
Sistemi i prokurimeve publike në sektorin e shëndetësisë, i menaxhuar kryesisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njohur një përkeqësim të ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Megjithëse në teori procedurat bazohen në një kuadër ligjor që synon përdorimin efikas të fondeve publike, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe shmangien e abuzimeve, realiteti i vitit 2024 tregon një panoramë krejt tjetër: mungesë transparence, konkurrencë të dobët dhe përqendrim të skajshëm të kontratave në duart e pak operatorëve.
2024, rreth 1/3 e procedurave të prokurimeve të kryera nga Ministria u anuluan
Institucionet shëndetësore gjatë vitit 2024 kanë realizuar 1,514 procedura prokurimi, bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Prokurimeve, me një vlerë totale prej 26.5 miliardë lekësh pa TVSH, nga te cilat vetëm 1,014 procedura janë finalizuar me njoftim fituesi, me një fond limit prej 20.2 miliardë lekësh. Vetëm nga MSHMS janë realizuar 392 procedura përfshirë blerjen e barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve të specializuara, nga të cilat 31% (122 procedura) rezultojnë janë anuluar. Shkaqet kryesore të anulimit bazuar në informacionin e siguruar në rrugë zyrtare janë për shkak të gabimeve ose dokumentacioneve të stafit 98 procedura (80%), tregues ky alarmant që nxjerr në pah në mënyrë të veçantë mungesën e kapaciteteve profesionale të stafit përgjegjës për hartimin e dokumenteve të tenderit, ndërsa pjesa tjetër për shka të mungesës të ofertave të papërshtatshme ose të mungesë së oferave
Kjo normë e lartë anulimesh është tregues mungesë të trajnimeve të rregullta për stafin përgjegjës për prokurimet publike në Ministri, dobësi të theksuara në në kontrollin e brendshëm cilësor, mekanizmat e dobët të monitorimit dhe përgjegjësisë institucionale.
Mungesë e theksuar konkurence
Nga një analizë e detajuar e procedurave prokuruese të zhvilluara nga MSHMS gjatë vitit të kaluar – realizuar nga eksperteët, konstatohet nivel shumë i ulët i konkurrencës, ku numri mesatar i operatorëve ekonomikë për çdo procedurë rezulton vetëm 1.3, pra në shumicën e rasteve kemi ose vetëm një ofertues gjë që krijon perceptimin e një gare pa garë dhe që ndikon drejtëpërdrejtë në vendosjen e kushteve të pafavorshme kontraktuale mes institucionit publik dhe operatorit privat dhe ka ndikim negativ në financat publike pasi nuk rezulton me ulje të çmimit të blerjes së produktit/ dhe ose shërbimit me çmim më të volitshëm.
Vetëm 2% rezulton ulja mesatare e çmimit nga fondi limit gjatë 2024, krahasuar me 8.57% në vitin 2014. Kjo tregon një zhvendosje permanente drejt një tregu të centralizuar, me çmime fituese afër pragut të fondit limit, çka lë të kuptohet për garë të simuluar apo përfitues të paracaktuar.
2014-2024, regres në prokurimet në sektorin e shëndetësisë
Përtej nivelit të ulët të konkurrencës që karakterizon prokurimet publike në sektorin e shëndetësisë, një tjetër dukuri shqetësuese që del në pah është koncentrimi i lartë i fituesve të tenderëve. Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se 72% e tenderëve janë fituar nga vetëm 10 kompani, duke krijuar një panoramë të ngushtë të aktorëve që përfitojnë nga fondet publike të destinuara për këtë sektor jetik.
Në kontrast të qartë me këtë situatë që reflekton përqendrim dhe centralizim, në vitin 2014 rezultonin fitues 68 operatorë të ndryshëm ekonomikë. Shpërndarja më e gjerë e kontratave jo vetëm që nënkupton treg më të hapur dhe më dinamik, por krijon edhe kushte më të mira për konkurrencë të vërtetë, transparencë dhe optimizim të çmimeve dhe cilësisë së shërbimeve.
Në letër, procedurat e prokurimit janë të hapura për pjesëmarrjen e operatorëve të huaj dhe për kompani të ndryshme vendase, por vihet re se, në praktikë, gara është e dominuar nga një rreth i ngushtë subjektesh. Kjo ngre dyshimet se këto operatorë që rezultojnë pothuaj përherë fitues në tenderat e organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, më shumë se sa për shkak të kapaciteve teknike dhe ekonomike, përfitojnë falë lidhjeve të tjera me sistemin – duke monopolizuar tregun.
Dominimi i një grupi të vogël kompanish në një sektor të financuar bujarisht nga buxheti i shtetit, siç është shëndetësia, nuk është thjesht një çështje statistike, por, në fund të fundit, ai përkthehet në pasoja konkrete dhe të dëmshme për funksionimin e tregut dhe interesin publik. Kur kontratat e rëndësishme për barna, pajisje apo shërbime mjekësore përqendrohen vazhdimisht tek të njëjtët fitues, zhduket mundësia për garë të vërtetë dhe me të edhe shpresa për oferta më të mira dhe më të leverdishme për shtetin.
Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për praktika favorizuese apo procedura të paracaktuara, të cilat dëmtojnë transparencën dhe minojnë besimin në sistemin e prokurimeve. Për më tepër, mungesa e konkurrencës e ul ndjeshëm presionin mbi kompanitë për të rritur inovacionin, për të përmirësuar cilësinë apo për të ofruar çmime më konkurruese. Me fjalë të tjera, në mungesë të sfidës nga operatorë të tjerë, fituesit e zakonshëm nuk kanë asnjë nxitje për të bërë më mirë. Dhe në fund, është sistemi shëndetësor dhe vetë qytetarët ata që paguajnë çmimin e këtij monopoli të heshtur.
Në një sistem ku garantohet konkurrenca e drejtë, fituesit e tenderëve duhet të ndryshojnë në varësi të cilësisë së ofertës, përvojës dhe kostos. Por kur të njëjtat kompani fitojnë shumicën dërrmuese të kontratave për vite me radhë, pa ulje të dukshme të çmimeve dhe me mungesë pjesëmarrjeje nga aktorë të rinj, kjo është një sinjal i qartë alarmi për mungesë gare reale dhe për rrezik të përdorimit joefikas të fondeve publike.
Përballë kësaj situate alarmante, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet menjëherë të marrë masa konkrete për rikthimi i diversitetit në tregun e prokurimeve dhe promovimi i pjesëmarrjes së gjerë mbetet domosdoshmëri, nëse synohet një sistem shëndetësor më i drejtë, më i qëndrueshëm dhe më transparent.
Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian