Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”. Projekti synon promovimin e përgjegjshmërisë dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh çështjet prioritare më të lakuara në ditët e sotme lidhur me shëndetësinë siç janë pakënaqësia në rritje e qytetarëve përkundrejt shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore publike, pagesat e larta nga xhepi që paguajnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore kundrejt atyre që mbulohen nga qeveria, financimi i ulët për sektorin, shkeljet gjatë kryerjes së kontratave me një barrë të madhe financiare për buxhetin, etj.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të raportuar dhe nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 2 artikuj investigativë:

(2) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, me fondet publike, pa-ndëshkueshmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit në fushën e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por gjithashtu inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Tenderat në shëndetësi: Përputhja me ligjin, transparenca dhe abuzimet;
  • Transparenca e shpenzimeve për shëndetësinë (ndërtimin e spitaleve të reja; financimi i shërbimeve të reja; financimi për barnat; kompanitë përfituese – favorite për përfitimin nga tenderat, etj.);
  • Shpenzimet për koncesionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli t’i referohet ecurisë së koncensionit/eve të vitit buxhetor 2023);
  • Niveli i shpenzimeve nga xhepi si përqindje e shpenzimeve totale të pacientëve për shëndetësinë, në Shqipëri.

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

(2) gazetarët e përzgjedhur do të kenë një mbështetje financiare prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve ju kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit, të dërgojnë edhe një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email, në: info@togetherforlife.org.al

Afati për dorëzimin e aplikimeve do të shtyhet deri më: 22 Mars 2024