Korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë, duke prekur në mënyrë të veçantë sektorin e shëndetësisë dhe duke ndikuar drejtëpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve. Sipas GRECO[1], korrupsioni në sektorin e kujdesit shëndetësor, jo vetëm që rrit koston e shërbimeve dhe ul cilësinë e tyre, por gjithashtu dëmton besimin e pacientëve dhe krijon pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve. Ky fenomen konsiderohet me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si dhe përbën një sfidë për buxhetin e shtetit.
Në këto vite shoqata “Together for Life” mbetet një nga zërat më të fuqishëm për denoncimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Në raportet e prodhuara prej saj, është evidentuar se procedurat korruptive kanë mbërthyer sektorin dhe shembulli tipik janë katër koncesionet e tipit PPP – partneritet publik-privat. Katër kontratat kryesore të Partneritetit Publik Privat (PPP) për kontrollet bazë mjekësore (“check-up”), sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, dializën dhe shërbimin laboratorik kanë krijuar një barrë të madhe për buxhetin e shtetit çdo vit.
Këto kontrata jo vetëm që kanë munguar në transparencë, por janë shoqëruar me pagesa të padrejta dhe shkelje të ligjit, duke çuar në një dëm ekonomik të përllogaritur miliarda lekë. Shkeljet me koncesionet janë evidentuar jo vetëm nga raportet e prodhuara dhe publikuara nga TFL, por edhe nga Konstrolli i Lartë i Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë, i cili ngriti një konmision të posaçëm për hetimin e dy prej koncesioneve, si dhe nga hetimet e deritanishme të SPAK i cili ka hapur hetime për të katër koncesionaret.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për kontratat PPP, duke zbuluar se korrupsioni shpesh fillon që në fazën e vendimmarrjes për fondet. Për më tepër, Transparency International ka cilësuar rastin e koncesioneve në shëndetësi si shembull të korrupsionit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
I vënë përpara presionit jo vetëm të opozitës, por në mënyrë të veçantë të opinionit publik, pasi shumë prej ministrave dhe titullarëve të lartë në institucionet qendrore dhe në bashki kanë përfunduar te hetuar dhe disa edhe të dënuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, ku vendin e parë e zenë drejtuesit dhe ish drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kryeministri Edi Rama së fundi propozoi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për të luftuar korrupsionin në proceset e prokurimit publik, përfshirë ato në shëndetësi.
Megjithatë, ekspertët kanë shprehur skepticizëm mbi këtë qasje, duke argumentuar se IA nuk mund të zgjidhë problemin rrënjësor të korrupsionit pa ndërhyrje strukturore. Edhe pse IA mund të automatizojë proceset, të kryejë analiza në kohë reale dhe të adresojë rreziqet e mashtrimit dhe gabimeve, fillimisht asaj i duhen të dhëna cilësore dhe menaxhim i mirë të tyre, fusha ku Shqipëria ende ka mangësi të mëdha.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit na duhet të kujtojmë edhe një herë se lufta kundër korrupsionit kërkon përpjekje të vazhdueshme, transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore. Pa vullnet politik dhe pa reforma të thella në sistem, korrupsioni do të mbetet një sfidë madhore për Shqipërinë.
Shoqata Together for Life mbetet e angazhuar për të ngritur zërin kundër korrupsionit dhe për të siguruar një sistem shëndetësor më të drejtë dhe më të përballueshëm për të gjithë qytetarët.
[1] Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Evropës për të monitoruar pajtueshmërinë e shteteve me standardet kundër korrupsionit të kësaj organizate
Rreth 63 përqind e qytetarëve të anketuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë pranuar se kanë blerë ilaçe pa pullë fiskale. “Ky rezultat tregon për shitjen e barnave kontrabandë në vend”, thonë audituesit shtetëror në një Raport Auditi Performance për “Efektin dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.
Raporti është publikuar së fundmi dhe, megjithëse nuk e përmend konkretisht, të dhënat e anketimit mbi përhapjen e barnave pa pullë fiskale, ngarkojnë me përgjegjësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli që prej shtatorit 2020.
Të dhënat e kronikës policore tregojnë se janë kryer herë pas here operacione për kontrabandën e ilaçeve, përfshirë edhe një hetim të zhvilluar pak muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës.
Megjithatë, goditjet e strukturave ligjzbatuese janë tërësisht anemike, ndërkohë që rastet e zbuluara dhe të referuara për kontrabandën e barnave nga Doganat janë thuajse sa gishtat e njërës dorë.
Besimi i ulët tek cilësia e barnave
Sondazhi i KLSH-së jep edhe të dhëna të tjera problematike mbi cilësinë dhe shpërndarjen e medikamenteve në Shqipëri.
Shumica absolute e të anketuarve, rreth 98% tyre, zgjedhin barna të importuar nga jashtë, në krahasim me 2% të tyre që zgjedhin barna, të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë.
Lidhur me blerjen e barnave jashtë vendit, “vetëm 9% e tyre shprehet se nuk janë detyruar ndonjëherë të blejnë barna jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër shprehen se iu është dashur të blejnë barna jashtë vendit për shkak se nuk kanë besim tek barnat që tregtohen në RSH, nuk është gjetur në farmacitë e vendit si dhe është sugjeruar nga mjeku i familjes”, thuhet në sondazhin e KLSH-së.
Po ashtu, 45% e qytetarëve shprehen se janë detyruar të shtyjnë kurën për shkak se kanë pritur t’ju sjellë ndonjë i afërm ilaçe nga jashtë vendit.
Sipas perceptimit të qytetarëve 34% e tyre mendojnë se barnat e përdorur kanë qenë pjesërisht efektiv dhe 8% e tyre mendojë se barnat nuk kanë qenë aspak efektive.
Mungesë transparence për ilaçet e refuzuara
Gjatë procedurës audituese, KLSHA ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) “nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale, për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu”.
Gjithashtu, rezulton se AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe, si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mungesa e transparencës me qytetarët dhe mos marrja e masave në kohë reale për njoftimet e rëndësishme të institucioneve homologe mbi barnat e konsideruara të dëmshme dëshmojnë për papërgjegjshmëri në përmbushjen me eficiencë dhe efektivitet të detyrave funksionale”./boldnews.al
Barna të importuara nga vende si India, Bangladeshi, Kina dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.
Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.
“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.
Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja19 për barnat e pa autorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina Covid 19” thuhet në auditim.
Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID 19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral Covid 19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.
Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.
“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.
Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës” nënvizon auditimi./Monitor/
Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet ishte në fokus të emisionit “EkoSkaner”. Investigimi nxjerr në pah se nevoja për kujdes shëndetësor do të rritet, për shkak të rritjes së temperaturave apo fatkeqësive natyrore, por qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara.
Ekspertët rendisin një sërë patologjish që do të jenë në rritje, ndërsa shtojnë se pasojat më të shumta do i vujanë shtresat e varfra të popullsisë. Në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave, për të përballuar pasojat që ndryshimet klimatike do të sjellin mbi shëndetin e popullatës, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve, pajisjeve mjekësore dhe aksesit në sistemin shëndetësor.
Të ftuara në studio, Alma Lahe nga shoqata “Together for Life” dhe Enkelejda Kucaj nga Instituti i Gjeoshkencave në UPT folën më gjerësisht për temën, duke theksuar nevojën për rritjen e buxhetit për sektorin shëndetësor, si dhe ndërhyrjen edhe në sektorë të tjerë që preken nga ndryshimet klimatike.
“Është koha jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar. Ne para pak ditësh prezantuam raportin e fundit të themi, i cili ishte raporti parë i Monitorimit Të Strategjisë Kombëtare Të Shendetësisë 2021-2030. Kjo strategji ka sigurisht të përfshirë të gjitha politikat shëndetësore për këtë 10-vjeçar parashikuar me buxhetet përkatëse. Është shumë optimist si dokumet, është i mirëhartuar. Ajo që ka qenë gjithmonë problem në fakt në dokumentet politikë, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera ka qenë mungesa e buxhetit. Pra, buxheti ka qenë gjithmonë jo i duhuri. Ne na rezultoi nga analiza që u bë në këto tre vite e gjysmë, (nga janari i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024) na rezultoi se buxheti i ministrisë për sektorin e shëndetësisë në këto vite ka qenë 18% më i ulët nga parashikimet, që kemi në strategji, më i ulët nga vetë dokumenti që ka parashikuar. Ne bëjmë çdo vit edhe monitorimin e buxhetit faktik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe na rezulton që nga viti në vit ka ulje të buxhetit, pa ju referuar vitit 2021 që ka qenë viti i COVID , pra ka qenë një vit që nuk merret në referencë, në vitet e tjera ka qenë më ulje. Në vitin 2023 buxheti faktik ka qenë 2.8 %. Jemi vendi i fundit në rajon përsa i përket buxhetit , shpenzimeve të qeverisë për shëndetësinë”, shprehet Lahe.
Ajo shton më tej se, “Një buxhet jo i përshtatshëm, jo i duhur do të thotë që impakton të gjitha shërbimet, pra edhe shërbimet bazë. Vetë ministria ka parashikuar politika të veçanta për të cilat ne ose nuk kemi gjetur informacion se çfarë bëhet me ecurinë e tyre, ose puna duket që nuk ka pasur atë ecuri që është e duhura. Ne na rezulton që në vitet e fundit buxheti i ministrisë, jo vetëm që është i ulët në parashikim, por ulet edhe në mes të vitit buxhetor. Sa herë rishikohet buxheti, po t’i referohesh buxhetit për shëndetësinë kemi pasur ulje, po t’i referohemi buxhetit për shërbimin parësor kemi pasur ulje.
Kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi problematikë shëndetësore, me ndryshimet demografike që janë shumë të shpejta, popullsia në moshë të madhe po rritet me shpejtësi, do të thotë që nevoja për shërbime është shumë e madhe, sëmundshmëria ka ndryshuar dhe përveç sëmundjeve të reja që shfaqen, edhe sëmundjet jo të transmetueshme janë problem i madh që i ndikon si mjedisi, mënyra e jetesës, edhe faktorët e klimës që po ndryshojnë. Dhe në të gjitha këto reflektohet mungesa e buxhetit në shërbime të munguara, ose në shërbimin jo të duhur që ju vete pacientëve.”
Duke ju referuar raportit të fundit të publikuar nga shoqta “Together for Life , Lahe thotë se janë ndërlidhur të dhëna sasiore dhe cilësore për të parë ndikimin që kanë tek vetë përfituesit e shërbimeve nga programet shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne në fakt në raportin e fundit kemi bërë përpjekje për të marrë edhe reagimin e përfitimit të shërbimeve. Ne bëjmë një analizë të buxhetit, bëjmë një analizë të programeve politike, të programeve shëndetësore të ministrisë, por duam të shohim edhe çfarë impakti kanë edhe zbatimi i politikave ose buxhet që shkojnë për shërbime të caktuara dhe na ka rezultuar se impakti nuk është i plotë tek përfituesi i shërbimit.
Grupet vulnerabël janë më të rrezikuara. Dhe duke thënë se buxheti është i ulët kjo do të përkthehet drejtëpërdrejtë në rritje të shpenzimeve nga xhepi për qytetarët. Por një qytetar, pacient që vjen nga zonat rurale që e ka më larg shërbimin, që ka të ardhura më të ulëta, që nuk e përballon dot financiarisht i bie që 2/5 ta paguajë shteti nga shpenzimet e shëndetësisë dhe 3/5 e ke ti. Dhe kjo është nga të dhënat e OBSH-së. Kemi nivelin më të lartë të pagesës nga xhepi. Pacienti kur nuk ka mundësi ta paguajë shërbimin, ose do ta shtyjë marrjen e shërbimit që do të thotë situata e tij shëndetësore do të agravojë edhe vetë sistemi në fakt duke e vënë para një presioni, sepse do të rriten shpenzimet kur të jetë edhe më e agravuar situata, ose do të heqë dorë nga marrja e shërbimeve.”
Përsa i përket largimit nga vendi të mjekëve specialist Lahe sjell në vëmendje në rast konkret, që dëshmon se vendit jo vetëm po i ikin profesionistë, por edhe ato që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të ushtrojnë ndeshen me mungesë të infrastrukturës bazë për të ofruar shërbim
“Situata është mikse, buxheti është i ulët dhe që këtu fillon problematika. Mënyra se si ky buxhet shpenzohet, sa i jepet mundësi shëbimeve, dhe nga fokusgrupet me ofrues dhe marrës të shërbimeve kemi pasur një mjeke nga një zonë afër Tiranës dhe thotë : ‘Dëgjo unë e kam spitalin shumë të mirë. Mua më vjen pacienti, por unë nuk kam asnjë paisje çfarë t’i ofroj shërbim, kështu që si mund ta pëlqejë ai shërbimin tim, si mund të pranojë ai të vijë të marrë shërbim tek unë?!’ Pra jo vetëm na mungojnë specialistë , por edhe atje ku ka specialistë nuk arrijmë dot të ofrojmë shërbimin dhe ky është problem. Unë mendoj se Ministria duhet të jetë pak më mendjehapur, jo vetëm politika në letër dhe të bëjmë disa kalkulime. Edhe ne kemi shkuar në kalkulime, kemi bërë analizën e të dhënave që kemi marrë. Debati mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike është edhe i shifrave. Do të thotë që nuk pranohen shifrat që ofrohen nga shoqëria civile. Në fakt ne kemi bërë shumë kujdes në raportin e fundit që për të gjitha t’i referohemi të dhënave publike zyrtare të publikuara në site-t e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. I kemi artikuluar si politika dhe tani duhet të merren masa si do të zbatohen dhe kjo është shumë e rëndësishme.”
Sipas saj është “Koha është tani për të reaguar,
-E para rritja e buxhetit për shëndetësinë
-Përdorimi me efektivitet i fondeve publike
-Paralelisht me fuqizimin e institucioneve dhe të vetë ofruesve të shërbimeve duhet edhe ndërgjegjësimi i popullatës .”
Aty ku ka ofertë të kufizuar dhe kërkesë të lartë, teoria ekonomike thotë se tregu zhvillon spekulim. Por në tregje të pazhvilluara dhe me institucione rregulluese të dobëta, probabiliteti që të krijohen mekanizma abuzues në dëm të konsumatorëve dhe të bizneseve është shumë i lartë.
Shqipëria ka shumë raste të tilla, që nga monopolet e favorizuara nga qeveria, që konkurrojnë bizneset e tjera dhe mundësojnë mbajtjen e çmimeve apo shërbimeve të larta për konsumatorët, te koncesionet që shpesh nuk e ofrojnë fare produktin për të cilin paguhen me taksat e konsumatorëve.
E keqja më e madhe është kur kjo ofertë është e kufizuar nga institucionet shtetërore që shpenzojnë paratë e taksapaguesve për të ofruar një nga shërbimet më themelore të jetës së qytetarit, atë të kujdesit për shëndetin.
Hetimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës në Spitalin Onkologjik zbuloi vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka mundësuar ofrimin e një shërbimi të cunguar, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, duke u krijuar mundësi abuzuesve të kanalizojnë shërbimet shtetërore në përfitime private.
Problemi fillon që te nënfinancimi i sektorit shëndetësor në vite. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 2.9 % të asaj që prodhon ekonomia në një vit. (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për shëndetin, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Ky nivel është sa gjysma e mesatares botërore prej 6,5% e PBB-së dhe shumë më e ulët se e vendeve të zhvilluara të Europës, që arrin deri në 10%.
Për krahasim në rajon, Bosnja, Mali i Zi e Serbia shpenzojnë nga buxheti për shëndetin e qytetarëve të tyre mbi 6% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut , gati 5%. Edhe numri i mjekëve (18 për 10 mijë banorë) është sërish më i ulëti në Europë.
Financimi i ulët i qeverisë, i kombinuar me mungesën e personelit, shoqërohet me shërbime të dobëta, që i detyrojnë qytetarët të harxhojnë paratë e tyre për një shërbim që ata teorikisht duhet ta merrnin falas, pasi i paguajnë një herë taksat.
Shqipëria është shteti që ka pagesat më të mëdha nga xhepi për shëndetësinë në Europë, me rreth 60% të totalit, nga 17% që është mesatarja globale e këtij treguesi, po sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Në rang global Shqipëria renditet e 15-a, me vende si Afganistani, Guatemala, Bangladeshi etj. Rritja e peshës që qytetarët shpenzojnë vetë me gati 20 pikë përqindje në dy dekada është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor.
Edhe ato financime që janë shtuar vitet e fundit kanë shkuar për mbulimin e pagesave pë 4 koncensione të sitemit shëndetësor, që pak ose aspak kanë ndikuar në cilësinë e shërbimit , teksa disa prej tyre janë nën hetim nga SPAK.
Nga viti 2017-2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave janë shpenzuar gati 26 miliardë lekë për sterilizimin, dializën, check-up, laboratorë, të mjaftueshme për ndërtimin e 3-4 spitaleve të reja moderne.
Kalimi i fondeve drejt koncensioneve, që po rezultojnë problematike, me kosto të lartë për atë që realisht ofrojnë, është bërë në kurriz të rimbursimit të barnave.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa 2024, kjo shifër vlerësohet në vetëm 20.6%.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Në rastin e barnave, mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.
Në të kundërt, vit pas viti, pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje, duke arritur në 23.7% e fondeve që u grumbulluan nga kontributet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit. Është e qartë se faji nuk është vetëm i individit, por shumë më i gjerë, i një mekanizmi të tërë shtetëror që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve atë që u ka premtuar dhe për të cilat u merr taksat, duke detyruar qytetarët me të ardhura më të ulëta të Europës të kërkojnë rrugë alternative për të “blerë” jetën.
Pra me të drejtë është të themi që sistemi është ngritur gabim dhe në format abauziv. Por a kemi thënë të plotë konkluzionin ? Jo. Përveç sistemit, tashmë është e qartë që vullneti i qeverisë ka qenë i tillë që e ka mbështetur dhe e mban në këmbë me këmbëngulje këtë feniomen.
Arsyeja është e qartë. Atë e gjen në çështjet që janë në hetim nga organet e drejtësisë dhe Kuvendi, apo dhe në çështjet e tjera që nuk guxohet të hetohen , por tashmë janë sekret publik./Monitor
Skandali në spitalin onkologjik tregoi se pacientëve u mohoheshin barnat jetike, një dosje që zbuloi vetëm majën e ajsbergut… Si rrezikohen mijëra pacientë për mungesë medikamentesh, teksa shpërdorohen miliona për rimbursimin e recetave fiktive për pacientë të vdekur.
Nga barnat kontrabandë, te gllabërimi i parave të rimbursimit e deri te loja me çmimet. A janë rihedhur në treg sasi të mëdha medikamentesh të skaduara? Cfarë zbulojnë dokumentet ekskluzive.
Drejtoresha e Shoqata Together for Life, Eglantina Bardhi e ftuar në Inside Story për të folur mbi një nga skemat më abuzive të onkologjikut, me shërbime të mohuara që rrezikojnë jetë.
*Shoqata Together for Life po mbron prej disa vitesh të drejtat e pacientëve, me një sërë fushatash me karakter avokues, një sërë investigimesh me qëllim nxjerrjen në pah të problematikave si dhe një cikël trajnimesh, seminaresh, hapësirë mediatike për pacientët, si dhe ka ofruar ndjekje ligjore për rastet.
Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” pagoi miliona lekë shtesë për rikthimin në punë të urgjencës polivalente, godina e së cilës u shkrumbua nga zjarri pak muaj pas ndërtimit nga një kompani italiane dhe u mor në dorëzim ‘të përkohshëm’.
Nga: Esmeralda Keta
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë vizitës në urgjencën polivalente pas rikthimit të saj në punë. Foto: Facebook.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu u shfaq e buzëqeshur të hënën në një photo- op në korridoret e urgjencës polivalente në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë – thuajse katër muaj pasi godina u përfshi nga flakët dhe shërbimi u ndërpre për mijëra pacientë.
Vizita e saj lidhej me rihapjen e dyerve të urgjencës, e paralajmëruar pak ditë më parë përmes kronikave të parapërgatitura televizive.
“Urgjenca e QSNUT është në funksion të plotë dhe në shërbim të qytetarëve, duke ofruar kujdes cilësor dhe të shpejtë për të gjithë ata që kanë nevojë,” shkroi më pas Koçiu në Facebook.
Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë dështoi të përmendte faktin se rikthimi në punë i urgjencës solli kosto shëndetësore për pacientët dhe shpenzime shtesë për taksapaguesit.
Spitali qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u ndërtua përmes një kredie të bankës së Këshillit të Europës – CEB dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë kushtoi 17.8 milionë euro në total.
Ndërtimi i spitalit zgjati mbi katër vjet dhe reparti i urgjencës i hapi dyert për pacientët në prill 2023. Por nëntë muaj më vonë u mbyll sërish për shkak të një zjarri të rënë në një kabinë elektrike në katin e nëndheshëm, duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave. Shkaqet e zjarrit janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUNT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese.
Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUNT kontraktoi pa garë një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha në një përgjigje me shkrim se godina ishte marrë “në dorëzim të pjesshëm të përkohshëm” nga një grup pune i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të QSUNT, për t’iu nënshtruar më pas periudhës së garancisë.
“Godina nuk është marrë në dorëzim përfundimtar,” shtoi QSUNT.
Praktika e ndjekur nga QSUNT me marrjen në dorëzim të spitalit shihet me dyshim nga ekspertët e financave publike.
“Në termonologjinë juridiko- ekonomike nuk ekziston marrje në dorëzim të pjesshëm, marrja në dorëzim është konform kontratës,” tha Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Kërkime Ekonomike.
“Bëhet fjalë për një mal me para, ndaj edhe institucionet po përpiqen që të lajnë duart nga përgjegjësia,” shtoi ai.
Kosto shtesë
Spitali qendror i QSUNT, i njohur edhe si godina A2, strehon një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polivalente. Urgjenca është parashikuar të presë mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 prej të cilëve me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike.
Ndërtimi iu besua kompanisë italiane INSO dhe kontrata u firmos në maj të vitit 2018. Fondet u siguruan nga kredia e bankës së Këshillit të Europës (CEB), sipas kontratës lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë.
Kompania INSO është një partnere e hershme e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e strukturave spitalore, e cila operon në Shqipëri përmes degës së saj Finso Albania.
Punimet nisën në dhjetor 2018 dhe sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë në Facebook, në themelet e godinës 6-katëshe u ther si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën 4.5 vite dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit.
Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet e koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë.
QSUNT nuk vuri në dispozicion kontratën me kompaninë ndërtuese dhe as ndonjë inventar të detajuar dëmesh, me pretendimin se çështja ishte në hetim penal dhe QSUNT nuk mund të shprehej pa përfunduar hetimi.
Por të dhënat e siguruara në Agjencinë e Prokurimeve Publike tregojnë se emergjenca e krijuar e shtyu QSUNT të jepte para të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Tenderi me vlerë 27.7 milionë lekë u zhvillua përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës – një procedurë që kufizon konkurrencën mes kompanive.
Tenderi u fitua nga kompania Agi Kons, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e kontraktuar nga INSO.
Eksperti Zef Preçi vlerëson se dhënia e parave shtesë nga Qendra Spitalore Universitare në kohën që godina ishte ende brenda afatit të garancisë është e pajustifikuar.
“Edhe pasi merret në dorëzim një objekt, për një periudhë kohore e ka nën mirëmbajtje dhe nën monitorim firma ndërtuese,” tha ai.
Inso, një kompani italiane e njohur në ndërtimin e strukturave spitalore, po ashtu ka marrë përsipër ndërhyrje të tjera të rëndësishme në QSUNT.
Në vitin 2017, kjo kompani nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së mjekësisë së përgjithshme të njohur si godina A1. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe shërbeu për disa vite edhe për pritjen e urgjencave. Mirëpo prej më shumë se një viti, kjo godinë i është nënshtruar sërish rikonstruksionit me një fond shtesë prej 2.8 milionë eurosh.
Në katin përdhe që aktualisht po rikonstruktohet, ishte planifikuar të strehohej shërbimi i toksikologjisë, por mjekët thanë se ata kishin refuzuar hapjen e tij, për shkak se dhomat e pacientëve nuk plotësonin standardet.
“Nuk pranuam pasi dhomat ishin ndërtuar për një qëllim tjetër dhe nuk na përshtateshin. Më mirë rrimë tek urgjenca e vjetër se sa aty,” tha njëri prej mjekëve të shërbimit të toksikologjisë.
“Tani po bëhet shumë bukur, ashtu siç janë edhe nevojat e një shërbimi unik siç është toksikologjia,” shtoi ai.
E kontaktuar përmes emailit, kompania Finso Albania nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dëme kolaterale
Ndërsa dëmet financiare të shkaktuara nga zjarri në katin e nëndhëshëm të spitalit të ri janë ende të paqarta, kostot shëndetësore për pacientët përgjatë ndërprerjes së shërbimit janë të dukshme.
Nafije Leka është një prej pacientëve që mbërriti në urgjencën e QSUNT në fund të prillit me shqetësime në zemër. Bashkëshorti i saj, Faiku tha se pas testeve të kryera, e shoqja u dërgua në Sanatorium për koronografi.
“Ishte 29 prill, atë ditë bashkëshortja kishte ditëlindjen. Kur na dërguan në Sanatorium e morëm si një shenjë të mirë,” kujton ai.
Por pas trajtimit në Sanatorium, të shoqen e kthyen sërish në QSUNT, pasi kuptuan se ajo mund të kishte nevojë për ‘bypass’.
Ilir Alimehmeti, mjek në profesion dhe anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike tha se sorollatje të tilla mund të kenë kosto të mëdha shëndetësore për pacientët.
Alimehmeti e ilustron problemin me një rast personal, kur një i afërmi i tij pati probleme shëndetësore në maj dhe pasi i telefonuan urgjencës, i orientuan në QSUNT. Por aty i pritën me këmbët e para, pasi sipas një grafiku të përcaktuar nga drejtori, trajtimi duhej bërë në spitalin e Traumës.
“Është vonesë në dhënien e ndihmës së urgjencës dhe në urgjencë, çdo minutë që të humb është problem i madh,” tha Alimehmeti. “Pacientët duhet ta kishin shërbimin e garantuar dhe pa sorrollatje, sepse çdo minutë vonesë në urgjencë mund të kushtojë jetën,” shtoi ai.
Përveç shërbimit të urgjencës, në spitalin qendror ndodhet edhe shërbimi i imazherisë dhe mjekësisë nukleare me aparatura të rëndësishme të diagnostikimit si rezonanca apo skaneri.
Rënia e zjarrit e ndërpreu punën edhe në këtë sektor dhe shërbimin për qindra pacientë. Në këtë repart në fillim të qershorit, mjekët thonë se në mungesë të pacientëve, e shpenzojnë kohën si të munden.
“Duke qenë se nuk punojnë aparaturat, nuk kemi çfarë bëjmë, shumicën e kohës rrimë. Ose shoqërojmë me ambulancë në spitalet e tjera pacientët që na vijnë,” tha njëri prej mjekëve.
Një tjetër mjek imazherist u shpreh i shqetësuar për ndërprerjen e shërbimit.
“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur, pacientët janë lënë rrugëve,” tha ai, duke mos pranuar të citohej me emër për shkak të pasojave që mund të kishte në punë.
“Këtu nuk funksionon asgjë, vetëm një angiografi është vënë në punë, ndërkohë rezonanca ka muaj që nuk punon për çështje të garancisë së mirëmbajtjes,” shtoi ai.
QSUNT refuzoi të vinte në dispozicion një inventar të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, por këmbënguli në një përgjigje me shkrim se aparaturat mjekësore ishin të sigurta.
“Aparaturat mjekësore janë jashtë funksionit si pasojë e mosfurnizimit me energji elektrike,” tha QSUNT, ndërsa shtoi se nuk kishte dëme të shkaktuara nga zjarri në pajisje mjekësore. Megjithatë, funksionimi i tyre është ende i paqartë.
Ndërsa theksoi se pajisjet kishin qenë funksionale përpara ndërprerjes së energjisë, QSUNT shtoi se “aparaturat do të testohen për funksionimin e tyre sapo të lidhet energjia”.
Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga NED- National Endowement for Democracy.
Një hetim i nisur për abuzimin me barnat spitalore zbuloi një skemë të krijuar nga mjekë, funksionarë dhe specialistë të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për transferimin e pacientëve me tumor drejt klinikave private për qëllime përfitimi.
Nga: Edmond Hoxhaj
Drejtues dhe mjekë të spitalit Onkoligjk në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, së bashku me specialistë dhe persona të tjerë akuzohen se krijuan një skemë abuzive të transfermit të pacientëve drejt klinikave private.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT,” citohet në një njoftim të Prokurorisë së Tiranës i cili u shpërnda për mediat më 25 qershor.
Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Në njoftim sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA.
“Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, citohet në njoftimin e prokurorisë.
Për këto paligjshmëri, janë kërkuar dhe caktuar masa sigurimi personal për veprën penale “Shpërdorimi detyrës” ndaj pesë personave.
Sipas vendimit të gjykatës, ndaj mjekut Edmond Gashi është caktuar masa e “arrestit shtëpiak”, ndërsa masa e detyrimit për t’u paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore është caktuar ndaj koordinatorit Emiljano Lela dhe mjekes Alketa Ymeri në lidhje me transferimin e pacientëve.
Ish.nëndrejtoresha e QSUNT, Brikena Qirjazi dhe ish-specialistja Drilona Kishta janë lënë gjithashtu në masën e detyrimit për paraqitje në lidhje me masat e munguara të sigurisë për apartaturën e kobalto-terapisë.
Masa e arrestit shtëpiak është caktuar edhe ndaj administratorit të “Flori Farma”, Florian Marku për tregtimin e mallrave kontrabandë, ndërsa Halil Gashi do të paraqitet para OPGJ për veprën e dyshuar të “fshehjes së të ardhurave”. / BIRN
Besarti dhe Ervini, dy vëllezër 18 dhe 20 vjeç, vuajnë që në lindje nga hemofilia, një çrregullim gjenetik i trashëguar i gjakut. Sëmundja i detyron që çdo javë të marrin mjekimin me faktorë të koagulimit (mpikjes) të gjakut.
Por dy të rinjtë rrezikojnë të invalidizohen, pasi ky mjekim mungon herë pas here në QSUT. Medikamenti ishte në mungesë edhe në momentin që Citizens i takoi në muajin mars, ndaj ata po përdornin zëvendësues për Faktorin.
“Por kjo nuk i bën punë, nuk është doza që i duhet djemve”, thotë Qerimi, babai i dy djemve, teksa na tregon kutitë e medikamentit zëvendësues që i ka dhënë farmacia.
Hemofilia është një çrregullim i mpiksjes së gjakut, kur ka mungesë të faktorit 8 ose 9. Nëse pacientët me hemofili nuk e marrin faktorin zëvendësues që mungon, ata kanë probleme me gjakderdhjen, krijojnë hematoma e mund të çojë deri në invalidizim.
“Jep pasoja, nuk ndalon hemorragjia dhe ata nisin të invalidizohen. Njëri prej djemve ka nisur”, shton më tej ai.
Në Shqipëri zyrtarisht mjekimi me faktorët 8 dhe 9 ofrohet nga shteti, por pacientët rrëfejnë se herë pas here përballen me mungesa.
Besarti ka nisur të shfaqë probleme tek njëri krah dhe hematoma është përkeqësuar, duke e rrezikuar atë të invalidizohet.
“Fëmijët duhet ta marrin sa herë të kenë nevojë Faktorin, dhe unë duhet ta kem gjendje në shtëpi në rast hemorragjie”, shprehet Qerimi, por ai pranon se disa herë në farmacinë e QSUT-së i thonë se “ka mungesa” dhe nuk ka mundur të marrë dozën e rekomanduar nga mjeku.
Që prej dhënies me koncension të laboratorit të analizave të QSUT-së në vitin 2020, këtyre pacientëve iu është mohuar edhe bërja e analizës inhibitore, një ekzaminim që tregon nëse trupi është ngopur me një medikament dhe duhet përdorur një ilaç tjetër.
“Bashkëpunonim shumë mirë me laboratorin, por më pas u dha me koncesion dhe tani nuk kemi më bashkëpunim”, – thotë Vera Minga, drejtuese e Shoqatës së Pacientëve me Hemofili. Sipas saj, pacientët mund ta bëjnë këtë analizë vetëm në privat dhe kushton shumë.
Laboratorët ofrojnë çmime të ndryshme, që shpesh janë abuzive. Burimet thonë se testi fillon nga 5000 por mund të kushtojë dhe mbi 2000 mij lekë.
Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjes se përse ky ekzaminim nuk ofrohet në QSUT dhe as bëri të ditur nëse kishte ndonjë politikë për të rimbursuar koston e këtij ekzaminimi.
“Që prej fillimit të zbatimit të Kontratës koncesionare, për ofrimin e shërbimit laboratorik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ofrohen 164 teste laboratorike për pacientët ambulatorë dhe të hospitalizuar, të cilët janë parashikuar në këtë kontratë”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër koncesioni i Laboratorit “Laboratory Networks”, konfirmoi për Citizens se testet e inhibitoreve për pacientët hemofilikë, nuk bëjnë pjesë në testet që kryhen aktualisht nga koncensionari.
Por kalvari për dy të rinjtë ka vijuar edhe në dyert e spitalit. Gjatë mjekimit Besarti është infektuar me Hepatit C dhe Faktori nuk është i vetmi mjekim që i mungon atij.
“Unë kam mungesë për trajtimin e hepatitit. Kam marrë rekomandime për mjekimin e hepatitit dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje”, tregon i revoltuar Qerimi, duke sqaruar se ka shkuar në Ministri të Shëndetësisë për këtë rast.
“Kemi nevojë për kurën për hepatitin, kanë nisur shqetësimet e hepatit. Fëmija është shumë i ndjeshëm”, shton më tej babai i të rinjve.
Qerimi rrëfen se iu desh të braktiste profesionin si mësues për t’u qëndruar pranë djemve për shkak të nevojave të shumta shëndetësore që shfaqën.
“Në fillim kemi zbuluar të voglin, në moshën 2 vjeçare që kishte hemofili dhe pastaj të madhin kur ishte 4 vjeç”, shpjegon Qerimi teksa futemi brenda në shtëpinë e tij pranë shkollës “Ibrahim Basha” në Kamëz.
“Kanë edhe prapambetje mendore dhe duan kujdestari, është shumë e vështirë për ne”, rrëfen ish-mësuesi, i cili prej vitesh punon në ndërtim për të përballuar faturën financiare të trajtimit të fëmijëve.
Ai është i vetmi që punon në familje, të ardhurat që merr janë të pamjaftueshme, teksa ndihma sociale që merr nga shteti është 10 mije lekë për djalin dhe 10 mijë për bashkëshorten si kujdestare.
“Dhe me këtë unë duhet të mbaj familjen”, thotë ai, por thirrja e fundit që ka është mjekimi i djemve, për hemofilinë dhe për hepatitin.
“Shqipëria në varësi të donacioneve”
Vera Minga, kryetare e Shoqatës së Hemofilikëve tregon se aktualisht trajtimi i hemofilokëve është në dorë të donacioneve. Ajo rrëfen se si pas një beteje 10 vjeçare arritën të hapnin një qendër hemofilie në QSUT, por edhe të sigurojnë donacione.
Por kjo nuk e ka zgjidhur problemin kryesor të pacientëve, marrjen e Faktorit dhe të profilaksisë.
“Ka mungesë të vazhdueshme. Pas shumë përpjekjesh më shoqatën, u bë një marrëveshje me Italinë dhe ka vite që vjen një donacion”, thotë Vera Minga, por shton se kjo është thikë me dy presa, pasi donatori mund ta ndërpresë kur të dojë këtë marrëdhënie. Nëse një pacient e nis profilaksinë me këtë trajtim dhe e ndërpret, atëherë shfaq probleme.
“Mosmarrja e faktorit ndikon në fenomenin e hemoragjisë dhe gjendja e pacientit përkeqësohet”, tregon mjeku hematolog Bledi Kalaja i cili punon në qendër që prej 2015.
Citizens iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të ditur se sa është buxheti në dispozicion për pacientët me hemofili.
Me një përgjigje të vagullt, Ministria thotë se ka zhvilluar procedurën e prokurimit dhe ka lidhur Marrëveshjen Kuadër, për mbulimin e nevojave të pacientëve me këtë patologji.
Përveç kësaj tha se “ka një marrëveshje bazë bilaterale me Ministrinë Italiane për një sasi donacion ku sasia në total për vitin 2023 dhe 2024 ka qenë 11.250.000 UI”, por nuk specifikoi buxhetin që ka në dispozicion.
Ndonëse i vetmi burim kryesor i për trajtimin e hemofilikëve mbetet donacioni i qeverisë italiane, Minga tregon se ngarkesa mbeti në doganë, pasi drejtoria spitalore nuk paguante transportin për të sjellë donacionin. Si pasojë pacientët kanë qenë për një kohë të gjatë pa mjekim.
“Duan t’ua sjellësh në derë”, thotë e revoltuar Minga.
Në Republikën e Shqipërisë të regjistruar si pacientë me hemofili A janë 174 pacientë adult dhe 42 pacientë të moshës pediatrike.
Sipas shifrave të MSH, rezultojnë tek pacientët adultë (mbi moshën 18 vjeç): 103 hemofili A, forma e rëndë, 51 pacientë forma e mesme dhe 20 pacientë hemofilia A forma e lehtë.
Megjithëse ka vite që luftojnë për Faktorin, familjarët e hemofilikëve po përballen me neglizhencën e shtetit për ta siguruar.
“Nuk ka shumë që unë isha në MSH dhe i thashë unë kam arritur në konkuzionin që ju nuk doni të bëni. Pse nuk e bëjnë?”, thotë Minga dhe shton se tashmë nuk është më çështje parash.
Në këtë situatë, një numër pacientësh kanë emigruar për shkak të sëmundjes.
“Janë larguar sepse u rrezikohet jeta, ndërsa jashtë e mbulon shteti. Në çdo vend të botës Faktori mbulohet”, tregon Minga.
Minga e ka nisur këtë betejë kur zbuloi se djali i saj ishte hemofilik.
“Lash çdo gjë timen dhe iu dedikova vetëm kësaj, por prapë këtu faktori ka munguar gjithmonë”, – thotë Minga dhe shton e keqardhur se dhe ajo u detyrua ta dërgonte djalin e saj në Italia kur ishte 13 vjeç.
“Unë e dërgova në shkollë, por shkaku ishte sëmundja, për të gjetur një rrugëzgjidhje”, – rrëfen ajo duke shtuar se duhet të ketë një fond të posacëm për Hemofilinë sa më herët.
“Pacientët në rrethe në mëshirë të fatit”
Si pasojë e mungesës së Faktorit, pacientët që jetojnë larg Tiranës jane më të ekspozuar nga rreziku. Pasi nëse ata nuk e kanë gjendje Faktorin dhe udhëtojnë me hemoragji deri në Tiranë, kjo i rrezikon deri nga invalidizimi deri në fatalitet.
Minga thotë se hemofilia nuk është një sëmundje që pret, tenderat marrin shumë kohë, thotë ajo, por “hemofilia nuk pret zvarritjen e tenderave”.
Pas shumë përpjekjesh ata arritën të hapnin një qendër hemofilie në Tiranë, por “tani gjithë Shqipëria vjen në këtë qendër”, thotë Minga teksa shton se duhet të ketë qendra të tjera atje ku ka mjek hematolog.
“Sa të vish ti nga Burreli apo Tepelena përshembull në Tiranë ikën gjithë dita por ndërkohë hermogjia shtohet”, thotë ajo e sqaron se ka rrezik për humbje jetë.
“Nëse ai nuk ka faktorin dhe të udhëtojë me hemoragji është shumë e rrezikshme”, shton më tej.
Elvin Bylykbashi është lindur dhe banon në Pogradec. Ai është 48 vjeç, për një kohë të gjatë ka jetuar në Tiranë por prej 4 vitesh është kthyer në Pogradec.
Edhe pse aktualisht ai nuk ka mungesë të Faktorit, ai shpreh shqetësimin e mungesës së qendrave në rrethe.
“Unë e kam zgjidhur në një formë se mi merr vëllai në Tiranë, por në rrethe duhet të ketë qëndra, sepse duhet të bëjë kontrolle të përheshme”, thotë Elvini dhe shton se ka hasur probleme dhe me mungesë të infermierëve.
“Këtu s’ka infermierë që dinë të bëjnë këtë injektimin në venë dhe me zor kam gjetur një infermier që di të bëjë venozën”, thotë Elvini.
Pacientët hemofilik jane të pamborjutr nga shteti, përpos mungesës së trajtimit ata shprehin një shqetësim për ndihmën ekonomike.
Edhe Elvini ashtu si Qerimi thotë se ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme.“100 mijë lekë në muaj marr, ndërsa kujdestaria ka qenë 120 mijë lekë dhe ma kanë hequr”, thotë Elvini dhe shton se këto nuk i dalin as për nevojat bazë./Citizens.al
Nurie Kuliçi punoi për 25 vjet në arsim në rajonin verior të Tropojës dhe 11 vite punë të ndryshme në Tiranë, ku u zhvendos në vitin 2006. Karriera e saj e gjatë në shërbim të komunitetit u shpërblye me një pension mujor prej 19 mijë lekësh, nga të cilat 7 mijë lekë në muaj i shpenzon për barna.
“Shpenzoj për ilaçet e tensionit, e yndyrës në gjak,”– tha gruaja 70 vjeçare. “Po ashtu prej reumatizmës duhet të marr edhe Omega 3, multivitamina…”,-shpjegoi ajo, ndërsa shtoi se nga rimbursimi i barnave që merr nga skema e sigurimit shëndetësor publik përfiton vetëm 1300 lek në muaj.
Edhe pse pensionistët janë në kategoritë e personave që përfitojnë rimbursim barnash nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një ankete online tregojnë që pjesa dërrmuese e tyre paguajnë para nga xhepi për të blerë barna.
Ky shpenzim rëndon mbi ekonominë e tyre të brishtë familjare, e cila mbështetet tek pensionet modeste të pleqërisë dhe remitancat financiare nga fëmijët emigrantë. Pesha e shpenzimeve për barna në raport me të ardhurat e pensionistëve është rritur gjatë dekadës së fundit, për shkak se rritja e pensioneve ka qenë me e vogël se inflacioni.
Që prej vitit 2017, inflacioni tek pensionistët matet i ndarë nga inflacioni mesatar në rang vendi.
“Pensionistët nuk kanë të njëjtën shportë konsumi me atë që përllogaritet për inflacionin, pasi konsumojnë më shumë ilaçe, produkte ushqimore,” – thotë Klodian Muço, ekspert i ekonomisë. “Kështu që gjithmonë inflacioni është më i ulët se sa shporta reale e shpenzimeve që bëjnë pensionistët,” -shtoi Muço.
Kosto e barnave rëndon pensionistët
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, rreth 60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri përballohen nga xhepi i qytetarëve. Kjo kosto që përllogaritet në 27 mijë lekë në vit, rëndon në mënyrë të veçantë pensionistët, për shkak të pensioneve të tyre të vogla.
Nëpërmjet një ankete online të realizuar me aplikacionin ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), Citizens.al mblodhi opinionet e dhjetëra qytetarëve në moshë pensioni dhe eksperiencat e tyre në përballimin e shpenzimeve për barna. Shumica raportuan se ilaçet ishin një nga hallkat kryesore të shpenzimeve të tyre mujore.
Nga 50 pensionistë që e plotësuan anketën, 43.8% e tyre u shprehën se barnat i blinin në farmaci me kosto të plotë, 21,9% me rimbursim të pjesshëm dhe 17,2% me rimbursim të plotë. Ndërsa, një pjesë e tyre (15%) prisnin që barnat t`ua sillnin fëmijët që i kanë jashtë vendit.
“Kostot për shërbimet shëndetësore janë tepër të larta, cilësia e ilaçeve e dobët ndaj i porosisim jashtë shtetit,” -shkroi Vera Xheka nga qyteti juglindor i Bilishtit.
Ilirjana Mandreja, një tjetër pensioniste, shprehet se një pjese e mirë e pensionit të saj dhe të bashkëshortit shkon për barna dhe shpenzime shëndetësore.
“Diku te 150 mijë lekë (të vjetra)i harxhojmë për ilaçe dhe po kaq pra 150 mijë për ujë, drita, telefon, internet”,- shpjegoi ajo. Shërbimi shëndetësor publik i mbingarkuar me pacientë i detyron pensionistët që shpeshherë të shkojnë drejt privatit për të marrë shërbime.
“Më duhet të bëja një analizë se isha e sëmurë, më tha hajde pas një muaji. Po ç’vlerë kishte ajo analiza pas një muaji? U detyrova t’i bëj në privat”, -tregoi Ilirjana Mandreja.
Ndërkohë, Ilir Mehmeti përllogarit se shpenzimet mujore për ilaçe i zënë 35% të pensionit prej 16 mijë lekësh.
“Marr një ilaç për prostatën që vete 16 mijë lekë, 10 mijë lekë shkojnë këto të diabetit. 25 mijë lekë më bëjnë fishat e diabetit,”– shpjegoi ai.
“Pra shkojnë gati 52 mijë lekë me gjithë holluesin e gjakut e ndonjë paracetamol,” -rrëfeu Iliri, i cili thotë se nuk përfiton asgjë me rimbursim.
Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) pensioni mesatar në vitin 2023 ishte 15,569 lekë dhe pësoi një rritje prej vetëm 444 lekësh nga një vit më parë.
Sipas Bankës Botërore, kufiri i varfërisë në vendin tonë është 6.7 dollarë në ditë për person, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve e prekin këtë prag.
“Aktualisht INSTAT-i në 2022 e ka llogaritur 640 lek të reja në ditë, që nënkupton që gati 40% e popullsisë shqiptare jeton me më pak se sa kaq para,” -shpjegoi Klodian Muço.
Rritja e papërballueshme e çmimeve
Përveç kostove të larta të barnave që paguajnë nga xhepi, pensionistët shqiptarë përballen me rritjen e çmimeve te produkteve të shportës, që u gllabëron një tjetër pjesë të konsiderueshme të pensionit, duke i vendosur në vështirësi për t’u ushqyer.
“Këto më të thjeshtat, një mollë, një banane, një supë, një vezë, një çaj, një kos, asgjë tjetër”, tha Nurie Kuliçi, duke numëruar produktet e shportës që kishte blerë herën e fundit në treg. “Po të mos më dërgojë ai fëmijë ndonjë lek, unë as bukën mujore nuk e siguroj,”- u ankua ajo.
87,5% e pensionistëve që iu përgjigjën anketës së Citizens.al, u shprehën se në fund të muajit nuk ju mbeten para, ndërsa 72,1% e tyre u shprehën se i ndihmojnë fëmijët me para, për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërkohë, 14% e tyre raportojnë se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.
Gjatë viteve të fundit, kostoja e produkteve është rritur edhe për shkak të inflacionit të lartë të shportës së ushqimeve. Në qershor të vitit 2022, inflacioni kapi vlerën 7.4%, në nivelin më të lartë në Shqipëri që nga vitit 1998.
Ushqimet ishin një nga kategoritë që u ndikuan më shumë nga kjo rritje e çmimeve, ku buka dhe drithërat u shtrenjtuan me 20%, vaji dhe yndyrat me 30%, ndjekur nga bulmeti me 19% dhe mishi me 9%. Edhe pse me ritme më të ulëta, edhe në vitin 2023 dhe 2024 kurba e çmimeve ka qenë në rritje.
“Nuk i arrijmë dot, djathërat e shtrenjtë, mishi që është 25-26 mijë lekë, filetoja e viçit, janë gjëra që ne nuk i shohim”, – tregon Ilirjana Mandreja, e cila rrëfen se për të blerë produktet e shportës ajo gjurmon tregjet e një cilësie të dobët, por që shiten lirë. “Jo vetëm marrim më pak, por marrim dhe cilësinë më të dobët,”- shtoi ajo.
Për Ilirjanën dhe bashkëshortin e saj mjaft produkte bazë janë kthyer në luks, ndërsa për shkak të pamundësisë ekonomike ka reduktuar edhe sasinë e produkteve që blen.
Pensionet në vendnumëro
Informaliteti dhe puna në të zezë në treg ul numrin e kontribuuesve në skemën e Sigurimeve Shoqërore dhe ndëshkon pensionistët.
Nurie Kuliçi ka punuar 11 vite si kameriere dhe banakiere në të zezë, pa kontratë. Si pasojë, masa aktuale e pensionit i referohet vetëm viteve të punës si mësuese.
“Isha e detyruar, isha me katër fëmijë të vegjël, im shoq ishte i sëmurë,” -rrëfeu ajo, ndërsa theksoi se i “duhej buka e fëmijëve”.
Ndërsa pagat e administratës kanë pësuar një rritje të ndjeshme, pensionet kanë ngecur në vend dhe kanë pësuar një rritje me vetëm 6%, krahasuar me ato para pandemisë.
Ilir Mehmeti, me profesion topograf prej vitit 1975, doli në pension 4 vite më parë. I pakënaqur për masën e pensionit prej 21. 900 lekë, ai thotë se u penalizua nga pagesat me dy bilance.
“Një pjesë të pagës na e jepnin në bankë, një pjesë në dorë, ndaj edhe pensionet dalin të vogla,” -shpjegoi ai. “Tani kur vjen në fund thotë jo të kishe paguar më shumë,”– shtoi Iliri.
Sipas skemës aktuale publike të pensioneve, nevojiten 35 vite sigurime shoqërore si kontribute për të përfituar pension të plotë, ndërsa periudha minimale për të siguruar pensionin është 15 vite.
Në vitin 2023, Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është shtuar numri i personave që kanë dalë në pension të pjesshëm, pasi nuk kanë mundur të plotësojnë vitet e plota të punës. Mesatarisht, qytetarët që dolën në pension në vitin 2023 kishin punuar me sigurime për 26,8 vite, shumë më pak se sa kriteri ligjor prej 35 vitesh për pension të plotë.
Sipas Klodian Muços është e vështirë të themi sa duhet të jetë një pension për të qenë dinjitoz, por ai sugjeron se së paku duhet të jetë sa minimumi jetik i propozuar nga “Avokati i Popullit”. Mirëpo, vendi ynë ende nuk ka një minimum jetik të përcaktuar, por ofron një ndihmë sociale prej 8 mijë lekësh në muaj, duke mos garantuar kësisoj mirëqenie të qytetarëve.
“Aktualisht pensioni mesatar në Shqipëri është më pak se sa minimumi jetik, llogaritet diku te 18800 mijë lekë, por në qoftë se do ti ndanim pensionet pastaj në pension qyteti dhe pension fshati janë shumë më të ulët se sa minimumi jetik,” -tha ai.
Pensionet dhe kontribuuesit në skemë
Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në skemën e pensioneve për vitin 2023 ishin 590,649 persona, nga të cilët pensionistët e qytetit u shtuan me 22,330 persona, ndërsa pensionistët e fshatit u pakësuan me 4,414 persona. Në total, skema u rrit me 17,913 përfitues më shumë se sa viti 2022.
Sipas Klodian Muços, plakja e shpejtë e popullsisë rrezikon të fusë në krizë sistemin e pensioneve.
“Në 1990 katër persona punonin dhe vetëm njëri përfitonte një pension pleqërie. Aktualisht kemi 1.17 kontribuues për një përfitues”, -tha Muço. “Në qoftë se nuk do të kemi ndërhyrje reale konkrete me shumë gjasa në 2030-ën, skema kalon ‘default’, pra skema nuk përballohet më”, -sqaroi ai.
Besnik Keta, ish minator për 3 dekada në minierën e Batër-Martaneshit, doli në pension të parakohshëm në vitin 2001 dhe përfitoi vetëm 5,100 lekë. Kur doli në pension të plotë në vitin 2005, përfitoi vetëm 12 mijë lekë pension mujor.
“Unë e kontestova këtë, gjashtë muaj nuk e mora pensionin fare. Kisha bindjen e plotë që m’i kanë llogarit keq. Doli që më kishin mohuar 32 mijë lekë të vjetra në atë kohë. Nga 120 shkoi 152”, – rrëfeu Keta.
Mirëpo, insistimi i tij nuk përfundoi këtu. Në 2019 ai u bë pjesë e protestave të minatorëve për më shumë të drejta.
“Kush pati mbushur moshën 65 vjeç në atë kohë i dhanë 1% deri në 20 vite pune. Dhe unë mora 65 mijë lek në atë kohë. Sot ka shkuar 75 mijë lek plus. Sot vetëm prej këmbënguljes për të drejtat e mia e kam pensionin 39 mijë lekë,” -rrëfen me krenari Besnik Keta, edhe pse ndjen dhimbje për kolegët e tij të nëntokës të cilët rrallë marrin 30 mijë lekë pension.
Pas një jete dedikuar arsimit, Nurie Kuliçi ndjehet gjithashtu e zhgënjyer nga pensioni që përfiton.
“Tërë ata nxënës që janë në çdo cep të botës sot, janë të dalluar se kam lënë shpirtin me ta sikur të kishin qenë fëmijët e mi,”– tha ajo. “Nuk është jetë kjo, thjesht frymojmë”, -përfundoi Kuliçi. / Citizens.al