
Gjatë vitit 2022 një pjesë e konsiderueshme e prokurimeve në sektorin e shëndetësisë shkoi për blerjen e oksigjenit për përdorim mjekësor, i cili u përdor nga spitalet për trajtimin e të sëmurëve me Covid -19 me simptoma të rënda.
Gjatë 8 mujorit të 2022 kompanitë “GTS” (Gazra Teknike Shqiptare) dhe “Messer Albgaz” u shpallën fituese në dy prokurime me vlerë rreth 1,9 miliardë lekë, për furnizimin e spitaleve publike me oksigjen. Vlera për blerjen e oksigjenit ishte sa 19% e fondeve të kontraktuara gjatë periudhës janar-gusht 2022 për të gjithë sektorin e shëndetësisë [1]. Kompania GTS ka monopolin e furnizimit me oksigjen të spitaleve, pasi edhe gjatë dy viteve të pandemisë ajo ishte kontraktuesi më i madh i fondeve publike në shëndetësi.
Sipas Revistës Monitor, kjo kompani e cila prodhon, shet dhe tregton garza teknik dhe terapeutik, ka ruajtur të ardhura të larta prej 2 miliardë lekësh, pikërisht pas zgjerimit të fortë në periudhën e pandemisë ku pësuan rritje kërkesa për oksigjen në spitale dhe përdorimi i bombolave të oksigjenit nga të sëmurët. Në vitin 2022 të ardhurat e GTS u rritën lehtë me 2%. Ndërkohë, revista Monitor raporton se qarkullimi vjetor i laboratorëve kryesor ishte 2,1 miliardë lek dhe me një tkurrje prej 53% në krahasim me 2021 [2].
Prokurimi i dytë më vlerën më të madhe ishte furnizimi me serume (sodium chloride i spitaleve) me një vlerë 411 milionë euro, ku fituese ishin 4 kompani: Trimed shpk, Rejsi Farma shpk, Florfarma dhe Edna – Farma shpk. Kjo shumë ishte sa 4% e fodeve të kontraktuara në periudhën janar-gusht 2022 [3].
Prokurimi i tretë më i madh për nga vlera në 8 mujorin e 2022 ishte tenderi “Loti 15 Ceftriaxone 1 gr Flakon/ Flakon + ampule (hollues)” me vlerë 302 milionë lek dhe fituese ishte kompania Megafarma. Ky tender zuri rreth 3% të vlerës së prokuruar gjithsej në sektorin e shëndetësisë.
Nga 670 tenderë të shpallur me fitues, 50 prej tyre përfituan 7,1 miliardë lek ose 70% të fondeve të prokuruar me fitues [1].
Këto të dhëna janë pjesë e raportit të prodhuar nga Shoqata Together for Life “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).
Burimi: https://transparency.com.al/
Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf (togetherforlife.org.al)
[1] https://openprocurement.al/sq/htender/list/from_held_date/2022-01-01/to_held_date/2022-08-31?
[2] “Revista Monitor” https://www.monitor.al/renia-e-biznesit-te-shendetit-2/
[3] https://openprocurement.al/sq/htender/list/from_held_date/2022-01-01/to_held_date/2022-08-31?