zhvillojnë qasje bashkëpunuese ose vendimmarrje të përbashkët me pacientet gra, duke përfshirë dhënien e ilaçeve dhe këshillimin për mbrojtjen sociale.

Kujdesi tradicional për nënën në sistemin shëndetësor shqiptar duhet të adoptohet për të përballuar sfidat e shëndetit mendor të shekullit të ri. “Qendrat e grave” priren të fokusohen në funksionet e tyre riprodhuese dhe kujdesin ndaj nënës, duke neglizhuar nevojat e grave jashtë riprodhimit dhe moshave riprodhuese. Ashtu si parandalimi i kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës, shëndeti mendor i grave duhet të jetë një fushë tjetër prioritare për qendrat e grave në zonat urbane, si dhe për kujdesin shëndetësor parësor në tërësi në zonat rurale. Kujdesi shëndetësor i grave duhet të promovojë këshillimin dhe mbështetjen psikosociale për të përballuar më mirë vështirësitë e jetës dhe jo vetëm përshkrimin e barnave.

Shëndeti Publik Parësor (SHPP) shqiptar po shkon në drejtimin e kujdesit të integruar social dhe shëndetësor që do të lehtësonte vazhdimësinë e kujdesit dhe vendosjen e pacientit në qendër të shërbimeve. Trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mjekëve dhe punonjësve socialë për të identifikuar dhe trajtuar çrregullimet mendore në shërbimet e SHPP, duhet të integrojë një analizë gjinore. Gjithashtu, trajnimet duhet të rrisin ndërgjegjësimin për faktorët specifikë të rrezikut si dhuna me bazë gjinore. Për më tepër, ofrimi i kujdesit të bazuar në komunitet për çrregullimet kronike mendore duhet të marrë parasysh nevojat specifike të grave dhe burrave dhe që barra e kujdesit familjar të mos bjerë në mënyrë disproporcionale mbi gratë. Gjithashtu, dhuna dhe abuzimi me hapësirat e sigurta për gratë duhet të jenë prioritet për çdo reformë, e cila integron kujdesin shëndetësor me mbrojtjen sociale.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit “Gratë dhe shëndeti mendor në Shqipëri – Politikat e shëndetit publik dhe qasja e tyre gjinore ndaj shëndetit mendor” zhvilluar nga shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit “Nuk mund ta avancojmë shëndetin pa avancimin e të drejtave”, mbështetur nga Ambasada Franceze në Tiranë.

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Grate-dhe-shendeti-mendor-ne-Shqiperi.pdf