
Shoqata Together for Life i bën thirrje publike Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale që të reagojë menjëherë me një plan të qartë, konkret dhe të zbatueshëm masash, për garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët e zonës juglindore të vendit, e cila prej ditësh ndodhet e izoluar për shkak të shembjes së segmentit të rrugës kombëtare, pjesë e Korridori 8, në fshatin Dragostunjë, Librazhd.
Bllokimi i këtij aksi rrugor ka ndërprerë aksesin e qindra pacientëve drejt shërbimeve të specializuara shëndetësore në Tiranë, duke vënë në rrezik serioz shëndetin dhe jetën e tyre.
Ndër pacientët më të rrezikuar janë:
• Pacientët kronikë me insuficiencë renale, të cilët kanë të planifikuara seanca të rregullta hemodialize në spitalet e Tiranës;
• Pacientët onkologjikë me seanca të planifikuara kimioterapie dhe trajtime të tjera specifike në spitalin onkologjik;
• Pacientë me ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara;
• Persona me sëmundje të rënda që mund të përballen me emergjenca shëndetësore dhe kanë nevojë për hospitalizim dhe trajtim të menjëhershëm.
Çdo vonesë në trajtim për këto kategori pacientësh përkthehet në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, rritje të riskut për komplikacione serioze dhe, në ndonjë rast, rrezik për jetën.
Në këtë situatë emergjente, kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale:
1. Hartimin dhe publikimin urgjent të Planit të Masave për menaxhimin e situatës;
2. Organizimin e transportit të dedikuar mjekësor për pacientët me trajtime të planifikuara jetike (hemodializë, kimioterapi, ndërhyrje kirurgjikale);
3. Angazhimin e strukturave të urgjencës kombëtare dhe vendore për garantimin e aksesit të menjëhershëm në shërbimet e nevojshme në rastet emergjente;
4. Koordinimin me njësitë vendore të kujdesit shëndetësor për identifikimin dhe ndjekjen aktive të pacientëve në rrezik;
5. Informim transparent dhe të përditësuar për qytetarët mbi masat e marra dhe alternativat e ofruara.
Shëndeti është një e drejtë themelore dhe është detyra e shtetit të garantojë në çdo rast, veçanërisht në raste emergjente, akses të plotë në shërbime shëndetësore.
Në kushtet kur një zonë e tërë e vendit mbetet e izoluar, reagimi institucional nuk mund të jetë i vonuar. Çdo orë dhe ditë që kalon rrit rrezikun real për jetën e pacientëve.
Together for Life do të vijojë të monitorojë nga afër situatën dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të veprojnë me prioritet maksimal për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
𝗦𝗵𝗼𝗾𝗮𝘁𝗮 𝗧𝗼𝗴𝗲𝘁𝗵𝗲𝗿 𝗳𝗼𝗿 𝗟𝗶𝗳𝗲
