Rreth 63 përqind e qytetarëve të anketuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë pranuar se kanë blerë ilaçe pa pullë fiskale. “Ky rezultat tregon për shitjen e barnave kontrabandë në vend”, thonë audituesit shtetëror në një Raport Auditi Performance për “Efektin dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.
Raporti është publikuar së fundmi dhe, megjithëse nuk e përmend konkretisht, të dhënat e anketimit mbi përhapjen e barnave pa pullë fiskale, ngarkojnë me përgjegjësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli që prej shtatorit 2020.
Të dhënat e kronikës policore tregojnë se janë kryer herë pas here operacione për kontrabandën e ilaçeve, përfshirë edhe një hetim të zhvilluar pak muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës.
Megjithatë, goditjet e strukturave ligjzbatuese janë tërësisht anemike, ndërkohë që rastet e zbuluara dhe të referuara për kontrabandën e barnave nga Doganat janë thuajse sa gishtat e njërës dorë.
Besimi i ulët tek cilësia e barnave
Sondazhi i KLSH-së jep edhe të dhëna të tjera problematike mbi cilësinë dhe shpërndarjen e medikamenteve në Shqipëri.
Shumica absolute e të anketuarve, rreth 98% tyre, zgjedhin barna të importuar nga jashtë, në krahasim me 2% të tyre që zgjedhin barna, të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë.
Lidhur me blerjen e barnave jashtë vendit, “vetëm 9% e tyre shprehet se nuk janë detyruar ndonjëherë të blejnë barna jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër shprehen se iu është dashur të blejnë barna jashtë vendit për shkak se nuk kanë besim tek barnat që tregtohen në RSH, nuk është gjetur në farmacitë e vendit si dhe është sugjeruar nga mjeku i familjes”, thuhet në sondazhin e KLSH-së.
Po ashtu, 45% e qytetarëve shprehen se janë detyruar të shtyjnë kurën për shkak se kanë pritur t’ju sjellë ndonjë i afërm ilaçe nga jashtë vendit.
Sipas perceptimit të qytetarëve 34% e tyre mendojnë se barnat e përdorur kanë qenë pjesërisht efektiv dhe 8% e tyre mendojë se barnat nuk kanë qenë aspak efektive.
Mungesë transparence për ilaçet e refuzuara
Gjatë procedurës audituese, KLSHA ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) “nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale, për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu”.
Gjithashtu, rezulton se AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe, si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mungesa e transparencës me qytetarët dhe mos marrja e masave në kohë reale për njoftimet e rëndësishme të institucioneve homologe mbi barnat e konsideruara të dëmshme dëshmojnë për papërgjegjshmëri në përmbushjen me eficiencë dhe efektivitet të detyrave funksionale”./boldnews.al