Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) përbëjnë një element kyç të pjesëmarrjes qytetare dhe të mbikëqyrjes demokratike në një shoqëri funksionale. Që pas ndryshimit të sistemit, organizatat dhe shoqatat kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në mënyrë të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e shtetit të së drejtës, forcimin e llogaridhënies dhe ndërtimin e një kulture transparence dhe llogaridhënëse nga ana e institucioneve. Megjithatë, edhe pas 35 vjetësh, ky potencial vijon të mbetet i nënshfrytëzuar për shkak të një sërë sfidash strukturore dhe kontekstuale, veçanërisht për organizatat që veprojnë në nivel lokal.

Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në Shqipëri, sidomos ato me bazë në komunitet (grassroots), përballen me një gamë të gjerë sfidash strukturore që pengojnë ushtrimin e plotë të rolit të tyre si aktorë mbikëqyrës dhe zëra kritikë ndaj institucioneve publike. Ndër sfidat kryesore dallohen mungesa e fondeve të qëndrueshme dhe kapacitetet e kufizuara organizative, të cilat përbëjnë një pengesë serioze për profesionalizimin dhe rritjen e ndikimit të tyre në politikëbërje dhe llogaridhënie publike.

Këto sfida janë intensifikuar vitet e fundit si pasojë e ndryshimeve në politikat e ndihmës ndërkombëtare. Reduktimi i fondeve të drejtpërdrejta për shoqërinë civile – i evidentuar në programet e USAID-it dhe në sinjalet e ngjashme nga donatorë të tjerë kryesorë – ka krijuar një klimë pasigurie financiare për shumë organizata, të cilat varen pothuajse tërësisht nga grantet e huaja. Kjo prirje tregon një rrezik real që OSHC-të lokale, të cilat kanë akses më të kufizuar në burime dhe ekspertizë, të margjinalizohen edhe më shumë në proceset vendimmarrëse.

Raporti “Nevojat e OSHC-ve lokale për forcimin e kapaciteteve me qëllim rritjen e rolit mbikëqyrës ndaj institucioneve publike” – i realizuar nga Together for Life, me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SPACE – “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjegjshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile” – ofron një panoramë të detajuar mbi situatën aktuale. Sipas gjetjeve të raportit, rreth 30% e organizatave të intervistuara (nga 50 organizata në shkallë vendi) kanë raportuar mungesën e fondeve si sfidën më të madhe për ekzistencën dhe zhvillimin e tyre. Problematika është veçanërisht e theksuar në rajonet Vlorë-Fier-Gjirokastër (35%)dhe Shkodër-Lezhë-Kukës (23%), zona ku varësia nga mbështetja ndërkombëtare është më e madhe dhe mundësitë e sigurimit të fondeve alternative nga aktorët lokalë apo sektori privat janë më të kufizuara.

Për më tepër, situata ka shënuar një përkeqësim të dukshëm gjatë vitit të fundit. Jo vetëm organizatat e vogla komunitare, por edhe ato të mesme dhe të mëdha, janë detyruar të marrin masa drastike për të përballuar krizën financiare: reduktim të konsiderueshëm të stafit, kufizim të aktiviteteve, apo edhe pezullim të plotë të veprimtarisë për periudha të pacaktuara. Kjo krijon një boshllëk të madh në mbrojtjen e interesave të komuniteteve lokale, sidomos në fushat e transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Një tjetër element kritik është kuadri ligjor dhe fiskal në të cilin OSHC-të operojnë. Organizatat e shoqërisë civile e konsiderojnë këtë kuadër jo vetëm të paplotë, por shpeshherë edhe pengesë për zhvillimin e tyre. Problemet burokratike me regjistrimin, mungesa e procedurave të thjeshtuara dhe trajtimi fiskal i barazuar me subjektet tregtare (përfshirë detyrimin për të paguar TVSH pa masa lehtësuese) rëndojnë ndjeshëm mbi kapacitetet e tyre financiare dhe operacionale.

Edhe Raporti Screening i Komisionit Evropian për Shqipërinë (2023) ka evidentuar këto sfida, duke theksuar se, megjithëse kuadri institucional ekziston, zbatimi mbetet i mangët. Mospërputhja midis standardeve ligjore dhe praktikës administrative krijon një mjedis jo të favorshëm për OSHC-të, duke i vendosur ato në një pozitë të dobët për të ushtruar rolin e tyre si partnere dhe kundërpesha në procesin demokratik.

Për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe kapacitetet e OSHC-ve, rekomandohet një qasje e shumëanshme: (1) qeveria shqiptare duhet të reformojë kuadrin ligjor dhe fiskal për të ofruar lehtësira tatimore dhe procedura më të thjeshta regjistrimi për OSHC-të; (2) donatorët ndërkombëtarë të rishikojnë politikat e tyre të mbështetjes, duke u fokusuar më shumë tek organizatat lokale dhe financimet afatgjata, në vend të projekteve të fragmentuara afatshkurtra; (3) vetë OSHC-të të investojnë në forcimin e kapaciteteve menaxheriale dhe në diversifikimin e burimeve të financimit, përfshirë partneritete me sektorin privat dhe instrumente të inovacionit social. Vetëm përmes një kombinimi të këtyre masave mund të sigurohet rritja e rolit të shoqërisë civile si aktor thelbësor në demokratizimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve publike.

Ky shkrim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Together for Life dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian