“Mjeku që më lëshoi recetën e ilaçeve, e fotografoi atë, duke më krijuar bindjen se ishte lidhur paraprakisht me depon farmaceutike dhe merrte përqindje nga ilaçet e përshkruara në recetë”, dëshmon një pacient i cili tregon se shumë herë është orientuar nga mjeku që t’i marrë medikamentet e përshkruara në recetë në një farmaci të caktuar.”

Ky nuk është një rast i izoluar. Sipas të dhënave të ofruara nga organizata Together for Life, bazuar në një anketë online me 1000 të anketuar në Shqipëri, evidentohet se 67% e personave kanë deklaruar se janë orientuar nga mjeku për t’i marrë medikamentet në një farmaci të caktuar, nga të cilët 48% janë orientuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe 19% në mënyrë të tërthortë. Vetëm 28% e pjesëmarrësve në anketë kanë deklaruar se nuk janë orientuar asnjëherë nga mjeku, ndërsa 4% nuk janë të sigurt ose nuk e kujtojnë.

Ky fenomen, i cili ngre pikëpyetje serioze për etikën profesionale dhe konfliktin e interesit në sistemin shëndetësor, duket se nuk është thjesht një fenomen i izoluar, por një model funksional që prodhon përfitime të njëanshme në kurriz të pacientit.

Nga përkujdesja te presioni i heshtur

Një tjetër pacient, i ardhur nga Pogradeci për të marrë shërbim në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, tregon për përvojat e tij të përsëritura me orientimin drejt një farmacie të vetme nga mjeku që e trajton prej vitesh për sëmundjen e tij:

Ne nga Pogradeci, sa herë bëjmë vizitën te doktori, na thonë ‘shko merre në filan farmaci ilaçin, mi sill t’i shoh edhe njëherë unë”. Një herë i mora medikamentet në një farmaci tjetër nga ajo që më kishte sugjeruar mjeku. Pagova për to 113 mijë lekë të vjetra. Kur shkova tek mjeku t’i tregoja medikamentet që sapo i kishte blerë, ai më tha se duhet t’i kisha marrë tek farmacia që më kishte sugjeruar sepse ato që kisha marrë nuk bënin. ‘Shko ktheji atje ku i ke marrë dhe merri tek farmacia që të kam thënë. ’ më urdhëroi. Ashtu bëra. Ishin të njëjtat medikamente, me të njëjtin paketim. ‘Nuk janë njëlloj’ – më tha mjeku, ‘mos shih kartonin, ne njohim kokrrat që ka brenda.’

Pacientët ndihen të detyruar të ndjekin udhëzimet e mjekut jo për shkak të besimit në kujdesin profesional, por për shkak të frikës se mjeku mund të refuzojë t’i trajtojë, nëse nuk ndjekin “udhëzimet” për blerjen e barnave. Në këtë kontekst, shëndeti shndërrohet në një lojë pushteti, ku mjeku mban kontrollin mbi çdo hallkë të trajtimit.

Megjithëse orientimi i pacientëve nga mjekët drejt farmacive të caktuara përbën një praktikë me pasoja të diskutueshme etike dhe ligjore, një pjesë e konsiderueshme e pacientëve e pranojnë dhe madje e justifikojnë këtë fenomen si një formë “garancie cilësie”. Sipas këtyre pacientëve, udhëzimi i mjekut nuk është i motivuar nga përfitimi personal, por nga dëshira për t’i drejtuar ata drejt farmacive të besueshme, ku mund të gjejnë barnat e duhura, efektive dhe në gjendje të mirë.

“Po, sigurisht që mjeku më ka sugjeruar farmacinë ku gjenden ilaçe cilësore. Si do të shërohem me ilaçe të skaduara? Ato që janë në rimbursim janë si gëlqere, nuk bëjnë asnjë efekt,” shprehet një pacient i moshuar, i cili shton se nuk i blen medikamentet e rimbursuara për shkak të mungesës së besimit tek cilësia e tyre. Ai thekson se çmimin e barnave e përballon me ndihmën financiare që merr nga e bija në emigracion.

Ky qëndrim, ndonëse i ndërtuar mbi përvojë personale dhe perceptime të përhapura, nuk mund të ligjërojë një praktike që cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe barazi në qasjen ndaj barnave. Mungesa e besimit në sistemin e rimbursimit dhe në kontrollin e cilësisë së barnave tregon për një dështim institucional, i cili po shfrytëzohet nga aktorë të caktuar për përfitime private. Në këtë mënyrë, orientimi “si kujdes” po shndërrohet në një normë të rrezikshme që rrit pabarazitë dhe rrezikon shëndetin publik.

Farmacistja S.G., e vetëdijshme për këtë realitet, pranon se “ky fenomen është i vjetër sa vetë bota”, dhe sugjeron që zgjidhja mund të gjendet vetëm në fuqizimin e legjislacionit për trajtimin e recetës dhe në përfshirjen e profesionistëve në tryezat vendimmarrëse.

Ndërkohë, një farmacist pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3 në Tiranë rrëfen se kjo praktikë i ka shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në punën e tij:

“Mjekët shkojnë deri aty sa më bëjnë anti-reklamë. U thonë pacientëve se ilaçet që ndodhen në farmacinë time  janë të skaduara. Në fakt, barnat janë të njëjtat – vijnë nga e njëjta depo farmaceutike.”

Ky pohim i rrezikshëm thekson përmasat agresive të konkurrencës jo të ndershme, ku një mjek jo vetëm që orienton, por edhe dënon farmacistët që nuk janë pjesë e “marrëveshjes”.

Nevoja për rregulla dhe mbikëqyrje reale

Praktika e orientimit të pacientëve drejt farmacive të caktuara  përmes ndikimit të drejtpërdrejtë apo nënkuptuar të mjekëve përbën shkelje të rëndë të etikës profesionale dhe cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe trajtim të barabartë.

Ky fenomen nuk është thjesht një shkelje administrative apo një “marrëveshje nën rrogoz”, por pasqyrë e krizës morale në sistemin shëndetësor, ku pacienti shihet si mjet fitimi ndërsa mjeku shndërrohet në ndërmjetës tregtar.

Fenomeni nuk ka kaluar pa u vënë re nga institucionet mbikëqyrëse. Alfred Leskaj, përfaqësues i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deklaroi gjatë një tryeze të organizuar nga TFL se po hetohet me prioritet ekzekutimi i recetave elektronike dhe organizimi i listës së barnave të rimbursueshme nga mjeku i familjes dhe farmacitë me kontratë me FDSKSH.

“Një pikë me risk të lartë është ekzekutimi i recetave elektronike pranë farmacive të kontraktuara, që nuk kontrollohet nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor,” deklaroi Leskaj.

KLSH ka rekomanduar që pacientëve t’u jepet informacion i qartë për barnat e përshkruara përmes shënimit të tyre në librezën shëndetësore, si një mënyrë për të forcuar transparencën dhe për të rritur kontrollin e qytetarit mbi trajtimin e vet.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, përmes këshilltares Silvana Ramadani, ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u rishikuar ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik, me synim të qartë: lehtësimin e qarkullimit të barnave, forcimin e gjurmueshmërisë dhe rritjen e aksesit të qytetarëve ndaj medikamenteve të nevojshme.

Ky rishikim edhe pse konsiderohet një hap i rëndësishëm, është i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me adresimin e plotë të fenomenit të orientimit të pacientëve drejt farmacive të caktuara, një praktikë që ka marrë përmasa shqetësuese dhe që po minon besimin në sistemin shëndetësor publik.

Vetëm përmes një qasjeje të gjithanshme dhe të thellë ndaj këtij fenomeni, që përfshin aspektet etike, ligjore, institucionale dhe njerëzore, mund të garantohet një sistem shëndetësor i drejtë dhe me integritet.

Sepse në fund të fundit, shëndeti nuk është një ‘mall tregu’, por një e drejtë dhe një përgjegjësi shoqërore.

*Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies dhe transparencës në sektorin shëndetësor në Shqipëri” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED)