
Që pas viteve ’90, sistemi shëndetësor publik në Shqipëri është përballur me sfida të rëndësishme që kanë ndikuar negativisht në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të aksesueshme për të gjitha kategoritë e popullsisë. Një nga segmentet më problematike ka qenë shërbimi laboratorik në spitalet publike, ku janë evidentuar mungesa serioze në pajisje të amortizuara, mungesë të reagentëve, staf të pamjaftueshëm dhe jo gjithmonë të kualifikuar, si dhe kushte të papërshtatshme infrastrukturore. Këto mangësi kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e analizave laboratorike, duke ulur sigurinë e diagnostikimit dhe duke detyruar një pjesë të madhe të qytetarëve të drejtohen drejt laboratorëve privatë, shpesh me kosto të larta dhe të papërballueshme.
Përballë kësaj situate, në dhjetor të vitit 2015, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndërmori një hap që konsideroi jo vetëm si vendimtar, por edhe si të vetmen alternativë, përfshirjen e sektorit privat në ofrimin e këtij shërbimi përmes një partneriteti publik-privat. Për t’i hapur rrugë këtij bashkëpunimi, së pari MSHMS u angazhuar në hartimin e një studimi fizibiliteti për të cilin kontraktoi Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, me qëllim ofrimin e asistencës teknike në zhvillimin e projektit.
Që në fillim, institucioni përgjëgjës, Ministria, bëri me dije se objektivi kryesor i kontratës koncesionare do të ishte modernizimi dhe ofrimi i qëndrueshëm i shërbimeve laboratorike në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake, me synimin për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e analizave laboratorike në sistemin publik.
Problematikat e evindentuara nga faza e planifikimit tek zbatimi i koncesionit të laboratorëve
Nga një analizë e dokumentave që mund të gjenerohen nga faqet e institucioneve publike përgjegjëse për këtë koncesionar bëhet e qartë se procedura lidhur me këtë kontratë është shoqëruar me probleme serioze në çdo fazë, nga hartimi, te vlerësimi dhe implementimi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucioni përgjegjës në rolin e kontraktorit, nuk ka kryer paraprakisht, ashtu siç e ngarkon ligji një analizë krahasuese midis modelit të Partneritetit Publik Privat (PPP) dhe atij tradicional të prokurimit publik, duke e bërë të pamundur vlerësimin objektiv të leverdishmërisë së projektit.
Për më tepër, mungesa e transparencës në analizën financiare ka ngritur dyshime të mëdha, pasi nuk u bënë publike të dhëna të qarta statistikore, teknike apo ekonomike që të justifikonin koston e llogaritur prej 13 miliardë lekësh. Projekti gjithashtu ekspozon palën publike ndaj një rreziku të lartë operacional, pasi përfshin pothuajse të gjithë sistemin laboratorik të vendit, dhe një dështim në zbatimin e tij do të kishte pasoja të rënda për shëndetin publik.
Gjithashtu, në analizimin e dokumentave të operatorëve konkurrues ekspertët kanë vërejtur se procesi i kualifikimit të operatorëve ekonomikë ka ndodhur në kundërshtim të qartë me rekomandimet e dhëna nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila kishte angazhuar rolin e konsulentit ndërkombëtar në këtë projekt. Përzgjedhja e bashkimit të operatorëve “Labopharma Sh.p.k, Exalab & AB Laboratory Solutions B.V.” si fitues është bërë pavarësisht shqetësimeve serioze të ngritura nga IFC.
Këto shqetësime përfshinin integritetin e kompanisë ABLS dhe lidhjet e dyshimta të aksionarëve të saj me hetime dhe procedura gjyqësore në Spanjë; mungesën e transparencës mbi pronarin përfundimtar të ABLS; si dhe kontrollin e dobët të kompanisë Exalab mbi Sealab, një aktor kyç në ofrimin e shërbimeve laboratorike. Këto elementë krijuan një kontekst të paqartë dhe me risk të lartë për përzgjedhjen e partnerit privat. Komisioni i Koncesionit/PPP e hodhi poshtë opinionin e IFC me pretendimin se nuk kishte ndonjë vendim gjykate ndaj kompanisë dhe se strukturat e kontrollit mes kompanive ishin të mjaftueshme. Kjo vendimmarrje ngriti dyshime serioze për kapacitetin dhe vullnetin institucional për të zbatuar parimet e menaxhimit të ndershëm të fondeve publike.
Procesi i negocimit të kontratës u karakterizua nga vonesa të mëdha dhe mangësi thelbësore në përmbajtje. Negocimi zgjati për më shumë se dy vjet – një shkelje e hapur e afatit ligjor prej 60 ditësh të përcaktuar për përfundimin e këtij procesi. Gjatë kësaj periudhe, kompania AB Laboratory Solutions (ABLS), një nga anëtarët kryesorë të bashkimit ofertues, tentoi të tërhiqej nga projekti, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin dhe seriozitetin e vetë bashkimit. Për më tepër, kontrata përfundimtare nuk parashikon sigurimin e përgjegjësisë profesionale, një element thelbësor për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Mungesa e këtij garancioni ngre shqetësime të mëdha për nivelin e mbrojtjes që i ofrohet interesit publik.
Nga kqyrja e kontratës mund të kontatohet se koncesionari merr angazhim për ofrimin e 146 lloje analizash, përfshirë 66 analiza në laboratorët e urgjencës dhe rreth 80 në laboratorët rajonalë, duke përfshirë spitalet kryesore universitare në Tiranë dhe ato rajonale në qytete si Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Dibër, si dhe spitalet bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes.
Kosto që rriten përtej parashikimit në kontatë
Vlera e përgjithshme e parashikuar për kontratën ishte 13 miliardë lekë, por zbatimi i kontratës është shoqëruar me kosto të rritura mbi parashikimin fillestar, siç kanë konstatuar auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe institucioneve të tjera mbikëqyrëse. Vetëm në vitin e parë të zbatimit, projekti ka sjellë një kosto shtesë prej 3.3 milionë euro, pa qenë e parashikuar në buxhet, duke krijuar një barrë të papritur për financat publike. Për më tepër, kufizimet e vendosura nga tavanet buxhetore të spitaleve kanë kufizuar ofrimin e shërbimeve, duke detyruar pacientët të përballojnë vetë kosto të konsiderueshme, shpesh të papërballueshme. Janë identifikuar gjithashtu raste të pagesave për shërbime laboratorike që nuk janë kryer, çka jo vetëm ka krijuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, por edhe ka përkeqësuar barazinë në aksesin e qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor.
Bazuar mbi këto konstatime, KLSH ka rekomanduar në raportet e saj të auditimit rishikimin e kontratës koncesionare për të adresuar këto problematika serioze dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve laboratorike në mënyrë efikase, të barabartë dhe pa kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Pra, koncesioni i laboratorëve, i promovuar fillimisht si model suksesi për modernizimin e laboratorëve spitalorë, ka nxjerrë në pah mangësitë serioze në vlerësim, zbatim dhe mbikëqyrje, duke e kthyer atë në një barrë të rëndë financiare dhe funksionale për sistemin shëndetësor dhe vetë qytetarët. Rishikimi i thellë i kontratës dhe forcimi i kontrollit institucional mbetet domosdoshmëri urgjente në funksion të interesit publik.
Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” . Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian
