denonco@transparency.com.al

Cënohet siguria ushqimore/ Raporti i KLSH: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit s’ka dokumente për mijëra kg mish të sekuestruar në Kavajë e Rrogozhinë

Mishin që u sekuestrohej tregtarëve në Rrogozhinë e Kavajë, inspektorët e AKU e çonin në “ruajtje” tek frigoriferët privat në Tiranë. Më vonë bënin një procesverbal asgjësimi. Gjasat janë se këto përfundonin sërish në treg, pasi KLSH* në kontrollin e bërë në DRAKU Tiranë, nuk ka gjetur asnjë dokument që të vërtetojë se këto sasi mishi janë asgjësuar.

Kontrolli i KLSH nis me autorizimin e datës 23 janar 2018, sipas të cilit, janë nisur inspektorët për asgjësim të mishit dhe nënprodukteve të tij të konfiskuara në njësitë e tregtimit të mishit, peshkut, etj, për periudhën 30 dhjetor 2017 deri me 22 janar 2018.

Në Procesverbal inspektimin, Vendimin Përfundimtar të mbajtur në subjektin X, cilësohet sasia në total 1160 kg (pa certifikatë veterinare), transportuar me mjetin me targë. Por në proces verbal nuk përshkruhet dhe nuk është vlerësuar vlera në lekë e sekuestrimit të sasisë së mishit të asgjësuar.

Mishi i konfiskuar është dërguar pranë subjektit privat, i cili është vetë objekt inspektimi nga AKU. Ky veprim, sipas auditimit, nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore, pra është kryer në kundërshtim me procedurën e përcaktuar në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”.

Referuar këtij veprimi të inspektorëve, arrihet në konkluzionin se ky është kryer në tejkalim të kompetencave ligjore, në kushtet e mungesës së minimalisht të një akti ligjor (kontratë qiraje për dhomë/magazinë frigoriferike) midis institucionit dhe subjektit, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar.

Sipas KLSH është cënuar siguria ushqimore, pasi në çdo moment subjekti, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar (ku theksojmë se në këtë praktikë nuk administrohet as dokumenti i pranimit nga subjekti, të mallit të konfiskuar), mund ta nxjerrë në treg mishin, mund ta trajtojë, përpunojë dhe ta përdorë për një qëllim tjetër, si dhe ndikon negativisht në konkurrencën në treg.

Nga ana tjetër, në asgjësimin e pretenduar të sasisë së mishit, nuk janë prezent përfaqësuesi i subjektit të mallit të konfiskuar ose përfaqësues tjetër ligjor nga institucionet e Mjedisit dhe Tatimeve. “Në praktikën e mësipërme, dokumentacioni i paraqitur është i paplotë dhe nuk dokumenton vërtetësinë e kryerjes së asgjësimit”, thekson KLSH.

Por ka edhe një fakt që përforcon mendimin se abuzimet nuk janë të rastësishme. Në autorizimin e lëshuar nga ish/Drejtori i DRAKU Tiranë për kryerjen e asgjësimit, është i njëjti grup që ka kryer inspektimin dhe sekuestrimin. Pra, ky është një konflikt interesi i inspektorëve.

sqAlbanian