Raporti më i fundit i Bankës Botërore mbi sektorin shëndetësor në Shqipëri ngre një alarm të qartë: rrjeti spitalor publik nuk  është funksional. Pavarësisht investimeve të viteve të fundit në infrastrukturë dhe pajisje, dhe zbatimit të reformës më të rëndësishme në sistemin spitalor, reformës së autonomisë spitalore, pjesa më e madhe e spitaleve publike vazhdon të shfrytëzojë vetëm një pjesë të kapaciteteve të tyre, ndërsa ngarkesa e pacientëve mbetet e përqendruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).

Sipas raportit të BB, norma mesatare e shfrytëzimit të shtretërve në Shqipëri është rreth 55%, një nga nivelet më të ulëta në rajon dhe shumë larg standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian. Në shumë spitale rajonale ekzistojnë kapacitete të pashfrytëzuara, ndërkohë që QSUNT vazhdon të përballet me mbingarkesë, duke trajtuar një numër shumë më të madh pacientësh sesa ishte projektuar fillimisht.

Për Bankën Botërore, kjo situatë nuk është thjesht problem i mungesës së fondeve, por pasojë e organizimit joefikas të rrjetit spitalor. Raporti rekomandon riorganizimin e shërbimeve, reduktimin e shtretërve të tepërt aty ku nuk përdoren, konsolidimin e disa shërbimeve dhe forcimin e spitaleve rajonale, në mënyrë që pacientët të mos detyrohen të drejtohen pothuajse gjithmonë drejt Tiranës.

Edhe pse raporti nuk analizon drejtpërdrejt reformën e autonomisë spitalore, gjetjet e tij përkojnë në mënyrë domethënëse me përfundimet e raportit “Monitorimi i Autonomisë Spitalore në Shqipëri”, të publikuar vetëm dy muaj më parë nga organizata Together for Life (TFL).

Ky raport monitoroi zbatimin e autonomisë në gjashtë spitalet publike që përfshihen në fazën e parë të reformës dhe arriti në një përfundim thelbësor: autonomia spitalore ka mbetur kryesisht një reformë formale, pa prodhuar ende ndryshime të matshme në performancën e spitaleve apo në shpërndarjen e barrës së shërbimeve ndërmjet tyre.

Një nga gjetjet më domethënëse të raportit të publikuar nga TFL ishte se QSUNT vazhdon të mbajë peshën kryesore të sistemit spitalor shqiptar, ndërsa spitalet rajonale nuk kanë shfaqur rritje të dukshme të kapaciteteve apo të aftësisë për të trajtuar një numër më të madh rastesh. Pikërisht kjo tablo konfirmohet tashmë edhe nga analiza e Bankës Botërore, e cila evidenton se pacientët vazhdojnë të orientohen drejt Tiranës, ndërkohë që kapacitetet në rajone mbeten të pashfrytëzuara.

Raporti i Together for Life evidentoi gjithashtu se strukturat e reja të qeverisjes, si bordet drejtuese, funksionojnë më tepër në aspektin formal sesa si mekanizma efektivë të vendimmarrjes. Transparenca mbi performancën financiare dhe administrative mbetet e kufizuar, ndërsa sistemi nuk ofron ende tregues të qartë që të dëshmojnë se autonomia ka sjellë përmirësim në cilësinë e shërbimeve, eficiencën apo rezultatet për pacientët.

Një tjetër problem i evidentuar ishte fakti se financimi i spitaleve vazhdon të mbështetet kryesisht në praktikat tradicionale të buxhetimit, me stimuj të kufizuar të lidhur me performancën. Në mungesë të mekanizmave që shpërblejnë rezultatet dhe cilësinë, autonomia mbetet më shumë një ndryshim administrativ sesa një instrument real për transformimin e menaxhimit spitalor.

Në këtë kuptim, raporti i Bankës Botërore dhe ai i Together for Life plotësojnë njëri-tjetrin. Banka Botërore evidenton pasojat që shihen sot në funksionimin e rrjetit spitalor: spitale me kapacitete të pashfrytëzuara, mbingarkesë në QSUNT dhe përdorim joefikas të burimeve publike. Ndërsa raporti i Together for Life ndihmon të kuptohet pse këto probleme vazhdojnë të ekzistojnë, pavarësisht reformës së autonomisë: sepse ndryshimet ligjore nuk janë shoqëruar ende me ndryshime reale në mënyrën e qeverisjes, financimit, monitorimit dhe menaxhimit të spitaleve.

Të dyja raportet dalin në të njëjtin përfudnim: përmirësimi i sistemit spitalor nuk mund të arrihet vetëm duke investuar në godina të reja apo duke miratuar modele të reja organizative. Shqipërisë i nevojitet një rrjet spitalor funksional, ku çdo spital të ketë rol të qartë, kapacitete reale dhe përgjegjësi të matshme për rezultatet që arrin.

Nëse autonomia spitalore synon të jetë një reformë me ndikim, ajo duhet të shoqërohet me transparencë më të madhe, qeverisje efektive, financim të bazuar në performancë dhe një riorganizim të plotë të rrjetit spitalor. Në të kundërt, siç paralajmërojnë në mënyra të ndryshme si Banka Botërore ashtu edhe raporti i Together for Life, QSUNT do të vazhdojë të mbetet “spitali i gjithë Shqipërisë”, ndërsa spitalet rajonale do të vazhdojnë të funksionojnë nën potencialin e tyre, me pasoja të drejtpërdrejta për cilësinë, aksesin dhe eficiencën e kujdesit shëndetësor publik.