Barra e sëmundjeve ka qenë më e lartë vitin e kaluar, teksa të dhënat zyrtare tregojnë për zgjerim të sëmundjeve kronike dhe shtrimeve në spitale.

Të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se për vitin 2023, numri total i shtrimeve për të gjithë spitalet e kontraktuara ishte 307,808 pacientë, 29,927 pacientë ose 10% më shumë se në vitin 2022.

Nga ky numër, në Spitalet Universitare janë shtruar 169,608 pacientë, në Spitalet Rajonale janë shtruar 110,506 pacientë dhe në ato bashkiake janë shtruar 27,694 pacientë.

Nga totali i shtrimeve në spitalet publike dhe ato private me të cilat shteti ka kontratë për disa shërbime, Qendra Spitalore “Nënë Tereza” përballoi 40% të fluksit.

Me numrin më të lartë të shtrimeve në Spitalet Rajonale rezulton Spitali Rajonal Vlorë i ndjekur nga Spitali Rajonal Shkodër dhe Spitali Rajonal Durrës.

Për vitin 2023, në Spitalet Rajonale nga 112,233 e shtrimeve në total, 90,156 shtrime janë nga urgjenca, që zënë 80.3 % të totalit. Edhe në vitet e shkuara përqindja e shtrimeve urgjent ka rezultuar tepër e lartë.

Për vitin 2023 në total 54,8 % e shtrimeve janë nëpërmjet shërbimit të urgjencës. Në Spitalet Universitare për vitin 2023 shtrimet urgjente zënë 32,7 % të shtrimeve.

Shfrytëzimi i shtratit si një indikator tepër i rëndësishëm i efiçiencës spitalore paraqitet i lartë në qendrat universitare. Në Spitalet Universitare, mesatarja e shfrytëzimit të shtratit është 79.3% dhe në Spitalet Rajonale mesatarja e shfrytëzimit të shtratit është 34.5%.

Në nivele më të larta për shfrytëzimin e shtratit për vitin 2023 paraqitet Spitali Memorial Fier, Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Dibër, në vlera më të ulura paraqitet Spitali Fier, Berat, Shkodër dhe Korçë.

Qendra spitalore Nënë Tereza (QSUT) përballon mbi 40% të shërbimit spitalor në rang kombëtar po merr vetëm 23% të fondit për spitalet.

QSUT do të financohet me 7.8 miliardë lekë, shumë kjo sa 23 për qind e fondit prej rreth 33 miliardë lekësh që do të ndahet me 2024 për spitalet.

Por nga ana tjetër QSUT përballon gati gjysmën e volumit të punës që ofrojnë spitalet tona publike në rang vendi./Monitor

Shtohet sëmundshmëria në vend, shtrimet në spitale u rritën me 10% – Revista Monitor