denonco@transparency.com.al

Blog

2022, kontratat PPP marrin 10 % të buxhetit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor

Katër kontratat koncesionare me Partneritet Publik Privat, që aplikohen për disa shërbime
shëndetësore, janë shndërruar në barrë për buxhetin e shëndetësisë, duke ndikuar në një
shpërndarje jo te drejtë të fondeve në shërbime jo prioritare, ndërkohë që sistemi shëndetësor
shqiptar historikisht ka vuajtur nga nën-financimi. Këtë vit katër kontrata PPP në shëndetësi,
Kontrolli Bazë, Dializa, Sterilizimi i Instrumenteve Kirurgjikale dhe Shërbimi Laboratorik
Spitalor do të financohen me 5 miliardë lekë.
Kjo shumë është sa 49% e fondeve që janë programuar për rimbursimin e medikamenteve këtë
vit prej 11 miliardë lekësh. Vetëm për vitin 2022, fondi buxhetor i kontratave koncesionare është
sa 10.4% e buxhetit të total të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSDKSH) prej
52,8 miliardë lekësh.
FSDKSH është struktura përgjegjëse për financimin e shërbimit parësor, spitalor, paketave të
shëndetësore dhe rimbursimit të medikamenteve. Situata do të rëndohet më tej, për shkak se
kontratat koncesionare janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti, dhe në këtë mënyrë lënë shtigje
të hapura për rritjen e financimeve në periudhat e mëvonshme.
Për shembull, kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i
operacioneve të zhvilluara para vitit 2014. Me plakjen e popullsisë dhe rritjen e
sëmundshmërisë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Në vitin 2019, në të gjithë vendin
u kryen mbi 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore. Për pasojë, pagesat ndaj
kompanisë koncesionare, Sani Service më 2019 arritën mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë
euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë

E njëjta situatë është përsëritur edhe me Koncesionin e Laboratorit. Qeveria vendosi të rrisë
financimin për kontratën në 1.6 miliardë lekë në shtator 2022, nga 1.3 miliardë lekë që ishte
parashikuar në fillim të vitit. Në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” mjekët janë udhëzuar nga
administratorët që pas datës 20 të çdo muaji të kryejnë vetëm analiza laboratorike që janë
emergjente dhe të shmangin analizat rutinë që janë të domosdoshme për të vlerësuar ecurinë e të
sëmurëve. Gjithashtu mjekët në QSUT nuk mund të bëjnë kërkime shkencore bazuar në analiza
laboratorike, për shkak të kostove të larta që duhet të përballen tani kur ato administrohen nga
një kompani private.Situata e re që ka prodhuar zbatimi i kontratave koncesionare kanë dëmtuar më tej financat e shëndetësisë, pasi FSDKSH ka kanalizuar një pjesë të zërave të tjera të investimeve dhe
shpenzimeve të tjera për financimin e kontratave koncensionare.

sqAlbanian