denonco@transparency.com.al

mungesa e informimit

Vdekja e 17-vjeçares, alarm për Ministrinë e Shëndetësisë. TFL: Të futet menjëherë vaksina e meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit

Një vajzë 17-vjeçare nga Durrësi humbi jetën dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si pasojë e meninigitit akut. Ky rast tragjik ka ringjallur shqetësimet për mungesën e vaksinës kundër meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke theksuar urgjencën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, ku evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Meningjiti rezulton fatal veçanërisht kur preket cipa e trurit apo gjaku, që mesa duket është edhe rasti i 17-vjeçares.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem të dobët imunitar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Për Drejtoren Ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhi: “Vaksina kundër meningokokut tashmë nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri për ruajtjen e jetës së fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Humbja e jetës së 17-vjeçares të prekur nga meningokoku duhet të shërbejë si katalizator për veprime të menjëhershme dhe përkushtim më të madh ndaj shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë tani, nëpërmjet futjes menjëherë të vaksinës së meningokokut në kalendarin e vaksinave të viti 2025 si një masë e nevojshme dhe e domosdoshme parandaluese, që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.”

Read more

Sondazhi i KLSH: 63% e qytetarëve blenë ilaçe kontrabandë

Rreth 63 përqind e qytetarëve të anketuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë pranuar se kanë blerë ilaçe pa pullë fiskale. “Ky rezultat tregon për shitjen e barnave kontrabandë në vend”, thonë audituesit shtetëror në një Raport Auditi Performance për “Efektin dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.

Raporti është publikuar së fundmi dhe, megjithëse nuk e përmend konkretisht, të dhënat e anketimit mbi përhapjen e barnave pa pullë fiskale, ngarkojnë me përgjegjësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli që prej shtatorit 2020.

Të dhënat e kronikës policore tregojnë se janë kryer herë pas here operacione për kontrabandën e ilaçeve, përfshirë edhe një hetim të zhvilluar pak muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës.

Megjithatë, goditjet e strukturave ligjzbatuese janë tërësisht anemike, ndërkohë që rastet e zbuluara dhe të referuara për kontrabandën e barnave nga Doganat janë thuajse sa gishtat e njërës dorë.

Besimi i ulët tek cilësia e barnave

Sondazhi i KLSH-së jep edhe të dhëna të tjera problematike mbi cilësinë dhe shpërndarjen e medikamenteve në Shqipëri.

Shumica absolute e të anketuarve, rreth 98% tyre, zgjedhin barna të importuar nga jashtë, në krahasim me 2% të tyre që zgjedhin barna, të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë.

Lidhur me blerjen e barnave jashtë vendit, “vetëm 9% e tyre shprehet se nuk janë detyruar ndonjëherë të blejnë barna jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër shprehen se iu është dashur të blejnë barna jashtë vendit për shkak se nuk kanë besim tek barnat që tregtohen në RSH, nuk është gjetur në farmacitë e vendit si dhe është sugjeruar nga mjeku i familjes”, thuhet në sondazhin e KLSH-së.

Po ashtu, 45% e qytetarëve shprehen se janë detyruar të shtyjnë kurën për shkak se kanë pritur t’ju sjellë ndonjë i afërm ilaçe nga jashtë vendit.

Sipas perceptimit të qytetarëve 34% e tyre mendojnë se barnat e përdorur kanë qenë pjesërisht efektiv dhe 8% e tyre mendojë se barnat nuk kanë qenë aspak efektive.

Mungesë transparence për ilaçet e refuzuara

Gjatë procedurës audituese, KLSHA ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) “nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale, për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu”.

Gjithashtu, rezulton se AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe, si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mungesa e transparencës me qytetarët dhe mos marrja e masave në kohë reale për njoftimet e rëndësishme të institucioneve homologe mbi barnat e konsideruara të dëmshme dëshmojnë për papërgjegjshmëri në përmbushjen me eficiencë dhe efektivitet të detyrave funksionale”./boldnews.al

Read more

Skandal me barnat nga India dhe Bangladeshi. KLSH: U hodhën në treg pa u kryer analizat fiziko-kimike

Barna të importuara nga vende si India, Bangladeshi, Kina dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.

Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.

“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.

Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja19 për barnat e pa autorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina Covid 19” thuhet në auditim.

Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID 19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral Covid 19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.

Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.

“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.

Raporti i KLSH:https://panel.klsh.org.al/storage/php9wOQDu.pdf

Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës” nënvizon auditimi./Monitor/

Read more

Lahe: Buxheti i ulët në shëndetësi reflektohet në shërbime të mungura, ose shërbime jo-cilësore

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet ishte në fokus të emisionit “EkoSkaner”. Investigimi  nxjerr në pah se nevoja për kujdes shëndetësor do të rritet, për shkak të rritjes së temperaturave apo fatkeqësive natyrore, por qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara.

Ekspertët rendisin një sërë patologjish që do të jenë në rritje, ndërsa shtojnë se pasojat më të shumta do i vujanë shtresat e varfra të popullsisë. Në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave, për të përballuar pasojat që ndryshimet klimatike do të sjellin mbi shëndetin e popullatës, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve, pajisjeve mjekësore dhe aksesit në sistemin shëndetësor.

Të ftuara në studio, Alma Lahe nga  shoqata “Together for Life” dhe Enkelejda Kucaj nga Instituti i Gjeoshkencave në UPT folën më gjerësisht për temën, duke theksuar nevojën për rritjen e buxhetit për sektorin shëndetësor, si dhe ndërhyrjen edhe në sektorë të tjerë që preken nga ndryshimet klimatike.

 “Është koha jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar. Ne para pak ditësh prezantuam raportin e fundit të themi, i cili ishte raporti parë i Monitorimit Të Strategjisë Kombëtare Të Shendetësisë 2021-2030. Kjo strategji ka sigurisht të përfshirë të gjitha politikat shëndetësore për këtë 10-vjeçar parashikuar me buxhetet përkatëse. Është shumë optimist si dokumet, është i mirëhartuar. Ajo që ka qenë gjithmonë problem në fakt në dokumentet politikë, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera ka qenë mungesa e buxhetit. Pra, buxheti ka qenë gjithmonë jo i duhuri. Ne na rezultoi nga analiza që u bë në këto tre vite e gjysmë, (nga janari i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024) na rezultoi se buxheti i ministrisë për sektorin e shëndetësisë në këto vite ka qenë 18% më i ulët nga parashikimet, që kemi në strategji, më i ulët nga vetë dokumenti që ka parashikuar. Ne bëjmë çdo vit edhe monitorimin e buxhetit faktik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe na rezulton që nga viti në vit ka ulje të buxhetit,  pa ju referuar vitit 2021 që ka qenë viti i COVID , pra ka qenë një vit që nuk merret në referencë, në vitet e tjera ka qenë më ulje. Në vitin 2023 buxheti faktik ka qenë 2.8 %. Jemi vendi i fundit në rajon përsa i përket buxhetit , shpenzimeve të qeverisë për shëndetësinë”, shprehet Lahe.

Ajo shton më tej  se,  “Një buxhet jo i përshtatshëm, jo i duhur do të thotë që impakton të gjitha shërbimet, pra edhe shërbimet bazë. Vetë ministria ka parashikuar politika të veçanta për të cilat ne ose nuk kemi gjetur informacion se çfarë bëhet me ecurinë e tyre, ose puna duket që nuk ka pasur atë ecuri që është e duhura. Ne na rezulton që në vitet e fundit buxheti i ministrisë, jo vetëm që është i ulët në parashikim, por ulet edhe në mes të vitit buxhetor. Sa herë rishikohet buxheti, po t’i referohesh buxhetit për shëndetësinë kemi pasur ulje, po t’i referohemi buxhetit për shërbimin parësor kemi pasur ulje.

 Kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi problematikë shëndetësore, me ndryshimet demografike që janë shumë të shpejta, popullsia në moshë të madhe po rritet me shpejtësi,  do të thotë që nevoja për shërbime është shumë e madhe, sëmundshmëria ka ndryshuar dhe përveç sëmundjeve të reja që shfaqen, edhe sëmundjet jo të transmetueshme janë problem i madh që i ndikon si mjedisi, mënyra e jetesës, edhe faktorët e klimës që po ndryshojnë. Dhe në të gjitha këto reflektohet mungesa e buxhetit në shërbime të munguara, ose në shërbimin jo të duhur që ju vete pacientëve.”

Duke ju referuar raportit të fundit të publikuar nga shoqta “Together for Life , Lahe thotë se janë ndërlidhur të dhëna sasiore dhe cilësore për të parë ndikimin që kanë tek vetë përfituesit e shërbimeve nga programet shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne në fakt në raportin e fundit kemi bërë përpjekje për të marrë edhe reagimin e përfitimit të shërbimeve. Ne bëjmë një analizë të buxhetit, bëjmë një analizë të programeve politike, të programeve shëndetësore të ministrisë, por duam të shohim edhe çfarë impakti kanë edhe zbatimi i politikave ose buxhet që shkojnë për shërbime të caktuara dhe na ka rezultuar se impakti nuk është i plotë tek përfituesi i shërbimit.

Grupet vulnerabël janë më të rrezikuara. Dhe duke thënë se buxheti është i ulët kjo do të përkthehet drejtëpërdrejtë në rritje të shpenzimeve nga xhepi për qytetarët. Por një qytetar, pacient që vjen nga zonat rurale që e ka më larg shërbimin, që ka të ardhura më të ulëta, që nuk e përballon dot financiarisht i bie që 2/5 ta paguajë shteti nga shpenzimet e shëndetësisë dhe 3/5 e ke ti. Dhe kjo është nga të dhënat e OBSH-së. Kemi nivelin më të lartë të pagesës nga xhepi. Pacienti kur nuk ka mundësi ta paguajë shërbimin, ose do ta shtyjë marrjen e shërbimit  që do të thotë situata e tij shëndetësore do të agravojë edhe vetë sistemi në fakt duke e vënë para një presioni, sepse do të rriten shpenzimet kur të jetë edhe më e agravuar situata, ose do të heqë dorë nga marrja e shërbimeve.”

Përsa i përket largimit nga vendi të mjekëve specialist Lahe sjell në vëmendje në rast konkret, që dëshmon se vendit jo vetëm po i ikin profesionistë, por edhe ato që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të ushtrojnë ndeshen me mungesë të infrastrukturës bazë për të ofruar shërbim

“Situata është mikse, buxheti është i ulët dhe që këtu fillon problematika. Mënyra se si ky buxhet shpenzohet, sa i jepet mundësi shëbimeve, dhe nga fokusgrupet me ofrues dhe marrës të shërbimeve  kemi pasur një mjeke nga një zonë afër Tiranës dhe thotë : ‘Dëgjo unë e kam spitalin shumë të mirë. Mua më vjen pacienti, por unë nuk kam asnjë paisje çfarë t’i ofroj shërbim, kështu që si mund ta pëlqejë ai shërbimin tim, si mund të pranojë ai të vijë të marrë shërbim tek unë?!’ Pra jo vetëm na mungojnë specialistë , por edhe atje ku ka specialistë nuk arrijmë dot të ofrojmë shërbimin dhe ky është problem. Unë mendoj se Ministria duhet të jetë pak më mendjehapur, jo vetëm politika në letër dhe të bëjmë disa kalkulime. Edhe ne kemi shkuar në kalkulime, kemi bërë analizën e të dhënave që kemi marrë. Debati mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike është edhe i shifrave. Do të thotë që nuk pranohen shifrat që ofrohen nga shoqëria civile. Në fakt ne kemi bërë shumë kujdes në raportin e fundit që për të gjitha t’i referohemi të dhënave publike zyrtare të publikuara në site-t e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. I kemi artikuluar si politika dhe tani duhet të merren masa si do të zbatohen dhe kjo është shumë e rëndësishme.”

Sipas saj është “Koha është tani për të reaguar,

-E para rritja e buxhetit për shëndetësinë

-Përdorimi me efektivitet i fondeve publike

-Paralelisht me fuqizimin e institucioneve  dhe të vetë ofruesve të shërbimeve duhet edhe ndërgjegjësimi i popullatës .”

Read more

Fondi i barnave me rimbursim s’mjafon, në 2023 u tejkalua me 58 milionë lekë

Barra e sëmundjeve kronike në popullatën shqiptare është në rritje të vazhdueshme, duke bërë që fondet e përcaktuara për mbulimin me barna të rimbursueshme të jenë të pamjaftueshme.

Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm, në vitin 2023 sëmundjet kronike rritën shpenzimet e rimbursimit me 227.7 milionë lekë, ose 6% më shumë se viti 2022.

Në mes të vitit 2023, qeveria rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 miliardë që ishte në fillim të vitit, por as këto nuk ishin të mjaftueshme, duke gjeneruar 58 milionë lekë detyrime të prapambetura.

Ekspertët mendojnë se plakja e popullsisë dhe ndikimi i pandemisë së Covid rritën sëmundjet kronike.

Në vitin që lamë grupi “Pensionist pa afat” regjistori 70,018 receta të rimbursuara më shumë.

Diabeti apo Hipertensioni si sëmundje me incidencë të lartë në popullatë morëm më shumë fonde, duke bërë që grupi i insulinave të sëhnojnë rritje të lartë të shpenzimeve të rimbursimit.

Po ashtu edhe barnat që trajtojnë prolemet  e “Sistemit kardiovascular” janë rritur me rreth 221.5 milion lekë më shumë se në vitin 2022.

Ato zënë  24.8% të shpenzimeve të rimbursimit.

Barnat spitalore, ku përfshihen dhe barna për trajtimin e tumoreve dhe që kanë një impakt të lartë financiar zënë 24.2% të shpenzimeve të rimbursimit.

Të dhëna të krahasueshme tregojnë se teksa barra e sëmundjeve në popullatë është rritur me shpejtësi, fondet publike që rimbursojnë mjekimin e të sëmurëve nuk kanë ndjekur të njëjtin trend.

Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%.

Burimi: Euronews Albania

Read more

Vetting zbardh skemën/ Spitali i Traumës tendera në konflikt interesi. Kush janë aksionerët e kompanive që përfitojnë milionat dhe lidhja me drejtuesit e spitalit

Por çfarë e bën situatën më të rëndë në këtë tender, atë të protezave, te Spitali i Traumës? Nga hulumtimet e “Vetting” është zbuluar se aksionerja e kompanisë “Orthonet”, Kira Cami është e bija e kirurgut ortoped tek SUT, Ergys Cami, ndërsa aksionerja tjetër, Floresha Haxhimemini, është e ëma e Sedi Meminit, edhe ky kirurg ortopedie në SUT. Ergys Cami, sipas informacioneve, mësohet se punon në një spital privat si shef i ortopedisë, ndërkohë që paguhet edhe në Spitalin e Traumës.

Kompania “Orthonet 360” sh.p.k ka marrë në konflikt të hapur interesi tenderat nga SUT-ja dhe ia ka kaluar familjarëve të doktorëve që janë të punësuar në këtë spital.

Por nyja gordiane e të gjitha këtyre aferave me tenderat e ortopedisë gjenden te drejtuesit, të cilët janë në të njëjtin sektor me familjarët e personave që zotërojnë Orthonet 360.

Lidhjet thellohen më shumë pasi kompania private “Life Plus”, me administratore Daniela Nelaj ka si aksioner kirurgët e SUT, Serdi Memini, Ergys Cami, Alfred Cake, Erion Qato dhe Korab Sejdini. Gjithashtu, aksionerë janë Dorina Ruci dhe Lidia Manushi.

Sipas burimeve konfidenciale, Alfred Cake është zv.Drejtor i SUT, ndërkohë që i ka dhënë tenderat e ortopedisë Ergys Camit, ortakut të vet në klinikë dhe familjarit të Serdi Meminit.

Të njëjtat burime pohojnë se, në Komisionet e Specifikimeve Teknike dhe të pranimit të mallit për materialet ortopedike, janë Alfred Cake, Erion Qato dhe Serdi Memini. Ky i fundit është i biri Floresha Haxhimeminit, aksionere e kompanisë “Orthonet”. Në këtë rast, kompania “Orthonet 360” shpk rezulton e lidhur me mjekët në QSUT, duke marrë tendera, të cilët janë në shkelje të ligjit.

Problemet nuk ndalen me kaq pasi në repartin e ortopedisë mungojnë letrat për numrin e operacioneve. Ajo që vihet re është mospërputhja e numrit serial dhe të gjitha këto mungesa raportohen për kompaninë “Orthonet” së bashku me “T R I M E D” dhe “Layo” shpk. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit përforcon atë skemën e korrupsionit që “Vetting” ka zbuluar për aferat me protezat.

“Kampioni i përzgjedhur prej 14 pacientë është përfaqësues për të gjitha të dhënat e materialeve ortopedike të implantuara tek këta pacientët, pasi të gjithë pacientët që janë të regjistruar në 3 (tre) regjistrat që përfshijnë periudhën 2021 dhe 2022, rezulton se nr.serial (Loti) i materialeve ortopedike nuk kanë përputhje midis materialeve te vendosura, atyre te kërkuara dhe atyre te shkarkuara ne kartelën elektronike”.

Drejtues të SUT nuk kanë dhënë shpjegime se çfarë cilësie janë këto implante, përse ka mospërputhje dhe se si po merr masa spitali për t’i rregulluar këto çështje. “Vetting” kontaktoi Spitalin Universitar të Traumës për numrin e operacioneve, por pyetja për çështjen e protezave mbeti pa përgjigje nga SUT deri në publikimin e këtij materialit.

Burime të rezervuara kanë bërë të ditur se pas kërkesës së parë nga emisioni “Vetting” për numrin e operacioneve kanë filluar dorëheqjet nga Komisioni i Tenderave, por gjithçka mbetet për t’u verifikuar nga vetë drejtuesit e këtij spitali.

Read more

THIRRJE PËR ARTIKUJ INVESTIGATIVË NË FUSHËN E SHËNDETËSISË

Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”. Projekti synon promovimin e përgjegjshmërisë dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh çështjet prioritare më të lakuara në ditët e sotme lidhur me shëndetësinë siç janë pakënaqësia në rritje e qytetarëve përkundrejt shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore publike, pagesat e larta nga xhepi që paguajnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore kundrejt atyre që mbulohen nga qeveria, financimi i ulët për sektorin, shkeljet gjatë kryerjes së kontratave me një barrë të madhe financiare për buxhetin, etj.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të raportuar dhe nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 2 artikuj investigativë:

(2) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, me fondet publike, pa-ndëshkueshmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit në fushën e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por gjithashtu inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Tenderat në shëndetësi: Përputhja me ligjin, transparenca dhe abuzimet;
  • Transparenca e shpenzimeve për shëndetësinë (ndërtimin e spitaleve të reja; financimi i shërbimeve të reja; financimi për barnat; kompanitë përfituese – favorite për përfitimin nga tenderat, etj.);
  • Shpenzimet për koncesionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli t’i referohet ecurisë së koncensionit/eve të vitit buxhetor 2023);
  • Niveli i shpenzimeve nga xhepi si përqindje e shpenzimeve totale të pacientëve për shëndetësinë, në Shqipëri.

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

(2) gazetarët e përzgjedhur do të kenë një mbështetje financiare prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve ju kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit, të dërgojnë edhe një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email, në: info@togetherforlife.org.al

Afati për dorëzimin e aplikimeve, deri më: 07 Mars 2024

Read more

TFL ngre çështjen e fertilizimit in vitro në seancën dëgjimore mbi diskutimin e projekt-buxhetit 2024. Zv. Ministrja Rakacolli: Është një shërbim që është buxhetuar dhe parashikuar të funksionojë brenda këtij viti

Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”

Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.

Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.   

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.

Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.

Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro.  Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.

TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.

Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:

https://www.facebook.com/100076188047891/posts/pfbid022L91mvgecbuY6Cahz33T9TCsequzbyL7eY14obEapXVULCs3yuhSYo5wbtRBwL3jl/?app=fbl

Për më tepër, ju ftojmë të lexoni raportin monitorues: togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf?fbclid=IwAR0eRKVxd5cxFI6Y7IL8tFdfHMxkslUdaAEHZuwURKqCw0lUVurf_L0vMlY

Read more

“Vështirë të gjesh ilaçe. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 ilaçe për sëmundjen tonë dhe ato kushtojnë jashtëzakonisht shumë”

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u theksua mungesa e informimit dhe e investimit nga ana qytetare ne proceset konsultuese. Kjo problematikë krijon më pas një sërë problemesh të tjera, zinxhir, të cilat dekurajojnë dhe përkeqësojnë situatën e përfshirjes dhe angazhimit qytetar dhe nga ana tjetër kontribuojnë në abuzimin dhe degradimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor (dhe jo vetëm) nga ana e shtetit.

Elida Jata nga Qendra ALTRI u shpreh: “Mungesa e investimit në mënyrë të theksuar nga ana qytetare për të qenë pjesë e proceseve konsultuese. Po ashtu aq e rëndësishme është edukimi i qytetarëve për të kuptuar buxhetin e Bashkisë, pasi kemi pare shpesh që qytetarët i kërkojnë bashkisë gjëra tepër vizionare për buxhetin ose gjëra që nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejt me bashkinë. Pra, këtu është problem i informimit dhe edukimit të qytetarëve për prioritetet dhe pretendimet e tyre.”

Gjatë diksutimit u vu re se ky problem nuk fillon dhe mbyllet vetëm me detyrat dhe përgjegjesitë tona si qytetarë, por ndikon dhe në horizontin dhe mentalitetin e qasjes sonë ndaj grupeve të margjinalizuara dhe grupeve vulnerabël dhe problemeve që ato kanë në shoqëri, dhe po ashtu kauzave që ato luftojnë. Pra, ky është efekti zinxhir i përmendur më sipër.

E tillë është stigma e mospraninmit të sëmundjeve të caktuara, gjë që u shpreh nga dy përfaqësusese të organizatës Jeto Përsëri që fokusohet në pacientët me sklerozë multiple: “Pacienti nuk pranohet psikologjikisht nga familja. Problemi fillon këtu dhe pastaj vazhdon me komunitetin e më pas me statusin aktiv në punë. Mosha e njerëzve që preken nga kjo sëmundje ështe 20 – 40 vjeç dhe nuk ka asnjë lloj kushti për t’i trajtuar. Për më tepër, nuk pranohen nga shoqëria dhe është vështirë të gjesh ilaçe. Nëse në Shqipëri ekzistojnë 2 ilaçe, në rajon janë 4-5 ilaçe të ndryshme. Fokusi ynë është të sensibilizojmë shoqërinë dhe ndikojmë në rritjen e numrit të ilaçeve të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

Read more

Ersilda Teliti: Doktorët detyrohen të pranojnë marrëveshjen nga urdhri edhe nëse shërbimet nuk janë cilësore

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u diskutua për sfidat, problematikat dhe mungesat në sistemin shëndetësor shqiptar dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë sistem.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të organizatave civile shprehën dëshirën dhe interesin e tyre në sensibilizimin e popullatës në çështjet sociale. Pjesëmarrësit vlerësuan workshop-in dhe takime të tilla pasi janë mundësira të vlefshme për bashkëpunim mes njëri – tjetrit.

Një nga problemet që u përmend shpesh nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave ishte mungesa e informimit të qytetarëve dhe në shumë raste mbi çështje që i prekin ata drejtpërdrejt.

Mbi këtë problematikë, Ersilda Teliti nga Qëndra Konsumatori Shqiptar u shpreh:

“Mungesa e informacionit ka bërë që doktorët të pranojnë marrëveshjen nga urdhri duke i bërë dëm qytetarit, në çdo rast, edhe kur mjekimi është i pakujdesshëm dhe jo cilësor. Nëse qytetari kërkon direkt dëmshpërblim – biologjik, shëndetësor dhe moral – kjo do t’i kompesonte deri diku dëmin që ka pësuar. Po ju jap një rast personal: Në farmaci morra disa vitamina amerikane të cilat m’u rekomanduan nga farmacia. Vura re që fillova të kisha probleme me shëndetin. Pasi morra informacion rezultoi që rrjeti i farmacive ishte nga një person shumë i famshëm në Shqipëri, siç ndodh gjithmonë. Mesazhi nga kolegët e mi ishte të mos merresha me rrugë gjyqësore por unë e vazhdova deri diku luftën. Trupi im pati probleme nga përdorimi i këtyre vitaminave pasi ato duhet të kishin një përbërës që nuk funksionon mirë me shëndetin.”

Përsa i përket tenderave që nënshkruhen, që është një nga problemet që citohen dhe më sipër, një nga pjesëmarrësit u shpreh se organizata ku punonte merrej pikërisht me aspektin e llogaridhënies dhe transparencës të tenderave që miratohen dhe më pas zbatohen.  “Organizata që unë përfaqësoj ka përdorur një metodë që quhet ‘Redflag Procedure’, i cili është një lloj procesi prokurimi ku nxirren në pah politika dhe vendime që janë në kundërshtim me ligjin. Organizata jonë ka dhënë shumë transparencë sepse është e mirëorganizuar në sektorin e shëndetësisë. Nëpërmjet kësaj metode ngrihet zëri qytetar ne media dhe njëkohësisht zëri qytetar është i mirëinformuar. Dhe kjo metodë ka funksionuar.”

Read more
sqAlbanian