Politikat e brendshme në vendin tonë nuk i kanë kushtuar vëmendje zhvillimit të kapitalit njerëzor, dmth investime dhe politika zhvillimi në arsim dhe në shëndetësi, strehim dhe mbrojtje sociale që të garantojë zhvillimin e aftësive në shoqëri.
Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (Wbif) që koordinon grantet dhe kreditë e donatorëve për Rajonin vuri në dukje se Shqipëria ka përfituar më pak fonde nga vendet e tjera sa i përket zhvillimit të kapitalit human.
Webif përllogarit se Shqipëria nga viti 2009 deri në vitin 2023 ka përfituar vetëm 3 milionë euro nga fondet për kapitalin njerëzor, ndërkohë që Serbia ishte përfituesi më i madh në rajon me 73.5 milionë euro, e ndjekur nga Bosnja me 11.1 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 12.9 milionë euro, Mali i Zi me 12.8 milionë euro dhe Kosova me 3.9 milionë euro.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor njeh rëndësinë e arsimit dhe aftësive, shëndetit dhe mbrojtjes sociale për të nxitur rritjen ekonomike. Krahas përpjekjeve për reduktimin e varfërisë, përfshirjen sociale dhe forcimin e sigurisë sociale, masat shoqëruese e tjera përfshijnë strehimin social, arsimin, shëndetin. Një fushë kyçe e ndërhyrjes është dixhitalizimi në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm Shqipëria ka përfituar sasinë më të ulët të fondeve për kapitalin human në një kohë që ka nevojat më të mëdha në këtë drejtim.
Vendi ende po përjeton largim në nivele të larta te të rinjve jashtë, një fenomen që tregon nuk po ofrohet një klimë e mirë për të jetuar.
Përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare sugjeruan me herët këtë vit se një model i shëndetshëm rritjeje duhet të bazohet në investime të kapitalit njerëzor dhe në arsim.
Emanuel Salinas, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, mendon se kapitali njerëzor është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit dhe aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.
Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta, pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv. Sipas tij, popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim.
Të njëjtin vizion ka edhe Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila e vlerësoi kapitalin human si themelin e zhvillimit të qëndrueshëm. “Përshpejtimi i emigrimit të fuqisë punëtore shqiptare do të përkeqësonte sfidën e tregut të shtrënguar të punës, duke penguar rritjen e produktivitetit./B.Hoxha
Burimi: Revista Monitor