Ankesat kundër korrupsionit në shëndetësi përbëjnë një nga mekanizmat kyç për mbrojtjen e qytetarit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, duke u ofruar pacientëve, familjarëve të tyre, operatorëve ekonomikë, por edhe vetë punonjësve të sistemit shëndetësor, një kanal të sigurt për të raportuar abuzimet me detyrën, kërkesat e paligjshme për pagesa apo sjelljet që cenojnë dinjitetin dhe të drejtën për shërbim të barabartë.

Megjithatë, raporti më i fundit i shoqatës Together for Life nxjerr në pah një realitet shqetësues lidhur me funksionimin e këtij mekanizmi. Në kuadër të monitorimit të 13 institucioneve që operojnë në sektorin e shëndetësisë, rezulton një numër relativisht i ulët i ankesave të raportuara për ryshfet dhe korrupsion gjatë vitit 2024.

Monitorimi i sistemit administrativ të ankesave, i trajtuar jo si një hallkë e shkëputur, por si pjesë integrale e funksionimit institucional, si dhe në lidhje me mekanizmat e referimit të ankesave pranë njësive përgjegjëse, ka evidentuar një sërë gjetjesh dhe rekomandimesh që synojnë përmirësimin e situatës dhe rritjen e efektivitetit të raportimit.

Sipas përgjigjeve zyrtare të disa institucioneve, gjatë vitit 2024 nuk është regjistruar asnjë ankesë për korrupsion pranë tyre. Një prej tyre, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ka deklaruar se pranë Drejtorisë Qendrore të OSHKSH-së nuk rezulton asnjë ankesë e regjistruar lidhur me pretendime për ryshfet apo korrupsion për këtë periudhë.

Këto të dhëna ngrenë pikëpyetje serioze mbi nivelin real të raportimit, aksesin e qytetarëve në mekanizmat ekzistues dhe besimin ndaj institucioneve, duke sugjeruar se mungesa e ankesave nuk përkthehet domosdoshmërisht në mungesë të problemeve, por mund të jetë tregues i barrierave strukturore dhe perceptuese në denoncimin e korrupsionit në shëndetësi.

Spitali Psikiatrik Elbasan, në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: “Nuk ka asnjë ankesë të paraqitur në institucion as në adresën zyrtare të institucionit , fizikisht në zyrën e shërbimeve të përgjithshme dhe as në kutinë e ankesave.

Spitali Universitar i Traumes, në përgjigjen e përcjellë nuk ka përcaktuar nëse pranë institucionit janë adresuar ankesa kundër korrupsionit duke referuar se: “Struktura kundër korrupsionit përbëhet nga Koordinatori kundër Korrupsionit i cili emërohet dhe ka varësi të drejtpërdrejt nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Instituti i Shëndetit Publik, në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: “Lidhur me emailin tuaj, ju bëjmë më dije se pranë Institutit të Shëndetit Publik nuk ka patur asnjë ankesë lidhur me korrupsionin në sektorin e shëndetësisë.”  

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: Në përgjigje të kërkesës tuaj, ju informojmë se në FSDKSH, nuk ka një strukturë të dedikuar lidhur me ankesat për korrupsion”. Po ashtu, në vijim të arsyetimit që në FSDKSh, është pjesë e organikës Koordinatori Antikorrupsion, i cili mbledh, analizon dhe koordinon të gjithë informacionin për rastet korruptive të referuara nga burime të ndryshme, ka përcaktuar se: “Përsa më lart, Koordinatori Antikorrupsion, na vuri në dispozicion, të dhënat në vijim..”[1]  Nga të dhënat që janë referuar, rezulton se përgjatë vitit 2024 ka pasur vetëm një rast denoncimi  për korrupsion në shëndetësi. Ankesa e parë e cila raportohet sipas tabelës, rezulton se nuk i përket vitit 2024.

[1] Referoju tabelës më poshtë

Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik, në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: “Nga verifikimi i zyrës së protokollit rezulton se në institucionin tonë nuk është paraqitur asnjë ankesë në lidhje me objektin e kërkesës tuaj për vitin 2024.” Po ashtu është referuar që: “Sipas VKM nr. 436 datë 26.06.2024 “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion”, përcaktohet se pranë spitalit tonë duhet të jetë pjesë e strukturës Koordinatori kundër Korrupsionit. Deri aktualisht nga ana e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit nuk është propozuar Koordinator për rrjedhojë momentalisht ky pozicion është vakant.”

Spitali Rajonal Shkodër në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: “Në lidhje me pyetjen tuaj mbi rastet kur anesat delegohen për trajtim në institucionet e tjera eprore ose të varësisë dhe për dijeninë mbi trajtimin final të tyre, ju informojmë se gajtë vitit 2024 nuk ka pasur raste të tilla, pasi nuk janë paraqitur ankesa për trajtim që të kenë kërkaur delegim në institucione të tjera.” 

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekesore në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: “Në lidhje me ankesat sa i takon ryshfetit apo korrupsionit përgjatë vitit 2024 nuk ka pasur asnjë ankesë, duke marrë parasysh se AKBMP nuk është një institucion I ofrimit të shërbimeve shëndetësore, por I procedurave administrative.” 

Spitali Rajonal Vlorë në përgjigjen e përcjellë ka përcaktuar se: “Në lidhje me numrin e ankesave për korrupsion në Spitalin Rajonal Vlorë për periudhën Janar-Dhjetor 2024, ju informojmë se nuk ka pasur asnjë rast të paraqitur në institucionin tonë.” 

Përgjigjet e demonstruara përmes emaileve të ilustruara në këtë artikull, njëkohësisht edhe qëndrimet e disa përfaqësuesve të institucioneve të pranishëm në tryezën e rrumbullakët “Vizioni për një Shëndetësi pa Korrupsion: Mekanizmat Administrativë të Trajtimit të Ankesave”, se institucionet shëndetësore nuk kanë për detyrë trajtimin e ankesave kundër korrupsionit, reflekton një qëndrim jo të drejtë e jo koherent. Përpos faktit që institucionet që operojnë në fushën e shëndësisë, kanë si detyrë integrale të tyre kryerjen e detyrave lidhur me shëndetësinë, kanë gjithashtu detyrimin për adminstrimin e çdo kërkese apo ankese që paraqitet pranë institucionit. Për ankesat objekti i të cilave bie në detyrën integrale të institucionit apo drejtuesit të saj mund të trajtohen sipas ligjit material dhe procedurial, ndërsa ankesa që lidhen me institucionin por që mund të jenë objekt trajtimi nga njësi të krijuara pranë institucionit si pjesë e organikës por jo në varësi direkte të drejtuesit të institucionit por në varësi të institucioneve të tjera, kanë detyrimin që sipas ligjit të delegojnë këto ankesa për trajtim tek institucionet përgjegjëse.

Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 436, datë 26.6.2024 “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit” në pikën 14 të kreut VI “Procedura e verifikimit, administrimi dhe dokumentimi”, është shterues në parashikimin e tij kur përcakton se:Në rast se, bazuar në raportin përfundimtar, vlerësohet se ka shkelje administrative, i propozohet drejtorit të përgjithshëm të DPAK-së të miratojë raportin dhe ta përcjellë atë pranë drejtuesit të institucionit përgjegjës.”

Në zbatim të këtij parashikimi merret e mirëqenë dijenia e drejtuesit të institucionit mbi rastet e referuara apo të njoftuara për korrupsion në shëndetësi përveç kur provoket e kundërta. Qëndrimet institucionale se institucionet shëndetësore nuk trajtojnë ankesat kundër korrupsionit qëndron në parim por kjo nuk përjashton detyrimin ligjor për referimin e rasteve pranë instancave përgjegjëse si dhe nuk përjashton dijeninë e institucioneve për rastet e trajtuara e për rrjedhojë as detyrimin për të dhënë informacion për rastet për të cilat ka marrë dijeni në formë zyrtare.

*Ky artikull është përgatitur nga Together for Life në kuadër të nën-grantit “Qytetarët për Transparencë: Kundër Korrupsionit në Sektorin e Shëndetësisë në Shqipëri,” dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, si pjesë e projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit, nga një sfidë vendase në një përgjigje Evropiane,” me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e kësaj videoje i takon vetëm Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.