
Në 2 korrik Keshilli i Ministrave miratoi Projektdokumentin e Programit buxhetor Afatmesëm 2026–2028, i cili hyri në fuqi një javë më pas, në datën 9 korrik me botimin në fletoren zyrtare.
Që në prezantimin e prioriteteve afatmesme Dokumenti thekson se vitet e fundit ekonomia ka treguar rritje të qendrueshme në vlerën e 3.9%-4%. Bazuar në këtë situatë makroekonomike dhe në parashikimet optimiste për vitet e ardhshme në ProjektBuxhetin Afatmesëm janë parashikuar prioritete buxhetore gjatë periudhës 2026-2028. Sipas dokumentit “gjatë ciklit afatmesëm 2026-2028 parashikohet vijimi I ofrimit të shërbimeve për qytetarët në arsim, shëndetësi, transport, bujqësi, etj. sipas standarteve me cilësi të lartë. Pa dashur të merremi me sektorët e tjerë, le të analizojmë ndikimin e PBA 2026-2028 në sektorin e shëndetësisë dhe a pritet që ky buxhet të garantojë ofrimin e shërbimeve shëndetësore në të tria nivelet me cilësi të lartë dhe në përputhje me standartet.
Kreu 3 i këtij dokumenti fillon me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (3.1) ku theksohet se gjatë peridhës 2026-2028 falë buxhetit të parashikuar synohen të përmbushen objektivat e synuara. Por cili është buxheti I parashikuar për sektorin e shëndetësisë dhe cilat janë objektivat që pritete të përmbushen me këtë buxhet?
PBA – Buxheti për shëndetësinë ulje nga viti në vit
Nga një vështrim i përgjitshëm i Tabelës 1 së prezantuar në PBA vihet re një tendencë shqetësuese në lidhje me financimin e sektorit shëndetësor në Shqipëri. Megjithëse në pamje të parë të dhënat sugjerojnë një rritje të shpenzimeve nga viti 2026 deri në vitin 2028, një lexim më i thelluar nxjerr në pah mospërputhjen mes nevojave reale dhe planifikimit buxhetor.
| Shpenzime totale të shëndetësisë | ||||
| Buxheti faktik 2025 | PBA 2026 | PBA 2027 | PBA 2028 | |
| Në % ndaj PBB | 3.08% | 2.92% | 2.82% | 2.70% |
| Në % ndaj shpenzimeve të Përgjithshme të Qeverisë | 9.78% | 9.49% | 9.14% | 8.97% |
| Në vlerë nominale (mln lekë) | 80,730 | 80,613 | 81,656 | 82,041 |
| Të ardhura nga FSDKSH | 22,645 | 23,408 | 24,201 | 25,179 |
Tabela 1. Shpenzimet në vlerë nominale (në mln lekë) dhe në % ndaj PBB 2026-2028
Në vitin 2025, shpenzimet për shëndetësinë regjistrohen në vlerën 80,730 milionë lekë. Por në vitin pasardhës, sipas PBA këto shpenzime bien në 80,613 milionë lekë, duke reflektuar një ulje prej rreth 117 milionë lekësh, një sinjal i qartë ky i mungesës së prioritetit të Qeverisë për këtë sektor.
Grafiku 1 – Shpenzimet e shëndetësisë dhe Përkujdesjes sociale

Në vitin 2027 parashikohet një rritje graduale e shpenzimeve, përkatësisht në 81,656 milionë lekë, dhe më pas në 82,041 milionë lekë për vitin 2028. Megjithatë, kjo rritje është vetëm në terma nominalë pasi në % në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe me Shpenzimet e Përgjithshme të Qeverisë buxheti vjen në ulje progresive nga viti 2025 (viti aktual) deri në vitin 2028.
Në mënyrë të veccantë ulja e shpenzimeve në vitin 2026 ngre pikëpyetje serioze mbi angazhimin afatmesëm të institucioneve përgjegjëse për të garantuar financim të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm për shëndetësinë.

Në kundërshtim me parashikimet në Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, në të cilin paraqitet një pasaportë treguesish të nivelit të lartë, që konsiderohen si më të rëndësishmit (tabela2), PBA shkon drejt përkeqësimit të këtyre treguesve. Nëpërmjet një skenari tejet optimist, Strategjia ka parashikuar rritjen e shpenzimeve shëndetësore në 4% të PBB-së deri në vitin 2025 dhe në 5.2% deri në vitin 2030. Me tendencën e identifikuar më parë në raportin “MONITORIMI I STRATEGJISË KOMBËTARE TË SHËNDETËSISË 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”[1] dhe përforcuar nga PBA 2026-2028 është e qartë se jo vetëm që objektivat e Strategjisë nuk do të arrihen, por tendenca për uljen e buxhetit për shëndetësinë dëshmon, nga njëra anë, që kjo fushë nuk është në prioritet e Qeverisë dhe, nga ana tjetër, se në Shqipëria vazhdon të bëjë regres në përmbushjen e objektivit për mbulim universal shëndetësor të popullatës.
Grafiku 2 – Shpenzimet totale të shëndetësisë në % ndaj PBB

Pra, analiza e Projektbuxhetit Afatmesëm 2026–2028 nxjerr në pah se sektori i shëndetësisë nuk po trajtohet si një prioritet real nga Qeveria. Ulja progresive e shpenzimeve në raport me PBB-në dhe me shpenzimet e përgjithshme të qeverisë, si dhe mosrealizimi i objektivave të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë, përforcojnë shqetësimin se Shqipëria po largohet gjithnjë e më shumë nga objektivi i mbulimit shëndetësor universal. Nëse kjo tendencë nuk korrigjohet, ajo rrezikon të thellojë më tej pabarazitë në aksesin ndaj shërbimeve dhe të cënojë drejtpërdrejt të drejtën për shëndetësi cilësore të barabartë për të gjithë qytetarët. Buxhetimi i kujdesshëm dhe në përputhje me nevojat reale të popullsisë duhet të jetë kusht themelor për çdo strategji zhvillimi në sektorin e shëndetësisë.
Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” . Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian
[1] www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/11/Raport_Monitorimi-i-Strategjise-Kombetare-te-Shendetesise-2021-2030.pdf
