denonco@transparency.com.al

Blog

TFL organizon workshop-in e dytë me OSHC: “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë – Pse është me rëndësi pjesëmarrja e OSHC-ve në buxhetim?”

Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), organizoi workshop-in e dytë me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri.

Në formën e një tryeze konsultimi mbi tematikën bosht të transparencës dhe llogaridhënies në fushën e shëndetësisë, OSHC-të që mbulojnë këtë fushë dhe fusha të tjera, reflektuan disa nga sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile kur bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në procesin e buxhetimit, si edhe çfarë mund të bëhet për promovimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës.    

Ndër pikat kyçe që u theksuan gjatë tryezës lidhur me faktin pse përfshirja e OSHC-ve është me rëndësi thelbësore:

  • Për të shprehur nevojat e grupeve sociale të ndryshme në nivelin e politikëbërjes;
  • Për të negociuar ndarjen e burimeve publike në funksion të nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile;
  • Për të maksimizuar barazinë në vendimarrje dhe për të sjellë rezultate më të mira në zbatimin e politikave;
  • Për të thyer barrierat tipike të buxhetimit nga lart-poshtë duke nxitur qasjen e buxhetimit nga poshtë-lart;
  • Për të fuqizuar komunitetin për të monitoruar shpenzimet publike.

Përsa i përket sfidave me të cilat hasen OSHC-të, lidhen me mungesën e informacionit përsa i përket ligjeve të përfshirjes në konsultimet në buxhetim, si edhe mungesa e aftësive teknike në procesin buxhetor. Duke ju atashuar edhe mungesës së vullnetit politikë-bërës, kjo pjesë ndikon negativisht në përfshirjen aktive të organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe rrjedhimisht edhe mospërfaqësimit të plotë të nevojave aktuale të target-grupeve që ato përfaqësojnë. 

Nga ana tjetër, shumë nga organizatat nuk ftohen në procese konsultuese ose edhe kur ftohen dhe paraqesin propozimet e tyre, nuk merren parasysh nga vendimmarrësit dhe as nuk u mundësohet një shpjegim zyrtar pse nuk janë marrë parasysh. Në raste të tjera, informacioni zyrtar nuk është i plotë, i përditësuar ose i aksesueshëm. Në raportet e publikuara ka një diferencë midis planifikimit, buxhetimit dhe zbatimit, duke bërë që kauzat e ngritura të mos jenë qartësisht të mirëbazuara në fakte. Këto sipas këndvështrimit të OSHC-ve, përbëjnë tregues të qartë të mungesës së transparencës.

Shpeshherë organizatat portretizohen si “oponent” dhe kjo nuk ndihmon në ndërtimin e një sinergjie bashkëpunuese OSHC-Vendimmarrës.

– “Ajo që është problem është se ministritë e quajnë OSHC-në si “delen e zezë”. Për këtë arsye nuk merremi në konsideratë dhe vijojnë me mendimet e veta”.

– “Më përpara kishte konsultime me SHC edhe i kushtohej serioziteti i duhur, por me kalimin e kohës këto u bënë thjeshtë formale, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur”.

OSHC-të pjesëmarrëse vlerësuan si shumë të domosdoshme organizimin e tryezave të tilla, së pari për të krijuar ose forcuar rrjetëzimin midis organizatave për ngritjen e kauzave mbi çështje kritike dhe fuqizimin e aftësive të tyre monitoruese, në dobi të nxitjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës. Nga ana tjetër, këto sinergji do të shërbejnë edhe për fuqizimin e trinormit Vendimmarrje-Llogaridhënie-Transparencë.  

sqAlbanian