18 pacientëve me Leucemi Kronike iu është ndërprerë mjekimi me barin “Ibrutinib” që prej shtatorit të vitit të shkuar. Shkak këtë herë nuk është mungesa e barit por protokolli i përdorimit të tij i hartuar në mënyrë kontradiktore, nga shërbimi i hematologjisë që prej vitit 2018.

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar se protokolli i dërguar Fondit të Sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor për barin Ibrutinib 140 mg, që është dhe alternativë e vetme mjekimi ka dy qëndrime kontradiktore. Një paragraf është pa afat dhe thotë, se Trajtimi duhet të vijojë deri kur sëmundja të përparojë ose kur nuk tolerohet më nga ana e pacientit dhe në fund një tjetër paragraf përcakton se “Kohëzgjatja e mjekimit me Ibrutinib 140 mg” është nga 18 deri në 24 muaj.

Kjo ka bërë që nga viti 2018 deri në shtator 2023 të merret parasysh paragrafi i parë , ndërsa prej shtatorit e deri më tani të zbatohet paragrafi i fundit , çka ka çuar ndërprerjen e mjekimit edhe pse bari gjendet në farmacinë e spitalit.

Nisur nga kjo situatë KLSH ka rekomanduar menjëherë të rikthehet dhënia e medikamentit për pacientët.

“Shefi i Shërbimit të Hematologjisë në QSUNT, të rifillojë në mënyrë të menjëhershme përdorimin e barit “Ibrutinib” bazuar në Protokollin e përdorimit të barit paragrafi “Doza dhe mënyra e përdorimit”, ku është cilësuar: “Trajtimi duhet të vijojë deri kur sëmundja të përparojë ose kur nuk tolerohet më nga ana e pacientit”, si dhe në Udhërrëfyesin e praktikës klinike në Hemopatite malinje të rishikuar në vitin 2023, për të gjithë pacientët e linjës së tretë të mjekimit, të cilët prej shtatorit të vitit 2023, janë pa asnjë mjekim duke qenë se “Ibrutinib” është bari i vetëm që përdoret në linjën e tretë të mjekimit të pacientëve me LLC”,-thuhet në rekomandim.

Paralelisht KLSH ka kërkuar që ky ndryshim në protokoll ti dërgohet menjëherë edhe fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, në mënyrë që ky i fundit të marrë masat për të përllogaritur efektin financiar që do ti duhet për të mbuluar me bar të gjithë pacientët.

Pa mjekim pacientët me leuçemi (youtube.com) / Euronews Albania