denonco@transparency.com.al

shendeti mendor

Sistemi shqiptar i trajtimit të shëndetit mendor vuan nga probleme kronike

Numri i vogël i mjekëve, mungesa e qendrave alternative dhe kapacitetet e pamjaftueshme pengojnë trajtimin e duhur për personat që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor në Shqipëri, ndërsa e gjithë barra u mbetet familjarëve.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë çdo ditë shtrohen dhe dalin nga spitali me qindra pacientë, por ndryshe ndodh në një qendër të veçuar brenda rrethimit, ku 18 burra qëndrojnë aty prej më shumë se një dekade.

Qendra përbëhet nga dy godina të lyera me ngjyrë të kuqe dhe me grilat e mbyllura plotësisht dhe funksionon si një institucion i vetëm – edhe pse Ministria e Shëndetësisë i konsideron ato si dy shtëpi mbështetëse rezidenciale për të sëmurët kronikë të shëndetit mendor në Tiranë.

Banorët e shtëpisë mbështetëse janë të diagnostikuar me skizofreni – një ndër sëmundjet e rënda të shëndetit mendor. Ata qarkullojnë dhe ndërveprojnë lirshëm brenda ambienteve komode, por të pamjaftueshme për të adresuar nevojat në rritje për trajtimin e pacientëve kronikë të shëndetit mendor në Tiranë. Sipas drejtuesve të qendrës, gratë dhe vajzat me probleme të ngjashme janë të detyruar që t’i adresojnë drejt qyteteve të tjera të vendit.

Me një traditë të centralizuar në trajtimin e shëndetit mendor, Shqipëria po përpiqet me vështirësi gjatë viteve të fundit që të ulë numrin e shtretërve në spitalet psikiatrike dhe të shtoje shërbime alternative si qendrat komunitare apo shtëpitë mbështetëse për pacientët e vet.

E megjithatë, qendrat e tilla janë të pakëta në numër dhe funksionojnë në kushtet e kapaciteteve të mangëta dhe mungesës së mjekëve specialistë. Një grup tjetër i pacientëve me probleme të shëndetit mendor vazhdon të përballet me diskriminim teksa mbyllet brenda burgjeve përkundër rekomandimeve të organizatave të të drejtave të njeriut dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Mjekët psikiatër i thanë BIRN se shërbimi i shëndetit mendor vazhdon të mbetet një ndër sektorët më problematikë të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

“Zvogëlimi numrit të shtretërve dhe i ditëve në spitale psikiatrike duhet të shoqërohet me ngritjen e shërbimeve komunitare, me trajnimin e mjekëve të familjes,” thotë mjeku psikiatër Neli Demi duke nënkuptuar se kjo nuk është bërë. Në këto kushte, Neli mendon se shtohet “vetëm barra e familjarëve”.

Një mjek për 100 mijë banorë

Sistemi shëndetësor në Shqipëri ka katër spitale psikiatrike të vendosura në Elbasan, Vlorë, QSUNT dhe Shkodër me 600 shtretër në total. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto spitale patën së bashku 3056 shtrime gjatë vitit 2023 me një numër mesatar ditësh qëndrimi që varion nga 14 ditë në QSUT në 31 ditë në spitalin Psikiatrik të Elbasanit.

Shërbimi i Psikiatrisë në QSUT mban peshën më të madhe të shtrimeve me gati 60% të totalit, ndonëse disponon një numër të kufizuar prej 90 shtretërish.

Anita përfundoi në Shërbimin e Psikiatrisë në QSUNT në vitin 2017 pas një çrregullimi ciklotimik, por qëndroi më shkurt nga sa e lajmëruan. Ajo i tha BIRN shtatë vjet më pas se u shtrua në spital për shkak të tendencave vetëvrasëse, por u detyrua që të dilte nga spitale përpara kohe.

“Qëndrova dy javë nga tre javë që më lajmëruan fillimisht. Për shkak të mbimbushjes së spitalit, u desh që të nxirrnin pacientët që ishin rikuperuar më së shumti dhe isha njëra ndër to. Dola pa përfunduar të gjithë ciklin e duhur të kurimit,“ tregon ajo.

Shërbimet multidisiplinare të shëndetit mendor janë gjithashtu të mbingarkuara. Ato janë të përqendruara kryesisht në qytetet ku ndodhen edhe shërbimet spitalore të psikiatrisë, duke lënë të zbuluar një pjesë të madhe të territorit të vendit.

Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se aktualisht janë ngritur 10 qendra komunitare të shëndetit mendor dhe 14 shtëpi mbështetëse, të vendosura kryesisht në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Shërbime të tilla ofrohen gjithashtu në Kavajë, Berat dhe Gramsh.

Në Poliklinikën Qendrore të Tiranës ndodhet një nga qendrat më të mëdha komunitare të shëndetit mendor dhe dera e zyrës së mjekes psikiatre, Arjana Rreli nuk pushon së rëni. Kjo qendër mbulon një popullsi prej 400 mijë banorësh dhe ka vetëm 4 mjekë psikiatër.

“Mesatarisht kryej 40 vizita në ditë. Një psikiatër për 100 mijë banorë,” thotë Rreli.

Mjekja psikiatre shtoi gjithashtu se Tirana është një qytet me problematika të rënda të shëndetit mendor dhe ka nevojë për më shumë mjekë specialistë dhe rritje të shërbimeve. Megjithatë, psikiatria nuk është një degë që preferohet nga mjekët specializantë.

“Është një degë që nuk preferohet nga specializantët për t’u marrë, edhe pse për fatin e mirë ne si mjekë- psikiatër,  jemi krahasimisht ata që ikim më pak atdheut,“ shtoi ajo.

Situata është e ngjashme edhe në qytetin e Vlorës në jug të vendit, ku në qendrën komunitare të shëndetit mendor shërben vetëm një mjek psikiatër.

Mjeku psikiatër i kësaj qendre, Stiljano Lepuri i tha BIRN se kishte bërë i vetëm 9400 vizita gjatë vitit të kaluar ose mesatarisht rreth 26 vizita në ditë.

“Mungesë kapacitete mjekësore kemi, sepse për shembull unë jam një mjek psikiatër që mbuloj të gjithë rrethin e Vlorës, imagjino çfarë ngarkese,” shtoi ai.

Edhe mjeku psikiatër, Neli Demi thekson se ulja e shtretërve në spitalet psikiatrike nuk është shoqëruar me ngritjen e shërbimeve të tjera, përfshirë edhe spitalet rajonale në trajtimin e shëndetit mendor.

“Mund të bëheshin paralelisht, të uleshin shtretërit në spitalin psikiatrikë dhe të viheshin shtretërit në spitalet rajonale, ky është dhe rekomandimi prej shumë vitesh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë,“ sugjeron Neli Demi për BIRN.

Legjislacioni shqiptar u garanton personave që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor trajtim të barabartë dhe pa diskriminim, në funksion të respektimit të integritetit fizik dhe dinjitetit njerëzor. E megjithatë, qeveritë shqiptare kanë dështuar prej dekadash që të sigurojnë një institucion mjekësor të posaçëm për personat me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer një vepër penale dhe kanë një masë të mjekimit të detyruar nga gjykata.

Pas mbylljes së burgut famëkeq të Zaharisë në vitin 2021, personat me masën e mjekimit të detyruar janë shpërndarë mes burgut të Shën Kollit të Lezhë dhe atij të Drenovës në Korçë, por situata e tyre nuk ka ndryshuar.

“Problemi i institucionit të posaçëm është një problem kronik. Nuk ka pasur kurrë një institucion të posaçëm në terma teknikë, kryesisht kanë qenë institucione si i Zaharisë, që u mbyll, ose siç pretendohet që është burgu i Shën Kollit,“ thotë Demi për BIRN.

Mungesa e një institucioni të posaçëm lëndon dyfish familjarët e personave me probleme të shëndetit mendor, të cilët përfshihen në episode të dhunës në familje apo çështje të tjera penale.

Në vitin 2020 gjatë periudhës së pandemisë, nëna e Rominës përfundoi për një vit e gjysmë në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi” në Tiranë për shkak se ushtroi dhunë ndaj familjarëve. Gruaja vuan prej 20 vitesh nga skizofrenia dhe vite më parë qëndronte me periudha të gjata në shërbimin e Psikiatrisë në QSUT.

“Me kalimin e kohës, po bëhej një luftë e madhe, sepse vetë shërbimi i Psikiatrisë në QSUNT refuzonte ta kuronte,” tregon e bija.

Romina shtoi gjithashtu se e kanë pasur të pamundur që të gjejnë një qendër rezidenciale për nënën e saj, e cila pas daljes nga burgu u rikthye në familje.

“Personat me probleme të shëndetit mendor që ushtrojnë dhunë në familje shkojnë kryesisht në burg, ndërkohë që duhet të shkojnë në qendra rezidenciale hospitalizuese, që mungojnë,“ shtoi ajo.

Episodet e përfshirjes së personave me probleme të shëndetit mendor në raste dhune në familje janë të shpeshta dhe një nga problemet kryesore me të cilat përballen strukturat e parandalimit të dhunës pranë pushtetit vendor. Mungesa e qendrave të specializuara për trajtimin e tyre rëndon gjithashtu mbi familjarët.

Ines Leskaj nga “Rrjeti Shqiptar i Fuqizimit të Grave” ngre shqetësimin se viktimat e dhunës me bazë gjinore, që vuajnë njëherazi nga probleme të shëndetit mendor nuk pranohen në strehëzat e zakonshme. Leskaj thotë se ato trajtohen si ajo shprehja e famshme “kujt t’ia lëmë topin”.

“Strehëza nuk mund ta mbajë absolutisht, pasi vë në rrezik jetën e grave të tjera. Gjoja e merr policia në dorëzim, por policia nuk ka ku ta mbajë dhe përfundon në rrugë,“ tha ajo.

Leskaj thekson se edhe qendrat komunitare të shëndetit mendor nuk ofrojnë zgjidhje afatgjata dhe të denja për sigurinë dhe cilësinë e jetës së këtyre personave.

“Vazhdojmë të mbetemi në të njëjtin problem, që nuk është problem i vogël, çështja e mbështetjes me buxhetin e nevojshëm përkatës për të ndjekur në afatgjatë shërbimet riintegruese që këta persona kanë nevojë,“ përfundoi ajo.

Burimi: Reporter.al

Read more

Kujdesi shëndetësor i grave duhet të promovojë këshillimin dhe mbështetjen psikosociale, jo vetëm përshkrimin e barnave

Shqipërisë nuk duket se i mungojnë rregulloret dhe politikat e mira legjislative për shëndetin mendor dhe barazinë gjinore. Megjithatë, shumicës së dokumenteve të politikave që orientojnë ndërhyrjet e shëndetit mendor, u mungojnë perspektiva specifike gjinore të çështjeve mendore të burrave dhe grave, si dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore. Strategjitë efektive për parandalimin e çrregullimeve mendore dhe reduktimin e faktorëve të rrezikut të tyre nuk mund të jenë neutrale nga pikëpamja gjinore, ndërsa vetë rreziqet janë specifike për gjinitë. Gjithashtu, duhet të zhvillohen politika, shërbime dhe ndërhyrje terapeutike me pjesëmarrjen e grave që kanë përvojë për shëndetin mendor të dobët. Prandaj rekomandohet një aksion ndërdisiplinor për të pasur politika që mbrojnë dhe promovojnë autonominë dhe shëndetin mendor të grave. Si fillim, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të ndërmarrë hapa për të zhvilluar dhe integruar treguesit përkatës gjinorë në sistemet ekzistuese kombëtare të informacionit shëndetësor dhe për të gjetur mekanizma për monitorimin e specifikave gjinore në sistemin shëndetësor.

Aktorët kryesorë të interesit në sistemin e shërbimit të shëndetit mendor në Shqipëri janë renditur më poshtë:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS)
  2. Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor (KKSHM)
  3. Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimit Shëndetësor (DQOSHSH)
  4. Qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor (QSHPK)
  5. Funksionet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP)
  6. Universiteti i Mjekësisë Tiranë (UMT)
  7. Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore dhe Sociale (ASCSHSH)
  8. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH)
  9. Pushteti Vendor (PV)

Ofruesit e shëndetit, që nga politikëbërësit tek profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të dinë se shëndeti mendor mund të ketë karakteristika të ndryshme tek burrat dhe gratë. Për shkak të dallimeve sociale/gjinore dhe biologjike/gjinore, grate dhe burrat përballen me rreziqe të ndryshme shëndetësore, përjetojnë përgjigje të ndryshme nga sistemet shëndetësore, sjelljet e tyre që kërkojnë shërbime për shëndetin po ashtu ndryshojnë, po ashtu dhe rezultatet shëndetësore ndryshojnë. Të dhënat e përdorimit të shërbimeve mund të kenë implikime të rëndësishme për politikat shëndetësore dhe organizimin e shërbimeve. Megjithatë, ato thjesht tregojnë shtrirjen e kujdesit shëndetësor, jo nevojën për kujdes. Prandaj, mjekët klinicistë, veçanërisht ata që ushtrojnë kujdesin parësor, duhet të shkojnë përtej praktikës strikte klinike dhe të bashkëpunojnë me shëndetin publik ose me epidemiologët që punojnë në Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ose Institutin e Shëndetit Publik. Hulumtimi sistematik dhe analizat e të dhënave do të ofrojnë njohuri më të thella për të kuptuar nevojat specifike të shëndetit mendor në baza gjinore. Për shembull, cila gjini, ose cili grup demografik brenda secilës gjini, ka rrezik më të madh për të përjetuar shqetësime psikologjike dhe sëmundje mendore.

Përdorimi i qendrave komunitare të shëndetit mendor (QKSHM) – Shërbimi i QKMSH ka marrë së fundmi shumicën e rasteve të trajtuara në sistemin shëndetësor. Sipas të dhënave të raportuara nga ofruesit e shërbimeve, gjatë vitit 2021 janë bërë gati 80,000 vizita në të gjitha qendrat komunitare të shëndetit mendor, nga të cilat 18% kanë qenë vizita në shtëpi. Të dhënat nuk ndahen sipas gjinisë dhe është e vështirë të bëhen analiza sasiore të fokusuara në baza gjinore.

Mjekët dhe psikologët në QSHP duhet të përfshijnë në mënyrë rutinore në procesin e ekzaminimit të klientit çështje të tilla si dhuna në familje, imazhi i trupit dhe shëndeti riprodhues, si dhe të ofrojnë këshillime për traumat e mundshme. Ata duhet të zhvillojnë qasje bashkëpunuese ose vendimmarrje të përbashkët me pacientet gra, duke përfshirë dhënien e ilaçeve dhe këshillimin për mbrojtjen sociale.

Kujdesi tradicional për nënën në sistemin shëndetësor shqiptar duhet të adoptohet për të përballuar sfidat e shëndetit mendor të shekullit të ri. “Qendrat e grave” priren të fokusohen në funksionet e tyre riprodhuese dhe kujdesin ndaj nënës, duke neglizhuar nevojat e grave jashtë riprodhimit dhe moshave riprodhuese. Ashtu si parandalimi i kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës, shëndeti mendor i grave duhet të jetë një fushë tjetër prioritare për qendrat e grave në zonat urbane, si dhe për kujdesin shëndetësor parësor në tërësi në zonat rurale. Kujdesi shëndetësor i grave duhet të promovojë këshillimin dhe mbështetjen psikosociale për të përballuar më mirë vështirësitë e jetës dhe jo vetëm përshkrimin e barnave.

Shëndeti Publik Parësor (SHPP) shqiptar po shkon në drejtimin e kujdesit të integruar social dhe shëndetësor që do të lehtësonte vazhdimësinë e kujdesit dhe vendosjen e pacientit në qendër të shërbimeve. Trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mjekëve dhe punonjësve socialë për të identifikuar dhe trajtuar çrregullimet mendore në shërbimet e SHPP, duhet të integrojë një analizë gjinore. Gjithashtu, trajnimet duhet të rrisin ndërgjegjësimin për faktorët specifikë të rrezikut si dhuna me bazë gjinore. Për më tepër, ofrimi i kujdesit të bazuar në komunitet për çrregullimet kronike mendore duhet të marrë parasysh nevojat specifike të grave dhe burrave dhe që barra e kujdesit familjar të mos bjerë në mënyrë disproporcionale mbi gratë. Gjithashtu, dhuna dhe abuzimi me hapësirat e sigurta për gratë duhet të jenë prioritet për çdo reformë, e cila integron kujdesin shëndetësor me mbrojtjen sociale.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit “Gratë dhe shëndeti mendor në Shqipëri – Politikat e shëndetit publik dhe qasja e tyre gjinore ndaj shëndetit mendor” zhvilluar nga shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit “Nuk mund ta avancojmë shëndetin pa avancimin e të drejtave”, mbështetur nga Ambasada Franceze në Tiranë.

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Grate-dhe-shendeti-mendor-ne-Shqiperi.pdf

Read more
sqAlbanian