Shoqata “Together for Life” është përballur ditët e fundit me një fluks ankesash për mungesën e mjekimit sipas protokolleve nga pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda si leukemi dhe sëmundje të tjera tumorale. Pas marrjes së ankesave, TFL nisi verifikimin në terren të situatës, ku u njoh me një gjendje alarmante nga mungesa e barnave jetike për sëmundje të rënda, të cilat duhet të sigurohen dhe/ ose rimbursohen nga sistemi shëndetësor publik.
“Nëna ime vuan nga leukemia dhe ndër të tjera trajtohet me preparatin Tasigna. Ky lloj ilaçi është jetësor për të dhe nuk mund të mungojë më shume se 1 javë, ndryshe gjendja përkeqësohet dhe ajo rrezikon jetën. Na informuan që medikamenti mungon dhe askush nuk përgjigjet se kur do të vijë”, deklaroi për TFL familjari i një pacienti.
Mungesën e këtij preparati e kanë denoncuar edhe pacientë të tjerë me leukemi, të cilët janë paraqitur këto ditë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe janë përballur me këtë mungesë. Për pacientët është e pamundur ta sigurojnë vetë këtë bar, i cili, jo vetëm është shumë i kushtueshëm, por edhe nuk gjendet në asnjë farmaci tjetër përveç asaj spitalore, që duhet t’ua vërë në dispozicion falas të sëmurëve.
Po ashtu, shumë shqetësuese paraqitet edhe gjendja e pacientëve që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilët prej javësh po përballen me mungesën e barnave kryesore, si fulvestrnt, gemzar dhe paclitaxel.
TFL ngre alarmin për këtë situatë, pasi mungesa e trajtimit me medikamentet e duhura sipas protokolleve të pacientëve me sëmundje terminale rrezikon seriozisht jetën e tyre, dhe kërkon me forcë marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e medikamenteve dhe trajtimin e pacientëve sipas protokolleve.
Duam të theksojmë se zbatimi i Ligjit për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë detyron institucionet shëndetësore si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” t’u sigurojnë pacientëve shërbim cilësor të vazhdueshëm dhe në përputhje me protokollet e miratuara.
Më shumë se një herë TFL e ka ngritur zërin në mbështetje të të drejtave të pacientëve për shërbim cilësor dhe ka denoncuar institucionet përgjegjëse për mungesën e cilësisë në shërbime. Kauzat e pacientëve për mjekim të drejtë dhe të bazuar në protokolle, Shoqata Together for Life i ka ndjekur në të gjitha instancat, nga QSUNT, Ministria e Shëndetësisë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe deri në Gjykatë. Tashmë janë disa çështje të fituara në gjykatë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është detyruar jo vetëm të sigurojë medikamentet e munguara për pacientë me talasemi dhe me kancer gjiri, por edhe t’i dëmshpërblejë ata për dëmin shkaktuar shëndetit të tyre si pasojë e mungesës së trajtimit të duhur. (https://mailchi.mp/b0e42dfc9db4/the-court-compensates-the-patient-with-hemophilia-together-for-life-represented-the-case-in-trial-2124509; https://www.togetherforlife.org.al/en/tfl-fiton-betejen-e-pare-gjyqesore-ne-mbrojtjen-e-pacienteve/)
TFL i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në veçanti ministres Albana Koçiu që të ndërhyjë menjëherë për të adresuar këtë situatë kritike dhe për të marrë masa që garantojnë që asnjë pacient të mos përballet me ndërprerje të trajtimit për shkak të mungesës së medikamenteve. Për më tepër, kërkojmë që të kryhet një hetim i plotë për të përcaktuar arsyet e mungesës dhe të sigurohet që një situatë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen.
Gjithashtu, Together for Life siguron se do të jetë në krahë të pacientëve në këtë betejë dhe, ashtu si edhe më parë, në mungesë të një reagimi nga ana e MSHMS dhe institucioneve të tjera, do të ndjekë të gjitha hallkat e sistemit për të kërkuar të drejtën e tyre deri në përballje ligjore me cilindo përgjegjës për këtë situatë.