Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.
Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”
Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.
Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.
Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.
Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.
Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro. Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.
TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.
Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:
Për më tepër, ju ftojmë të lexoni raportin monitorues: togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf?fbclid=IwAR0eRKVxd5cxFI6Y7IL8tFdfHMxkslUdaAEHZuwURKqCw0lUVurf_L0vMlY