denonco@transparency.com.al

KLSH

Pacientët me leucemi, pa mjekim/ KLSH: Pse iu mohua bari “ibrutinib”

18 pacientëve me Leucemi Kronike iu është ndërprerë mjekimi me barin “Ibrutinib” që prej shtatorit të vitit të shkuar. Shkak këtë herë nuk është mungesa e barit por protokolli i përdorimit të tij i hartuar në mënyrë kontradiktore, nga shërbimi i hematologjisë që prej vitit 2018.

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar se protokolli i dërguar Fondit të Sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor për barin Ibrutinib 140 mg, që është dhe alternativë e vetme mjekimi ka dy qëndrime kontradiktore. Një paragraf është pa afat dhe thotë, se Trajtimi duhet të vijojë deri kur sëmundja të përparojë ose kur nuk tolerohet më nga ana e pacientit dhe në fund një tjetër paragraf përcakton se “Kohëzgjatja e mjekimit me Ibrutinib 140 mg” është nga 18 deri në 24 muaj.

Kjo ka bërë që nga viti 2018 deri në shtator 2023 të merret parasysh paragrafi i parë , ndërsa prej shtatorit e deri më tani të zbatohet paragrafi i fundit , çka ka çuar ndërprerjen e mjekimit edhe pse bari gjendet në farmacinë e spitalit.

Nisur nga kjo situatë KLSH ka rekomanduar menjëherë të rikthehet dhënia e medikamentit për pacientët.

“Shefi i Shërbimit të Hematologjisë në QSUNT, të rifillojë në mënyrë të menjëhershme përdorimin e barit “Ibrutinib” bazuar në Protokollin e përdorimit të barit paragrafi “Doza dhe mënyra e përdorimit”, ku është cilësuar: “Trajtimi duhet të vijojë deri kur sëmundja të përparojë ose kur nuk tolerohet më nga ana e pacientit”, si dhe në Udhërrëfyesin e praktikës klinike në Hemopatite malinje të rishikuar në vitin 2023, për të gjithë pacientët e linjës së tretë të mjekimit, të cilët prej shtatorit të vitit 2023, janë pa asnjë mjekim duke qenë se “Ibrutinib” është bari i vetëm që përdoret në linjën e tretë të mjekimit të pacientëve me LLC”,-thuhet në rekomandim.

Paralelisht KLSH ka kërkuar që ky ndryshim në protokoll ti dërgohet menjëherë edhe fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, në mënyrë që ky i fundit të marrë masat për të përllogaritur efektin financiar që do ti duhet për të mbuluar me bar të gjithë pacientët.

Pa mjekim pacientët me leuçemi (youtube.com) / Euronews Albania

 

Read more

Raporti i KLSH-së nxjerr 10 kallëzime për SPAK

Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton në Kuvend përmasat e keqmenaxhimit të fondeve publike, përfshirë edhe dhjetramilionë lekë nga shërbimet e pakryera të koncesioneve në sistemin shëndetësor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023. Raporti i performancës, i publikuar të martën në faqen e Kuvendit, e ndan dëmin në tre zëra; mbi 5.1 miliardë lekë dëm ekonomik, 64.8 miliardë lekë efekte negative për shkak të parregullsive dhe 2.3 miliardë lekë për shkak të mangësive në kontrollin tatimor.

Nga 160 auditime të kryera në 195 subjekte, vetëm për 2 auditime nuk janë dhënë opinione mbi pasqyrat financiare.

Sipas KLSH-së, gjetjet e konstatuara në fushën financiare i referohen; parregullsive dhe mangësive në zbatimin e disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike, likuidimin e shpenzimeve përfshirë dhe ato për investime, krijimin e detyrimeve të prapambetura; përdorimit të fondeve pa efektivitet, ekonomicitet dhe eficiencë kryesisht në fushën e prokurimit publik, për shkak të mangësive në realizimin e procedurave të cilat në shumë raste rezultojnë se nuk kryhen në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi.

Shifrat më të larta të dëmit financiar i ka zëri për “dëmshpërblime për vendime gjyqësore, detyrime të prapambetura dhe të tjera” qe shkon më shumë se 43 miliardë lekë dhe detyrimet e koncensionarëve ndaj Albpetrol dhe shoqërive të tjera publike në masën 12.3 miliardë lekë.

Po, ashtu KLSH gjatë auditimeve të kryera në institucionet e administratës fiskale (tatime dhe dogana), ka konstatuar parregullsi dhe mangësi në grumbullimin e të ardhurave tatimore dhe doganore, të cilat janë vlerësuar dhe konsideruar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, në total 2.3 miliardë lekë.

Krahasuar me raportin e performancës për vitin 2022 duket se ka një përgjysmim të dëmit ekonomik të evidentuar nga auditimi i KLSH-së,  që sipas këtij institucioni varet nga shumë faktorë, të tillë si struktura e subjekteve të audituara, struktura e auditimeve të ushtruara, numri i subjekteve të përfshira në auditim, periudha e aktivitetit të audituar, madhësia e aktivitetit dhe rënia e nivelit të investimeve në vitin 2022.

Krahas kësaj, KLSH konstaton se, “duhet parë dhe si një lloj reagimi i administratës publike në drejtim të përmirësimit të administrimit dhe menaxhimit të fondeve dhe të pasurisë publike, si edhe në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit të zyrtarëve publik nga reformimi i sistemit të drejtësisë”.

Në raport evidentohet fakti që KLSH nuk është mjaftuar vetëm me rekomandime dhe masa për institucionet e audituara, por ka bashkëpunuar dhe me institucionet ligj-zbatuese, si Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe prokuroritë e shkallës së parë duke vënë në dispozicion auditime të ndryshme në shërbim të hetimeve që këto organe kanë hapur.

KLSH bën të ditur se gjithashtu ka kallëzuar penalisht 10 zyrtarë të administratës shtetërore për veprën penale shpërdorim i detyrës, si dhe shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

Auditimi në përgjithësi nxjerr problematika në menaxhimin e fondeve publike nga institucionet shtetërore, shkelje ligjore në tendera, mungesë monitorimi në zbatimin e kontratave koncensionare, mungesë realizimi të investimeve publike, etj..

Koncensionet në sektorin e shëndetësisë vijojnë të jenë problematike, ku sipas KLSH-së vazhdojnë të bëhen pagesa për shërbime të pakryera. Për koncesionin e kontrollit mjekësor bazë (Check-up) janë kryer pagesa për shërbim të pakryer për 20172 raste me një kosto në shumën 31 milionë lekë pa TVSH.

Edhe për koncesionin e hemodializës, pagesat e koncesionarit nuk kryhen për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose shprehur ndryshe nën projeksion vjetor. Pagesat për shërbim të pakryer për këtë koncesion llogariten në 99 milionë lekë.

Për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, rezulton se në më shumë se 24 mijë raste janë përdorur sete të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale.

Probleme janë konstatuar dhe në zbatimin e koncesionit të shërbimit laboratorik, ku sipas KLSH-së, kufizimet  e tavanit buxhetor të secilit spital rrezikojnë ofrimin e analizave laboratorike sipas nevojave spitalore.  KLSH konstaton se “…kjo sjell për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto shtesë për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”.

Burimi: Reporter.al

Read more
sqAlbanian