![](https://transparency.com.al/wp-content/uploads/2021/08/1.png)
Programet politike janë përmbledhje e objektivave qeverisëse të një partie politike, që i prezantohen publikut të gjerë me qëllim për të marrë sa më shumë mbështetje përmes votave. Është praktikë e zakonshme që çdo parti politike në periudhën parazgjedhore të prezantojë programin e saj 4-vjeçar. Në fakt, në Shqipëri ajo që mund të konsiderohet si më e zakonshme është prezantimi i programeve më shumë si shprehje dëshirash se sa plane strategjike që reflektojnë problematikat reale të vendit dhe që janë të realizueshme në praktikë.
Thënë kjo, këtyre programeve u mungon strategjia e detajuar zbatuese, duke qenë se partitë politike përdorin më shumë imazhin e liderit dhe sulmin ndaj “gafave” të kundërshtarit për të luftuar në zgjedhje, se sa formën se si do të arrijnë synimet e premtuara. Marrë parasysh situatën e pandemisë Covid-19 në të gjithë botën, menaxhimin e saj, që rezultoi të jetë më shumë një sfidë e sistemit qeverisës se sa e sistemit shëndetësor, deklaratat dhe kundërdeklaratat e partive politike në këtë drejtim, si dhe me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021 në vend, shoqata “Together for Life” (TFL), me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri ka realizuar një raport i cili analizon programet e gjashtë partive politike, duke u fokusuar veçanërisht tek pjesa që i kushtohet sektorit shëndetësor.
Partitë e monitoruara janë tri partitë kryesore në vend: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe tri partitë që kandidojnë për herë të parë, por që vijnë me një potencial politik: Nisma Thurje, Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshim. Ky raport ka analizuar programet duke vlerësuar mundësinë e realizimit të tyre në pajtueshmëri me kornizën kushtetuese dhe ligjore në Shqipëri. Po ashtu, raporti analizon se cilat veprime janë të nevojshme për t’u ndërmarrë për disa nga pikat e propozuara nga partitë politike dhe sa prej tyre tashmë janë realizuar dhe përfshirja e tyre në strategjitë politike është e panevojshme.
Qëllimi i parë kësaj analize është që të vlerësojë alternativat e partive politike lidhur me sektorin e shëndetësisë, një sektor jo vetëm kyç për nga funksioni në situatën aktuale të pandemisë, por edhe për faktin se në Shqipëri është renditur i dyti në korrupsion pas drejtësisë. Gjithashtu, kjo analizë shërben për të kuptuar rëndësinë që ka shëndeti i popullatës për partitë politike që kërkojnë që të qeverisin vendin, duke e parë shëndetin si një e drejtë universale, si e drejta për të jetuar në një shoqëri demokratike.
Interesi është që të kuptohet nëse në radhë të parë ka programe, platforma zhvilluese me vizion, mision dhe strategji, dhe këto programe të prezantuara, a janë të zbatueshme, apo propozimet për ndërhyrje dhe zhvillim të sistemit shëndetësor do të mbeten vetëm në letër, në kuadër të premtimeve elektorale.
LEXONI RAPORTIN E PLOTE: Analizë e programeve të partive politike: Ç’vend zë shëndetësia?