denonco@transparency.com.al

sistemi shendetesor

Raport i OECD-së, Bardhi: Reflektim i buxhetit të ulët në sektorin e shëndetësisë

TFL prej 15 vitesh ka ngritur zërin, ka raportuar për buxhetin e pamjaftueshëm dhe të ulët në sektorin e shëndetësisë.

Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëtat në rajon dhe Europë.

Një raport i OECD-së që bazohet në të dhënat e vitit 2022, e rendit vendin tonë të fundit me një nivel shpenzimesh shëndetësore 734 Euro për frymë.

Për eksperten e çështjeve të shëndetësisë, Eglantina Bardhi, kjo situatë është reflektim i një buxheti të ulët në këtë sektor.

Eglantina Bardhi: Ne prej 15 vitesh kemi ngritur zërin, kemi raportuar një buxhet të pamjaftueshëm dhe të ulët per sektorin e shëndetësisë. Ne kemi një buxhet më pak se 3% të GDP-së.

Keqfinancimi i sektorit të shëndetësisë për Bardhin sjell pasoja të drejtpërdrejta tek pacientët.

Eglantina Bardhi: Ka pamjaftueshmëri fondesh per t’u trajtuar sipas protokolleve. Pacientët janë të detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre për të patur shërbime më cilësore.

Që shërbimi ndaj qytetarëve të përmirësohet, kërkohet të paktën dyfishim i buxhetit.

Eglantina Bardhi: Që të plotësohet një paketë bazë, duhet të jetë dy herë më shumë, tre.

Për vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë së bashku me atë të mbrojtjes sociale është rritur me 5% duke shkuar në 103 miliardë e 375 milionë Lekësh, 12.57% e buxhetit ose 3.94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Read more

OECD konfirmon: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në rajon dhe Europë

TFL prej vitesh ka denoncuar përmes raporteve mungesën e fondeve të mjaftueshme për Shëndetësinë

OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë

Në vitin 2022 shteti Shteti Shqiptar Buxhetoi dhe Shpenzoi vetëm 734 euro për banorë (për frymë). Niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.

Fatkeqësisht gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.

OECD: Të fundit edhe në rajon

Në të njëjtin raport, OECD raporton se:

Mali i Zi shpenzon 217% më shumë se Shqipëria, ose 1.593 euro për frymë në vit.

Serbia shpenzon 207% më shumë se Shqipëria, ose 1.517 euro për frymë në vit.

Maqedonia e Veriut shpenzon 56% më shumë se Shqipëria, ose 1.142 euro për frymë në vit.

Bosnjë-Hercegovina shpenzon 46% më shumë se Shqipëria, ose 1.072 euro për frymë në vit.

Turqia shpenzon 36% më shumë se Shqipëria, ose 1.000 euro për frymë në vit.

Po ta krahasojmë me mesataren e Bashkimit Europian, ajo është 481% më shumë se në Shqipëri, ose 3.533 euro për frymë në vit.

Të dhënat e raportit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, publikuar nga Together  for Life

Fakt i evidentuar edhe në Raportin e Monitorimit të shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023, realizuar nga shoqata Together For Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, mbështetur nga NED– National Endowement for Democracy.

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar kjo me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.

Nëse do të analizojmë vetëm sektorin e shëndetësisë, shpenzimet në përqindje ndaj PBB në vite luhaten në intervalin 2.9%-3.4%, me një mesatare prej 3.1% të PBB. Ndërkohë, shpenzimet e shëndetësisë ndaj shpenzimeve të përgjithshme publike përgjatë periudhës 2017-2022 rezultojnë në masën 10.1%. Në këtë mesatare është përjashtuar viti 2021, i cili rezulton me shpenzime të larta (one off) për shkak të menaxhimit të situatës pandemike të shkaktuar në vend nga virusi SARS COV 2.

Shpenzimet faktike në vite sipas programeve kryesore buxhetore të MSHMS paraqiten në grafikun e mëposhtëm. Ajo që vihet re është trendi në rënie i shpenzimeve për kujdesin parësor, kombinuar me trendin në rritje të shpenzimeve për shëndetin publik dhe atë dytësor. Sa i përket shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, konstatohet që ruhet një trend normal përgjatë kësaj kohe, me mesatarisht 38.1% të buxhetit total të MSHMS.

Krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat me mesatarisht 10.1% përgjatë periudhës 2016-2021, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Mali i Zi. 

Ndërkohë, referuar treguesit tjetër të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me produktin e brendshëm bruto (GDP), Shqipëria vijon të mbetet e fundit në rajon me një nivel mesatar prej rreth 3% ndaj PBB. Vendet e tjera të rajonit kanë një nivel të lartë të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me PBB duke arritur në nivel mbi 5.5% e PBB.

Vërejmë se pavarësisht rritjes së buxhetit në vlerë nominale në vite, shëndetësia në Shqipëri vijon të mbetet prapa krahasuar edhe me rajonin, gjë që dëshmohet nga pesha e vogël që kanë shpenzimet e shëndetësisë në shpenzimet e përgjithshme publike dhe në Produktin e Brendshëm Bruto.

Në këto kushte qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë shuma të larta nga të ardhurat e tyre vetjake për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore jashtë mbulimit që ofrojnë skemat shëndetësore dhe slloganeve të shëndetësisë falas.

Ky publikim u realizua në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjegjshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” (SPACE) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Read more

OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë

Në vitin 2022 Shqipëria kishte shpenzimet shëndetësore për frymë (publike+private), prej vetëm 734 euro. Ky ishte niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.

Shpenzimet për frymë për shëndetësinë në Shqipëri janë gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.

Në rajon, shpenzimet më të larta për shëndetësinë i ka Mali i Zi, dy herë mëshumë se tek ne 1593 euro), e ndjekur nga Serbia 1517, Maqedonia e Veriut1142 euro), Bosnjë-Hercegovina 1072. Edhe nëse bëhen llogaritjet mepopullsinë e fundit të CENs prej 2.42 milionë banorë, sërish shpenzimet përfrymë mbeten më të ulëtat në Europë, teksa nuk i kalojnë 820 euro, ose 4.3herë më pak se në Europë.

Të dhënat tregojnë se Zvicra kryeson Europën për nivelin e lartë të shpenzimeve shëndetësore për frymë me 5630 euro në vit, e ndjekur nga Norvegjia me 5.376 euro.

Midis vendeve të BE-së, shpenzimet shëndetësore  për frymë ishin të larta edhe në Gjermani me 5.317 euro frymë ose 50% mbi mesataren e BE-së. Shpenzimet shëndetësore  në Austri dhe Holandë ishin gjithashtu të paktën  25% më të larta se mesatarja e BE-së.

Në anën tjetër brenda BE, shpenzimet shëndetësore për frymë ishin më tëulëtat në Hungari, Kroaci, Bullgari dhe Rumani, me më pak se 1900 euro për person. Po në disa vende jashtë BE-së, shpenzimet shëndetësore ishin shumë më pak.

Për shembull, Turqia shpenzoi vetëm rreth 1000 euro për  frymë, ndërsa në Shqipëri kjo shifër ishte më pak se 800 euro. Gjithashtu shqiptarët janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore, sipas anketës së fundit të “Security Metër”, të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit ngaKëshilli i Bashkëpunimit Rajonal RCC.

Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar, pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonisë së Veriut 16%, Malit të Zi 20% dhe Serbisë, 20%.

OECD vë re se shpenzimet shëndetësore në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore ishin mbi pesë herë më të larta se në disa vende në Evropën Qëndrore, Lindore ose Jugore.

Në periudhën e rritjes së ngadaltë pas krizës financiare globale në 2008/09, rritja vjetore e shpenzimeve shëndetësore për frymë arriti në 3.4% mesatarisht në vendet e BE-së midis 2015 dhe 2019. Me fillimin e pandemisë COVID19 në fillim të vitit 2020, qeveritë akorduan burime të paprecedentë financiare për sektorin e shëndetësisë për të luftuar COVID19 dhe për të trajtuar pasojat.

Rritja mesatare e shpenzimeve shëndetësore arriti gati 6% në terma realë në vitin 2020 dhe u përshpejtua në 9.6% në 2021 në vendet e BE-së për të zhvilluar opsionet e trajtimit të pandemisë.

Mirëpo pas luftës në Ukrainë që nxiti krizën e energjisë dhe rritjen e kostove të jetesës, financimet për shëndetësinë u dobësuan.

Si rezultat, shpenzimet shëndetësore për frymë ranë ndjeshëm në vitin 2022 në të gjithë BE-në. Vlerësimet paraprake për vitin 2023 tregojnë për një tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve shëndetësore në rreth gjysmën e vendeve të BE-së. Trajektorja e shpenzimeve të sistemeve shëndetësore po kthehet në nivelet para pandemisë./Monitor

Read more

Shërbimi shëndetësor, shqiptarët më të shqetësuarit, nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet

Shqiptaret janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore sipas anketës së fundit të “Security Metër” të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Të dhënat tregojnë se 24% e shqiptarëve janë shumë të shqetësuar, pasi nuk arrijnë të përballojnë financiarisht kujdesin shëndetësor rutinë dhe mjekimet e nevojshme. Ky shqetësim është më i ulët në Bosnje (16%), Kosovë (9%), Maqedoninë e Veriut (16%), Mal të Zi (20%) dhe Serbi (20%). Në përgjithësi, më shumë se gjysma e qytetarëve në Rajon (53%) ndihen të pasigurt financiarisht përballë shpenzimeve shëndetësore.

Shqetësimet e larta tek shqiptarët lidhen kryesisht me të ardhurat e ulëta dhe mungesën e mbështetjes nga shteti për rimbursimin e medikamenteve. Pacientët me sëmundje kronike dhe të rralla detyrohen të paguajnë nga xhepi për terapitë e tyre, pasi shumë prej tyre nuk përfshihen në listat e rimbursimit.

Ndërkohë që nevojat për shërbime spitalore rriten si pasojë e plakjes së popullsisë dhe shtimit të rasteve me sëmundje kronike, buxheti për shëndetësinë po tkurret. Në dhjetor 2024, fondi i Ministrisë së Shëndetësisë u shkurtua me 2.3 miliardë lekë (3%), duke e çuar totalin e shpenzimeve për shëndetësinë në 75.9 miliardë lekë, nga 77.9 miliardë lekë të miratuara më herët.

Rritja e buxhetit për shëndetësinë është më e ngadaltë krahasuar me rritjen e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2025, buxheti i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 822 miliardë lekë (8.2 miliardë euro), ndërsa fondi për Ministrinë e Shëndetësisë do të jetë 80.7 miliardë lekë, që përfaqëson vetëm 9.8% të shpenzimeve të përgjithshme, krahasuar me 10.1% në vitin 2024 dhe 10.7% në vitin 2021.

Spitalet publike, për shkak të mungesës së pajisjeve të avancuara si “Pet skaneri” për diagnostikimin e sëmundjeve në fazat e hershme, nuk arrijnë të ofrojnë shërbime të specializuara. Si pasojë, shumë pacientë, sidomos ata me sëmundje të rralla dhe neoplazma, janë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit, duke gjeneruar shpenzime të larta për ekonominë dhe duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës.

Në dekadën e fundit, fondet për shëndetësinë janë shpërndarë shpesh në investime jo-eficiente, ndërkohë që rimbursimi i barnave ka mbetur i pandryshuar dhe pajisjet mjekësore të nevojshme janë të kufizuara. Ndërkohë, shumë vende të tjera të Rajonit, si Kosova, kanë investuar në pajisje moderne, duke u ofruar qytetarëve një standard më të mirë të shërbimeve shëndetësore.

Read more

Kush do të kujdeset për të moshuarit? Geriatria, specialiteti mjekësor që në Shqipëri mungon

“Politikbërësit tanë nuk kanë menduar asnjëherë se do plaken dhe do plakemi”

Ekspertët e shëndetit në vendit tonë po e vënë theksin çdo ditë e më shumë tek një specialitet mjekësor që në Shqipëri mungon dhe po bëhet i domosdoshëm.

Bëhet fjalë për Geriatrinë, specialiteti mjekësor i dedikuar ekskluzivisht për ofrimin e kujdesit me cilësi të lartë me në qendër pacientin e moshuar. Në vendin tonë , edhe pse numri i të moshuarve po vjen gjithnjë në rritje, trupa mjekësore nuk është e arsimuar për shërbime ndaj moshës së tretë, “geriatri”, një degë e infermierisë dedikuar kësaj moshe.

Bazuar në të dhënat e CENSIT 2023, Shqipëria ka 35% më shumë të moshuar se në vitin 2011 dhe mbi 667 mijë shqiptarë janë mbi 60 vjeç. Raporti i varësisë së të rinjve ka rënë, ndërsa ai i të moshuarve është rritur.

Sipas CENSIT 2023, një në pesë individë (19,7 për qind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 për qind) në CENSIN e vitit 2011, apo me Censusin 2001 që ishte 7,5 për qind. Vlerësohet se 46.0 për qind e popullsisë së moshës 65 vjeç e lart, rreth 200 mijë persona, jetojnë në zonat rurale. Madje, për shkak të migrimit të anëtarëve më të rinj të familjes, në shumë fshatra mbizotërojnë të moshuarit të cilët jetojnë vetëm.

Të moshuarit që jetojnë vetëm po shtohen çdo ditë.  Të dhënat e fundit të censusit tregojnë se 10,8% e personave të moshës së tretë jetojnë vetëm.

Sipas ekspertëve 19% e tyre kanë paaftësi të ndryshme. Me rritjen e moshës, edhe shkalla e paaftësisë rritet, nëse për grupmoshën 65-69 vjec shkalla e paaftësisë për burrat është 9% dhe 12% për gratë pas moshës 85 vjeç, shohim që shkalla  e paaftësie prek 40% e burrave dhe 47% të grave.

Rezulton se më shumë se 64 mijë persona jetojnë te vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve ose braktisjes prej tyre.

11% nuk kanë askënd që të kujdeset për ta , ndërsa 16% nuk kanë askënd që mund ti besojnë dhe flasin me të.

“Në fshatin tim të gjithë të moshuarit janë vetëm. Ma kanë numrin. U paguaj dritat, ujin dhe, nëse kanë nevojë për ilaçe, vete ua çoj. Ne jetojmë bashkë në një lagje, kemi nevojë për njëri-tjetrin, e ndihmojmë njëri-tjetrin, kur ka nevojë. E keqja është që mosha e tretë po mbetet vetëm, po braktisen. S’kanë njeri t’u sjellë as një gotë ujë” , citohet një banore në një zonë rurale në raportin “Shërbimet Shëndetësore në Banesë” , publikuar nga shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet projektit “Shëndet për të gjithë” (HAP).

Me rritjen e jetëgjatësisë numri i të moshuarve do të vijojë të rritet, e paralel dhe nevojat e tyre për kujdes socio-shëndetësor. Projeksionet e hartuara nga ekspertë na tregojnë se numri i të moshuarve nga  90.900 në 2020,  pritet të shkojë në 130.400 në 2030 dhe 161.100 në 2050.

“Nuk kemi geriartri. Nuk e di arsyen, ndoshta politikbërësit tanë nuk kanë menduar asnjëherë se do plaken dhe do plakemi dhe nuk kanë menduar asnjëherë se kjo moshë ka nevojë për shërbim të kualifikuar posaçërisht për këtë gjë”, shprehet Nevruz Caushaj , kardiolog, në ciklin televiziv “SHPOPULLIMI”.

Mjeku i familjes që mbulon këtë grupmoshë  ofron shërbim shërbim të kufizuar,  madje në disa fshatra ka mungesë totale të tyre, ose janë të pranishëm jo më shumë se tre-katër ditë në javë. Sipas ekspertëve në të gjithë Shqipërinë rezultojnë më pak se 1000 mjekë familje.

Pas moshës 60-vjeçare kosto mjekësore e jetesës rritet shumë dhe sidomos për 70-80 vjeçarët, të cilët kanë nevojë për shërbim intensiv. Kjo rrit nevojat për mjekë dhe infermirë, sidomos në Geriartri.

  • Problemet shëndetësore

Bashkë me situatën e krijuar natyrshëm nga procesi biologjik i plakjes, të moshuarit përballen me një sërë problemesh dhe sfidash ende të paadresuara nga institucionet.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, rreth 40% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike dhe jetojnë në varfëri, duke përkeqësuar sfidat e tyre shëndetësore. Nevojat për kujdes të vazhdueshëm për të moshuarit po rriten me shpejtësi në Shqipëri, por, nga ana tjetër, duket se shqetësimi nuk ka shkuar ende në veshët e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat kanë bërë pak për adresimin e këtyre nevojave.

Kompleksiteti i sëmundjeve kronike nga të cilat vuajnë të moshuarit, si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, probleme respiratore, etj., kërkon asistencë të vazhdueshme shëndetësore. Nga të dhënat e studimit të HAP, kryer në vitin 2023 në Dibër dhe Fier me përfitues të kujdesit shëndetësor në banesë ose familjarë/ kujdestarë të tyre, rezulton se 450 pacientë raportuan gjithsej 937 probleme shëndetësore, kryesisht kronike, ku shumica e pacientëve (69.6%) raportuan se vuanin nga më shumë se një sëmundje.

Shoqata e Gerontologjisë së Shqipërisë raporton se 60 për qind e njerëzve të moshës 65 vjeç e lart kanë një ose më shumë sëmundje kronike dhe nga 30 deri në 40 për qind e medikamenteve përdoren nga kjo grupmoshë.

Read more

Sistemi shëndetësor ka nevojë për injektim parash dhe mirëmenaxhim

Humbja nga kontrantat koncensionare deri më 2021 arrin në 47,5 milionë euro, të mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri

MUNGESA E FINANCIMIT

Nënfinacimi kronik dhe planifikimi i dobët vijon të rëndojë sistemin shëndetësor në vendin tonë vitet e fundit. Koncensionet nuk kanë përmbushur qëllimin e tyre për shërbime shëndetësore cilësore në kohë dhe me kosto të ulët, ( për mbulim universal).

 “Nëse shohim investimet në infrastrukturë , për çdo 1 lekë të investuar për ndërtimin e një qendre shëndetësore, 6 lekë shkojnë për koncensione”, u shpreh, Doktor. Ilir Alimehmeti në tryezën e organizuar nga shoqata “Together for Life” ku u prezantua raporti, “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”.

Sfidat e shëndetit publik të vendit tonë janë në rritje. Ne përballemi me sfidat e vazhdueshme të gripit sezonal, shpërthimet e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina , kërcënimet e paprecedenta të pandemisë COVID-19, krizë që ka evidentuar akoma më shumë rreziqet.

Ndërkohë, shpenzimet për shëndetin publik, si pjesë e shpenzimeve totale për shëndetin, vijojnë të ulen, fakt i evidentuar edhe nga profesionistët e shëndetit.

“Sistemi jonë shëndetësor sëmundjen e ka se në rradhë të parë s’ka lek. Kjo është sëmundja. Në rradhë të parë s’ka lek. Është i nënfinancuar në një shkallë tejmase të ulët. T’i lëmë gjërat sikur funksionon gjithçka. Nuk funksionon. Shëndetësia kushton. Shëndetësisë i duhet kushtuar vëmendje financiare. Që nga financimi , më pas mirëmenaxhimi, mosabuzimi e më rradhë.

Për sa i përket strategjisë , mbulimit universal, kapilarizimit të sistemit shëndetësor, sistemi shëndetësor parësor, ka ulje. Gjetja numër 5, e raportit të TFL; financimi nga 11.4%, është në 9.1 përqind në sistemin parësor, që do të thotë heqje vëmndje nga ky sektor”, thekson Alimehmeti.

SFIDAT E SEKTORIT

Kritike për mbrojtjen e shëndetit të publikut mbetet personeli i mirëtrajnuar dhe me burime të përshtatshme.

Ilir Alimehmeti: “S’kemi menduar për geriartrinë dhe nuk njihet as si fjalë. (degë e mjekësisë që merret me trajtimin e sëmundjeve ekzistuese tek të rriturit moshuar). Numri i mjekeve të familjes është më pak se 1000, 960 rezultojnë të licensuar. Nëse nuk planifikojmë bazuar në  evidenca reale, nëse nuk krijojmë protokolle mjekimi, nuk shërojmë asnjë nga këto plagë.”

Shqetësuese për sistemin shëndetësor mbeten largimet në rradhët e bluzave të bardha, të cilat sjellin mungesa, sidomos në zonat rurale.

“Ne kemi një numër të madh të profesionistëve që janë të fokusuar në Tiranë dhe kemi një mungesë të theksuar në zonat rurale.  Këtu doja të theksoja që duhet të punojmë kryesisht në infermirë , të cilët duhet të bëjnë përshkrimin e medikamenteve. Pra duhet të ndryshojë strategjia. Duhet të shikojmë një ekip shëndetësor, ku infermieri  bën përshkrimin e medikamenteve, sidomos të sëmundjeve kronike. Ky do të ishte kujdes më i shtuar për zonat rurale dhe do të ishte një rritje e rolit të lidershipit të infermierëve në lidhje me fuqizimin e tyre në dhënien e shërbimeve shëndetësore”, theksoi gjatë fjalës së saj Blerina Duka-PRESIDENTE E URDHRIT TË INFERMIERËVE.

Edhe znj. Duka theksoi se duhet të rishikohen politikat shëndetësore në lidhje me geriatrinë, pasi jemi një popullsi  në plakje. Të moshuarit mbi 65 vjeç nga 11% ,sipas censusit të vitit 2023 rezulton se ka arritur në 20%.

Blerina Duka:“Janë katër sfida në të cilat duhet të punohet më shumë. Ne duhet të punojmë kryesisht me geriatrinë. Është një element shumë i rëndësishëm sepse jemi një popullsi në plakje. Duhet të shikojmë shumë shëndetin mendor, urgjencën dhe pediatrinë. Këto janë katër fushat që duhet të punohet kryesisht për të ndërtuar një program të specializuar për sfidat e  mëtejshme.”

Sistemi shëndetësor duhet të kthehet në prioritet të çdo qeverie, si një sistem jetik, duke hartuar dhe zbatuar politika të bazuara në analiza dhe të konsultuara me të gjithë aktorët, që kanë në fokus ofrimin e shërbimeve cilësore në kohë dhe të përballueshme, veçanërisht për grupet vulnerable.

KONTRATAT KONCENSIONARE – SHUMË PARA, PAK PËRFITIME

Vitet e fundit shoqata Together For Life ka prodhuar disa raporte të fokusuara në monitorimin e eficencës së shpenzimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Në të gjitha këto raporte është ngritur shqetësimi rreth nivelit të ulët të buxhetimit të sektorit të shëndetësisë dhe menaxhimit joefikas të fondeve të alokuara vit pas viti. Raportet janë ndalur në analizimin e koncesioneve të tipit PPP që janë aplikuar në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku është  evidentuar mungesë e theksuar transparence dhe llogaridhënieje. TFL ka qenë ndër të parat që ka ngritur që në fillim shqetësimin, më pas të bazuar edhe në gjetjet e raporteve për problematikat e krijuara nga aplikimi i këtyre koncesioneve. Raportet kanë evidentuar se kontratat PPP janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti dhe analize kosto-përfitim për buxhetin dhe marrësit e shërbimit. Po ashtu shqetësues është konsideruar fakti që kompanitë koncesionare nuk janë ‘trazuar’ nga institucionet përgjegjëse gjatë implementimit të koncesioneve dhe disa prej kompanive nuk kanë dorëzuar bilancet financiare. Aplikimi i TVSH-së në kundërshtim me ligjin dhe pagesat për shërbime të pakryera, si në rastin e Check-Up dhe Dializës, përbëjnë shkelje serioze që kanë ngarkuar buxhetin publik.

Për më tepër, korrupsioni dhe shkeljet në prokurime janë klasifikuar si raste të nivelit të lartë nga Transparency International dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet tregojnë manipulime në raportime, si në rastin e koncesionit të Sterilizimit, dhe favorizime të kompanive pa përvojë në sektor. Investimet e koncesionarëve janë minimale, duke përfaqësuar vetëm 9% të të ardhurave të tyre, ndërsa përfitimet e tyre janë të mëdha.

Mungesa e strukturave për monitorimin e kontratave dhe kanalizimi i fondeve publike në shërbime jo prioritare kanë dëmtuar financat e sektorit të shëndetësisë. PPP-të përbëjnë një barrë të rëndë për buxhetin publik, duke marrë një pjesë të madhe të fondeve që mund të ishin përdorur për shërbime prioritare dhe investime në infrastrukturë shëndetësore. Këto problematika theksojnë domosdoshmërinë për reforma të thella në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e PPP-ve në sektorin e shëndetësisë.

Një nga gjetjet e raportit “Kostoja totale e buxhetit të Shëndetësisë për mbulimin e pagesave të planifikura për kontratat koncensionre” evidenton se dëmi i pjesshëm ekonomik nga koncesionet në shëndetësi  shkaktuar deri në fund të vitit 2021 bazuar në të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nga Ministrisë së Financave arrin në rreth 5,6 miliardë lekë ose 47.5 milionë euro. Kjo shumë është sa 25% e shumës totale të akorduar gjithsej për këto koncesione deri në fund të vitit  2022 (projeksion). Shuma prej 47,5 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri.

Ky publikim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit Space. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Read more

Ndryshon buxheti, shkurtohen me 34 mln euro fondet për arsimin dhe shëndetësinë

Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorë të nënfinancuar në vendin tonë dhe nga ana tjetër  në këto kohë kur kapitali njerëzor po shteron nga emigracioni dhe plakja financimi i tyre është jetik.

 Por në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.

 Sipas tabelave të mëposhtme buxheti i Ministrisë së Shëndetësie u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%, ndërsa buxheti i Ministrisë së Arsimit u shkurtua me 1 miliardë lekë ose 2 për qind e programit total.

 Pesha e financimeve të arsimit dhe shëndetësisë në raport me buxhetin total po vjen në rënie vit pas viti. Aktualisht fondet e arsimit administrohen nga Ministria e Inovacionit e cila ka në kompetenca arsimin profesional me 3,4 miliardë lekë këtë vit dhe ministria e Arsimit me një fond 51.5 miliardë lekësh sipas ndryshimeve të fundit.

Në total fondet buxhetore për arsimin këtë vit janë 55 miliardë lekë, shumë kjo sa 7.1% e buxhetit  total. Vitin që kaloi shpenzimet  për arsimin ishin sa 9.7 % e totalit të buxhetit. Shpenzimet e arsimit në raport me të ardhurat në buxhet janë trend rënës që nga viti 2029, ku financimet në këtë zë ishin 11.4% e të ardhurave buxhetore.

Ecuri të ngjashme kane edhe shpenzimet për shëndetësinë. Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë janë programuar sipas ndryshimeve të fundit 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ.

Sipas programit aktual shpenzimet për shëndetësinë janë sa 9.8 të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2019 buxheti për shëndetësinë ishte sa 10..4% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Shkurtimi i shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë vjen në një kohë kur vendi ka rritur nevojat për financim për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike. Statistikat e shëndetit tregojnë për rritje me 5 % në vit të sëmundjeve kronike dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” vuan gjithnjë nga mungesa të terapive për sëmundjet malinje dhe ato të rralla.

Nga ana tjetër rezultatet në rënie të rezultateve arsimore sipas testit “PISA” kërkojnë rritje të vëmendjes për arsimin. Në një kohë që popullsia e vendit tkurret dhe plaket, një arsim i mirë i të rinjve sot do të bëhet shkak për të çuar ekonominë në nivel tjetër në vitet në vazhdim.

Menaxhimi i financave publike prej vitesh vuan nga një shpërndarje jo e drejtë e burimeve. Teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe buxheti i shtetit pothuajse janë dyfishuar në dekadën e fundit, Shqipëria ka aktualisht 42% të popullsisë së saj në rrezik të varfërisëniveli më i lartë në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu organizatat ndërkombëtare  e rendisin vendin tonë në top listën me nivelet alarmante të emigracionit , sidomos në moshat e reja dhe në grupet e shkolluara./ B. Hoxha- Monitor

Read more

Vdekja e 17-vjeçares, alarm për Ministrinë e Shëndetësisë. TFL: Të futet menjëherë vaksina e meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit

Një vajzë 17-vjeçare nga Durrësi humbi jetën dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si pasojë e meninigitit akut. Ky rast tragjik ka ringjallur shqetësimet për mungesën e vaksinës kundër meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke theksuar urgjencën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, ku evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Meningjiti rezulton fatal veçanërisht kur preket cipa e trurit apo gjaku, që mesa duket është edhe rasti i 17-vjeçares.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem të dobët imunitar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Për Drejtoren Ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhi: “Vaksina kundër meningokokut tashmë nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri për ruajtjen e jetës së fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Humbja e jetës së 17-vjeçares të prekur nga meningokoku duhet të shërbejë si katalizator për veprime të menjëhershme dhe përkushtim më të madh ndaj shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë tani, nëpërmjet futjes menjëherë të vaksinës së meningokokut në kalendarin e vaksinave të viti 2025 si një masë e nevojshme dhe e domosdoshme parandaluese, që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.”

Read more

Mungesa e fondeve rrezikon kujdesin shëndetësor në shtëpi për të moshuarit

Sipas një raporti të organizatës “Together for Life”, më shumë se një e treta e të moshuarve ka nevojë për kujdes shëndetësor në banesë, ndërsa ky numër pritet të rritet ndjeshëm për shkak të plakjes së popullsisë shqiptare.

Në vitin 2021, për herë të parë në Shqipëri, u pilotua një tipologji e re shërbimi në disa qendra shëndetësore në Fier dhe Dibër, i quajtur “Kujdesi Shëndetësor në Banesë” (KSHB). Ky shërbim u mundësua nga projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Me ndihmën e projektit HAP, deri më tani janë përfshirë në këtë skemë 120 qendra shëndetësore në 18 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, ndërsa periudha e pilotimit po mbyllet, organizata “Together for Life” ngre shqetësimin se Ministria e Shëndetësisë nuk ka parashikuar mjaftueshëm fonde për mbulimin e plotë të kostove të këtij shërbimi.

“Që prej vitit 2021, kur ka filluar pilotimi i shërbimit shëndetësor në banesa, dhe deri më sot, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka parashikuar asnjë fond të dedikuar për këtë shërbim, përveç mbulimit të pagave të stafit mjekësor që e ofron këtë shërbim,” thuhet në raportin e TFL-së.

“Kështu krijohet përshtypja se, deri tani, Ministria e Shëndetësisë ia ka ngarkuar barrën financiare donatorëve, konkretisht qeverisë zvicerane, nëpërmjet projektit HAP,” shton raporti.

Rreth 35% e personave mbi moshën 70 vjeç përballen me probleme të lëvizshmërisë, ndërsa kjo shifër rritet ndjeshëm për ata mbi 85 vjeç. Sëmundjet si artriti, osteoporoza, goditjet në tru dhe parkinsoni janë ndër shkaqet kryesore të palëvizshmërisë.

“Nga përllogaritjet e kryera nga programi ‘Shëndet për të Gjithë’ (HAP), vlerësohet se në Shqipëri rreth 15 mijë deri në 20 mijë pacientë të invalidizuar kanë nevojë për shërbim në banesë,” thuhet më tej në raportin e TFL.

Organizata thekson se megjithëse shërbimi shëndetësor në banesë po shtrihet në të gjithë vendin, mungesa e buxhetimit të qëndrueshëm nga Ministria e Shëndetësisë rrezikon cilësinë e shërbimit.

Kostot e transportit, mungesa e pajisjeve mjekësore dhe materialeve të nevojshme, si dhe ngarkesa e lartë e punës, janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen infermierët.

“Ngarkesa e punës për një infermier varion nga 15 deri në 100 pacientë në muaj për t’u vizituar në banesat e tyre, ndërsa shumë prej infermierëve duhet të mbulojnë vetë kostot e transportit dhe pajisjeve të nevojshme,” evidenton raporti.

Të dhënat e mbledhura nga fokus-grupet me infermierë dhe familjarë të të moshuarve tregojnë gjithashtu se pensionet e ulëta dhe varfëria i lënë të moshuarit pa mbështetje adekuate shoqërore dhe ekonomike.

“Pensionet, me gjithë rritjet e përvitshme, mbeten të ulëta dhe të pamjaftueshme për mbulimin e nevojave bazë të pensionistëve,” shkruhet në raport.

“Varfëria i bën të moshuarit të ndihen të përjashtuar nga shoqëria, gjë që rëndon më tej situatën e tyre ekonomike, sociale dhe shëndetësore, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm dhe nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga familjarët,” theksojnë autorët e raportit.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se, përveç pamundësisë fizike, shumë të moshuar nuk mund të përballojnë financiarisht udhëtimet deri te qendrat shëndetësore.

“Sipas të dhënave të HAP, vetëm 8.9% e pacientëve të invalidizuar raportuan se mund të vizitonin qendrat shëndetësore pa ndihmë,” përfundon raporti./reporter.al

Read more

Sondazhi i KLSH: 63% e qytetarëve blenë ilaçe kontrabandë

Rreth 63 përqind e qytetarëve të anketuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë pranuar se kanë blerë ilaçe pa pullë fiskale. “Ky rezultat tregon për shitjen e barnave kontrabandë në vend”, thonë audituesit shtetëror në një Raport Auditi Performance për “Efektin dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.

Raporti është publikuar së fundmi dhe, megjithëse nuk e përmend konkretisht, të dhënat e anketimit mbi përhapjen e barnave pa pullë fiskale, ngarkojnë me përgjegjësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli që prej shtatorit 2020.

Të dhënat e kronikës policore tregojnë se janë kryer herë pas here operacione për kontrabandën e ilaçeve, përfshirë edhe një hetim të zhvilluar pak muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës.

Megjithatë, goditjet e strukturave ligjzbatuese janë tërësisht anemike, ndërkohë që rastet e zbuluara dhe të referuara për kontrabandën e barnave nga Doganat janë thuajse sa gishtat e njërës dorë.

Besimi i ulët tek cilësia e barnave

Sondazhi i KLSH-së jep edhe të dhëna të tjera problematike mbi cilësinë dhe shpërndarjen e medikamenteve në Shqipëri.

Shumica absolute e të anketuarve, rreth 98% tyre, zgjedhin barna të importuar nga jashtë, në krahasim me 2% të tyre që zgjedhin barna, të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë.

Lidhur me blerjen e barnave jashtë vendit, “vetëm 9% e tyre shprehet se nuk janë detyruar ndonjëherë të blejnë barna jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër shprehen se iu është dashur të blejnë barna jashtë vendit për shkak se nuk kanë besim tek barnat që tregtohen në RSH, nuk është gjetur në farmacitë e vendit si dhe është sugjeruar nga mjeku i familjes”, thuhet në sondazhin e KLSH-së.

Po ashtu, 45% e qytetarëve shprehen se janë detyruar të shtyjnë kurën për shkak se kanë pritur t’ju sjellë ndonjë i afërm ilaçe nga jashtë vendit.

Sipas perceptimit të qytetarëve 34% e tyre mendojnë se barnat e përdorur kanë qenë pjesërisht efektiv dhe 8% e tyre mendojë se barnat nuk kanë qenë aspak efektive.

Mungesë transparence për ilaçet e refuzuara

Gjatë procedurës audituese, KLSHA ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) “nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale, për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu”.

Gjithashtu, rezulton se AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe, si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mungesa e transparencës me qytetarët dhe mos marrja e masave në kohë reale për njoftimet e rëndësishme të institucioneve homologe mbi barnat e konsideruara të dëmshme dëshmojnë për papërgjegjshmëri në përmbushjen me eficiencë dhe efektivitet të detyrave funksionale”./boldnews.al

Read more
sqAlbanian