Kompania farmaceutike “Rejsi Farma” është vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, për përfitime në mënyrë abuzive nëpërmjet skemës se rimbursimit të barnave si dhe hedhje në tregun farmaceutik të barnave të skaduara.

Aksioni i Drejtorisë së Hetimit Tatimor ëstë ndërmarrë pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi veprimtarinë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për procesin e rimburismit të barnave ka referuar gjetjet ne Prokurorinë e Tiranës

“Është konstatuar se nga ana e grupit të kontrollit janë marrë në konsideratë për efekt llogaritje, lista e barnave prej 18 medikamente, në sasinë 12,178 copë, me vlerë 41,999,556 lekë, të cilat pretendohet se u ka kaluar afati i skadencës edhe mbi 1 vit, për të cilat nuk ka një dokument ose proces-verbal të lëshuar nga autoritetet kompetente si dhe nuk është kryer procedura e rregullt për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre, duke mos njoftuar Drejtorin Rajonale Tatimore përkatëse nën juridiksionin të cilës i përket, si dhe duke mos marrë miratim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, thuhet në raportin e KLSH.

Po ashtu në raportin e KLSH, hidhen dyshime të forta për përftime në mënyrë abuzive nga skema e barnave të rimbursueshme duke mos i nxjerre i ato jashtë përdorimit dhe për më tepër duke rriskuar jetën e qytetarëve që përfitojnë barna me rimbursim.

“Si përfundim, mungesa e kryerjes në kohë dhe të dokumentuar sipas përcaktimeve të kuadrit rregullator tatimor dhe të marrëveshjes kontraktuale për rimbursim në rastin e daljes së barnave jashtë përdorimit, sjell risk në gjendjen e saktë reale inventariale të barnave të rimbursueshme sipas LBR-së, si dhe në nivelin e rimbursimit të përfituar nga Depo-Importuese “R….F….”, dhe gjithashtu riskun e rifutjes në qarkullim të barnave të skaduara me qëllim përfitimin e rimbursimin, por me pasoja në shëndetin e pacientëve”, thuhet ndër të tjera në raport.

Kompania Rejsi Farma akuzohet se ka mashtruar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm me dokumentacionin që duhet te paraqiste  mbi inventarin e barnave të skaduara duke pasqyruar informacione jo të sakta.

Organizata Together for Life, nëpërmjet raporteve të prodhuara ndër vite, ka ngritur shqetësimin për cilësinë e barnave dhe ka monitoruar buxhetin dhe tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë për barnat dhe pajisjet shëndetësore.