Partia Demokratike kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, lidhur me koncesionin e Sterilizimit që tashmë i ka kaluar shtetit.
Këtë e deklaroi deputeti Bardh Spahia përmes një deklarate nga Kryesia e Kuvendit, ku tha se sot qytetarëve nuk iu ofrohet shërbimi i kryerjes së analizave.
Spahia kërkoi hetim pasi akuzoi qeverinë se kërkon të përfitojë përmes koncesionit.
“Partia Demokratike kërkon një interpelancë në Parlament me ministren e Shëndetësisë për çështjen e sterilizimit. Ajo vetë e pranoi publikisht se qytetarët nuk kanë mundësi të bëjnë analizat. Pse SPAK nuk heton koncesionin e Sterilizimit. Ministria e pranoi vete se nuk bëhen analizat. Qeveria e ka vendosur në qendër të vëmendjes përfitimin nga koncesioni, kërkojmë hetimin e këtij rasti”, deklaroi Spahia.
Ishte vetë ministrja e Shëndetësisë Evis Salla e cila pohoi se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët e shtruar në QSUT nuk do të kryejnë analiza, për shkak të mungesës së fondeve. Salla premtoi zgjidhje brenda vitit, ashtu siç preferon të zgjidhë çdo problem të Shëndetësisë./politiko
