“Gabimet ndodhin” është një frazë e zakonshme, por disa gabime janë shumë më serioze se të tjerat. Ky është sigurisht rasti kur ne e kthejmë vëmendjen te kujdesi shëndetësor, dhe në veçanti te laboratoret mjekësore, ku edhe gabimi më i vogël mund të ndikojë drejtpërdrejtë në mirëqenien e një pacienti.
Laboratorët mjekësorë, sidomos në Tiranë janë përhapur si ”kërpudha”, por askush nuk merret me cilësinë e analizave, ku një gabim i vetëm në këtë zinxhir mund të rezultojë në një diagnozë të gabuar, trajtim të gabuar dhe akoma më keq, dëmtim të pacientit.
“Unë jam përpjekur të zbuloj një problem timin shëndetësor në lidhje me një bakter, ku në njërin nga laboratorët që unë shkoja më nxirrte të njëjtën gjë, sepse çfarë kishte të shënuar në kompjuter sa shikonte emrin tim thjesht i printonte dhe kur shkoja në një vend tjetër më dilte një bakter tjetër dhe unë nuk dija se cilin nga ato duhej të mjekoja. Nuk e di a po merret dikush me cilësinë e këtyre analizave për të vijuar më tej me diagnozën. Ato kitet përdoren dhe stërpërdoren dhe analizat nuk janë më të qarta. Është një problem të cilit duhet t’i japim përparësi, meqë ishim te cilësia e shëndetësisë”, u shpreh Majlinda Hoxha (Organizata Network Albania) gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endowment for Democracy.