SPAK ka përfunduar hetimet dhe i ka komunikuar akuzën për ‘shpërdorim detyre’ ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për çështjen për koncesionin e sterilizimit. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Beqaj ka shkuar mëngjesin e sotëm në ambientet e SPAK, ku po vijon seanca.

Kujtojmë se ish-ministri dhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit.

Në daljet e tij mediatike, Beqaj ka mohuar akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa ka qenë i hapur për hetime.

Hetimet u përqëndruan  mbi procedurat e dhënies së koncensionit prej 100 milionë eurosh për 10 vjet, pas dyshimeve për shpërdorim detyre, mashtrime dhe falsifikim dokumentash.

Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se ekziston dyshimi, bazuar në faktet penale, që zoti Beqaj ka konsumuar edhe elementë të falsifikimit të vulave dhe formularëve dhe se ai ka qenë në dijeni të plotë të gjithë procedurave dhe dokumentave, ku ka lejuar të pasqyrohen në studimin e fizibilitetit të dhëna të rreme lidhur me kostot e projektit dhe më pas u zgjodh koncensioni si procedurë më e favorshme se sa prokurimi publik.

Zoti Beqaj nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa hetimet flasin për fryrje në llogaritjet e kostove të sterilizimit, për të cilat ai dyshohet se si ministër i ka toleruar dhe nuk ka ndërhyrë për t’i anulluar.

Ish ministri akuzohet  se nuk mori masa për të vënë në punë Qendrën shtetërore të sterilizimit, as nuk vlerësoi nëse funksionimi i asaj qendre, pa ia kaluar koncensionarit, do të ishte më me leverdi ekonomike se sa kontrata e Partneritetit Publik-Privat, e cila parashikon sterilizim të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale.

Zoti Beqaj dyshohet se nuk ka vepruar për të shmangur konfliktin e interesit mes zëvendësit të tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të cilët kishin njohje prej një kohe të gjatë.

Prokuroria e Posaçme sekuestroi në shkurt disa pasuri të biznesmenit Ilir Rrapaj, 40 për qind të aksioneve të kompanisë SaniService, dy kompani ku ai është aksioner, dy llogari bankare, 13 automjete dhe një apartament banimi.