
Çdo vit, mbi 720,000 njerëz në mbarë botën humbin jetën si pasojë e vetëvrasjes, sipas një raporti të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)[1] . Nuk është thjesht një statistikë, por një thirrje për veprim, një sinjal i qartë që na tregon se shëndeti mendor është një problem serioz, ende i nënvlerësuar dhe i nënraportuar në të gjithë botën
Edhe pse shoqëritë moderne kanë bërë hapa të mëdha në përmirësimin e shëndetit fizik, problemet e shëndetit mendor shpesh mbeten të fshehura dhe rreziku për pasoja të rënda, përfshirë vetëvrasjen, është gjithnjë në rritje.
Në nivel global, të dhënat nga OBSH[2] tregojnë se një në dhjetë persona jetojnë me një çrregullim të shëndetit mendor. Kjo shifër, e cila konsiderohet të jetë edhe më e lartë për shkak të nën-raportimit dhe diagnostikimit të gabuar, na kujton se ky problem është shumë më i gjerë dhe ka nevojë për një qasje më të hapur dhe më gjithëpërfshirëse.
Në Shqipëri, situata është po aq shqetësuese. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT) , vdekjet nga vetëvrasja kanë shënuar një rritje, duke arritur në 0.9% të totalit të vdekjeve për vitin 2024[3]. Kjo shifër, edhe pse në dukje e vogël, është një sinjal të fortë për sistemin shëndetësor dhe social, pasi përfaqëson një rritje e dukshme në krahasim me vitin 2023, dhe shërben si një paralajmërim që kërkon një reagim të menjëhershëm dhe një përkushtim të shtuar për shëndetin mendor.
Nënfinancimi i shëndetit mendor në Shqipëri
Një tjetër sfidë që Shqipëria përballet është nënfinancimi i shëndetit mendor. Pavarësisht rritjes së rasteve dhe nevojës për më shumë mbështetje, financimi për shërbimet e shëndetit mendor është në rënie.
Gjatë viteve 2022-2024, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) kishte parashikuar mbulimin e kostove për rreth 930 pacientë të trajtuar në spitalet psikiatrike çdo vit.
Por, sipas raportit ‘Monitorimi i strategjisë kombëtare të shëndetësisë 2021 – 2030’, të Organizatës ‘Together for Life’[4] , edhe pse ka rezultuar se numri i shtruar në vitet 2022 dhe 2023 ka qenë respektivisht 1488 dhe 1653 pacientë të shtruar, buxheti i planifikuar paraprakisht nuk u rishikua, duke rezultuar me ulje drastike të kostos për njësi të shërbimit. Kjo ngre shqetësimin se 2426 pacientë të shtruar në spitalet psikiatrike në periudhën 2022-2023 nuk kanë arritur të përfitojnë shërbime cilësore.
MSHMS ka treguar mungesë fleksibiliteti në planifikimin buxhetor dhe dështim në parashikimin e nevojave reale. Në maj të vitit 2024, ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu deklaroi se MSHMS po zbaton programin kombëtar për trefishimin e numrit të psikologëve të punësuar në sistemin publik. Sipas ministres Koçiu këto ndërhyrje kontribuojnë në fuqizimin e ndërhyrjeve që mbështesin shëndetin mendor dhe zbulimin e hershëm të tij në përmbushje të objektivave të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030.[5]
Edhe pse pajisja e qendrave shëndetësore me specialistë si psikologë dhe fizioterapistë konsiderohet si një nevojë e lartë, ky proces konstatohet se po ecën me ritme të ngadalta.
“Kam filluar pune para një viti në qendrën shëndetësore. Se bashku me mjeket e familjes së qendrës punojmë për identifikimin e pacienteve me problem psikosociale për të cilët përgatis planin e ndjekjes dhe trajtimit ne vazhdimësi. Megjithatë, trajtimi i disa rasteve mund të kryhet vetëm nga psikologu”, thotë një punonjës social në qendër shëndetësore.
Zheni Gjergji, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për çështjet e Shëndetësisë, thekson se Shqipëria ka një buxhet shumë të ulët për shëndetësinë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo situatë i bën shërbimet shëndetësore më të vështira për t’u aksesuar dhe për të siguruar trajtim të duhur për ata që kanë nevojë.
“Ne kemi një nën financim të shërbimeve shëndetësore. Strategjitë kombëtare të mirë hedhura në letër duke mos patur fonde, nuk mund të kenë mundësinë të aplikohen mirë”, u shpreh Gjergji gjatë një forumi të organizuar nga TFL.
Stigmatizimi dhe pasiguria e trajtimit të shëndetit mendor
Një nga pengesat më të mëdha për trajtimin dhe parandalimin e problemeve të shëndetit mendor është stigma që i shoqëron ato, sidomos te të rinjtë. Shëndeti mendor vazhdon të trajtohet si një temë tabu, duke bërë që shumë individë të heshtin përballë problemeve të tyre, për shkak të frikës nga gjykimi i shoqërisë dhe i përçmimit social.
Sociologja Eva Sinanaj thekson se stigma sociale është një barrierë e madhe që pengon shumë individë të kërkojnë trajtim, duke i lënë ata të vuajnë në heshtje.
“Stigma sociale vazhdon të jetë pengesa kryesore. Shumë njerëz stepen, hezitojnë apo ngurojnë të flasin për problemet e tyre mendore nga frika e gjykimit”, pohon sociologia Eva Sinanaj.
Në Shqipëri kemi patur raste konkrete, ku për shkak të stigmës, një vajzë 15-vjeçare, në shkurt të 2025, i dha fund jetës. Sipas mediave, në sendet personale të vajzës, familjarët gjetën një letër të shkruar në anglisht, pa datë, në të cilën ajo rrëfente dhimbjen dhe izolimin që ndiente për shkak të bullizmit. “Pse më bullizojnë mua?”[6]
Në këtë rast, përveç ndërgjegjësimit të shoqërisë, familja luan një rol të madh në identifikimin dhe trajtimin e hershëm të problemeve të shëndetit mendor, duke ofruar mbështetje emocionale.
Nëpërmjet një mjedisi të sigurt dhe mbështetës, familja mund të krijojë kushte optimale për të përballuar sfidat mendore që mund të shfaqen gjatë jetës.
Siç shprehet L.S., nëna e një fëmije të mitur: “Një fëmijë, sado vështirësi të hasë me bullizimin apo sado të ndjejë vështirësi, nëse ka përkrahjen e familjes, e kalon sepse e di që ka një vend ku të ndjehet i sigurt.”
Kjo dëshmi e thjeshtë thekson rëndësinë e rolit të familjes si mbështetje themelore për përballimin e vështirësive emocionale dhe mendore, duke siguruar një ambient të shëndetshëm dhe mbrojtës, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.
Nevoja për ndërgjegjësim dhe parandalim: çelësi i luftës kundër vetëvrasjes dhe çrregullimeve mendore
Ndërgjegjësimi dhe parandalimi janë thelbësore për të luftuar problemet e shëndetit mendor. Psikologia Enertila Bekteshi thekson se një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë fushata sensibilizuese kombëtare dhe përfshirjen e psikologëve në shkolla, është thelbësore për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor.
“Shteti duhet të marrë një rol aktiv në promovimin e shëndetit mendor, duke përfshirë këtë çështje në paketën e shërbimeve shëndetësore dhe duke siguruar mbështetje financiare për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë për terapi”, shtoi Bekteshi.
Vetëvrasja është një problem serioz i shëndetit publik që kërkon një reagim të koordinuar dhe efikas. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve të hershme dhe masave parandalues, të cilat janë shpesh të thjeshta dhe me kosto të ulët, por që mund të shpëtojnë jetë.
Një strategji gjithëpërfshirëse dhe ndërsektoriale, e mbështetur nga qeveria, është e domosdoshme për të trajtuar këtë problem dhe për të siguruar një mbështetje më të fortë për ata që përballen me sfida të shëndetit mendor.
Problemet e shëndetit mendor në Shqipëri janë një sfidë e madhe, por gjithashtu një mundësi për të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e shërbimeve dhe mbështetjes për individët që vuajnë nga këto çrregullime.
Ndërgjegjësimi i shoqërisë, rritja e financimit dhe krijimi i një infrastrukture më të fortë për trajtimin e shëndetit mendor janë çelësat që mund të shpëtojnë jetë dhe të sigurojnë një të ardhme më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për shoqërinë shqiptare.
*Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies dhe transparencës në sektorin shëndetësor në Shqipëri” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED)
[1] https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/suicide
[2] https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/mental-disorders
[3]chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://www.instat.gov.al/media/15458/press-shkaqe-e-vdekjeve_dt-16062025.pdf
[4]chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/11/Raport_Monitorimi-i-Strategjise-Kombetare-te-Shendetesise-2021-2030.pdf
[5] https://ata.gov.al/2024/05/14/bashke-per-shendetin-mendor-kociu-forcim-i-kapaciteteve-te-diagnostikimit-ne-spitalet-rajonale-rritje-e-psikologeve-prane-qsh-ve/?doing_wp_cron=1721221803.2932400703430175781250
[6] https://www.balkanweb.com/pse-me-bullizojne-mua-cfare-e-shtyu-15-vjecaren-nga-gjirokastra-ti-jepte-fund-jetes-zbulohet-letra-e-fundit-e-se-mitures/#gsc.tab=0
