Shoqata “Together for Life” shpreh shqetësim mbi raportin e monitorimit “Qytetarët të parët: Bashkë për një qeverisje vendore transparente!”, i cili zbulon një rënie të vazhdueshme në menaxhimin financiar, llogaridhënien dhe ofrimin e shërbimeve të pushtetit vendor.
Raporti i Monitorimit analizon shpenzimet e kryera (faktike) nga Bashkia Kukës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 (Janar – Qershor), sipas zërave të shpenzimeve dhe produkteve/projekteve të investimeve publike krahasuar me planifikimin fillestar të buxhetit të miratuar nga Këshilli Bashkiak për vitin 2024 dhe shqyrton arritjet e Bashkisë Kukës në drejtim të realizimit të objektivave të përcaktuara në buxhetin 2024, nën lupën e transparencës dhe llogaridhënies së këtyre rezultateve ndaj të gjitha palëve të interesuara, në mënyrë të veçantë ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre
Bashkia Kukës renditet ndër Bashkitë me rënien më të madhe të ardhurave krahas bashkisë Belsh, Skrapar dhe Memaliaj (mbi 20% rënie), referuar Raportit 2023 Financat Publike Vendore publikuar nga Ministria e Financave.
9 bashki nga totali kanë patur një rënie të shpenzimeve në vitin 2023 në raport me shpenzimet e realizuara në vitin 2022.
Ndër bashkitë me rënien më të madhe të shpenzimeve janë renditur bashkitë Kukës, Roskovec dhe Konispol, me rënie 10 -11% në krahasim me një vit më parë. Në këtë raport, si dhe në dokumentat buxhetor të Bashkisë Kukës mungojnë analizat mbi shkaqet e kësaj performance dhe masat e marra për përmirësimin e saj.
Buxheti total i Bashkisë Kukës rezulton i planifikuar në masën 1.612 miliardë lekë dhe parashikohet të shpenzohet kryesisht për:
- pagesat sociale si strehimi social, ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë në masën
- 22%;
- (për shërbimet komunitare në masën 17%;
- dhe për shpenzime administrative të bashkisë në masën 16%.
Referuar natyrës së shpenzimeve buxheti i Bashkisë Kukës planifikohet të shpenzohet si vijon:
- 56% për shpenzime operative, mirëmbajtje, pagesa sociale dhe shërbime të ndryshme;
- 34% për paga dhe sigurime shoqërore për administratën e bashkisë dhe njësive administrative;
- dhe vetëm 10% e këtij buxheti i dedikohet investimeve publike të nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.
Pavarësisht se objektivat e vendosur në dokumentin buxhetor afatmesëm rezultojnë të formuluar mirë dhe adresojnë nevojat dhe problematikat e bashkisë Kukës, është e vështirë të gjesh më tej në dokumentin buxhetor afatmesëm produkte konkrete për çdo program buxhetor dhe tregues performance të matshëm për të vlerësuar se si këto objektiva do të arrihen përmes buxhetit të planifikuar për vitin 2024. Cilësia e planifikimit buxhetor afatmesëm të Bashkisë Kukës rezulton e dobët dhe jo në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore të fushës së menaxhimit të sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
Kjo cilësi e dobët përkthehet në mungesë informacioni dhe transparance për qytetarët e Bashkisë Kukës mbi eficiencën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve publike në drejtim të adresimit të nevojave dhe prioriteteve të zonës. Informacioni i disponueshëm për çdo program buxhetor është i mbështetur në shpenzime dhe shumë pak në produkte. Dhe, në rastet kur është bërë përpjekje për të identifikuar produkte, ato në realitet përfaqësojnë shpenzime sipas natyrës ekonomike dhe jo rezultate konkrete të pritshme.
Në raport theksohet se ”informacioni zyrtar i publikuar nga Bashkia Kukës për pjesën e planifikimit, zbatimit dhe monitorimit të buxhetit për vitin 2024 rezulton i kufizuar, me cilësi të dobët dhe analiza bazike financiare. Raportet e publikuara të lidhura me Planifikimin Buxhetor Afatmesëm, Buxhetin dhe Monitorimin 4-mujor të tij rezultojnë ushtrime teorike e pa përmbajtje thelbësore, duke ndikuar në nivelin e transparencës në tërësi sa i përket procesit të buxhetimit të ndjekur nga Bashkia Kukës në të gjitha hallkat e tij.”
Sipas raportit, të ardhurat e Bashkisë Kukës rezultojnë të kufizuara me mesatarisht 9%, ndaj totalit të buxhetit të Bashkisë, ndërkohë që varësia nga buxheti qendror rezulton jetike për të mundësuar që të përmbushen funksionet bazë dhe ato të deleguara të pushtetit qëndror.
Kjo prirje shqetësuese nxjerr në pah nevojën urgjente për reforma, rritjen e mbikëqyrjes dhe përmirësimin e kontrolleve financiare për të rikthyer besimin e publikut në qeverisjen vendore.
Raportin e plotë e gjeni:https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/11/Raporti-Monitorimi-Buxheti-2024-B.Kukes_.pdf
*Raporti i monitorimi është përgatitur në kuadër të projektit “Qytetarët të parët: Bashkë për një qeverisje vendore transparente!”, zbatuar nga Shoqata Together for Life, me mbështetje nga skema e granteve “BAT-Shoqëria Civile”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM Albania, në partneritet me Qendrën për Kërkim dhe Politikë-bërje (QKPM) dhe Faktoje, mbështetur financiarisht nga European Union in Albania.