Kujdesi shëndetësor në banesë (KSHB) përbën një shërbim jetik për pacientët që nuk mund të aksesojnë qendrat shëndetësore për shkak të pamundësisë së përkohshme ose të përhershme për të lëvizur, përfshirë të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike, pacientët terminalë apo ata në periudhë post-operatorë. Ky shërbim, si një tipologji e re në sistemin shëndetësor shqiptar, ofron një gamë të gjerë kujdesi në shtëpi përmes infermierëve të trajnuar në procedura të avancuara, duke e sjellë shërbimin më pranë pacientit dhe duke rritur ndjeshëm aksesin në kujdes.

KSHB u pilotua për herë të parë në vitin 2021 nga projekti “Health for All” (HAP), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në disa qendra shëndetësore në qarqet Dibër dhe Fier. Deri në vitin 2026, mbështetja është zgjeruar në rreth 150 qendra shëndetësore, ndërsa në shtator 2024 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndërmori hapin për shtrirjen e këtij shërbimi në nivel kombëtar, duke e konsideruar atë pjesë të rëndësishme të reformave në kujdesin parësor.

Megjithatë, përtej këtij angazhimi politik të Ministrisë përgjegjëse, sfida kryesore mbetet mungesa e një financimi të dedikuar dhe të qëndrueshëm. Aktualisht, ofruesit e shërbimit përballen me kufizime të konsiderueshme, përfshirë mungesën e pajisjeve dhe materialeve bazë, kostot e pambuluara të transportit për vizitat në terren, mungesën e incentivave për personelin shëndetësor, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit infermieror.

Ndërkohë, kërkesa për këtë shërbim është në rritje të vazhdueshme. Të dhënat e CENSUS-it 2023 tregojnë se rreth 6.5% e popullsisë në Shqipëri vetë-identifikohet si persona me aftësi të kufizuara, ndërsa mbi 4.3% raportojnë vështirësi serioze në lëvizje. Në të njëjtën kohë, plakja e popullsisë dhe fakti që rreth 20% e saj është mbi 65 vjeç, së bashku me numrin e lartë të të moshuarve që jetojnë vetëm, rrisin ndjeshëm nevojën për shërbime të kujdesit në banesë.

Pavarësisht këtyre treguesve dhe nevojës në rritje për shërime shëndetësore në banesë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar një financim të strukturuar për këtë shërbim. Kjo vjen në një kohë kur vetë dokumentet strategjike të ministrisë parashikojnë rritjen e financimit për kujdesin parësor dhe alokimin progresiv të fondeve për KSHB deri në 2% të buxhetit të përgjithshëm të shëndetësisë, një objektiv që mbetet ende i papërmbushur.

Analizat financiare tregojnë se investimi në këtë shërbim është jo vetëm i realizueshëm, por edhe ekonomikisht i leverdishëm. Sipas dy skenarëve të financimit të përgatitur nga shoqata Together for Life, kostoja e implementimit në shkallë të gjerë për vitin e parë varion nga rreth 297.5 milionë lekë deri në 970.8 milionë lekë, në varësi të modelit të zgjedhur. Për më tepër, ky investim pritet të gjenerojë kursime të qenësishme për sistemin shëndetësor, duke reduktuar nevojën për shtrime spitalore dhe duke ulur kostot deri në 1.6 miliardë lekë në vit.

Në këtë kuadër, financimi i kujdesit shëndetësor në banesë nuk duhet parë vetëm si një detyrim social ndaj kategorive më vulnerabël, por edhe si një zgjedhje strategjike dhe e qëndrueshme për përmirësimin e eficiencës së sistemit shëndetësor. Shoqata Together for Life ka ngritur vazhdimisht këtë shqetësim gjatë vitit të fundit, duke e adresuar atë si në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ashtu edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij shërbimi, kërkohet ndërmarrja e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse. Këto përfshijnë sigurimin e financimit të dedikuar dhe të qëndrueshëm për KSHB si një linjë të veçantë buxhetore në programet e Ministrisë së Shëndetësisë. Njëkohësisht, edhe nga Parlamenti kërkohet që të ushtrojë në mënyrë aktive funksionin e tij mbikëqyrës për të garantuar alokimin dhe përdorimin efektiv të burimeve publike në këtë drejtim.

Kujdesi shëndetësor në banesë nuk duhet të mbetet një iniciativë e përkohshme e varur nga mbështetja e donatorëve. Ai duhet të konsolidohet si një shërbim i integruar, i qëndrueshëm dhe plotësisht i financuar nga shteti, në funksion të një sistemi shëndetësor më gjithëpërfshirës, më efikas dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata që janë më në nevojë.