Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” pagoi miliona lekë shtesë për rikthimin në punë të urgjencës polivalente, godina e së cilës u shkrumbua nga zjarri pak muaj pas ndërtimit nga një kompani italiane dhe u mor në dorëzim ‘të përkohshëm’.
Nga: Esmeralda Keta
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë vizitës në urgjencën polivalente pas rikthimit të saj në punë. Foto: Facebook.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu u shfaq e buzëqeshur të hënën në një photo- op në korridoret e urgjencës polivalente në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë – thuajse katër muaj pasi godina u përfshi nga flakët dhe shërbimi u ndërpre për mijëra pacientë.
Vizita e saj lidhej me rihapjen e dyerve të urgjencës, e paralajmëruar pak ditë më parë përmes kronikave të parapërgatitura televizive.
“Urgjenca e QSNUT është në funksion të plotë dhe në shërbim të qytetarëve, duke ofruar kujdes cilësor dhe të shpejtë për të gjithë ata që kanë nevojë,” shkroi më pas Koçiu në Facebook.
Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë dështoi të përmendte faktin se rikthimi në punë i urgjencës solli kosto shëndetësore për pacientët dhe shpenzime shtesë për taksapaguesit.
Spitali qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u ndërtua përmes një kredie të bankës së Këshillit të Europës – CEB dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë kushtoi 17.8 milionë euro në total.
Ndërtimi i spitalit zgjati mbi katër vjet dhe reparti i urgjencës i hapi dyert për pacientët në prill 2023. Por nëntë muaj më vonë u mbyll sërish për shkak të një zjarri të rënë në një kabinë elektrike në katin e nëndheshëm, duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave. Shkaqet e zjarrit janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUNT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese.
Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUNT kontraktoi pa garë një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha në një përgjigje me shkrim se godina ishte marrë “në dorëzim të pjesshëm të përkohshëm” nga një grup pune i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të QSUNT, për t’iu nënshtruar më pas periudhës së garancisë.
“Godina nuk është marrë në dorëzim përfundimtar,” shtoi QSUNT.
Praktika e ndjekur nga QSUNT me marrjen në dorëzim të spitalit shihet me dyshim nga ekspertët e financave publike.
“Në termonologjinë juridiko- ekonomike nuk ekziston marrje në dorëzim të pjesshëm, marrja në dorëzim është konform kontratës,” tha Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Kërkime Ekonomike.
“Bëhet fjalë për një mal me para, ndaj edhe institucionet po përpiqen që të lajnë duart nga përgjegjësia,” shtoi ai.
Kosto shtesë
Spitali qendror i QSUNT, i njohur edhe si godina A2, strehon një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polivalente. Urgjenca është parashikuar të presë mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 prej të cilëve me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike.
Ndërtimi iu besua kompanisë italiane INSO dhe kontrata u firmos në maj të vitit 2018. Fondet u siguruan nga kredia e bankës së Këshillit të Europës (CEB), sipas kontratës lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë.
Kompania INSO është një partnere e hershme e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e strukturave spitalore, e cila operon në Shqipëri përmes degës së saj Finso Albania.
Punimet nisën në dhjetor 2018 dhe sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë në Facebook, në themelet e godinës 6-katëshe u ther si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën 4.5 vite dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit.
Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet e koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë.
QSUNT nuk vuri në dispozicion kontratën me kompaninë ndërtuese dhe as ndonjë inventar të detajuar dëmesh, me pretendimin se çështja ishte në hetim penal dhe QSUNT nuk mund të shprehej pa përfunduar hetimi.
Por të dhënat e siguruara në Agjencinë e Prokurimeve Publike tregojnë se emergjenca e krijuar e shtyu QSUNT të jepte para të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Tenderi me vlerë 27.7 milionë lekë u zhvillua përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës – një procedurë që kufizon konkurrencën mes kompanive.
Tenderi u fitua nga kompania Agi Kons, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e kontraktuar nga INSO.
Eksperti Zef Preçi vlerëson se dhënia e parave shtesë nga Qendra Spitalore Universitare në kohën që godina ishte ende brenda afatit të garancisë është e pajustifikuar.
“Edhe pasi merret në dorëzim një objekt, për një periudhë kohore e ka nën mirëmbajtje dhe nën monitorim firma ndërtuese,” tha ai.
Inso, një kompani italiane e njohur në ndërtimin e strukturave spitalore, po ashtu ka marrë përsipër ndërhyrje të tjera të rëndësishme në QSUNT.
Në vitin 2017, kjo kompani nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së mjekësisë së përgjithshme të njohur si godina A1. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe shërbeu për disa vite edhe për pritjen e urgjencave. Mirëpo prej më shumë se një viti, kjo godinë i është nënshtruar sërish rikonstruksionit me një fond shtesë prej 2.8 milionë eurosh.
Në katin përdhe që aktualisht po rikonstruktohet, ishte planifikuar të strehohej shërbimi i toksikologjisë, por mjekët thanë se ata kishin refuzuar hapjen e tij, për shkak se dhomat e pacientëve nuk plotësonin standardet.
“Nuk pranuam pasi dhomat ishin ndërtuar për një qëllim tjetër dhe nuk na përshtateshin. Më mirë rrimë tek urgjenca e vjetër se sa aty,” tha njëri prej mjekëve të shërbimit të toksikologjisë.
“Tani po bëhet shumë bukur, ashtu siç janë edhe nevojat e një shërbimi unik siç është toksikologjia,” shtoi ai.
E kontaktuar përmes emailit, kompania Finso Albania nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dëme kolaterale
Ndërsa dëmet financiare të shkaktuara nga zjarri në katin e nëndhëshëm të spitalit të ri janë ende të paqarta, kostot shëndetësore për pacientët përgjatë ndërprerjes së shërbimit janë të dukshme.
Nafije Leka është një prej pacientëve që mbërriti në urgjencën e QSUNT në fund të prillit me shqetësime në zemër. Bashkëshorti i saj, Faiku tha se pas testeve të kryera, e shoqja u dërgua në Sanatorium për koronografi.
“Ishte 29 prill, atë ditë bashkëshortja kishte ditëlindjen. Kur na dërguan në Sanatorium e morëm si një shenjë të mirë,” kujton ai.
Por pas trajtimit në Sanatorium, të shoqen e kthyen sërish në QSUNT, pasi kuptuan se ajo mund të kishte nevojë për ‘bypass’.
Ilir Alimehmeti, mjek në profesion dhe anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike tha se sorollatje të tilla mund të kenë kosto të mëdha shëndetësore për pacientët.
Alimehmeti e ilustron problemin me një rast personal, kur një i afërmi i tij pati probleme shëndetësore në maj dhe pasi i telefonuan urgjencës, i orientuan në QSUNT. Por aty i pritën me këmbët e para, pasi sipas një grafiku të përcaktuar nga drejtori, trajtimi duhej bërë në spitalin e Traumës.
“Është vonesë në dhënien e ndihmës së urgjencës dhe në urgjencë, çdo minutë që të humb është problem i madh,” tha Alimehmeti. “Pacientët duhet ta kishin shërbimin e garantuar dhe pa sorrollatje, sepse çdo minutë vonesë në urgjencë mund të kushtojë jetën,” shtoi ai.
Përveç shërbimit të urgjencës, në spitalin qendror ndodhet edhe shërbimi i imazherisë dhe mjekësisë nukleare me aparatura të rëndësishme të diagnostikimit si rezonanca apo skaneri.
Rënia e zjarrit e ndërpreu punën edhe në këtë sektor dhe shërbimin për qindra pacientë. Në këtë repart në fillim të qershorit, mjekët thonë se në mungesë të pacientëve, e shpenzojnë kohën si të munden.
“Duke qenë se nuk punojnë aparaturat, nuk kemi çfarë bëjmë, shumicën e kohës rrimë. Ose shoqërojmë me ambulancë në spitalet e tjera pacientët që na vijnë,” tha njëri prej mjekëve.
Një tjetër mjek imazherist u shpreh i shqetësuar për ndërprerjen e shërbimit.
“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur, pacientët janë lënë rrugëve,” tha ai, duke mos pranuar të citohej me emër për shkak të pasojave që mund të kishte në punë.
“Këtu nuk funksionon asgjë, vetëm një angiografi është vënë në punë, ndërkohë rezonanca ka muaj që nuk punon për çështje të garancisë së mirëmbajtjes,” shtoi ai.
QSUNT refuzoi të vinte në dispozicion një inventar të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, por këmbënguli në një përgjigje me shkrim se aparaturat mjekësore ishin të sigurta.
“Aparaturat mjekësore janë jashtë funksionit si pasojë e mosfurnizimit me energji elektrike,” tha QSUNT, ndërsa shtoi se nuk kishte dëme të shkaktuara nga zjarri në pajisje mjekësore. Megjithatë, funksionimi i tyre është ende i paqartë.
Ndërsa theksoi se pajisjet kishin qenë funksionale përpara ndërprerjes së energjisë, QSUNT shtoi se “aparaturat do të testohen për funksionimin e tyre sapo të lidhet energjia”.
Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga NED- National Endowement for Democracy.