Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) përbëjnë një element kyç të pjesëmarrjes qytetare dhe të mbikëqyrjes demokratike në një shoqëri funksionale. Në Shqipëri, ato luajnë një rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e shtetit të së drejtës, forcimin e llogaridhënies dhe ndërtimin e një kulture transparence. Megjithatë, ky potencial vijon të mbetet i nënshfrytëzuar për shkak të një sërë sfidash strukturore dhe kontekstuale, veçanërisht për organizatat që veprojnë në nivel lokal.

Kapacitete të kufizuara dhe mungesë qëndrueshmërie

Shumica e OSHC-ve në Shqipëri, sidomos ato me bazë në komunitet (grassroots), përballen me mungesë fondesh dhe kapacitete të kufizuara për të ushtruar rolin e tyre si mbikëqyrëse të institucioneve publike. Kjo situatë është përkeqësuar pas ndryshimeve të politikave të ndihmës ndërkombëtare, siç është rasti i programeve të USAID-it dhe sinjalet e ngjashme nga disa shtete të Bashkimit Evropian, të cilat kanë paralajmëruar rishikimin e politikave dhe buxheteve mbështetëse për shoqërinë civile.

Raporti “Nevojat e OSHC-ve lokale për forcimin e kapaciteteve me qëllim rritjen e rolit mbikëqyrës ndaj institucioneve publike” –  realizuar nga Together for Life, me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SPACE – “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile”, publikuar ne shator 2024 – sjell një analizë të thelluar të sfidave që përjetojnë OSHC-të në rajone të ndryshme të vendit dhe jep rekomandime konkrete për të rritur ndikimin e tyre në proceset vendimmarrëse dhe llogaridhënien publike. Sipas raportit, rreth 30% e organizatave të intervistuara (50 organizatat në të gjithë vendin) raportojnë se mungesa e fondeve është sfida kryesore që ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e tyre. Kjo mungesë burimesh është më e theksuar në rajonet Vlorë-Fier-Gjirokastër (35%) dhe Shkodër-Lezhë-Kukës (23%). Sot, dy vjet pas publikimit të këtij raporti, për fat të keq situata paraqitet edhe më e keqe, ku organizata, jo vetëm ato të vogla locale, por edhe organizata të konsideruara të mesme, apo edhe të mëdha, janë detyruar për shkak të situatës së krijuar të shkurtojnë në mënyrë drastike stafin në rastin më të mirë, dhe në rasti më të keq të pezullojnë aktivitetin për një periudhë të pacaktuar.

Edhe kuadri ligjor dhe fiskal kombëtar është konsideruar nga organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri si i paplotë dhe jo-mjaftueshëm mbështetës për OSHC-të, duke u konsideruar nga vetë organizatat si pengesë serioze për funksionimin efektiv të tyre. Edhe raporti Screening të Komisionit Evropian për Shqipërinë (2023), ka evidentuar këtë situatë shqetësuese ku shprehet se ‘pavarësisht se kuadri institucional ekziston, zbatimi i tij është ende i mangët, veçanërisht në lidhje me procedurat e regjistrimit dhe trajtimin fiskal të OSHC-ve, ku shumë organizata i nënshtrohen rregullave të zakonshme të TVSH-së pa ndonjë mbështetje të posaçme’.

Mungesa e përfshirjes reale të organizatave të shoqërisë civile në konsultimet publike

Edhe pse dokumentet strategjike të qeverisë shqiptare e njohin rëndësinë e shoqërisë civile, në praktikë bashkëpunimi me OSHC-të mbetet sipërfaqësor. Konsultimet publike shpesh realizohen vetëm për të përmbushur detyrime formale, pa një përfshirje reale të organizatave. Për shembull, në dy takime të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për diskutimin e projekt-buxhetit afatmesëm 2026–2028, OSHC-të u njoftuan vetëm një ditë përpara takimit dhe nuk iu vu në dispozicion asnjë dokument paraprak për shqyrtim. Kjo qasje e institucioneve e redukton ndjeshëm mundësinë që shoqëria civile të ushtrojë ndikim domethënës në politikëbërje.

Sipas të njëjtit raport të TFL, mungesa e bashkëpunimit me institucionet qendrore paraqitet si një sfidë më e madhe sesa ajo me pushtetin vendor. Në rajonin e Vlorës, 15% e OSHC-ve e rendisin këtë problem si pengesën kryesore për veprimtarinë e tyre.

Për të ndërtuar një mjedis ku shoqëria civile jo vetëm të mbijetojë, por të lulëzojë dhe të luajë rolin si mbrojtëse dhe promovuese e demokracisë në vend është e domosdoshme që të gjitha palët – OSHC-të, institucionet shtetërore, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë – të ngrejnë ura bashkëpunimi të qendrueshme. Vetëm përmes një shoqërie civile të fuqizuar, Shqipëria mund të ndërtojë institucione më transparente, më llogaridhënëse dhe një shoqëri më demokratike.

Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” . Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian