Dy studime të realizuara në periudha të ndryshme dhe me objektiva të ndryshëm – Sondazhi Kombëtar i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI)[1]publikuar dy javë më parë (16 korrik) dhe raporti i Together for Life (TFL), “Vlerësim i Perceptimit të Publikut Shqiptar mbi Korrupsionin në Sektorin e Shëndetësisë”[2] (maj 2025) – paraqesin një tablo të qëndrueshme mbi perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në sektrin e shëndetësisë në Shqipëri. Pavarësisht kohës kur janë realizuar, qëllimit dhe qasje metodologjike të ndryshme, të dy studimet dalin në të njëjtin përfundim: shëndetësia perceptohet si sektori më problematik për sa i përket korrupsionit dhe një nga fushat ku me nivelin më të ulët të besimi të qytetarëve ndaj institucioneve.
Sondazhi i IRI-së, i cili analizon perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në të gjithë sektorët në nivel kombëtar, evidenton se 36% e shqiptarëve e konsiderojnë shëndetësinë sektorin ku korrupsioni është më i përhapur, duke e renditur atë përpara sistemit gjyqësor (24%), administratës publike (17%) dhe qeverisë qendrore (9%). Ky rezultat është veçanërisht domethënës, pasi bazohet në përgjigje spontane dhe tregon se shëndetësia është sektori që qytetarëve u vjen menjëherë në mendje kur flitet për korrupsionin.
Studimi i IRI-së nuk ndalet vetëm në identifikimin e sektorëve problematikë, por evidenton edhe një dimension tjetër të rëndësishëm: krizën e besimit në aftësinë e institucioneve për të luftuar korrupsionin. Mbi gjysma e të anketuarve (51%) shprehen se korrupsioni është aq i përhapur dhe i rrënjosur, sa ka shumë pak gjasa të reduktohet, ndërsa vetëm 32% besojnë se ai mund të luftohet përmes reformave dhe masave konkrete. Këto të dhëna tregojnë se perceptimi i korrupsionit nuk lidhet vetëm me përmasat e fenomenit, por edhe me mosbesimin në efektivitetin e mekanizmave institucionalë për ta parandaluar dhe ndëshkuar atë.
Në të njëjtën linjë, raporti i Together for Life ofron një analizë më të thelluar dhe të fokusuar ekskluzivisht në sektorin shëndetësor. Sipas studimit të TFL 8 në 10 shqiptarë besojnë se sistemi shëndetësor është i korruptuar, duke konfirmuar se perceptimi negativ ndaj këtij sektori nuk është episodik, por i konsoliduar. Raporti evidenton gjithashtu se 81% e qytetarëve i konsiderojnë spitalet universitare institucionet më të prekura nga korrupsioni, ndërsa qendrat shëndetësore gëzojnë një nivel dukshëm më të lartë besimi, me vetëm 21% të qytetarëve që i perceptojnë ato si shumë të prekura nga korrupsioni. Kjo sugjeron se perceptimi i korrupsionit rritet në ato nivele të sistemit ku përqendrohen fondet më të mëdha publike, procedurat më komplekse dhe vendimmarrja për shërbimet e specializuara.
Referuar faktorëve që ushqejnë korrupsionin në shëndetësi studimi i Together for Life analizon edhe faktorët që, sipas qytetarëve, ushqejnë korrupsionin në shëndetësi. 63% e të anketuarve e lidhin fenomenin me kulturën e rrënjosur të pranimit të ryshfetit, 56% me mungesën e kontrollit dhe ndëshkimit nga autoritetet, 38% me keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës, 35% me mungesën e guximit të pacientëve për të denoncuar rastet e korrupsionit dhe 21% me pamjaftueshmërinë e fondeve publike për mbulimin e kostove të shërbimeve shëndetësore. Këto gjetje tregojnë se qytetarët e perceptojnë korrupsionin si rezultat të një kombinimi faktorësh institucionalë, kulturorë dhe ekonomikë, dhe jo si pasojë të rasteve individuale.
Studimet plotësojnë njëri-tjetrin. Sondazhi i IRI-së identifikon shëndetësinë si sektorin ku korrupsioni perceptohet më shumë se në çdo fushë tjetër të administrimit publik dhe evidenton nivelin e ulët të besimit në aftësinë e institucioneve për ta luftuar atë. Nga ana tjetër, raporti i Together for Life shpjegon se si manifestohet ky perceptim brenda sistemit shëndetësor, cilat institucione konsiderohen më të ekspozuara dhe cilët faktorë, sipas qytetarëve, e ushqejnë këtë fenomen.
Dy studimet tregojnë se problemi perceptohet nga qytetarët si sistemik, ndaj edhe zgjidhjet duhet të jenë po aq sistemike. Kjo nënkupton forcimin e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel të sistemit shëndetësor, rritjen e integritetit në menaxhimin e fondeve publike, garantimin e konkurrencës së ndershme në prokurimet publike, fuqizimin e mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, si edhe krijimin e një mjedisi ku pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë të ndihen të mbrojtur për të denoncuar rastet e abuzimit.
Po aq e rëndësishme është edhe rikthimi i besimit të qytetarëve. Sfida nuk është vetëm të luftohet korrupsioni, por të provohet se institucionet janë në gjendje ta luftojnë atë në mënyrë të drejtë, të qëndrueshme dhe të matshme. Çdo reformë që nuk shoqërohet me rezultate konkrete dhe të perceptueshme nga qytetarët rrezikon të mbetet vetëm një ndryshim formal.
Prej vitesh Shoqatat Together for Life ka ngritur alarmin se korrupsioni në shëndetësi nuk është vetëm një çështje e keqmenaxhimit të fondeve publike; ai prek drejtpërdrejt të drejtën e qytetarëve për kujdes shëndetësor cilësor, të barabartë dhe të aksesueshëm.
Tashmë është e qartë se lufta kundër korrupsionit në shëndetësi duhet të kthehet në një prioritet real i politikave publike dhe jo vetëm një angazhim i përsëritur në dokumente strategjike. Vetëm një sistem transparent, i përgjegjshëm dhe i bazuar në llogaridhënie mund të garantojë që fondet publike të shërbejnë për pacientët dhe jo për interesa të ngushta. Mbi të gjitha, institucionet duhet ta marrin seriozisht mesazhin që vjen nga qytetarët. Injorimi i shqetësimit që vjen nga qytetarët sjell thellim të mosbesimit publik, ndaj adresimi i tij kërkon reforma konkrete, rezultate të matshme dhe një angazhim të vërtetë për rikthimin e integritetit në sistemin shëndetësor.
[1] https://www.iri.org/resources/albania-survey-of-public-opinion-april-may-2026/?utm_source=chatgpt.com
[2] https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2025/06/Raport_Vleresim-i-perceptimit-te-publikut-shqiptar-mbi-korrupsionin-ne-sektorin-e-shendetesise.pdf
