Korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë, duke prekur në mënyrë të veçantë sektorin e shëndetësisë dhe duke ndikuar drejtëpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve. Sipas GRECO[1], korrupsioni në sektorin e kujdesit shëndetësor, jo vetëm që rrit koston e shërbimeve dhe ul cilësinë e tyre, por gjithashtu dëmton besimin e pacientëve dhe krijon pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve. Ky fenomen konsiderohet me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si dhe përbën një sfidë për buxhetin e shtetit.
Në këto vite shoqata “Together for Life” mbetet një nga zërat më të fuqishëm për denoncimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Në raportet e prodhuara prej saj, është evidentuar se procedurat korruptive kanë mbërthyer sektorin dhe shembulli tipik janë katër koncesionet e tipit PPP – partneritet publik-privat. Katër kontratat kryesore të Partneritetit Publik Privat (PPP) për kontrollet bazë mjekësore (“check-up”), sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, dializën dhe shërbimin laboratorik kanë krijuar një barrë të madhe për buxhetin e shtetit çdo vit.
Këto kontrata jo vetëm që kanë munguar në transparencë, por janë shoqëruar me pagesa të padrejta dhe shkelje të ligjit, duke çuar në një dëm ekonomik të përllogaritur miliarda lekë. Shkeljet me koncesionet janë evidentuar jo vetëm nga raportet e prodhuara dhe publikuara nga TFL, por edhe nga Konstrolli i Lartë i Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë, i cili ngriti një konmision të posaçëm për hetimin e dy prej koncesioneve, si dhe nga hetimet e deritanishme të SPAK i cili ka hapur hetime për të katër koncesionaret.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për kontratat PPP, duke zbuluar se korrupsioni shpesh fillon që në fazën e vendimmarrjes për fondet. Për më tepër, Transparency International ka cilësuar rastin e koncesioneve në shëndetësi si shembull të korrupsionit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
I vënë përpara presionit jo vetëm të opozitës, por në mënyrë të veçantë të opinionit publik, pasi shumë prej ministrave dhe titullarëve të lartë në institucionet qendrore dhe në bashki kanë përfunduar te hetuar dhe disa edhe të dënuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, ku vendin e parë e zenë drejtuesit dhe ish drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kryeministri Edi Rama së fundi propozoi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për të luftuar korrupsionin në proceset e prokurimit publik, përfshirë ato në shëndetësi.
Megjithatë, ekspertët kanë shprehur skepticizëm mbi këtë qasje, duke argumentuar se IA nuk mund të zgjidhë problemin rrënjësor të korrupsionit pa ndërhyrje strukturore. Edhe pse IA mund të automatizojë proceset, të kryejë analiza në kohë reale dhe të adresojë rreziqet e mashtrimit dhe gabimeve, fillimisht asaj i duhen të dhëna cilësore dhe menaxhim i mirë të tyre, fusha ku Shqipëria ende ka mangësi të mëdha.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit na duhet të kujtojmë edhe një herë se lufta kundër korrupsionit kërkon përpjekje të vazhdueshme, transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore. Pa vullnet politik dhe pa reforma të thella në sistem, korrupsioni do të mbetet një sfidë madhore për Shqipërinë.
Shoqata Together for Life mbetet e angazhuar për të ngritur zërin kundër korrupsionit dhe për të siguruar një sistem shëndetësor më të drejtë dhe më të përballueshëm për të gjithë qytetarët.
[1] Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Evropës për të monitoruar pajtueshmërinë e shteteve me standardet kundër korrupsionit të kësaj organizate